Në thelb | Drejtësi

Dezertori që ndiqet për krime lufte

Nga - 22.03.2017

Rrëfimi i kosovarit Sinan Morina që u esktradua me akuza për krime lufte në Serbi.

 

Ishte dalja e parë publike e Ushtrisë Çlimtare të Kosovës (UÇK) më 28 nëntor të 1997-ës, në Llaushë të Skënderajt pas vrasjes së mësuesit Halit Geci nga forcat militare serbe, momenti kur asokohe 25 vjeçari Sinan Morina kishte vendosur të vishet me uniformën e UÇK-së. Por vetëm katër muaj pas, me të përfunduar ofensiva e parë në shkurt të 1998-ës, Morina thotë që hoqi dorë lufta për t’ia mësyrë përmes kufirit me Shqipërinë, si shumë të tjerë, shteteve të përendimit.

Gjermania kishte qenë caku i tij, ku në fund të atij viti kishte kërkuar azil, dhe jetoi me familjen e krijuar 6 anëtarëshe deri në vitin 2006. Sot Morina jeton në Opterushë të komunës së Rahovecit, ku punon në një shitore me gjësende të lira. Morina nuk e gëzon statusin e veteranit të luftës dhe thotë se ka dezertuar. E megjithatë arsyet e kthimit të tij nga Gjermania në Kosovën lidhen kryekëput me periudhën e luftës.

I ulur këmbëkryq në sfungjerat e kuzhinës, që ngjason me një odë tradicionale, duke u ngrohur pranë shporetit me dru, Morina sot 45 vjeç, ndezë një cigare dhe nis të tregojë rrëfimin e tij dhe arsyet pse ai tash e pesë vite nuk guxon të dalë jashtë kufijve të Kosovës.

Që nga 13 korriku i vitit 2005 Morina përballet me akuza për krime lufte të kryera në Opterushë në korrik të 1998-ës, nga Serbia dhe fletëarrest ndërkombëtarë të iniciuar nga ky shtet, ashtu si për shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së, përmes Interpolit. Katër herë mbi bazën e këtyre fletëarresteve Morina ishte arrestuar derisa po kalonte nëpër kufijë të ndryshëm. “Nuk guxojë me dalë”, thotë ai.

Sinan Morina jeton në Opterushë të Rahovecit. Ai nuk ka qenë në gjendje të largohet nga Kosova për vite, meqë Beogradi kishte inicuar një fletëarrest ndaj tij përmes Interpolit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Frika e tij është e lidhur ekskluzisvisht me herën e parë të arrestimit të tij në Mal të Zi, në dhjetor të vitit 2006 gjersa po udhëtonte nga Gjermania ku jetonte me familjen e tij. “Ishim rrugës për në Kosovë, vinim për pushime dhe festat, atëherë vitin e ri dhe kurban Bajramin”, tregon ai. Me të hyrë në Mal të Zi, ishte ndaluar nga policë të cilët e kishin shoqëruar për në qelinë e burgut në Podgoricë, nga ku kishte pritur një vendim për ekstradimin e tij për në Serbi. “‘Të kërkojnë në Serbi”, i kishin treguar policët. “Për krime lufte”, vazhdon ai rrëfimin.

Krime lufte mbi popullësinë civile serbe gjatë “konflikit të armatosur” mes ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë dhe “organizatës së armatosur” – siç Serbia i referohet UÇK-së – është vepra për të cilën Morina ishte ngarkuar sipas aktakuzës së vitit 2005.

“Të nesërmen pas arrestimit tim më kanë dërgu në Pozharecë të Beogradit”, kujton Morina. Atje i ishte caktuar paraburgimi prej 30 ditësh, para se të transfromohej në Beograd, ku qëndroi për shtatë muaj të tjerë në paraburgim përpara se të dilte para gjyqtarëve të dhomës speciale për krime lufte pranë Gjykatës së Qarkut.

Krimet për të cilat Morina akuzohej, sipas Kodit Penal të Republikës Federale Jugosllave, se i ka kryer në Opterushë në korrik të 1998-ës janë: pjesëmarrje në shkatërrimin e pronave dhe objekteve fetare, deportim, burgim të paligjshëm, torturimin dhe shkeljet e trupore të integritetit dhe si pjesë e një grupi për vrasje dhe përdhunim.

Por aktakuza ndaj tij gjatë kohës së paraburgimit në Serbi kishte pësuar ndryshime dhe me datën 13 korrik të vitit 2007, atij i është ngarkuar edhe vepra për pjesëmarrjen në vrasjen e tetë serbëve në Opterushë të Malishevës në korrik të 98-ës.  Personat e vrarë nga kjo njësi sipas aktakuzës janë: Bozidar, Novica, Mladen, Nemanja, të gjithë nga familja Bozinic, Spasoje dhe Miodrag nga familja Burzdic, Spasoje Buzinic dhe Sreten Simic. Mbetetjet mortore të tyre, sipas aktakuzës, janë hedhur në shpellën e Vulljakut në Malishevë.

Krejt këto krime Morina thuhet t’i ketë kryer si pjesë e grupit prej 34 ushtarësh të një njësie, emri i së cilës nuk ipet në aktakuzën ndaj tij, nën komandën e Halit Dulakut, komandant i shtabit të UÇK-së në Opterushë. Ndaj të gjithë këtyre ushtarëve procedurat penale thuhet se janë zhvilluar ndaras.

Aktakuza

Në atë aktakuzë thuhet se Morina gjatë datave 17, 18 e deri 21 korrik të 1998-ës,  “i armatosur me armë individuale të artilerisë duke vepruar në kuadër të njësitit të vet…secili për vete ka realizuar pjesën e vet në procesin e kryerjes së detyrave të veta duke vepruar me paramendim dhe duke dashur realizimin e veprës se vet dhe të përbashkët”.

Sipas aktakuzës këto veprime inkriminuese janë bërë me qëllim që të detyrojë popullësinë serbe të largohet nga territori i komunës së Rahovecit dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në arritjen e qëllimit të përgjithshëm dhe të përbashkët: “vendosjen e kontrollit të plotë mbi territorin e Kosovës dhe Metohisë nga ana e UÇK-së dhe dëbimin e gjithë popullatës serbe nga ai territor”.

Por të gjitha këto akuza ndaj Morinës, ishin hedhur poshtë nga gjykata për krime lufte e Beogradit me 20 dhjetor 2007. Sipas vendimit lirues të Morinës, kopjen e së cilit e ka K2.0, plot një vit pas gjykimit të tij dhe ballafaqimit me një numër të dëshmitarëve, ai ishte liruar meqë asnjë dëshmitar dhe dëshmi sipas gjykatës nuk ka arritur të faktojë se Morina ka qenë i përfshirë në këto krime.

“Shiko unë i kam thënë edhe gjykatës, unë menjëherë pas ofensives së parë [në shkurt të 1998-ës] kam dalë në Shqipëri ku kam qëndru një kohë të gjatë, gruan e kam pas shtatzanë dhe pastaj bashkë me gruan kemi dalë për në Gjermani me pasaporta falso, kur kemi mbërri në Gjermani përmes Sllovenisë kam tregu që pasaporta ime është falso dhe kam kërku azil atje”, thotë Morina. “Shumica kemi dezertu atëherë menjëherë pas ofensives së parë veç kush nuk do me tregu”.

Morina ishte gjykuar për krime lufte nga dhoma për krime lufte në Gjykatën e Qarkut në Beograd në vitin 2007, një vit pasi ishte ekstraduar në Serbi nga Mali i zi. Foto: Majlinda Hoxha.

Sipas vendimit të gjykatës asnjë dëshmitar në rastin ndaj tij nuk kishte arritur të idenfitikojë Morinën si pjesëtar të njësisë “XX” [siç përshkruhet njësia e UÇK-së në vendim], që kishte kryer krimet e pretenduara në Opterushë. Përveç një gruaje, e quajtur Slavica Banzic, të cilën Morina akuzohej se e kishte goditur disa herë, se ia kishte vjedhur një jelek policie dhe 500 marka gjermane, e kishte përshkruar në deklaratën e saj Morinën si shtatmadh dhe bjond. Megjithatë, Morina nuk ka karakteristika të asnjërës prej këtyre.

Në vendimin lirues për të, gjykata e Beogradit e ka cilësuar deklaratën e Slavica Banzic si jo kredibile dhe të dhënë në formë inkriminuese vetëm pse Morina është shqiptar. Disa here kjo dëshmitare thuhet të ketë ndryshuar deklaratën e saj duke mos qenë në gjendje të faktojë nëse Morina ka qenë pjesë e njësisë që dyshohet se ka kryer vrasjet në Opterushë.  

“Dëshmitë e propozuara nga prokurori për krime lufte kanë qenë të drejtuara ekskluzivisht për tejzgjatjen e procedurës, dëshmi të paligjshme (jo valide) mbi të cilat nuk mund të mbështetet vendimi gjyqësor”, ishte vlerësimi i gjykatës, e cila krejtësisht në fund të vendimit thotë se “çfarëdo paraqitje e dëshmive të reja, nuk do të ndryshojë vendimin për këtë rast”.

Por përndjekja dhe fletëarresti i Serbisë ndaj Morinës asnjëherë nuk ishte ndalur.

Vazhdimi i arrestimeve

Më 5 gusht të vitit 2009 Gjykata Supreme në Serbi, e cila ka të drejtën të vendos për rigjykime në rrethana të jashtëzakonshme, kishte kthyer rastin e Sinan Morinës në rigjykim. Bazur në këtë vendim një fletëarrest i ri u inicua ndaj tij në kohën kur ai veç nuk ishte më në Serbi, por nisur për në Kosovë.  

Mbi bazën e tij, me fillim të 2010-ës, Morina ishte arrestuar për herë të dytë në Kroaci, ku thotë se me leje pune kishte shkuar për të kërkuar punë, e ku ishte mbajtur për 16 muaj në paraburgim deri në vendimin e Ministrisë së Drejtësisë së Kroacisë për të liruar atë, duke refuzuar ekstradimin e sërishëm të tij në Serbi.

Në të njëjtin vit të lirimit të tij nga Kroacia, pra në vitin 2011 duke u kthyer për në Slloveni për ku thotë se kishte vizë pune, Morina u arrestua sërish. “Aty diku sa më kujtohet tre muaj kam qenë në paraburgim”.

"Kur vjen puna për këta të mëdhenjtë si Ramushi krejt vrapojnë".

Sinan Morina

Prej Sllovenisë ai ishte nisur për në Gjermani, në vitin 2011 sërish dhe në Austri, pra rrugës, ishte burgosur prapë.  Përfundimisht ai ishte liruar në fillim të vitit 2012 nga Austria dhe që prej atëherë nuk ka dalë jashtë Kosovës.

Autoritetet e Kosovës të vetëdijshme për rastin e Morinës në nëntorin e vitit 2016 kishin adresuar përmes UNMIK-ut një kërkesë në Interpol [meqë Kosova nuk është anëtare e Interpol dhe nuk komunikon drejtëpërdrejtë me këtë organizatë], për të larguar fletëarrestin ndaj tij dhe 19 ish pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Përfshirë atë për ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj që po mbahet në lirim me kusht në Francë që nga janari i këtij kur ishte arrestuar pikërisht mbi bazën e fletëarresteve të Serbisë.

Arrestimi i Haradinajt, Morinës i ka ngjallë shpresë se dikush do të dëgjojë edhe për rastin e tij e t’i ndihmojë. “Kur vjen puna për këta të mëdhenjtë si Ramushi krejt vrapojnë, unë kam qenë katër herë i arrestuar dhe askush asgjë s’ka bë për mua, as nuk më ka pyetur madje se çka kam përjetuar. Krejt çka po du është më lëviz lirshëm e me punu sikurse përpara jashtë shtetit meqë unë duhet me ushqy familjen time”, është dëshira e Morinës.

Se, a do të ketë bazë ligjore apo jo që fletëarrestet ndaj tij dhe të tjerëve të largohen nga Interpoli  mbetet të shihet, një vendim për këtë akoma nuk ka. Derisa të marrë një vendim ndërkaq, Morina duhet të rrijë në shtëpinë e tij në Kosovë me shpresën se vëmendja e shtuar për rastin e Haradinajt, do t’i ndihmojë që të përshpejtojë edhe rastin e tij. K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.