Biseda | BiH

Davor Dragičević: Ne e jetojmë fashizmin ballkanik

Nga - 28.12.2020

Tre vjet pasi iu vra biri, Davor Dragičević vazhdon të këmbëngulë për drejtësi.

Natyrisht, viti 2020 do të mbahet mend për pandeminë — për frikat dhe paqartësinë, ngujimet dhe masat shtrënguese, si dhe konfliktet e vështirësitë personale që kemi tejkaluar ndërsa jemi përpjekur të pajtohemi me mungesën e imponuar të lirive.

Megjithatë, as në kohë të këtilla, rebelët e rajonit nuk janë strukur në heshtje.

Ata kanë refuzuar të heqin dorë nga protesta ose ngritja e zërit në publik, nga luftërat ligjore ose mënyrat e ndryshme të ushtrimit të demokracisë në praktikë — nga beteja për të drejtat dhe liritë e të gjithëve. Të patrembur, ata kanë vazhduar t’i sfidojnë njerëzit në pushtet duke kërkuar llogari dhe mbi të gjitha ndryshim.

Për të ditur më shumë se çfarë i motivon qytetarët e rajonit të dalin në ballë të luftës kundër padrejtësive të ndryshme, K2.0 ka identifikuar gjashtë rebelë që jetojnë rreth nesh në rajon. Ata janë njerëzit që janë të vendosur kundër absurditeteve të jetës në Ballkan dhe vazhdojnë të luftojnë, edhe pse shpeshherë duket se shanset nuk janë në favorin e tyre dhe ballafaqohen me kërcënime e sulme.

Natyrisht, ka shumë rebelë të tjerë meqë arsyet për rebelim janë të pafundme. Por ata që kemi zgjedhur për këtë varg shkrimesh përbëjnë një grup të larmishëm individësh dhe çështjesh; njerëz që kanë bërë një hap përtej, kanë mobilizuar të tjerët dhe kanë gjetur një mënyrë për të arritur ndryshim në fushat e tyre përkatëse.

Davor Dragičević udhëhoqi një rebelim të përnjëmendtë në Bosnjë e Hercegovinë pas vrasjes së Davidit në vitin 2018, birit të tij 21 vjeç që u privua nga jeta në vitin 2018 në rrethana ende të pasqaruara plotësisht. Pak kohë më pas u formua grupi “Pravda za Davida” (Drejtësi për Davidin), i udhëhequr nga Davori si dhe nëna e Davidit Suzana. Ata mobilizuan një turmë të madhe që shtohej dita-ditës për muaj të tërë, deri kur policia ndaloi grumbullimet dhe shpërndau grupin nga sheshi qendror në Banja-Llukë. Davori u arrestua dhe më vonë u lëshua para se ta linte shtetin. Ai jeton në Austri tash e dy vjet, por nuk ka hequr dorë nga lufta për drejtësi.

Dhjetori i vitit 2020 shënoi trevjetorin e nisjes së luftës për të vërtetën dhe drejtësinë lidhur me vdekjen e David Dragičević-it. Foto nga nisma “Pravda za Davida.”

K2.0: Davor, je një nga njerëzit e vetëm që rebelohen në mënyrë të zëshme dhe të guximshme kundër padrejtësive në Bosnjë. Ndaj kujt je çuar saktësisht: sistemit, shtetit, politikës…?

Davor Dragičević: Kundër sistemit të një shteti të korruptuar, kundër vrasësve, kundër kriminelëve. S’ma ndien çfarë pasojash do t’ia sjellë entitetit [Republikës Serbe (RS)] dhe Bosnjës. Ose kujtdo tjetër. Nuk mund të ma vrani fëmijën!

Është vështirë të pranohet kur fëmija vdes aksidentalisht; disa njerëz pajtohen, kurse të tjerë jo. Por kjo është ndërmarrje e përbashkët kriminale, vrasje e organizuar.

Në atë kontekst, unë nuk e shoh veten fare si të guximshëm. Mendoj se secili prind do ta bënte këtë për fëmijën. Sepse jeta është gjëja më e rëndësishme, lëre më fëmija. Nuk mund t’ua fal vdekjen e fëmijës, dhe i di emrat e vrasësve. Po kërkoj drejtësi për birin tim, jo për vete.

Po ashtu e di se kë e kam kundërshtar: udhëheqësinë e shtetit, politikanët e korruptuar, vrasësit, kriminelët, gangsterët, një oktapod të konsoliduar. Do ta çoj deri në fund; do të luftoj sa të jem gjallë.

Tani qëndron në Austri. Përse ke lëshuar Bosnjën?

Më [30 dhjetor 2018], ata na dëbuan si qentë. Nga data 25 — kur më arrestuan — pesë ditë me radhë policia veproi me qëllim për ta thyer grupin “Pravda za Davida” dhe për të më hequr qafe disi. Për fatin e tyre të keq, ata s’më zunë.

Përndryshe do të përfundoja si biri im — për këtë jam i sigurt. Ndoshta do të më gjendej [trupi], ndoshta jo. Do të ishte fundi i kësaj beteje. Kur merr fund ti, s’mbetet askush për ta vazhduar luftën. Jam i vetëdijshëm për këtë dhe do të bëj çmos për ta arritur cakun, pavarësisht se ç’kërkohet.

M’u desh të ikja për të shpëtuar gjallë dhe për ta vazhduar luftën.

Askush nuk përmendte vrasjen e David Dragičević-it sepse kanë mekanizma. Ata zunë Davidin dhe e mbajtën për gjashtë ditë e gjashtë net teksa ne e kërkonim. Kjo është konfirmuar. Mund ta imagjinoni peshën e një krimi të tillë. Të mbash një fëmijë rob gjersa sajon arsyetimin se ka thyer një shtëpi dhe e vë në RTRS [transmetuesi publik i Republikës Serbe] pasi e vret. 

M’u desh të ikja për të shpëtuar gjallë dhe për ta vazhduar luftën. Por, edhe po t’ia kishin dalë të më vinin prapa grilave, unë do ta vazhdoja luftën deri në frymën e fundit. Pika e fundit e djersës del kur vdes, kur vjen morti. Gjithmonë ka rrugë për të luftuar; ka njerëz të mirë që të ndihin. E rëndësishme është të mos dorëzohesh. Nëse dorëzohesh dhe nënshtrohesh, ata të marrin për të dobët; është vështirë të mëkëmbesh. Kurrë nuk do të heq dorë, pa marrë parasysh rezultatin.

Janë bërë gati tre vjet nga vdekja e Davidit, nga pika kur filloi gjithçka — protesta dhe lufta juaj për të vërtetën. Si je dhe si është jeta për momentin?

E rëndësishma është që jam këtu dhe jam i lirë; që s’më ndjek policia dhe qeveria. Mund ta vazhdoj luftën prej këtu. Në Bosnjë jam plotësisht i pambrojtur dhe i ekspozuar ndaj përndjekjes prej policisë.

Cili është çmimi i kësaj lufte në Bosnjë, i rebelimit?

Nuk e di si janë njerëzit e tjerë. Por unë s’jam nga ata që durojnë si skllevër. Prej kur kam ndier lirinë si fëmijë, kurrë s’kam dashur të jem skllav i askujt, ose skllav i sistemit, dhe kështu është tash e 50 vjet.

Kam luftuar në luftën e Bosnjës. Jam veteran invalid dhe shteti s’më ka dhënë kurrë asgjë; por s’është që kam kërkuar ndonjë gjë në rend të parë. Kam pasur qëllimet e mia dhe i kam arritur vetë. Në 50 vitet e fundit s’ia kam drejtuar gishtin askujt — tash ma vranë evlatin dhe nuk do të shkojë mirë [për ta].

Ishim dëshmitarë të represionit policor ndaj teje dhe grupit tënd. Kishte arrestime, njerëzit përziheshin nga rrugët dhe largoheshin simbolet përkujtimore për Davidin, sikur zemra e Davidit. Çfarë tregon kjo për shoqërinë e Bosnjës?

Ishte një vepër shumë domethënëse për ne, zemra në rrugë — dashuria për fëmijën tim. Ajo u pengonte njerëzve që kanë kryer krimin. Bregu i Lumit Crkvena, ku ishte gjetur trupi i tij, ishte i lënë mbas dore, por njerëzit e ndreqën, e kositën barin…

Sidoqoftë, vrasësit bezdisen nga vetë përmendja e krimit, nga logot e David Dragičević-it, nga çdo anëtar i grupit.

Në dhjetor të vitit 2018, qeveria urdhëroi heqjen e zemrës së bërë në kujtim të Davidit, e cila ishte vënë në sheshin kryesor të Banja-Llukës. Foto nga organizata “Oštra nula”.

Ky është një lloj fashizmi ballkanik, ndaj të cilit njerëzit i mbyllin sytë. Por siç kam thënë: do ta provojnë. Sepse vetë sistemi — nëse funksionon keq — nuk heton vrasjet dhe s’i kap dorasit; nuk ka sundim të ligjit. Nuk është Ligji i Murphy-t, por do t’u ndodhë të gjithëve sepse thjesht s’mund të funksionojë ashtu; nuk ka prodhuar rezultate kurrkund.

Protestuesit u akuzuan për kundërvajtje?

Njerëzit u akuzuan për kundërvajtje pasi bërtitnin: “Drejtësi!” Por gjykata ka vendosur në favorin tonë për të gjitha rastet deri më tash. E dija se do të shkonte kështu. Të gjitha akuzat janë përmbysur deri më tash; [shpenzimet ligjore] arrijnë shumën e rreth një milionë markave të konvertueshme dhe mbulohen nga buxheti i entitetit. Jo nga policia që e bëri, por nga buxheti.

Je arrestuar në fund të dhjetorit 2018 dhe je lëshuar të nesërmen. Çfarë të kujtohet nga ajo natë?

Më 24 dhjetor, dy persona të brendshëm — inspektorë nga Ministria e Brendshme e RS-së — ia behën te shtëpia ime para mesnatës. Shkova në takim me ta dhe më parashtruan gjëra që tanimë i dija: se po bëheshin përgatitje për të më arrestuar, gjë për pritej të ndodhte të nesërmen.

Më 25 dhjetor, shkova në qendër të qytetit me t’ëmën e Davidit sepse i duhej të vizitohej te mjeku. Por, ata ma zunë udhën në afërsi të shtëpisë sime dhe e bënë ilegalisht, pa distinktivë të policisë. Ndiqesha nëpër qytet. Qëllimi im ishte të shkoja në sheshin ku ishte zemra e Davidit dhe t’i lë të më arrestojnë.

Jam vërtet rebel. Gjithashtu edhe njerëzit që më qëndrojnë prapa — po shkojmë kundër sistemit.

Para se t’më kapnin te komisariati policor në Banja-Llukë, ata kishin përgatitur urdhër edhe për heqjen e zemrës, edhe për arrestimin tim. Nuk desha ta nënshkruaja asnjërin nga dokumentet. Më vonë, ata arrestuan nënën e Davidit, e cila mbante fotografinë e tij dhe pyeste kush ia kishte vrarë fëmijën. Ata po ashtu arrestuan anëtarë të tjerë të grupit “Pravda za Davida”. I munduan, i ngacmuan dhe përdorën dhunë ndaj tyre.

Çfarë trajte ka lufta jote? Çfarë mund të bësh nga jashtë?

Tash për tash veproj nga këtu, ndërsa njerëzit që na qëndrojnë pranë dhe na ndihmojnë veprojnë në Bosnjë. Këtu kemi themeluar shoqatën Gerechtigkeit für David und alle Kinder von Bosnien und Herzegowina (Drejtësi për Davidin dhe të Gjithë Fëmijët e Bosnjës dhe Hercegovinës). Po i shkruajmë komunitetit ndërkombëtar dhe Bashkimit Evropian dhe po përpiqemi t’i kontaktojmë ata njerëz në çdo mënyrë për të siguruar që të zbulohet  e vërteta, për të bërë pak trysni. Sepse BE-ja është e përfshirë drejtpërdrejt në çdo gjë që ndodh në sistemin e drejtësisë të Bosnjës.

Qeveria të quan kundërshtar. Akuzohesh se ke sulmuar institucionet.

Në atë kontekst, unë jam vërtet rebel. Gjithashtu edhe njerëzit që më qëndrojnë prapa — po shkojmë kundër sistemit.

Më kanë akuzuar për turli gjërash — mua dhe fëmijën tim — por kemi arritur t’i hedhim poshtë ato pretendime me dëshmi. E dija se do të na vërsuleshin mua dhe njerëzve që kam në krahë në mënyrën më të shëmtuar. Sipas tyre, unë jam shkatërrimtar i Republikës Serbe.

Nëse më konsiderojnë shkatërrimtar të një sistemi të tillë, të një ministrie të brendshme dhe një zyre të prokurorisë të tillë, jam krenar ta rrënoj regjimin dhe të ndryshoj diçka. Ata i quajnë institucione, por ato s’janë institucione.

Njerëzit që të kanë qëndruar afër — anëtarët e grupit “Pravda za Davida” — kanë vuajtur gjithashtu, apo jo?

19 dhjetori shënoi ditën e njëmijtë qëkur njerëzit nisën të dilnin në rrugë përditë; tash qëndrojnë përpara katedrales dhe kërkojnë vetëm një gjë — drejtësi. Drejtësinë, për të cilën u përndoqën, u baltosën dhe u dërguan në gjyq. Por të gjitha gjykimet përfunduan me shfajësime. Kujt i frikësohet qeveria?

Nuk është dashur të vijë puna deri këtu, që unë të dal në shesh. Krejt kjo është nënprodukt dhe për këtë arsye nuk marr përgjegjësi për asgjë që ka ndodhur qysh kur ma vranë fëmijën. Ata mburren se ka institucione, por ato që janë kanë dështuar të bëjnë ndonjë gjë tjetër pos fshehjes së vrasjes dhe kriminalizimit të mëtejmë të fëmijës tim të ndjerë. Edhe pse nuk kam problem me këtë, por më dhemb për shkak të atyre njerëzve në Banja-Llukë.

Çfarë ke në dispozicion kur çohesh kundër sistemit; a është Bosnja vend ku mund të bëhet diçka? Si?

Fare pak. Janë bërë dy funerale për David Dragičević-in. Në të parin, unë qëndrova mbi varrin e tij dhe i premtova evlatit tim se do t’i gjej vrasësist. Por në Bosnjë çdokush të baltos, të refuzon dhe të jep përkrahje boshe, përfshirë edhe BE-në.

Pra, për një mijë ditë, njerëzit kanë qëndruar në këmbë dhe kanë bërë thirrje për diçka që do të ishte normale në një vend demokratik — që të ndëshkohen vrasësit e një fëmije.

U kam thënë: nuk më duhen ngushëllimet ose rrahjet e krahut; më duhet ndihmë konkrete. Fatkeqësisht, askush s’është i gatshëm për këtë. Vetëm disa media dhe gazetarë, por nuk gjendet mbështetje më e gjerë. Të shkruash nga kolltuku nuk është mënyrë për të dhënë mbështetje të vërtetë.

I kuptoj të gjithë, por do të doja që njerëzit të orvateshin për të më kuptuar mua. Më është vrarë fëmija. Për një mijë ditë jam marrë me këtë 24/7. Dhe pengesat po vijnë nga të gjitha kahet. Pra, për një mijë ditë, njerëzit kanë qëndruar në këmbë dhe kanë bërë thirrje për diçka që do të ishte normale në një vend demokratik — që të ndëshkohen vrasësit e një fëmije.

Sidoqoftë, përveç thirrjes për ndëshkimin e vrasësve të fëmijës tënd, kjo luftë ka shkuar përtej rrafshit personal — njerëz rreth teje dhe në Bosnjë kanë filluar ta shohin më fort si një luftë universale. Ata të shohin si ndryshim. A je i vetëdijshëm për këtë? A ishte kjo një nga qëllimet e tua?

E kisha atë përshtypje, por unë nuk jam politikan. Unë jam i ati i të vrarit David Dragičević.

Jo si politikan, por si ide e ndryshimit në shoqëri?

Në çdo fjalim që kam dhënë, kam thënë se unë nuk jam hero, por një njeri i thjeshtë që ka mbledhur fuqitë për të mos e lënë këtë punë mbas dore dhe për t’u treguar të tjerëve që është e mundshme të bësh diçka. Jo që të më shihnin si idhull apo udhëheqës, por që t’u tregoj njerëzve që është e mundur të bëhet diçka. Ata nuk përjetonin gjendjen time, por çdo gjë është e mundur me këmbëngulje.

I vrari David Dragičević është bërë simbol i luftës për drejtësi në Bosnjë e Hercegovinë. Foto nga organizata “Oštra nula”.

Pse nuk të pëlqeu ideja e përfaqësimit të ndonjë lloj ndryshimi? Dikur arrite t’i nxitësh edhe njerëzit që kanë qenë tradicionalisht apatikë, apo jo?

Nëntëdhjetë për qind e njerëzve në shesh nuk ishin të sinqertë; ata qëndruan aty për çfarëdo interesash personale që kanë pasur. Unë qëndroja aty për fëmijën tim — kur thamë: “Drejtësi për Davidin”, do të shkonim deri në fund për ta zbuluar të vërtetën.

Ata njerëz nuk janë më aty, por unë s’i fajësoj. U kam thënë: nuk dua ta zë gjarprin me duar të huaja, më parë e zë me të miat. Lëri njerëzit të vdesin ngadalë.

Gjithmonë kam thënë se janë tri grupe në Bosnjë: ata që janë pro sistemit, ata që janë kundër tij dhe ata që heshtin. [Të fundit] punojnë mençurisht; ata përpiqen ta marrin të drejtën për të punuar në shtetet e BE-së, rrinë të qetë dhe ikin nga Bosnja. Prindërit e mi të ndjerë po ashtu gjetën punë të përkohshme jashtë, por qëllimi i tyre ishte të ktheheshin në vendin që e donin. Dhe tash shohim të rinj e të reja dhe familje të sapokrijuara që ikin dhe i shkatërrojnë të gjitha lidhjet me rrënjët dhe vendin e tyre.

Sepse një shtet nuk është vendi ku je skllav, ku shtypesh, ku manipulohesh vazhdimisht — sidomos përmes medias ose mënyrave të ndryshme — ose ku ka nepotizëm. Shteti është vend ku gjen përkujdesje.

Më 5 tetor të atij viti, rreth 40,000 njerëz dolën në rrugë. Nuk e di nëse dikush në Bosnjë ia ka dalë t’i mbledhë aq shumë njerëz në një vend në kohën e fundit.

Atëherë u mblodhën 40,000 njerëz [në shesh] dhe kisha shumë presion për të vazhduar drejt ndërtesës së qeverisë. Kishte shumë spiunë, por të afërmit, miqtë, madje edhe njerëz që nuk i kisha njohur më herët — të cilët akoma vijnë çdo ditë — më qëndruan përkrah. Krijuam një sinergji, edhe pse në fillim u kisha thënë se nuk e dija nëse do të kisha mjaft guxim për ta bërë të njëjtën gjë për ta.

Ke themeluar një parti politike që ka fituar pakëz më shumë se 2,000 vota në zgjedhjet e nëntorit. A do të thotë kjo se angazhimi politik është mënyra e vetme për të sjellë ndryshim në shoqëri dhe që ti personalisht ta mbërrish të vërtetën? Apo e sheh si pjesë të aktivizmit qytetar?

Për një kohë të gjatë kam menduar ta themeloj një parti politike, por të gjithë përpiqeshin të na zvirdhnin nga kjo ide. Por politika u jep trajtë fateve në Bosnjë; i jep trajtë gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë. Kemi formuar një parti dhe jam i kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve lokale, por megjithatë vazhdojmë. Nuk duam të jemi në mëshirën e askujt; për 1,000 ditë, grupi “Pravda za Davida” ka treguar si luftojmë — jo me fjalë, por me vepra.

Këto vitet e fundit që kam kaluar në Austri i kam përjetuar si lloj rilindjeje — edhe fizikisht, edhe shpirtërisht — sepse këtu jam njeri i lirë; falë kësaj largësie kam ndryshuar perceptimin për kornizën mendore të njerëzve në Bosnjë dhe më dhimbsen. Çdo ditë ka skandale por asgjë nuk ndodh.

Gjatë vitit 2018, mijëra njerëz mblidheshin në sheshin qendror të Banja-Llukës me muaj të tërë për ta artikuluar mbështetjen për Davorin dhe betejën e tij. Foto nga Aleksandar Trifunović.

Dikush mund të thotë se disa nga hapat e mi kanë qenë radikalë, por s’ia vlen të eksperimentosh në Bosnjë 25 vjet pas [nënshkrimit të] Marrëveshjes së Dayton-it. Asgjë fare nuk ka ndodhur. Për më shumë, jemi kthyer në mesjetë. Njerëzit duhet të dalin në rrugë. Derisa të ndryshojë diçka, unë nuk do të kthehem në shtëpi.

A jemi aq mazokistë sa duam të jemi skllevër, apo jemi të prirur për të paragjykuar? Nacionalizmi vazhdon t’i ketë rrënjët thellë në Bosnjë, dhe 90% e popullsisë vazhdon t’i rikthehet atij; ende s’ia dalin ta tejkalojnë atë dhe të ecin përpara.

Çfarë saktësisht kërkon ti dhe partia jote? Në rrafshin personal është zbardhja e rastit të David Dragičević-it, por çfarë për shoqërinë në përgjithësi?

Po kërkojmë sundimin e ligjit dhe të drejtën për të jetuar, ndërsa çdo gjë tjetër është e zgjidhshme përmes zgjedhjeve. Do të kandidojmë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022 dhe do të mund të presim rezultate shumë më të mira nëse njerëzit dinë se kush jemi, çfarë jemi dhe çka përkrahim.

Në themel qëndrojnë institucionet shtetërore, të cilat duhet të jenë shtyllat e shoqërisë dhe përbërjes së saj morale; në Bosnjë nuk ekziston diçka e tillë. Këtë duhet ta ndryshojmë pikësëpari. Pjesa tjetër është më e lehtë. Të njëjtët njerëz janë të implikuar në të gjitha skandalet, dhe kjo është e pabesueshme. Në vrasje, në krime ekonomike dhe në shkelje brenda industrisë së ndërtimtarisë, tërësia e njerëzve përgjegjës është e njëjtë tash e 25 vjet. Do të doja shumë që dikush të më përgënjeshtronte, por a kanë bërë ata diçka të hairtë për Bosnjën, entitetet, shoqërinë dhe njerëzit? Apo janë përkujdesur vetëm për interesat e tyre personale?

Politika është biznes i ndytë jo vetëm në Bosnjë. A mendon se mund ta bësh ndryshe?

Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen, të përpiqen për liritë e tyre dhe t’i kërkojnë të drejtat e tyre; jemi individë dhe duhet të luftojmë vetë. Kompromiset janë të pavenda. Sikur ta kisha bërë edhe një kompromis të vetëm, “Pravda za Davida” nuk do të ekzistonte më. Dikur planifikoj ta padis RS-në për ndërmarrje të përbashkët kriminale — ma vranë fëmijën dhe askush s’mund të më ndalë.

Ke themeluar një organizatë në Austri sepse nuk arrite të marrësh leje në Bosnjë. Përse?

Edhe pse i paraqita të gjitha dokumentet e nevojshme për [ta regjistruar] “Pravda za Davida” si OJQ në Sarajevë, nuk mundëm ta regjistronim shoqatën në Banja-Llukë sepse gjoja se nuk mund të futej në sistem. Miqtë e mi regjistruan shoqatën “Put pravde” (Shtegu i Drejtësisë), ndërsa nëna e Davidit Suzana dhe unë themeluam një shoqatë tjetër këtu në Austri. Pra, “Pravda za Davida” mbetet grup joformal në vend se të jetë shoqatë e regjistruar.

Ke të vërtetën tënde. Kam dashurinë për fëmijën tim dhe këmbënguljen.

Ka shumë OJQ në Bosnjë, por sapo të marrin para për ndonjë projekt, ata e kryejnë dhe mbyllen. Mua më duket se ekzistojnë për shkak se një numër i madh OJQ-sh i volit qeverisë në kuptimin se mund të demonstrojnë se kemi demokraci dhe sundim të ligjit. Por ato organizata nuk kanë dhënë kurrfarë kontributi në 25 vjetët pas Marrëveshjes së Dayton-it.

Prapëseprapë, në Bosnjë ka OJQ që nuk janë të afërta me qeverinë. A patën aq shumë frikë nga ju sa të mos ju linin ta regjistronit [organizatën]?

Paj, po. Atëkohë kishin frikë nga “Pravda za Davida”. Grupi ynë në Facebook kishte më se 360,000 anëtarë; njerëzit mblidheshin në Banja-Llukë çdo ditë. Ata frikësosheshin nga ndryshimi i vërtetë sepse njerëzit ishin vërtetë të nxehtë dhe të gatshëm për t’u përpjekur për ndryshim atëherë.

Ata bënë kallëzim penal ndaj nesh; ata e prisnin çastin e duhur për ta mbajtur një gjykim-spektakël për treguar se gjoja ne shkatërrojmë RS-në dhe institucionet e saj. Pak kohë pas kësaj, ata deshën të më akuzojnë për tentim grusht shteti.

Çfarë ka në dispozicion njeriu që vendos të rebelohet kundër sistemit? Cilat janë mjetet e luftës nëse nuk u besoni institucioneve; a mendoni se njerëz të caktuar kanë dashur të ju shfrytëzojnë?

Ke të vërtetën tënde. Kam dashurinë për fëmijën tim dhe këmbënguljen.

Prapë, unë nuk jam i rëndësishëm; unë nuk po luftoj për veten, por për fëmijën tim të vrarë. Nuk çaj kokën për pasojat; kam bërë mjaft dhe i jam drejtuar gjithkujt, të gjitha institucioneve. Kam dorëzuar raporte për shkelje penale dhe të vogla. Kam kërkuar të vërtetën për fëmijën tim me dinjitet të qetë. Është periudhë shumë e vështirë — mund të mbështetesh vetëm te dashuria dhe këmbëngulja jote, dhe te ajo për të cilën lufton, por paraja nuk mund ta blejë atë qëllim.

Qëllimi im është t’i sjell vrasësit e Davidit para drejtësisë, dhe kjo shkon përtej çmimit; nuk ka kompromis me askënd.

A do të nënkuptonte kthimi yt dhe zbardhja e rastit të Davidit se lufta juaj ka përfunduar apo do të vazhdonit me çështje të tjera?

Kushtet e favorshme për atë mund të krijohen përmes sundimit të ligjit. Për sa kohë që vrasësi është i lirë, natyrisht që unë s’do të jem i lirë.

Pa dyshim do të kthehesha. Jam i vetëdijshëm që njerëzit më kanë parë me respekt, pra do të kthehesha nëse do të kishte gjykim; do të kthehesha për t’u treguar njerëzve — shiko, mund të bëhet. Mund të bëhet në mënyrën që luftuam ne. Pasi të gjej drejtësinë për fëmijën tim, unë do të jem në dispozicion të të gjithëve dhe dua t’i ndihmoj njerëzit në Bosnjë me vepra, jo vetëm me fjalë. Do të doja shumë të ofroja ndihmë humanitare dhe çfarëdolloj ndihme tjetër.

Do të doja të shkoja në çdo cep të Bosnjës për të parë nëse dikush është në rrezik dhe se prej çfarë rrezikohen. U jam borxh për ndihmën që ma kanë dhënë për diçka që s’do të mund ta kisha bërë vetëm — për ta arritur të vërtetën me “Pravda za Davida”.

Davor Dragičević thotë se do të kthehej në Bosnjë nëse gjenden vrasësit e birit të tij, por padyshim nuk do të shënonte përfundimin e luftës së tij për drejtësi. Foto nga nisma “Pravda za Davida”.

A mendon se zgjedhjet e fundit nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim?

Ato nuk kanë sjellë kurrfarë ndryshimi. Duket se njerëzit mund të durojnë mijëra vjet duke pritur që të përmirësohen punët. Por sheshi kryesor në Banja-Llukë nuk është i lirë. Banja-Lluka nuk është e lirë. “Pravda za Davida” nuk ka të drejtë të mblidhet në shesh; janë të përndjekur. Nëse është kjo liria që e mbështesin, atëherë nuk është për njerëzit e tjerë. Në bazë qëndrojnë disa premtime, por unë personalisht — dhe njerëzit afër meje — nuk shohim rezultate konkrete. Vrasësit janë të lirë dhe qyteti për ta është i lirë.

A kanë tentuar të të shfrytëzojnë rryma të caktuara të opozitës para se ta lije vendin? A mendon se ishte ashtu?

Jo që mendoj, por është fakt. Por ata nuk më përdorën mua ose fëmijën tim. Jam distancuar që nga fillimi. Njerëzit donin ta dëgjonin edhe taborin opozitar, por pastaj — pas zgjedhjeve të tetorit 2018 — vinin te unë dhe qanin duke thënë se [opozita] i kishte zhgënjyer. Po e bëjnë këtë sërish, pra gjithsesi do të vijnë te unë pas disa mujash dhe do të më thonë se kam të drejtë, por do të ketë marrë fund atëherë.

Një numër i madh njerëzish që qëndronin aty luftuan për pikët e veta politike, për interesat personale; ata nuk qëndruan ndershmërisht. E dija këtë, por kishte shumë njerëz që prisnin mbështetjen e tyre. Të gjithë kishin problemet e tyre dhe ngjarja u përhap mjaft shumë. Por unë përqendrohesha në dokumentet e mia dhe nuk i lija të dilnin në foltore; në vend të kësaj, ata ishin poshtë, sepse ata duhet t’u shërbejnë njerëzve. Jo anasjelltas. Ata e shfrytëzuan [situatën].

Disa aktorë panë shansin e tyre sikur në çdo vend tjetër, por ne ruajtëm dinjitetin derisa na përzunë. Ishte mësim mbi demokracinë; nuk pati incidente. Por njerëzit donin që të ishte ashtu. Unë dilja, e mbaja një fjalim, i lija të tjerët të flisnin. Por, a pajtohesha? Kjo është çështje tjetër.

Nuk jam politikan, por mund të bëhem nëse është nevoja. Për ta, politika është thjesht fjalë. Nëse dikush do të të heqë qafe në Bosnjë, thotë: “S’e merr vesh dot, është politikë”. Por nuk është politikë. Është krim, korrupsion, nepotizëm dhe kështu me radhë. Politika është gjë tjetër.

Zhvarrosja e trupit të Davidit është parë si një ndër disfatat më të rënda të demokracisë — ose si ngadhënjim i padrejtësisë, thuajeni si të doni. Trupi i tij është shpënë në Austri, ku më vonë është rivarrosur.

Po, Davidi është varrosur në Austri. Entiteti sundohet nga një regjim kriminal. Keni parë sajesat që kanë bërë, nga konferenca për shtyp deri te dy autopsitë dhe funeralet. Këtu, Davidi ka gjetur paqen.

Nuk munda të kujdesesha për zemrën fizikisht, të kaloja kohë në varreza për ta mbrojtur nga shkatërrimi i vandalëve. Varri është banesë e amshueshme, kurse ai ishte i paqetë; në atë entitet kriminal, Davidi nuk do të mund të prehej në paqe. Dhe këtë e dija. Doja që fëmija im ta gjente paqen.

Pra unë, nëna e tij, çdokush mund të shkojë aty, ta ndezë një qiri, ta bëjë kryqin dhe ta kalojë ca kohë në qetësi. Atje, kjo nuk do të ishte e mundur.K

Imazhi i ballinës nga nisma “Pravda za Davida”.