Blogbox | Feminizmi

Deklarata Feministe e Medias nga BeFem

Nga - 07.06.2022

Thirrje për përpjekje të përbashkët kundër patriarkatit në media.

Prej kur kemi filluar të zhvillojmë programe mediale në qendrën kulturore feministe BeFem, si konsumues mesatarë të medias, u përqendruam në një çështje që shumica në Serbi e vërejnë: media i shfaq fytyrat e grave, por zërat e tyre, pak. Nuk na u desh një rishikim a analizë e shtypit për të ardhur te ky përfundim. Edhe para se ta kryenim ndonjë hulumtim, e dinim se duhej t’ia nisnim punës e që nënkuptonte rritjen e numrit të grave në media.

Duke kërkuar mënyra për të bërë këtë ndryshim, kemi punuar në një sërë projektesh ndër vite, efekti përfundimtar i të cilave ishte ta botonim Deklaratën Feministe për Mediat, këtë pranverë, të parën të këtij lloji në Serbi.

Sot i kemi rezultatet e Projektit Global të Monitorimit të Medias dhe mund ta shohim se nuk ka pasur zhvillime të rëndësishme që kur filluam të punonim në programet mediale shtatë vite më parë.

Një recetë e suksesshme

Rezultatet e hulumtimit tonë tregojnë se nuk ka pasur përparim në 15 vitet e fundit sa i përket përfaqësimit të përgjithshëm të grave në media, i cili mbetet në 20%. Prania e tyre në mediat online është vetëm pak më e lartë, pra 21%. Hapësira e vetme mediale që u ka mbetur grave ta mbizotërojnë janë përmbajtjet që lidhen me barazinë gjinore, por është e rëndësishme të kihet parasysh se një përmbajtje e tillë përbën vetëm 1% të të gjithë përmbajtjes së mediave serbe. Përveç kësaj, gratë priren të shfaqen në media kur diskutojnë përvojat personale.

Hulumtimi po ashtu tregon se gratë ende kanë paraqitje tejet të rralla në media në cilësinë e eksperteve dhe pikërisht kësaj hapësire dëshiruam t’ia kushtonim vëmendjen tonë.

Fatmirësisht, BeFem u bashkëthemelua nga Christina Wassholm, një gazetare dhe studiuese suedeze dhe banore e Beogradit qe një kohë të gjatë. Ajo na e mundësoi të kishim mysafirë nga Suedia për t’i mësuar mjetet më të suksesshme për ta luftuar patriarkatin. Pikërisht përmes kësaj lidhjeje mësuam për lëvizjen Equalisters (Rättviseförmedlingen, në shq. Vënësit e drejtësisë), qëllimi i së cilës është ta rrisë përfaqësimin e grave në media.

Hulumtimi po tregon se gratë ende kanë paraqitje shumë të rralla në media në cilësinë e ekspertes.

Qasja e këtyre grave entuziaste ishte e thjeshtë. Ato e vërejtën se në disa emisione televizive në Suedi, burrat ftoheshin në cilësinë e ekspertëve për temat “serioze”. Për vite me radhë, pothuajse gjithnjë kur temë diskutimi ishte politika, ekonomia apo siguria, ekspertët e zgjedhur të medias suedeze, ishin të gjithë burra. Panelet të përbëra vetëm nga burrat tani kanë emrin e tyre, manel.

Pas një transmetimi të dominuar nga burrat, Equalisters i pyesnin mediat se pse asnjë grua nuk ftohej si paneliste duke qenë se ato përbëjnë gjysmën e popullsisë. Entiteti medial u thoshte se ata nuk arrinin ta kontaktonin asnjë grua apo se ato nuk pranonin, kështu që hapi tjetër i Equalisters ishte t’i pyesnin ndjekësit e tyre në mediat sociale për emrat e grave eksperte në këtë fushë. Me përgjigjet e ndjekësve të tyre, ato hartonin një listë e konceptuar si databazë për ekspertet përpara se ta dërgonin te mediat. Kjo nismë u përhap në të gjithë Skandinavinë dhe mediat ishin të lumtura t’i pranonin listat e të intervistuarave të mundshme.

Të mahnitura nga suksesi i kësaj nisme brilante, BeFem synoi ta zbatonte të njëjtin parim. Megjithatë, ne përballeshim me pengesa nga të dyja palët: media dhe vetë gratë paneliste potenciale.

Lindja e deklaratës sonë

Shpejt hasëm në media që nuk u interesonin listat tona në qoftë se nuk përfshinim informacione kontaktuese, gjë që mund ta kuptonim. Ishim të vetëdijshme për të ashtuquajturën “gazetari përtace”, ku gazetarët ftonin të njëjtin person secilën herë — zakonisht një burrë. Kështu burrat e moshës së mesme janë bërë “bartës opinionesh”, gjoja ekspertë absolut të gjithçkaje, gjithmonë të etur për të folur me vetëbesim për secilën temë, edhe nëse nuk kanë njohuri prej ekspertësh.

Në vitin 2017, zyrtarisht nisëm Programin e Zyrës për Barazi. Misioni ynë ishte t’i mblidhnim emrat e grave që mediat mund t’i ftonin për të diskutuar për tema të ndryshme, veçanërisht ato “të burrave”. Meqenëse na duhej pëlqimi i çdo gruaje që do të përfshihej në listën tonë, kur i kontaktonim për të kërkuar leje nga to, e shfrytëzonim mundësinë për të hulumtuar se pse këto gra nuk flasin në media.

Përveç përgjigjeve që ishin të pritshme — të tilla si pretendimet se ato nuk ndihen mjaft kompetente (ka pasur raste kur gratë edhe me një dekadë përvojë apo hulumtime, mendonin se duhet të zhvilloheshin më shumë para se të flisnin publikisht) ose u mungonin aftësitë e të folurit publik (që krijon një cikël sepse këto aftësi zhvillohen përmes përvojës) — kishte edhe shumë të veçanta.

Disa gra na thanë se paraqitjet mediale planifikohen jashtë orarit të punës dhe se pas punës ato kujdesen për fëmijët dhe anëtarët e moshuar të familjes së tyre, ndaj nuk kanë kohë. Të tjerat nuk e shohin praninë e tyre në media si mundësi për të kontribuuar në politikëbërjen publike. Për më tepër, prania e grave në media u ndikua nga “tavani i qelqit” — gazetarët shpesh donin të intervistonin drejtues të lartë, të cilët janë shpesh burra, edhe pse këta burra ndonjëherë ua ngarkonin këtë detyrë kolegeve të tyre gra që janë më kompetente në fusha të caktuara.

Një faktor tjetër që u përmend nga gratë ishte kapitali më i madh shoqëror që zotërohet nga burrat, të cilët janë më të përfshirë në qarqe të ndryshme të lidhura me gazetarët. Lidhur me këtë, në një postim të fundit në Facebook, politikanja Biljana Đorđević foli për përfaqësimin e grave në media dhe se si media e shpërfilli atë pavarësisht se ishte bashkë-udhëheqëse e lëvizjes “Ne davimo Beograd” (në shq. Mos e lini Beogradin të fundoset).

Deklarata Feministe për Mediat bazohet në disa parime thelbësore, mbi të gjitha në "barazi, përgjegjësi dhe solidaritet".

Pas takimeve me gra eksperte dhe organizata të medias (shumica e të cilave tashmë e kishin vërejtur këtë problem), e kuptuam se ndanim ide dhe qëndrime të përbashkëta që donim t’i bënim disi zyrtare. Vendosëm të bashkonim gra nga sfera të ndryshme të jetës duke përfshirë gazetare, redaktore, profesore të specializuara për media dhe gjini, si dhe aktiviste për të hartuar një dokument që do të shërbente kryesisht si thirrje për bashkëpunim dhe shkëmbim të njohurive. Ky vendim çoi në lindjen e Deklaratës Feministe për Mediat, e cila bazohet në disa parime thelbësore, mbi të gjitha në “barazi, përgjegjësi dhe solidaritet”.

“Ne avokojmë për botimet që në përmbajtjet e tyre e bëjnë të dukshme përvojën e grave dhe grupeve shoqërore të margjinalizuara.

Ne e kundërshtojmë shtypin e kryetitujve, objektivizimin dhe shfrytëzimin e vajzave dhe grave në media.

Ne e mbrojmë qasjen falas dhe në kohë në informacion.

Ne e mbrojmë raportimin që është etik, faktik dhe profesional.

Ne e kundërshtojmë censurën, autocensurën dhe abuzimin e medias nga pushtetet politike dhe ekonomike.

Ne e kundërshtojmë shpërndarjen dhe përhapjen e të gjitha formave të dhunës nëpërmjet mediave.

U bëjmë thirrje për ndërrimin e narrativave mediale nga një atmosferë dhune dhe frike drejt përmbajtjeve që nxisin një kulturë diversiteti, lirie, solidariteti dhe emancipimi.

Ne avokojmë për promovimin e vazhdueshëm të edukimit medial dhe edukimit feminist”.

Edukimi feminist

Parimi udhëzues i deklaratës ishte krijimi i një aleance midis atyre që zotërojnë njohuritë dhe atyre që zotërojnë kanalet e ndikimit. Nëpërmjet këtij dokumenti, ne si grup i grave kryesisht kemi dashur të tregojmë se cilat janë vlerat feministe dhe si i zbatojmë ato në media.

Kjo është arsyeja pse e pamë të rëndësishme që titulli i deklaratës ta përmbajë fjalën “feminizëm”, një term politik dhe i qartë ndryshe nga koncepti i “barazisë gjinore”, i cili është zgjedhur dhe përdoret në mënyra të interesit vetjak duke filluar nga të djathtit që duan të sinjalizojnë se nuk janë konservatorë ndaj atyre që duan të heqin dorë nga fondet e BE-së duke mbrojtur politika që nuk fuqizojnë gratë.

Edukimi feminist është i domosdoshëm për të ardhmen.

Për ne ishte po ashtu e rëndësishme ta themi se kjo nuk ka të bëjë vetëm me pjesën estetike që të ketë shumë gra kur sheh raporte apo fotografi nga ndonjë ngjarje, por kur gratë vërtet promovojnë interesat e të gjitha grave dhe grupeve të margjinalizuara.

Edukimi feminist është i domosdoshëm për të ardhmen që e dua: një të ardhme ku gratë folëse ndihen të fuqizuara dhe ku gazetarët e dinë pse statusi i grave që ftojnë në emisionet e tyre është i tillë dhe cilat ligje u kërkojnë atyre të raportojnë pa diskriminuar. Një e ardhme ku institucionet dhe OJQ-të janë në gjendje të ofrojnë njohuri dhe ku shoqatat e gazetarëve ta kuptojnë se kur duhet të reagojnë me ankesa dhe kur me lëvdata.

Deklarata bën thirrje për qasje të lirë dhe në kohë në informacion, si dhe për raportim etik dhe profesional, duke kundërshtuar gjithashtu censurën, autocensurën dhe abuzimin e medias. Nëpërmjet deklaratës mund ta theksojmë statusin e medias, pasigurinë financiare me të cilën përballen organet e pavarura dhe sulmet ndaj gazetarëve në përgjithësi dhe grave gazetare në veçanti.

Gratë gjithnjë e më shumë po flasin publikisht dhe ne si akterë publikë duhet ta kemi një plan se si peizazhi medial mund të jetë më i sigurt dhe fuqizues. Deklarata Feministe për Mediat, që shërben si thirrje për një luftë të përbashkët, është njëra nga mënyrat se si po e bëjmë këtë.

Imazhi i ballinës: Qendra Mediale në Beograd.