Në thelb | Ekonomia

“Dimri do të jetë i vështirë”

Nga - 20.10.2022

Shtrenjtimi i energjisë elektrike e paralajmërimet për reduktim — ogur për dimër të rëndë.

Shtrirë rrëzë bjeshkëve të bukura që si për ironi quhen të nemuna, Peja është nga qytetet më të ftohta në Kosovë. Edhe mëngjesin e 23 shtatorit të ftohtit ndihej. E kur ndihet i ftohti në shtator — mendja pavullnetshëm shkon tek ditët e dimrit.

Diku tek “Lagja e Gjimnazit”, pranë varrezave të austro-hungarezëve, zhvillohet një “luftë” mes shtëpive karakteristike një-katëshe të lagjeve të vjetra të Pejës dhe ndërtesave të reja. Një luftë tjetër — ajo për mbijetesë — fshihet pas një dere të vjetër druri të një shtëpie të vogël. Që prej oborrit shihet se gjendja ekonomike e atyre që gjenden brenda dallon nga fqinjët përreth. S’kishte klimë ngjitur, as dru të paluara si te të tjerët. Një mace endej këmbëve, teksa Kujtim Halili, në të 40-tat, prin për tek dera. 

Derën mezi e hapi — sikur edhe dera s’dëshironte të tregonte ç’ka brenda — dhe hyri në një dhomë të ftohtë, të errët dhe të veshur me llamperi. Një shporet i bardhë me disa ushqime përmbi e plot rraqe përreth skejohet në një qoshe. 

Aty është Elfije Murataj, e cila teksa vetë e ka sëmundjen e Parkinsonit, që ia vështirëson lëvizjen, kujdeset për nipin, Albatritin, 8-vjeçar, i cili që nga lindja nuk sheh dhe nuk lëviz. 

“Prej kur ka lindë, gjithmonë afër i kam qëndru. Tash ka dy vjet që e kam Parkinsonin e shpesh po rrëzohem edhe unë”, nis e flet Elfija. E bija e saj, nëna e Albatritit, kishte dalë për të kërkuar punë a gjetur ndonjë ndihmë, se dimri po afron.

“Qe dy ditë na u ka prishë edhe një nxemje e vogël që e kemi pasë. Qe sot në sabah ka qenë si në frizhider këtu. Për dimër nuk e di si do t’ia bajmë”, e thotë këtë fjalë të fundit dhe i ikën zëri prej vajit. Me pak para për të blerë dru a për të paguar faturën e energjisë elektrike, dimri për Elfijen, Albatritin dhe gjithë familjen e tyre do të jetë i zorshëm.

Fatura e papaguar ishte arsyeja pse e kishin përzënë nga një shtëpi tjetër me qira, ku kishin qëndruar kohë më parë.

“Edhe këtu na u ka ba 300 euro borxhi, por po e zbuti kapak me nga 30-40 euro ndonjëherë”, thotë Elfija, teksa mban afër nipin. Me ndihmën sociale që marrin për Albatritin — rreth 300 euro në muaj — mbahen gjallë. 

“Veç edhe mos me qenë Kujta nuk di qysh ia kishim ba për qira. Ky na ndihmon sa të mundet”, bën me kokë kah Kujtimi, që rrinte mbështetur për muri. Ai vetëm lëviz kokën dhe rrudhë krahët duke thënë si nën zë: “Sa të mundemi kemi me ba”. Dera e vjetër mbyllet teksa udhën e prin përsëri Kujta, siç e thërrasin të gjithë.

Elfije Murataj dhe familja e saj jetojnë me veç 300 euro në muaj që i marrin si ndihmē sociale për Albatritin. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Shtrenjtimi e bën dimrin më të ashpër

Kujta banon te “Xhemajl Kada” siç e njohin lagjen pejanët, në një rrugicë të voglël që ka vend veç për një veturë dhe një këmbësor për të lëvizur në të njëjtën kohë. Në vitin 2007 kishte nisur krejt rastësisht të ndihmonte nevojtarët dhe më nuk ishte ndalur. Më pas ndihmat që i jepnin familjarët e shoqëria nga jashtë vendit, e shtynë t’i organizojë në shoqatën “Gjurmët e Pejës”, që edhe ndihmën ta mblidhte më zyrtarisht. Ndonëse ndihmon 800 shtëpi çdo vit, emri i tij nuk gjendet nëpër artikuj e emisione mediesh e as nuk ndiqet nga kamera profesionale — siç udhëzon trendi i tanishëm në Kosovë.

Një kthinë të oborrit të shtëpisë së tij e kishte shndërruar në zyre e depo ndihmash. Nuk kishte logjikë për të të paguante qira diku e të merrte ndihma. Kishte punuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të Pejës si laborant, por duke dashur të dalë jashtë vendit për punë kishte shkëputur kontratën. Gjërat nuk kishin ecur si duhet, e tash po pret një konkurs tjetër për t’u kthyer në punë. 

“Këto ndihma disa persona m’i sjellin se e dinë që ndihmoj, disa të tjerëve, sikur kompanive të mëdha, iu shkruaj mesazh e ata m’i sjellin. Po mbledh sa po mundem, por nevoja është e madhe”, tregon Kujtimi, që hedh sytë kah lista prej 800 familjesh nevojtare në Pejë dhe fshatrat përreth. Sipas tij, prej vitit në vit këto familje janë shtuar. 

“Ka raste kur dikush vjen vonë në derë e më thotë që sonte s’po kanë çka me hangër fëmijët”, tregon ai, e andaj edhe i mban kah 4-5 thasë miell në depo. 

Tash Kujtimi po bëhet gati për dimër, që në mes të paralajmërimeve për reduktime të energjisë dhe çmimit të druve, duket se do të jetë i vështirë.

“Në Pejë po shkon prej 50-70 euro një metër dru”, thotë e ndalet nja 10 sekonda e mendon “Me i pasë, për shembull, qetash për momentin 200 metra dru, me ju çu 100 familjeve ka 2 metra dru kish me qenë shumë mirë, edhe pse 4-5 metra dru iu duhen me kalu dimrin”, thotë ai.

Me ndihmat që mbledh Kujtim Halili ndihmon 800 familje nevojtare në Pejë. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Shqetësimet e Kujtimit janë me vend. Çmimet e drurit dhe peletit, që përdoren në masë për ngrohje shtëpiake, janë dyfishuar. Një ton thëngjill shitet me 75 euro, edhe pse nuk lejohet të digjet në masë nga 2019-ta. Një metër kub dru ka mbërritur deri në 100 euro që shënon rritje prej 100% nga viti kaluar, teksa peleti tash kushton nga 540 deri 700 euro për ton, me një rritje prej 125% deri 190% .

Edhe energjia elektrike, që shpesh përdoret për ngrohje shtëpiake është shtrenjtuar. Dimrin e fundit reduktimet e lanë Kosovën në terr çdo katër orë për disa javë e në fund sollën rritje të çmimit dhe ndarje në dy bllok-tarifa.

Bllok-tarifat e prezantuara në shkurt 2022

Ata që shpenzojnë deri në 800 kWh gjatë njw muaji nuk kanë rritje të çmimit, në tarifën e lartë paguajnë 6.75 cent për kWh, kurse tarifën e ulët 2.89 cent për kWh. Teksa ata që kalojnë pragun prej 800 kWh për muaj, atëherë tarifën e lartë e paguajnë me 12.52 cent për kWh, teksa të ultën me 5.90 cent për kWh.

Këtë dimër, qeveria ka paralajmëruar se do të ketë reduktime të energjisë, kur kërkesa për konsum të rritet, pasi Kosova nuk do të ketë mjaftueshëm energji për të gjithë. 

Shumica e energjisë në Kosovë vjen prej prodhimit të brendshëm. Që nga paslufta me stabilimentet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që ishin dëmtuar, problemet me energji elektrike kanë qenë gjithmonë të pranishme. Megjithatë, infrastruktura e ndërtuar së pari në të ’60-tat me Termocentralin “Kosova A”, e më pas e përforcuar në të ’80-tat me “Kosova B”, vazhduan të jenë burim i dritës. 

Këto dy termocentrale vazhdojnë të jenë burimi kryesor i energjisë elektrike edhe sot. Këto termocentrale, çdo vit renovohen dhe gjatë riparimeve nuk prodhojnë. Kjo ishte arsyeja pse në gusht të këtij viti pati reduktime. Megjithatë, edhe sikur të mos kishin nevojë për riparime, këto dy termocentrale, bashkë me burimet alternative të energjisë, nuk e mbulojnë konsumin kur temperaturat bien. Andaj, duhet importuar. Por çmimet e energjisë në bursën ndërkombëtare janë shumë të larta.

Nëse në pikun e konsumit gjatë dimrit, në të kaluarën, një megavat për orë blihej me 80 deri 100 euro në bursën hungareze, Hupex, sot jashtë sezonit dimror e jashtë pikut çmimi shkon deri në 800 euro e pritet që të arrijë deri në 1000 euro. Lëvizja e çmimit është produkt i ballafaqimit të ofertës me kërkesë, mirëpo edhe për shkak të ndikimeve gjeoglobale, si lufta që po zhvillohet në Ukrainë nga Rusia, e cila kishte furnizuar me gaz një pjesë të madhe të Evropës. Andaj, në pamundësi të mbulimit të kostos së rritur, Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) zgjedh reduktimet.

Qytetarët, krahas reduktimeve të paralajmëruara dhe thirrjeve për kursim, nuk kanë alternativa të shumta, pos të mbështeten në lëndë djegëse si druri, peleti e thëngjilli, apo me energji elektrike. Për shembull, pos Prishtinës e Gjakovës, sistemi i ngrohjes qendrore — që do ta ndihmonte kursimin — është joekzistent. 

Shumica e qytetarëve të Kosovës nuk ka qasje ngrohje qendrore

Nga 200,000 konsumatorë në Prishtinë, vetëm 16,000 prej tyre dhe institucionet publike të Prishtinës marrin ngrohje nga Termokosi nga 15 tetori deri me 15 prill, kurse një numër më i vogël është në Gjakovë, ku Ngrohtorja e Gjakovës sivjet do të ngrohë rreth 110,000 metra katrorë, ku përfshihen institucionet publike të këtij qyteti. E një ngrohtore e ngjashme si e Gjakovës, rri pa e pafunksionalizuar në Mitrovicë.

Që dimri nuk do të jetë i lehtë e thotë edhe Viktor Buzhala nga KEDS. Rritja e konsumit ka filluar prej tash, duke shënuar një rritje prej 5% në krahasim me vitin e kaluar edhe pse nuk është piku i sezonit.

Sipas tij, shpenzimi aktualisht është i ulët, pasi jemi në kohën kur qytetarët nuk e përdorin energjinë elektrike as për ftohje përmes kondicionerëve, as për ngrohje — pra, shkon piku në mbi 700 megavatë në orë. Gjatë dimrit, piku i shpenzimit dimrit shkon deri në 1300 megavatë në orë.

“E dimë që na pret një dimër i vështirë në aspektin elektroenergjetik”, tha Buzhala. Sipas tij ndikimi do të varet nga tre faktorë: Prodhimi vendor, niveli i konsumit dhe çmimet në tregjet ndërkombëtare.

Përgatitje e vonuar 

Pasiguria e furnizimit me energji elektrike lë vragë te bizneset prodhuese dhe ato shërbyese. Lehtë mund të pikasen numrat e shtuar të gjeneratorëve pranë bizneseve. Lendrit Palushi nga kompania “Frutex”, që prodhon dhe eksporton pije, tregon se në kushte normale, kompania prodhon me pesë linja prodhimi, që nxjerrin në treg 500,000 copa pije në ditë. Por, kur rryma ndalet, gjendja ndryshon.

“Me rastin e shfrytëzimit të gjeneratorit, ne jemi të detyruar të zvogëlojmë prodhimin nga 5 në 2 linja prodhimi, pasi shpenzimet e gjeneratorit janë tepër të larta”, thotë Palushi. “Humbjet janë të mëdha sepse edhe zvogëlohet kapaciteti prodhues, edhe rriten shpenzimet e naftës”.

Termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ vazhdojnë të jenë burimi kryesor i energjisë elektrike. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Në frymë të njëjtë flet edhe Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës. Ai thotë se nëse dimri do të pasohet nga reduktime të shumta energjetike, atëherë do të ketë rritje të çmimeve për produktet që shërbehen, humbje të punëtorëve e deri tek ulja e konsumit –– dobësim të bizneseve deri në shuarje.

Për gastronomët, Vranica thotë se pothuajse të gjithë janë bërë gati me pajisjen UPS, që mundëson që kur të ndalet energjia elektrike, ta zëvendësojë përkohësisht, në mënyrë që kalimi nga furnizimi në rrjetin energjetik tek furnizimi me gjenerator të mos dëmtojë pajisjet.

“Pastaj me gjeneratorë është një investim që përsëri mund të variojë sipas madhësisë së gjeneratorëve, por megjithatë kemi raste që plot biznese të mesme po detyrohen që të marrin ose gjeneratorë më të mëdhenjë, ose të kombinojnë një pjesë me inventorë në mënyrë që së paku të mund t’i shpërndajnë kuponët fiskal në momentin e shërbimit”, thotë Vranica.

Për ta zbehur mungesën e prodhimit të brendshëm me import të energjisë elektrike, qeveria në shkurt të këtij viti ka zotuar 90 milionë euro për subvencionimin e energjisë që KEDS e importon, prej të cilave deri tash janë ndarë rreth 60 milionë euro.

“Qëndrojmë aq sa është e mundur të jemi të përgatitur për dimër me kapacitetet tona që i kemi gjeneruese”, thotë ministrja e Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli. Qasja kryesore e qeverisë ndaj pasigurisë me energji elektrike vazhdon të jetë thirrja për kursim, ndërkohë që janë lansuar edhe disa masa mbështetëse që inkurajojnë kursim.

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, bën thirrje për kursim të energjisë elektrike. Fotografia: Ministria e Ekonomisë.

Në fillim të shtatorit, si pjesë e pakos për përballim me inflacionin, energjia zuri vend me një subvencionim për ata që kursejnë në krahasim me vitin e kaluar. Nëse një familje ka shpenzuar 1,000 kWh në shtatorin e vitit të kaluar, ndërsa në shtatorin e këtij viti ka harxhuar 900 kWh, ajo do të subvencionohet për 20% të vlerës së kursyer, që në këtë rast do të ishte 100 kWh. Sipas njoftimit, nuk do të ketë nevojë për aplikim sepse të dhënat do të merren nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe subvencionimi do të bëhet në faturën e konsumatorëve.

Një masë tjetër mbështetëse e subvencionimit u lansua së voni, ku qeveria ndau 6 milionë euro për investim në masa efiçiente, që sipas ministres Rizvanolli janë dizajnuar që të zvogëlohet nevoja për import të energjisë elektrike.

Të drejtë aplikimi për subvencionim do të kenë kryesisht qytetarët që kanë shtëpi dhe nuk janë të kyçur në ngrohje qendrore. Qeveria do të subvencionojë prej 10 deri në 90% për blerjen e pompave termike, kaldajave, stufave e kondicionerëve efiçientë, që shpenzojnë më pak energji. Nga ky subvencion mund të përfitojnë qytetarët, të cilët përdorin energji elektrike për ngohje dhe që në një nga tre muajt — dhjetor 2021, janar ose shkurt 2022 — kanë shpenzuar më shumë se 800 kWh.

Megjithatë, blerja e një shporeti apo kaldaje nuk është domosdoshmërisht i vetmi hall i familjeve të varfëra apo edhe familjeve me të ardhura mesatare. Problemi i tyre është edhe çmimi i lartë i drurit dhe lëndëve tjera djegëse.

Sipas ministres Rizvanolli, këto 6 milionë euro të investuara në efiçiencë pritet që të sjellin kursimin e energjisë elektrike në vlerë prej 19 milionë eurosh, e të cilat pastaj do të përdoren për import. 

Masat e efiçiencës

Kaldajat me biomasë, dru, pelet, briket me masë — do të subvencionohen deri në 70% të vlerës së investimit ose deri në 1,200 euro.

Pompat termike të cilat ulin shpenzimin e energjisë elektrike deri 70% — do të subvencionohen deri në vlerë 30% ose deri 2,500 euro.

Kondicionerët efiçentë të cilët gjithashtu ulin shpenzimet e energjisë elektrike deri në 70% do të subvencionohen deri në 40 % të vlerës ose deri në 400 euro.

Stufat individuale me vlerë efiçente me biomasë-dru, për familje që janë në pjesë të skemave të asistencës do të subvencionohen 90% ose deri 560 euro, ndërsa për të tjerët [që nuk janë në skema sociale] do të subvencionohen deri në 70% ose deri në 435 euro.

Teksa për ministren Rizvanolli këto masa s’janë të vona, ndarjen e 6 milionë eurove për investim në efiçiencë, drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi, e konsideron si lëvizje shumë të vonë. 

“A jemi vonë? Ne jemi vonë prej ditës kur është shtrenjtuar rryma elektrike, do të thotë me 8 shkurt 2022, qeveria e ka ditë që do të vjen dimri”, thotë Ejupi. “Edhe prej asaj kohe e deri më sot, janë fiks tetë muaj dhe nuk ka marrë asnjë masë të zbatueshme”. 

Sipas tij, qeveria e ka vonuar ndarjen e subvencionimit të importit te KEDS dhe ndonëse ka deklaruar se do ta vendosë çmimin tavan të peletit, nuk e ka bërë. Ai, po ashtu tha se qeveria ka mund t’ia zgjerojë fushën e veprimit Fondit të Efiçiencës, pasi sipas ligjit momentalisht ka të bëjë vetëm me ndërtesat publike. Ky fond investon në efiçiencën e objekteve të vjetra që s’kanë fasadë e dritare me standarde efiçiente.

“Kurrë më shtrenjtë nuk më ka ardhur në shtator fatura. Ka qenë më ftohtë se më herët, ja fatura”, thotë Ejupi.

Sytë e kthyer kah burimet e ripërtritshme

Që nga paslufta termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B” ishte planifikuar që t’u shtohej edhe një termocentral, i nisur me emrin Kosova “C”, e tash i njohur si “Kosova e Re”. Projekti në fund dështoi. Qeveri të ndryshe e kishin thjeshtë plan, tjerët nuk u morën me të, të tjera nënshkruan marrëveshje e zgjodhën investitorë, të cilët u tërhoqën për ta varrosur atë projekt me kapacitet prodhimi 500 MgW/h. Banka Botërore, organizatë ndërkombëtare për zhvillim, nuk donte të financonte termocentral me bazë thëngjlli për shkak të politikave globale kundër përdorimit të lëndëve fosile.

Politikat globale për të ngadalësuar emetimin e gazrave serë, që lirohen nga djegia e lëndëve fosile — shkaktarë të krizës klimatike — përkrahin gjenerimin e energjisë elektrike me format e ripërtritshme sikur panelet solare, energjinë e erës apo edhe me hidrocentrale. Por, Kosova s’merr më shumë se rreth 250GWh nga këto kapacitete nga mbi 6,000GMWh të prodhimit të tërësishëm të energjisë, pra veç rreth 4%.

Instituti INDEP i drejtuar nga Ejupi vazhdimisht ka nxjerrë raporte e rekomandime që përkrahin energjinë e gjelbër. Potenciali që kanë parë ndër vite, nuk është kthyer në vepër, pasi ka mbetur ende shumë punë për të filluar gjenerimin e energjisë nga dielli.

“Ne kemi propozuar në fushatën tonë që qeveria të subvencionojë panelet solare për biznese që e kish zvogëlu konsumin shumë të madh. Prej 2019 kemi propozuar që për amvisëri të hiqet TVSH-ja me 18% më lirë [për blerje të paneleve solare] dhe secili qytetar që e ka një kulm ka mundur të investojë në panele solare, që në njëfarë mënyre e kursen atë rrymën që e prodhon nga dielli dhe nuk e merr nga rrjeti”, thotë Ejupi. 

Burim Ejupi, drejtor i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) kritikon qeverinë për reagim të vonuar ndaj krizës energjetike. Atdhe Mulla / K2.0

Sipas tij, përveç kësaj qeveria ka mund t’ia zgjerojë fushën e veprimit Fondit të Efiçiencës, pasi sipas ligjit momentalisht ka të bëjë vetëm me ndërtesat publike.

Ejupi e kritikon edhe vendimin e muajit prill të qeverisë, ku kishte kishte shpërndarë mbi 100 milionë euro, duke ua dhënë nga 100 euro studentëve dhe punëtorëve të sektorit privat e publik. Sipas Ejupit, ky ka qenë një prej gabimeve të mëdha të qeverisë pasi me ato para ka mund të bëhet shumë për energji. Sipas tij, këto para do të mund të ishin ndarë për panele solare apo izolim të shtëpive. Në fund mbetet i çuditur se si nuk ka kampanjë të madhe për kursim nga institucionet vendore.

“Nuk ka vizion, nuk ka një politikë”, thotë ai, që nga momenti në moment, përcillte këmbimet e energjisë në Ballkan dhe çmimet në bursën hungareze.

Qeveria po punon në draftin e Strategjisë së re të Energjisë. Sipas Rizvanollit, ky draft parasheh përmirësim dhe përditësim të kapaciteteve prodhuese në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Mirëpo, synimi i Kosovës, sipas ministres, është që të arrihet në gjenerim të 35% të energjisë burimet e ripërtritshme.

Sipas saj, strategjia parasheh që së paku që 1400MWh të reja me kapacitete të reja të erës dhe solare të instalohen deri në vitin 2030 dhe të rritet kapaciteti prodhues nga 5% në 35%. Rizvanolli po ashtu tha se qeveria planifikon hapjen e Ankandit për Burime të Energjisë të Ripërtritshme ku ata që dëshirojnë të ndërtojnë kapacitete gjeneruese me energji të ripërtritshme duhet t’i nënshtrohen ankandit, dhe fituesi përcaktohet në bazë të çmimit më të ulët mes ofertuesve të kualifikuar. Përderisa ankandi për energji solare ishte paraparë të hapej në fund të vitit, Rizvanolli lë të hapur mundësinë se mund të vonohet deri në fillim të 2023-s.

Burimet e energjisë së ripërtritshme po shihen si zgjidhje gjithnjë e më shumë edhe nga bizneset. Palushi i kompanisë “Frutex” tha se se duke parë krizën momentale me energjinë elektrike në të gjithë botën dhe gjendjen në Kosovë, ata janë drejtuar në zhvillimin e kapaciteteve vetgjeneruese me energji solare.

Përderisa disa biznese kanë mundësi për të bërë zgjidhje, shumica e familjeve në Kosovë do të varen te KEK-u dhe drutë, peleti e thëngjilli. Këto lëndë djegëse dhe energjia e ripërtritshme qëndrojnë në kahje të kundërta.

Ndërkohë, masat mbështetëse, në tërësi, nuk do t’u mundësojnë të varfërve që nga pullazet e tyre të del tym këtë dimër. Lista e gjatë e Kujtim Halilit tregon se qindra familje i mbajnë sytë kah humanitarët. 

Në fund, Kujta nuk shkoi në shtëpi të tij. U lëshua korzës së Pejës teposhtë për të takuar disa biznese që e kanë thirrur për të dhënë ndihma, sepse “dimri do të jetë i vështirë”.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. 

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.