Pikëpamje | Ekonomia

COVID-19 dhe rrëmuja ligjore që duhet ‘vetizoluar’

Nga - 03.04.2020

Si mund t’i qasen bizneset dhe individët krizës së COVID-19 nga një perspektivë ligjore?

Kosova tashmë është në javën e tretë nga dita kur Qeveria (tash në detyrë) vendosi t’i mbyllë kafeteritë, baret, pijetoret, restorantet e qendrat tregtare dhe t’i ndalojë aktivitetet kulturore e sportive. Paralelisht me këtë masë, institucionet publike u urdhëruan t’i reduktojnë veprimet dhe stafin në vetëm ata esencialë, e ngjashëm punëtorët e sektorit privat u urdhëruan t’i kryejnë aktivitetet nga shtëpia. 

Megjithëse masat u morën për ta parandaluar përhapjen e sëmundjes, pezullimi i shumicës dërrmuese të aktiviteteve në sektorin privat e publik veçse ka filluar të shkaktojë një sërë pikëpyetjesh mbi të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve në raportet e tyre të ndryshme juridike. Po aq shqetësuese është se si do të arrijnë punëdhënësit dhe bizneset ta përballojnë këtë situatë në kuadër të kontrave të ndryshme të prodhimit, furnizimit, punësimit apo të tjera, ndoshta përjashtuar këtu kompanitë që merren me prodhimin e maskave dhe dezinfektantëve, ato farmaceutike dhe ushqimore. 

Më poshtë mund t’i gjeni disa udhëzime praktike se si bizneset dhe individët mund t’i qasen kërcënimit të COVID-19 nga një perspektivë ligjore, së bashku me përgjigje për disa nga pyetjet juridike që lindin në lidhje me efektin e kësaj pandemie në raport me detyrimet kontraktore.

A parasheh kontrata ngjarje si përhapja e një epidemie apo pandemie?

Në pyetjen se çfarë ndodh me detyrimet e palës në pamundësi të veprimit nga COVID-19, përgjigja normalisht gjendet te të drejtat dhe detyrimet e parashikuara në kontratë.

Si fillim, shikoni nëse kontrata juaj përmend apo ka një klauzolë të ashtuquajtur “forca madhore”. Për ta zbërthyer këtë zhargon të famshëm juridik, forca madhore apo siç referohet ndryshe në kontrata edhe si “fuqia madhore” apo “vis major”, është një klauzolë e kontratës e cila liron palët — punëdhënësin dhe punëmarrësin — nga përgjegjësia dhe detyrimet në rast se një ngjarje apo dukuri e jashtme, e cila nuk mund të parashikohej, të mënjanohej apo të evitohej, dhe e cila është jashtë kontrollit të palëve, pamundëson apo vështirëson përmbushjen e detyrimeve të palëve.

Ligjet e Kosovës nuk ofrojnë përkufizim të qartë të forcës madhore, duke e lënë përkufizimin e saj te kontratat e lidhura ndërmjet palëve.

Shembuj që rëndom përmenden në kontrata janë p.sh. kryengritjet, luftërat, përmbytjet, rrufeja, tërmetet, shpërthimet vullkanike, deri tek “aktet e zotit”. Në të shumtën e rasteve zbatimi i kësaj klauzole nuk i pushon përfundimisht detyrimet kontraktore, por vetëm i pezullon ato deri në përfundimin e ngjarjes apo rrethanës së forcës madhore. 

A mund të konsiderohet COVID-19 si rrethanë e forcës madhore? 

Ndryshe nga shumë vende të tjera që ofrojnë përkufizim të qartë të këtij koncepti në kodet e tyre civile, në ligjet e Kosovës nuk ka një të tillë, duke e lënë kështu përkufizimin e saj te kontratat e lidhura ndërmjet palëve. Pra palët e kanë vendosur vetë se çfarë ngjarjesh apo rrethanash do të përbëjnë forcë madhore në kontratë me parimin e autonomisë së vullnetit.

Në të shumtën e rasteve, pjesa e forcës madhore në kontratë përcakton një sërë kushtesh që duhen përmbushur në mënyrë që një rrethanë apo akt të konsiderohet si rast i forcës madhore, që zakonisht shoqërohet edhe me shembuj konkretë si kryengritjet, luftërat, pandemia, etj.

Mirëpo, në përgjithësi, nuk është kaq e lehtë që një palë të thirret dhe të justifikohet falë klauzolës së forcës madhore. Përveç pyetjes nëse pandemia apo epidemia është përfshirë te shembujt apo përkufizimi i forcës madhore, punëdhënësi dhe punëmarrësi gjithashtu duhet të vlerësojnë me kujdes nëse klauzola kërkon ndonjë veprim shtesë, siç mund të jetë detyrimi për të njoftuar palën tjetër apo ndonjë konfirmim zyrtar për rrethanën në fjalë. 

Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve u jep mundësi palëve për ta rishikuar kontratën në rastet e rrethanave që e vështirësojnë apo pamundësojnë përmbushjen e detyrimeve.

Në një shembull të rëndomtë, të marrë nga një kontratë e publikuar nga një ofrues shërbimesh televizive në Kosovë, klauzola e forcës madhore thotë: “Asnjëra palë nuk është përgjegjëse për dështimin e përmbushjes së obligimeve të shkaktuara nga ose që rezultojnë nga Forca Madhore që përfshin ngjarjet që janë të paparashikueshme, të papritura, të parezistueshme dhe përtej kontrollit të palëve, siç është moti i ashpër dhe ekstrem, përmbytje, rrëshqitje dheu, tërmet, stuhi, vetëtimë, zjarr, akte terrorizmi, luftë (me apo pa deklarimin e luftës), trazira, eksplodime, grevë ose protesta të punëtorëve, trazira civile, sabotazh, shpronësim nga ana e qeverisë ose akte tjera apo ndonjë ndodhi që është jashtë kontrollit të arsyeshëm të Palës përkatëse”.

Një përkufizim i tillë mund të konsiderohet si relativisht i gjerë, ndonëse nuk e përmend shprehimisht epideminë apo pandeminë te lista e shembujve. Ky përkufizim lë hapësirë për ta interpretuar pandeminë COVID-19 si një ngjarje të papritur, e cila nuk mund të parashikohej, të rezistohej apo të kontrollohej nga palët dhe si e tillë të konsiderohet si forcë madhore. 

Pra, është esenciale që të analizohet mirë se çfarë situatash parasheh kontrata si forcë madhore dhe nëse klauzola i liston ato shprehimisht apo lejon për interpretim me togfjalësh si “akte të tjera apo ndodhi që janë jashtë kontrollit të arsyeshëm të palës”. 

A ka rrugëdalje tjetër përveç forcës madhore?

Në rast se kontrata nuk përmban një klauzolë të tillë, e thënë të drejtën këso rastesh nuk janë të pakta në Kosovë, palët mund të gjejnë ngushëllim në koncepte të përafërta, siç janë “pamundësia e përmbushjes”, dhe doktrina rebus sic stantibus (rrethanat e ndryshuara). Të dyja këto koncepte janë të rregulluara edhe me Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve, duke u dhënë palëve mundësi ligjore për ta rishikuar kontratën në rastet e rrethanave që e vështirësojnë apo pamundësojnë përmbushjen e detyrimeve.

Përcaktimi se a përbën ndryshim të rrethanave përhapja e virusit natyrisht varet nga rasti në rast, sidomos duke marrë parasysh kohën, qëllimin dhe natyrën e kontratës si dhe informacionet në dispozicion të palëve në kohën e nënshkrimit të saj. Në një rast të tillë, pala do të duhet të argumentojë se pandemia ka ndikuar në atë formë te kushtet e kontratës sa e ka bërë të pamundur përmbushjen e tyre dhe se e njëjta nuk mund të ishte parashikuar apo evituar, duke e bërë të padrejtë që kontrata të mbetet në fuqi ashtu siç ishte paraparë fillimisht. 

Ngjashëm, ligji i këtushëm kërkon që pala e cila thirret në zgjidhjen apo ndryshimin e kontratës si pasojë e rrethanave të ndryshuara domosdoshmërisht duhet të njoftojë me kohë palën tjetër kontraktore, pasi në të kundërt rrezikon të përgjigjet për dëmin në kontratë.

Punëdhënësit janë të obliguar me ligj që të ndërmarrin të gjitha masat e arsyeshme për të mbrojtur sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e punëmarrësve.

Klauzola për rrethanat e ndryshuara në përgjithësi zbatohet në raste ekstreme — kriza ekonomike e vitit 2008 ishte rast i tillë, mirëpo ekziston edhe koncepti i pamundësisë së përmbushjes si një alternativë për t’u shqyrtuar në këto rrethana. Më saktësisht, kur përmbushja e detyrimit të njërës palë bëhet e pamundur si pasojë e një ngjarjeje për të cilën nuk është përgjegjëse asnjëra palë, shuhet edhe detyrimi i palës tjetër. Në rast se pala tjetër veçse ka përmbushur ndonjë pjesë të detyrimit të saj, i lind e drejta për të kërkuar kompenzim.

Pra, mospërmbushja e detyrimeve kontraktore si pasojë e COVID-19 varet nga rasti në rast. Ajo çka mbetet e vlefshme për të gjitha palët të cilave u është prekur zbatimi i kontratave nga përhapja e pandemisë është që ato t’i rishikojnë kushtet e kontratës për t’i identifikuar sa më shpejt që është e mundur veprimet që duhet t’i ndërmarrin në kuadër të atyre kontratave. 

Çështje të tjera ligjore si pasojë e COVID-19

Kosova nuk bën përjashtim nga pasojat e pandemisë në ekonominë botërore. Me zbatimin gjithnjë e më strikt të masave parandaluese në të mirën e shëndetit publik, punëtorët dhe bizneset e prekura veçse kanë filluar t’i ndiejnë vështirësitë financiare. 

Borxhet e mëdha ekzistuese, një krizë e mundshme e likuiditetit dhe ulja drastike e kërkesës te shumë biznese pritet të lënë pasoja të rënda ekonomike. Andaj bizneset duhet të jenë vigjilente dhe t’i analizojnë aftësitë për t’i përmbushur detyrimet e tyre të pagesës së punëtorëve dhe të menaxhimit të rrjedhës së parave. 

Nëse situata financiare përkeqësohet, bizneset do të duhet të marrin parasysh nëse është koha për të iniciuar procedurat e riorganizimit apo të falimentimit, ndërprerjen e kontratave të punës e çështje të ngjashme. Niveli i ndërhyrjes këtu është i ndërlidhur ngushtë me përgjigjen e dhënë nga Qeveria përmes pakos emergjente për adresimin e problemeve ekonomike si rezultat i pandemisë. 

Në këtë situatë, ndër tjera punëdhënësit janë përgjegjës për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve dhe janë të obliguar me ligj që të ndërmarrin të gjitha masat e arsyeshme për të mbrojtur sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e punëmarrësve. Kjo nënkupton se të gjithë punëdhënësit duhet të sigurohen që i kanë ndërmarrë veprimet e duhura për të mbrojtur shëndetin e stafit, përfshirë lirimin nga puna me pagesë për personat e caktuar dhe pajisjen me mjetet e duhura mbrojtëse për ata punëtorë që vazhdojnë të paraqiten në punë. 

Ata punëdhënës që përkundër urdhrit të qeverisë për të ndenjur në shtëpi  i detyrojnë punonjësit të paraqiten në punë ekspozohen ndaj procedurave ligjore apo dënimeve si pasojë e moszbatimit të masave parandaluese dhe shkeljes së detyrimeve ligjore, siç janë ato që rrjedhin nga Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

COVID-19 nuk është kot në krye të lajmeve, diskutimeve dhe vendimeve botërore. Në kohën kur qeveria në detyrë vazhdon të marrë masa për parandalimin dhe kontrollimin e situatës e organet shëndetësore dhe ato të rendit qëndrojnë palodhshëm në frontin e punës, është e udhës që ne si individë të informohemi për detyrimet dhe pasojat ligjore që na prekin nga përhapja globale e COVID-19. Për aq sa na takon, secili prej nesh duhet të kujdesemi dhe të minizojmë pasojat negative që përhapja e këtij virusi të frikshëm po lë tashmë edhe në raporte juridike. 

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.