Sidomos gjatë viteve të fundit, nëpër Kosovë kemi parë shumë hapësira publike dikur të papërdorura e të braktisura, tek marrin jetë e bëhen hapësira të gjallërisë e organizimit komunitar. Kemi parë edhe hapësira publike, që dikur kanë qenë ikonike për jetën komunitare, teksa zbehen në dy kuptime. Në atë fizik, për shkak të kohës e moskujdesit dhe në atë të qëllimit që kishin dikur. Përgjatë gjithë kësaj, po ashtu kemi parë komunitete të zëshme, që përditë kërkojnë qoftë për t’i kthyer hapësirat publike të marra, qoftë për t’i ruajtur ato.
Prej këtyre hapësirave që rrinë fuqishëm në mbamendjen për Prishtinën është edhe biblioteka “Hivzi Sulejmani”. E mbyllur për një kohë, biblioteka i çeli dyert sërish kur bienalja Manifesta 14 Prishtina zbarkoi në Prishtinë në vitin 2022. Bienalja, pos organizimit të programit artistik dhe kulturor 100 ditësh, e ktheu hapësirën e bibliotekës në Qendër për Praktikë Rrëfyese (CNP). CNP, institucion kulturor ndërdisiplinor, iu bë shtëpi programit edukativ të bienales –– aty u mbajtën punëtori, ngjarje letrare dhe shfaqje muzikore. CNP po ashtu ishte trashëgimia kryesore që Manifesta do t’ia linte Prishtinës.
Në fund të janarit 2024, CNP njoftoi për mbyllje të përkohshme kryesisht për arsye financiare. Në komunikatën për medie thuhej se CNP do të hapej sërish në pranverë. Kjo nuk ndodhi. Në maj 2024, Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës filloi t’i shfrytëzonte disa prej hapësirave të CNP për zyra. Kjo ngjalli kundërshti te punëtorët e pavarur të kulturës, artistët, organizatat e artit dhe kulturës dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët reaguan përmes një letre publike drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, drejtores së Drejtorisë së Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi dhe anëtarëve të Kuvendit Komunal. Letra kërkonte, ndër tjera, lirimin e hapësirës së ish-bibliotekës si dhe nisjen e një procesi pjesëmarrës mbi të ardhmen e hapësirës.
Në fund të qershorit u mbajt një takim midis përfaqësuesve/eve komunalë/e dhe qytetarëve/eve për ta diskutuar të ardhmen e hapësirës dhe përgjithësisht për shfrytëzimin e hapësirave tjera publike në kryeqytet e përtej. Po ashtu, ky diskutim ndodhi kur Projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, i miratuar nga Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit 2023, pritet të vendoset për votim në Parlament. Organizata të shoqërisë civile kanë shprehur kundërshti edhe për përmbajtjen e këtij ligji — duke thënë se rekomandimet e tyre për përmbajtjen e ligjit janë shpërfillur.
Për ta vazhduar diskutimin, K2.0 pyet çfarë paqartësish ka në komunitet rreth kësaj çështjeje? Roli i komunës? Roli i komunitetit? Çka ka në ligjin e ri? Si duket peizazhi në Kosovë kur është fjala për qasjen në hapësirë publike?
Diskutimi do të moderohet nga Aulonë Kadriu, redaktore e lartë në K2.0.
Në diskutim do të na bashkohen:
Përparim Rama – Kryetar i Komunës së Prishtinës
Dren Puka – Drejtor i Departamentit për Hulumtim dhe Avokim, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Rozafa Maliqi – Përfaqësuese e Punëtorëve në Art (PART)
Yll Rugova – Anëtar i bordit të Manifesta 14
Do të ofrohet përkthim në gjuhën angleze dhe serbe.