Pikëpamje | Fëmijët

Disiplinimi i fëmijëve mbetet peng i dhunës

Nga - 06.12.2019

Megjithë rritjen e vetëdijesimit, në Kosovë ende ushtrohet dhunë ndaj fëmijëve.

Nëse i kujtojmë vitet ‘60 – ‘70, gjeneratat e asaj kohe e mbajnë në mend se gjatë fëmijërisë, prindërit i kanë rrahur qoftë edhe për sherrin më të vogël. Madje, ata i kujtojnë rastet kur njëri nga fëmijët ka bërë ndonjë problem dhe prindërit i kanë rrahur të gjithë fëmijët. Kjo formë e dhunës shpesh është aplikuar me arsyen se vetëm kështu edukohen fëmijët.

Atë kohë, dhuna ndaj fëmijëve nuk është ushtruar vetëm në familje, por edhe në shkolla. Ora mësimore nuk ka filluar pa shkop, me të cilin mësimdhënësit i kanë goditur nxënësit e zhurmshëm. Në ditët e sotme ndoshta shkopi mungon, por jo edhe dhuna.

Shumë lehtë mund të dallohet se jemi shoqëri që dhunën ende e shohim si zgjidhje, madje edhe në raport me fëmijët. Në rrugë, në transport publik, në ambientet e shtëpisë, jemi dëshmitarë të diskursit që të rriturit e përdorin ndaj fëmijëve — “Shuj se të rrehi”, “Hajt se duhet me rrehë këto, për me marrë vesh”, apo “Ia m’shoj nja dy, edhe rahatohet”. 

Prindërit, kujdestarët apo edhe të afërmit që i thonë këto shprehje, duket se nuk i kanë në mendje pasojat në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve. 

Të dhënat nga institucionet për sundim të ligjit — si dhe nga organizatat vendore e ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve — konfirmojnë se dhuna ndaj fëmijëve, qoftë fizike apo psikologjike, vazhdon të jetë e përhapur gjerësisht në Kosovë. 

Udhëheqësi i sektorit për mbrojtjen e fëmijëve në zyrën e UNICEF-it në Kosovë, Afrim Ibrahimi, tregon se dhuna ndaj fëmijëve në Kosovë është fenomen i shprehur në forma të shumëanshme, si në familje, në shkolla, dhe në baza gjinore. 

Të dhënat nga Anketa e Treguesve të Shumëfishtë të Kosovës për vitet 2013-2014 tregojnë se 61.4 për qind e fëmijëve të moshave 1 deri në 14 vjeç kanë përjetuar dhunë psikologjike ose ndëshkim fizik. Për komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane, përqindja është edhe më e lartë. Sipas Anketës së veçantë për këto komunitete, 71 për qind e fëmijëve të moshës 1-14 vjeç kanë përjetuar së paku një formë të ndëshkimit fizik apo psikologjik.

“Deri në një nivel të caktuar, dhuna justifikohet edhe nga vetë fëmijët, duke u parë më shumë si formë e disiplinimit.”

Donjeta Kelmendi, KOMF

Raportimet te Policia e Kosovës për keqtrajtimin e fëmijëve e shfaqin një trend të qëndrueshëm: në vitin 2017 janë raportuar 243 raste, vitin e kaluar 244, ndërsa këtë vit në periudhën janar – mars janë raportuar 37 raste.

Ndërkohë, “Analiza e qëndrimeve, incidencës dhe reagimeve institucionale ndaj dhunës në familje në Kosovë, Mjaft më me arsyetime”, e realizuar nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës në vitin 2015, tregon se vetëdijesimi për dhunën fizike në familje është rritur. Studimi ka gjetur se goditja e fëmijëve me shuplakë konsiderohet formë e dhunës në familje nga 81.1 për qind e të anketuarve. 

Sipas të njëjtit studim, në vitin 2015 rreth 33 për qind e të anketuarve janë pajtuar se “nganjëherë fëmija duhet të dënohet me shuplakë”, që shënon rënie nga viti 2008 kur rreth 46 për qind nga të anketuarit janë pajtuar me këtë formulim.

Çfarë mbrojtje ofron ligji? 

Megjithëse vitet e fundit duket se është rritur vetëdijesimi për dhunën ndaj fëmijëve, sipas Donjeta Kelmendit, drejtoreshës së Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve — KOMF,  ndëshkimi fizik i fëmijëve vazhdon të jetë normë sociale që pranohet dhe aplikohet në shoqërinë tonë. “Deri në një nivel të caktuar, dhuna justifikohet edhe nga vetë fëmijët, duke u parë më shumë si formë e disiplinimit”, thotë ajo. 

Edhe sipas Institucionit të Avokatit të Popullit, ndëshkimi trupor i fëmijëve ende shihet si formë e edukimit dhe disiplinimit. Sipas këtij institucioni, vazhdon të jetë kështu sepse “shumica e vetë prindërve/ kujdestarëve/mësimdhënësve janë rritur në një shoqëri ku ndëshkimi trupor ka qenë formë e pranueshme, dhe kjo mënyrë e të menduarit dhe jetuarit është përçuar tek fëmijët”. 

Ligji për mbrojtjen e fëmijës — i miratuar këtë vit — e dënon çdo formë të dhunës dhe keqtrajtimit të fëmijëve, thotë drejtoresha e KOMF, Donjeta Kelmendi. Sipas saj, “ ligji parasheh që Qendrat për Punë Sociale (QPS) dhe Policia të ndërhyjnë në familje, në bazë të referimit apo në raste kur ekziston dyshimi i bazuar se familja nuk është në gjendje që të mbrojë fëmijën nga rreziku për jetë, dhuna, neglizhimi, keqtrajtimi, abuzimi dhe shfrytëzimi”.

QPS-të janë organe komunale, të cilat janë të mandatuara, ndër të tjera, të ofrojnë përkujdesje sociale për fëmijët që janë viktima të konflikteve familjare. 

Për herë të parë në Kosovë, sipas Kelmendit, Ligji e ndalon çdo ndëshkim trupor dhe masë disiplinore që ia dëmton dinjitetin fëmijës, duke përfshirë dhunën mendore si dhe “sjelljet që e degradojnë, turpërojnë” dhe e vënë në situatë të dobët.  “Ndëshkimi trupor është i ndaluar në secilin ambient, në shtëpi, në familje, në institucionet edukativo-arsimore, në institucionet e kujdesit, në organet e rendit dhe sistemit të drejtësisë, në ambientet e punës dhe komunitet”, thotë ajo. 

Kur interpretohet ligji, mund të thuhet se poashtu bën mbrojtjen e fëmijëve nëpërmjet realizimit të ndërhyrjeve dhe ofrimit të shërbimeve, sipas nevojave, të cilat synojnë zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve në mjedisin e tyre familjar, ose duke i vendosur në përkujdesje alternative në rastet kur nuk mund të lihen në përkujdesjen e prindërve. 

Avokati i Popullit, në opinionin lidhur me ndikimin e dhunës në shëndetin dhe jetën sociale të fëmijëve si dhe masat që duhet ndërmarrë nga institucionet përgjegjëse, ka rekomanduar që trajtimi i dhunës ndaj fëmijëve të marrë përkushtim dhe angazhim të vazhdueshëm, në rend të parë nga institucionet shtetërore, të cilat janë të obliguara ta bëjnë këtë në pajtim me legjislacionin. 

Poashtu, Avokati i Popullit ka kërkuar të zbatohen masat dhe planet konkrete për adresimin adekuat të këtij fenomeni.

Nëse analizohen arsyet e dhunës së shprehur në nivel aq të lartë në shoqërinë tonë, motivi i përbashkët është dhuna e ushtruar sistematikisht, gjeneratë pas gjenerate.

Një plan konkret është Plani i Veprimit i dalë nga Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje 2016 – 2020. Në Strategji thuhet se mosraportimi i abuzimit të fëmijëve është vepër penale, prandaj “kushdo që nuk i raporton veprat penale, që ndodhin brenda një marrëdhënieje në familje, mund të ndiqet penalisht”.

Dhuna në familje “kundër fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara”, sipas Strategjisë, mbetet e paraportuar sa duhet nëpër institucionet përkatëse. Në të njëjtën kohë, po aty thuhet se në Kosovë nuk është në dispozicion infrastruktura e nevojshme “për të mbrojtur dhe përkrahur gratë, fëmijët apo anëtarët e tjerë të familjes që pësojnë dhunë”.

Aty janë ofruar edhe disa objektiva për të luftuar dhunën ndaj fëmijëve. Ndër to janë: ngritja e kapaciteteve të profesionistëve, inkurajimi i viktimave për lajmërimin e rasteve të dhunës, rritja e besimit të qytetarëve tek institucionet përkatëse, dhe rritja e vetëdijesimit të shoqërisë për të mos e toleruar dhunën në familje. 

Të lënduarit i lëndojnë të tjerët

Nuk është vetëm mungesa e infrastrukturës dhe e kapaciteteve institucionale shkaktare e kësaj situate. Peshën e fajit e mban mbi supe e gjithë shoqëria jonë, për arsye se forma e edukimit dhe trajtimit familjar në një mënyrë ose një tjetër e determinon sjelljen në një shoqëri. 

Nëse analizohen arsyet e dhunës së shprehur në nivel aq të lartë në shoqërinë tonë, motivi i përbashkët është dhuna e ushtruar sistematikisht, gjeneratë pas gjenerate. 

Psikologia Ibelinda Halili e sheh dhunën ndaj fëmijëve si pasojë të dhunës që prindërit apo kujdestarët e kanë përjetuar personalisht. “Personat të cilët e shfaqin dhunën në shumicën e rasteve kanë qenë viktima të dhunës edhe vetë”, thotë ajo. 

Gjithashtu, ajo thotë se ekzistojnë edhe arsye të tjera pse në shoqërinë tonë dhuna njihet si metodë për zgjidhjen e shumë problemeve, jo vetëm për disiplinimin e fëmijëve.

“Fëmijët të cilët rriten në rrethana të tilla [të dhunshme], padyshim që e kanë autonominë e thyer dhe në të ardhmën do ta kenë të vështirë të marrin vendime dhe të veprojnë të pavarur”

Visar Sadiku, psikolog klinik

“Personat (prindërit ose kujdestarët) që kujdesen për fëmijët dhe ushtrojnë dhunë, qoftë fizike apo psikologjike, mund të jenë duke vuajtur nga ndonjë çrregullim i rëndë mendor”, shpjegon ajo. “Këta persona kur janë të qasshëm është lehtë të identifikohen, mirëpo kur janë të izoluar është shumë vështirë të identifikohen, që pastaj të adresohet problemi para se të shkaktohet ndonjë patologji fizike apo psikologjike të fëmijët që e përjetojnë dhunën sistematikisht”.

Sipas saj, është e rëndësishme të adresohen rastet me kohë, dhe të vetëdijesohet publiku për format dhe mënyrat e dhunës. “Duhet të edukohet popullata sepse shpesh njerëzit nuk kanë informata për pasojat e cilësdo formë të dhunës”.

Pasojat i vuan e gjithë shoqëria

Për këtë ka shpjegim psikologu klinik, Visar Sadiku. “Fëmijët të cilët rriten në rrethana të tilla [të dhunshme], padyshim që e kanë autonominë e thyer dhe në të ardhmën do ta kenë të vështirë të marrin vendime dhe të veprojnë të pavarur”, thotë ai.

Ai thekson se dhuna nuk ka sjellë asnjëherë zgjidhje të duhur ndaj problemeve, apo përmirësim të sjelljes së fëmijës.

“Motivet e jashtme duket të jenë nxitja për të cilën fëmijët mund të aplikojnë një sjellje ndërkaq prindërit apo kujdesofruesit primarë janë ata të cilët mund të fuqizojnë këto sjellje apo të modifikojnë ato”, thotë ai. “Fatkeqësisht, në disa raste kur haset një sjellje e keqpërshtatur, dhuna fizike mund të parashihet si mjet disiplinimi”.

Poashtu, Sadiku i shpjegon disa nga pasojat e dhunës ndaj fëmijëve.“Duke u aplikuar dhuna fizike si mjet edukimi, mund të zbehet rëndësia e komunikimit si mjet efikas disipline, duke lënë akoma më tepër mundësi që intensiteti i dhunës fizike të rritet, por pa efekte pozitive në modifikimin e sjelljes,” thotë ai.

“Nëse fëmija ka nevojë të qajë, prindërit duhet të presin derisa të kalojë stuhia. Gjëja më e mirë që mundet ta bëjë prindi është të presë derisa fëmija të qetësohet, por asnjëherë mos t’i drejtohet me fjalët ‘shuj se të rrehi’.”

Ibelinda Halili, psikologe

Për më shumë, vazhdon psikologu Sadiku, “fëmijët që rriten në ambientet ku aplikohet dhuna fizike janë më të prirur që gjatë jetës të përjetojnë probleme të ndryshme emocionale si ankthi, depresioni, ndjenja e vazhdueshme e fajit, frika dhe pasiguria” .

Disiplinimi i fëmijëve me anë të dhunës lë edhe pasoja të tjera, duke i shëndërruar në fëmijë problematikë, tregon psikologia Ibelinda Halili. “Fëmijët që rriten në këtë formë kanë tendencë që të shfaqin sjellje agresive, si për shembull të godasin vetveten, të hedhin lodrat e tyre dhe kjo [dhuna] krijon bindjen tek ai ose ajo, që si fëmijë është i/e padëshiruar në familje apo në shoqëri” . 

Halili u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që dhunën verbale të shfaqur me diskurs kërcënues ta zëvendësojnë me fjalët si: “ti je djalë i mirë ose vajzë e mirë”, “nuk ke nevojë të sillesh kështu”, në rast se ka hedhur diçka për tokë duhet t’i tregohet me fjalë se kjo sjellje nuk është e përshtatshme. 

Këshilla “Nëse fëmija ka nevojë të qajë, prindërit duhet të presin derisa të kalojë stuhia. Gjëja më e mirë që mundet ta bëjë prindi është të presë derisa fëmija të qetësohet, por asnjëherë mos t’i drejtohet me fjalët ‘shuj se të rrehi’”, këshillon ajo. 

Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.