“Para pesë vjetësh, kur po lindja fëmijën e dytë, një infermiere më çoi te salla e lindjes por më la jashtë. Një kolege e saj doli nga dhoma, më uli në shtrat dhe thirri mjekun. Sapo hyri në sallë më pyeti me fytyrë të vrenjtur: ‘Sa gishta?’”
“‘Nuk e di’. E kisha vështirë të përgjigjesha sepse dhimbja tanimë ishte e papërballueshme.
“‘Çfarë dreqin po ndodh sot? Kjo as nuk ditka sa është e hapur’, iu bërtiti infermiereve para se të përplaste disa pajisje në tavolinën e metaltë”.
“‘Pulsi i fëmijës është tepër i lartë,’ thotë njëra nga infermieret. ‘Duhet të dalë’”.
“Më zuri paniku sepse ndihesha e vetmuar”.
Ky është rrëfimi i lindjes i Adisa M. nga Sarajeva për K2.0. Por ky mund të jetë rrëfimi i shumë grave të tjera lehona në Bosnjë, ku publiku flet rrallëherë për trajtimin e pacienteve nga mjekët meshkuj.
Sipas shoqatave dhe aktivistëve që merren me çështjet e grave në rajon, shumë gra kanë pësuar keqtrajtim verbal dhe fizik nga gjinekologët, madje edhe dhunë. Sidoqoftë, ato nuk flasin shpesh për këto përjetime. Ato që shprehen e bëjnë zakonisht në mënyrë anonime dhe online, ose diskutojnë vetëm me shoqet e tyre.
“Gjinekologët vihen në siklet”. “Kur përmendet seksi”. “Që s’bëhet për riprodhim”. Foto nga kolektivi Vala, Ljeposava.
Raportimet ndaj institucioneve janë të rralla, ndërsa sanksionet akoma më të rralla, por punët mund të ndryshojnë në të ardhmen.
Rrënimi i murit të heshtjes
Në Kroaci, dhuna gjinekologjike dhe obstetrike është diskutuar për herë të parë publikisht nga Ivana Ninčević Lesandrić, e cila — në vitin 2018 kur ishte ende deputete — kishte treguar se si i ishte bërë dilatacioni dhe kuretazhi uterin pa anestezion në spitalin e Splitit. Shoqata Roda (“Lejleku”) ishte përgjigjur duke nisur një fushatë të quajtur Prekinimo šutnju (“Të thyejmë heshtjen”), përmes së cilës kanë pasur për qëllim përqendrimin e syrit publik te trajtimi i grave nga stafi mjekësor.
Së fundi, Serbia është tronditur nga rrëfimi i Mina Smiljanić; në prill, gazetarja ka treguar se një anesteziolog e kishte ngacmuar, rrahur dhe fyer gjatë lindjes. “Gjëja e parë që më tha — me të përshëndetur — ishte: ‘Ju gazetarët shiteni për 50 euro’”, kujton Smiljanić.
"Tash kanë kaluar tre muaj, fëmija është rritur paksa dhe dhimbjet fizike janë lehtësuar, por ende nihem e poshtëruar dhe e pafuqishme."
Mina Smiljanić, gazetare beogradase
“Edhe pse u përpoqa mjaft ta merrja si shaka, ai më quajti trashalluqe dhe më tha se jam e kotë. Ai po ashtu më goditi goxha fort në shpinë dhe në shpatullën e djathë për të më treguar si duhej të pozicionohesha që të ma jepte një injeksion në mes të kurrizit. I thashë se po sillej pa konsideratë. Tash kanë kaluar tre muaj, fëmija është rritur paksa dhe dhimbjet fizike janë lehtësuar, por ende nihem e poshtëruar dhe e pafuqishme kur kujtoj disa nga skenat e lindjes sime shtatorëshe”.
Shkrimtarja dhe gazetarja sarajevase Nermina Omerbegović ka thënë për K2.0 se nuk ka pasur përvojë të tillë tmerruese, por sidoqoftë një mjeke kishte komentuar për faktin se nuk ka bërë akoma fëmijë. “Ajo më pyeti: Hë pra, gazetaret s’duan fëmijë?’ Kjo u shoqërua me thënien tradicionale ‘Çfarë po pret?’” kujton shkrimtarja ndërsa sjell ndër mend vizitat e dhimbshme gjinekologjike kur mjekët silleshin me vrazhdësi.
Ajo nuk ka menduar të dorëzojë ndonjë ankesë kundrejt stafit mjekësor, pjesërisht për arsye se rastet e këtilla janë shumë më të pakta se ato pozitive; por edhe sepse beson që [abuzimi] nuk merret aspak seriozisht në shoqërinë boshnjake.
“Mbase arsyeja është fakti që brezni të tëra grash janë mësuar të pyeten: ‘Kur mendon se do të martohesh?’ ‘Kur do të bësh fëmijë?’ “Kur…?’ Megjithatë, mendoj se problem i madh mbetet ajo që njerëzit nuk vizitojnë mjekun aq sa duhet, jo vetëm gjinekologun,” thotë Omerbegović. Ajo shton se — sipas saj — nëse gratë dëgjojnë rrëfimet e grave të tjera që kanë pasur përjetime të këqija dhe nëse penalizohen mjekët, kjo do të sillte ndryshim.
Para disa muajsh është krijuar një platformë në Bosnjë e quajtur Nisam tražila [“S’e kam lypë”], e cila ua mundëson grave t’i tregojnë rrëfimet e tyre për llojet e ndryshme të abuzimit që kanë përjetuar. Shumë komente janë qartazi dekurajuese, si dhe fyese, ndërsa duket që perceptimi i dhunës në vend është akoma shumë problematik.
Një qasje paksa e ndryshme është adoptuar nga kolektivi feminist malazias që ngre shqetësime të shumta në sferën publike përmes platformës së tyre në Facebook Vala, Ljeposava [“Vallah, Ljeposava”]. Ky grup përdor satirën për të shprehur kritika ndaj qeverisë, por edhe për të tërhequr vëmendjen në disa çështje me të cilat gratë e Malit të Zi merren çdo ditë. Ajo frymëzohet nga seriali i vjetër jugosllav “Vala, Ljeposava” nga vitet e 80-ta; “Đekna još nike umrla, a kad će ne znamo” (Đekna nuk ka vdekur akoma dhe nuk e dimë se kur do të vdesë”) është një nga thëniet më të kujtueshme që shfaq frymën patriarkale të një familjeje fshatare në Malin e Zi.
“Çfarë tjetër të ka thënë gjinekologu?” Një nga imazhet e përdorura nga kolektivi Vala, Ljeposava në fushatën e tyre për luftimin e dhunës gjinekologjike dhe obstetrike. Foto nga Vala, Ljeposava.
Nga fundi i vitit të kaluar, kolektivi ka bërë thirrje publike që gratë të flasin me zë të lartë për dhunën gjinekologjike dhe obstetrike.
“Vishu sa s’mbete prapë shtatzënë!”
“Përse po i mbyll këmbët kaq fort — a duhet të ta sjellim Brad Pitt-in që t’i hapë?”
“Bre, dukesh si vajzë trotuaresh!”
“Boll gjëmove? Me siguri nuk ke gjëmuar kur e ke bërë [beben], apo si?!”
“Kaq e bukur nga jashtë, por kaq e shpifur nga brenda”.
“A s’ke të dashur? Eh, duhet t’i themi të jetë më i rreptë që të shpërthejë këto cista”.
“Të gjithë e dimë si janë ato që përdorin tamponë dhe pilula kundër shtatzënisë”.
Këto janë vetëm disa nga komentet që gratë kanë marrë nga mjekët dhe që kanë vendosur t’i publikojnë në faqen e Facebook-ut. Ndërsa njerëzit kontribuonin masivisht, i gjithë diskutimi mori dhenë. Dhe pas pak u themelua nje platformë tjetër, por këtë herë në Instagram: Kritički [“Kritikisht”] tashmë u hedh dritë mënyrave të tjera të abuzimit që lidhin gratë në rajon.
“Faqja u ka dhënë hapësirë grave që duan të thonë diçka. Por kjo nuk është ndonjë vepër heroike”, theksojnë gratë nga Vala, Ljeposava. Sipas tyre, po mos të kishte kontribute të shumta nga të gjitha anët, nuk do të kishte as ndërgjegjësim sa i përket kësaj çështjeje.
Dhuna është shpërfillur për vite të tëra
Delila Hasanbegović-Vukas, e cila është anëtare e stafit në Sarajevo Open Center (SOC) dhe autore shkrimeve që merren me aspekte të ndryshme të të drejtave të njeriut, thotë që është e sigurt se njerëzit që mbijetojnë çfarëdolloj forme të dhunës frikësohen se rrezikojnë vetveten nëse ngrenë zërin kundër saj.
“Është e rëndësishme të dilet dhe të flitet për të ashtuquajturën dhunë gjinekologjike, të mbështetet zëri i shumë prej atyre që nuk janë as të vetëdijshme se çfarë ka ndodhur ose çfarë ndodh sepse mendojnë që duhet ose mund të jetë ashtu”, thotë Hasanbegović-Vukas, duke shtuar se duhet shteruar të gjitha kanalet e mundshme për ta sjellë këtë çështje në diskutim — nga shkollat, media dhe deri te vendet ku ndodh vetë dhuna.
“Si rregull e përgjithshme, qëndrimi ndaj shëndetit riprodhues të grave është problematik.”
Tanja Stupar-Trifunović, autore
Autorja me seli në Banja-Llukë Tanja Stupar-Trifunović beson se Bosnja vërshohet nga dhuna verbale kundrejt grave, gjë që pasqyrohet në diskursin publik, në mediat sociale dhe në shumë rubrika komentesh, por edhe në mënyrën se si njerëzit komunikojnë në rrugë dhe në hapësira publike. “Si rregull e përgjithshme, qëndrimi ndaj shëndetit riprodhues të grave është problematik”, thotë ajo, duke kujtuar se, për shembull, vaksinat kundër HPV-së nuk janë të disponueshme në vend dhe ky është problem tjetër që nuk zihet ngoje.
“E gjithë kjo është thjesht dhunë shoqërore afatgjate, tinëzare dhe tepër e dëmshme, ndërsa pasojat janë shpërfillur tash e sa vjet”, pohon Stupar-Trifunović. Sa u përket komenteve të pavenda në zyrat e gjinekologëve, ajo i quan pasqyrim të mënyrës së si trajtohen gratë në përgjithësi.
Sidoqoftë, në vitet e fundit, disa OJQ në Banja-Llukë kanë themeluar nisma që synojnë ndërgjegjësimin për shëndetin riprodhues të grave. Në 2015, shoqata DRIP — e cila është shkurtesë për Djeca, roditelji i porodilje (“Fëmijët, prindërit dhe lehonat”) — është formuar nga një grup grash të vendosura për të tërhequr vëmendje te fakti që situata e tanishme në maternitete duhet të ndryshojë. Bashkë me organizatën Oštra nula (“Zeroja e fortë”), shoqata ka bërë një aksion publik ku kanë vendosur bashkëpunim me institucionet shëndetësore.
Pas dy vjetësh pune avokimi, ata ia kanë dalë të zvogëlojnë çmimin e anestezionit epidural dhe të sigurojnë që një person i afërt të lejohet të shoqërojë nënën gjatë lindjes.
“Përse ke ardhur kur s’dëshiron të lindësh? Nuk do të të trajtojmë për hiçgjë”. Nga Vala, Ljeposava.
“Në mënyrë që të sillet ndryshimi, ai duhet të promovohet në secilin segment të shoqërisë. Është e rëndësishme që këto çështje të përfshihen në procesin e arsimimit”, thotë Stupar-Trifunović, duke vërejtur që shoqëria boshnjake nuk është mjaft e pjekur për të kapur llojin e dhunës në fjalë; veprimet fizike janë të vetmet që konsiderohen si të dhunshme.
Amila Ždralović, e cila është doktore e sociologjisë dhe profesore asistente në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës pajtohet me këtë dhe sjell ndër mend çështjen që, ndonëse kemi pak tolerancë ndaj dhunës si shoqëri, problemi më therës është që disa forma të dhunës nuk afirmohen si të tilla. Sipas saj, zgjidhja është të diskutohen format e lartpërmendura të dhunës në rrafshin publik.
“Është pikërisht diskutimi ai që ndihmon të ndërgjegjësohemi për problemet”, thotë Ždralović për K2.0. “Ideja e barazisë bazohet në respektimin e secilit individ. Të gjitha agresionet verbale — përfshirë komentet e papërshtatshme — që gratë përjetojnë në vende të ndryshme (edhe në zyrat e gjinekologëve) janë formë e diskriminimit”.
Paragjykimi dhe ngacmimi i atyre që kanë mbijetuar çfarëdolloj abuzimi që kanë përjetuar në mediat sociale luajnë rol të rëndësishëm në këtë aspekt.
“Nuk mund ta kuptojmë ashpërsinë dhe shpeshtësinë e formave më delikate / më pak të dukshme të dhunës: ajo psikologjike, ekonomike ose online; dhuna brenda sistemit të mirëqenies, institucioneve publike ose shëndetësisë; dhe shumë forma të ndryshme të dhunës. E të mos përmendim ashpërsinë e ndikimit të këtyre formave të dhunës ndaj të mbijetuarve në tërë shoqërinë”, pohon Stupar-Trifunović.
Çfarë thotë ligji?
Feministët duhet të flasin për këto çështje, por barra nuk mund t’u lihet vetëm shoqatave të grave/feministe. Deri më tash duket se sanksionet e vetme ndaj dhunës gjinekologjike në Bosnjë kanë qenë dënimi dhe kritikat publike.
Kur kemi pyetur rreth masave disiplinore që lidhen me format e përmendura të dhunës, disa institucione shëndetësore në Bosnjë janë përgjigjur prerazi se ekzistojnë formularët për ankesa dhe raportime të pacientëve, por thonë se pacientet nuk ankohen për gjinekologët. Ç’është e vërteta, asnjë qendër shëndetësore ose spital që kemi kontaktuar — në Banja-Llukë, Sarajevë, Mostar, Gorazhde, Livno, Zenicë, Tuzla, etj. — nuk ka pranuar raportime të tilla. Nëse pranohen këto lloj raportimesh, institucionet shëndetësore i procesojnë sipas Ligjit [Federativ] për të Drejtat, Obligimet dhe Përgjegjësitë e Pacientëve.
Sipas këtij ligji, pacientët mund të bëjnë ankesë duke e dorëzuar atë pranë drejtorit të qendrës shëndetësore në fjalë, qoftë me shkrim ose ballë për ballë. Nëse vërtetohet shkelja e detyrës, dënimet pasuese mund të përfshijnë vërejtjen me shkrim, zhdetyrimin e të tjera.
Një numër i madh i grave dekurajohen nga plotësimi i formularëve pasi marrin vesh se nuk mund të dëshmojnë çfarë ka ndodhur pa dëshmitarë.
Edhe Ligji malazias për të Drejtat e Pacientëve parasheh dënime për trajtimin e papërshtatshëm të pacientëve, por edhe për shpërdorim, për refuzimin e ofrimit të përkujdesjes shëndetësore dhe për shkelje të tjera. Ligji përkufizon se zyrtarët për marrëdhënie me pacientë dhe/ose drejtorët e institucioneve shëndetësore kanë kompetencë për t’i pranuar dhe për t’i procesuar ankesat, si dhe për të vendosur dënime — të cilat shumicën e rasteve janë gjoba — ndaj stafit.
Sidoqoftë, në të dyja vendet, shumica e ankesave mbeten vetëm fjalë mbi letër. Një numër i madh i grave dekurajohen nga plotësimi i formularëve pasi marrin vesh se nuk mund të dëshmojnë çfarë ka ndodhur pa dëshmitarë. Ato dekurajohen më tej kur kuptojnë se fare pak mjekë që kanë pranuar ankesa janë sanksionuar.
“Sa u përket grave, kjo i hap udhë frikës se në qoftë se bëjnë ankesë do ta kenë më keq herën tjetër që u duhet trajtim i ngjashëm mjekësor pikërisht për shkak të ankesës — dhe disa gra na kanë shkruar veçanërisht për ndodhi të tilla”, thonë pjesëtaret e Ljeposava-s.
E njëjta çështje është vënë re nga Qendra për të Drejtat e Grave në Podgoricë. Kjo qendër ofron informacione të duhura dhe ndihmë psikologjike dhe ligjore konfidenciale pa pagesë, si dhe punon për ndërgjegësimin e publikut rreth të gjitha formave të dhunës kundër grave. Maja Raičević, e cila është drejtorja ekzekutive e Qendrës, thotë se përjetimet negative të grave përfshijnë komente seksuale gjatë vizitave ose procedurave mjekësore; fyerje dhe trajtim poshtërues; madje edhe dhunë fizike dhe kryeje të procedurave pa pëlqim të qartë dhe informuar të pacienteve dhe pa arsye mjekësore.
Një nga procedurat që përmend Raičević, për të cilën mjekët shpesh nuk kërkojnë pëlqim, është episiotomia: Një intervenim që dikur u bëhej të gjitha grave që lindin, por që më vonë është gjykuar si i parëndësishëm — përveç në raste të veçanta. Qendra për të Drejtat e Grave thekson që çdo keqtrajtim ose dështim i respektimit të të drejtave të pacientëve përbën dhunë obstetrike, përfshirë procedurat që bëhen kundër vullnetit të tyre.
“Diçka më shpoi në shpinë”. “Do të jetë në rregull pasi të lindësh”. Nga Vala, Ljeposava.
“Nëse burrat do të mund të lindnin, jam i sigurt që maternitetet do të dukeshin krejt ndryshe dhe do të kishin më shumë fonde”, thotë Raičević dhe shton se institucionet shëndetësore në rajon kanë mungesë të produkteve higjienike, gjë që ka shkaktuar vdekjen e foshnjave në një spital në veri të Malit të Zi para disa vjetësh.
“Ndërkohë qeveria e udhëhequr nga meshkujt kishte një flotë veturash me vlerë prej miliona eurosh. T’jua rikujtoj që anestezioni epidural është akoma shërbim komercial në Qendrën Klinike të Malit të Zi që kushton 125 euro për trajtim”.
Veprimet konkrete
Mediat sociale shihen përgjithësisht si platformë e efektshme për thyerjen e heshtjes. Sipas kolektivit të grave Vala, Ljeposava, po të mos ishte për kontributet e shumta, nuk do të kishte pasur ndërgjegjësim për këtë çështje.
“Shumë forma të dhunës ndaj grave vazhdojnë të shihen si ‘gjëra të rëndomta’ dhe patriarkati do që ne të besojmë se është një dhimbje që gratë duhet ta kenë sepse janë gra”, pohon kolektivi feminist duke përshkruar dhunën gjinekologjike dhe obstetrike si një lloj sekreti publik.
“Të gjithë e dimë se çfarë po ndodh, por ende këmbëngulim se është normale. Për shkak të modeleve të përbrendësuara patriarkale, edhe gratë që kanë pasur përjetime negative u thonë grave të tjera të durojnë, ose thonë se kështu janë gjërat, ose se maternitetet nuk janë hotele, se nuk shkojmë atje për t’u kënaqur, etj.”, thonë gratë e kolektivit.
"Ne besojmë se përgjigja e vetme e përputhshme do të ishte një riorganizim fundamental i sistemit."
Vala Ljeposava, kolektiv feminist malazias
Duke kapërcyer kufijtë e diskutimeve në Facebook, grupi i aktivistëve i ka çuar letër Ministrisë së Shëndetësisë në Malin e Zi, ku ka kërkuar shpjegim për hapat konkretë që të adresohet çështja e dhunës gjinekologjike dhe obstetrike. Ministrja Jelena Borovinić Bojović dhe drejtorja e Qendrës Klinike të Malit të Zi Ljiljana Radulović ishin të parat që u përgjigjën. Të dyja dolën në mbështetje të fushatës dhe premtuan se do të përpiqen për ta zgjidhur problemin.
Sidoqoftë, jo të gjitha reagimet kanë qenë qëllimmira dhe përkrahëse. Drejtorja e Klinikës Gjinekologjike dhe Obstetrike të Qendrës Klinike Vesna Čolaković-Popović ka bërë përpjekje për të mohur përvojat e përbashkëta duke iu referuar statistikave që nuk janë të qasshme nga publiku. Si kundërpërgjigje, gratë e Ljeposava-s kanë ofruar të ndërmjetësojnë komunikimin mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe përfituesve të kujdesit shëndetësor.
“Duke ditur se ky është një problem sistemor që ka lëshuar rrënjë në të gjitha institucionet, ne besojmë se përgjigja e vetme e përputhshme do të ishte një riorganizim fundamental i sistemit, i cili do të duhej të ndiqej nga edukimi i stafit mjekësor dhe i pacientëve”, thonë pjesëtaret e Ljeposava-s.
Sipas kolektivit dhe grave të tjera që kanë ngritur zërin, dhuna gjinekologjike dhe obstetrike është çështje komplekse që nuk mund të zgjidhet brenda ditës, por është e rëndësishme që të rroket sa më shpejt që është e mundur.
Imazhi i ballinës nga Vala, Ljeposava.