Shtyp | Hapësira Publike

Autopsia e Prishtinës

Nga - 03.06.2013

Kryeqyteti i Kosovës është qytet për nga emri, por zombi për nga shpirti.

Historia mijëravjeçare e qytetit është vërtet një prelud i konstruksioneve njerëzore që ne i njohim sot. Me pak përjashtime, ato që ne i quajmë “qytete”, në pjesën më të madhe të historisë, me gjasë, sot do të klasifikoheshin si fshatra të mëdha. Zhvillimet më të fundit në qytete përbëjnë një evolucion të vazhdueshëm të qytetit modern, i cili është shfaqur rreth 200 vjet më parë. Deri në shekullin e 19-të qytetet kishin formësuar aq shumë jetën sociale, ekonomike dhe politike në Evropë, saqë shfaqja e qytetit modern industrial paraqet njëfarë vazhdimi të qyteteve të vjetra.

Shtetet e vona mesjetare të Evropës ishin ndërtuar mbi infrastrukturën institucionale të qyteteve të tyre dhe ato kishin filluar të plasaritnin institucionet feudale të Evropës agrare. Nëpër qytetet e mëdha në Evropë sot njeriu mund të gjejë ende mbetjet e bërthamës dikur energjike mesjetare urbane, mbetjet e fortifikatave dhe të mureve të qyteteve të moçme.

Qytetet morën një rol kyç bash në këtë periudhë, pas zgjerimit të Kalifatit Islamik në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe Evropën Jugore. Shumë shpejt institucionet republikane që ishin zhvilluar në qytetet mesjetare u përhapen kudo në Evropën feudale. Mesjetari Henri Pirenne thotë në veprën “Qytetet mesjetare” se pa islamin, Perandoria e Frankëve me gjasë nuk do të kishte ekzistuar kurrë, dhe Karli i Madh, pa Muhamedin, do të ishte i papërfytyrueshëm.

Ngritja e modernitetit kapitalist shënoi një ndarje nga qytetet mesjetare. Në Parisin e shekullit të 19-të. Kjo ngritje u pasqyrua nga jeta urbane dhe kultura. Rritja e konsumit, veçanërisht nga borgjezia e re, përfshiu ndryshimin e domethënies së objekteve kulturore dhe ndryshimin e marrëdhënieve e tyre me përkohshmërinë. Kjo solli analizën e Marxit për fetishizmin e mallrave, – si objekte që posedojnë vlerat e tyre, përderisa njëkohësisht maskojnë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, – në hapësirën urbane. Hapësira e publikut po pushtohej nga tregu. Por, për dallim prej qyteteve mesjetare, ku tregu zakonisht ishte i kufizuar në një zonë të caktuar, në modernitetin kapitalist e tërë hapësira urbane iu gjunjëzua fetishit. Intelektuali publik amerikan, Lewis Mumford, e ka përshkruar qytetin pjesërisht si “teatër të veprimit shoqëror”. Por, me fetishizmin e mallrave, teatri urban ishte transformuar në një vend të konsumit.

Moderniteti kapitalist solli gjithashtu ndryshime edhe në kompozicionin social të qytetit. Në mesin e këtyre ndryshimeve ishin shfaqja e një grupi të ri shoqëror, e “bohemëve”: artistë dhe shkrimtarë që zakonisht vinin nga radhët e borgjezisë. Ata ishin shpesh kritikë të kulturës borgjeze, ndonëse politikisht të palidhur me proletariatin në rritje dhe tendencat e tij revolucionare. Arti i tyre, i cili mund të shihet në poezinë e Charles Baudelairet dhe në veprën e Honore de Balzacut, solli nocionin e shikimit të jetës shoqërore në një mënyrë të shthurur dhe të shkëputur, një simptomë e izolimit nga bota shoqërore.

Planifikimi si fuqi

Ishte bash shekulli i 19-të kur Baron von Haussman transformoi Parisin, duke asgjësuar qytetin mesjetar dhe lagjet e vjetra të tij, duke krijuar hapësira të reja urbane të përqendruara mbi bulevarde të gjera, duke organizuar lagjet e banimit në formë skare, dhe duke inkorporuar një pamje të planit urban nga perspektiva e kontrolluar dhe e racionalizuar e zogut. Shkatërrimi i qytetit të vjetër dhe rikrijimi i Parisit nga Haussmann u shërbeu edhe interesave të spekulatorëve financiarë që investonin në patundshmëritë urbane, edhe interesave të regjimit të Napoleonit III. Monarku dëshironte t’u jepte fund trazirave dhe protestave të shtresave popullore të Parisit, duke mundësuar hapësira të gjera urbane, që mund të mbikëqyreshin lehtë dhe të viheshin nën kontrollin e ushtrisë në momente të krizës.

Praktika e planifikimit urban dhe organizimi i hapësirës urbane sipas strategjisë lart-poshtë në këtë epokë u dëshmuan të afta për të bërë bashkë kryeqytetin dhe shtetin kundër kërkesave politike në rritje të shtresave popullore.

Në shekullin e 20-të, urbanizimi dhe industrializimi u bënë kërkesa të qarta të elitave që po modernizoheshin. Pas 1945-ës, bota u nda në blloqe të reja të pushtetit (“kapitaliste” dhe “socialiste”), ndërsa kolapsi i rendit të vjetër perandorak e vuri dekolonizimin dhe zhvillimin në krye të agjendës globale.

Jashtë blloqeve të pushtetit, Bota e Tretë pritej t’i bënte disa hapa që i kishte bërë dikur Perëndimi, ndonëse me një ritëm më të shpejtë. Qëllimi ishte që modernizimi të mjeshtërohej politikisht dhe administrativisht. Do të pasonte urbanizimi në një mënyrë të ngjashme si në Evropën e shekullit të 19-të. Me ngritjen e industrializimit, qytetet do të zhvilloheshin, shoqëritë do të bëheshin më të arsimuara dhe më të lëvizshme dhe vlerat do të ndryshonin për të pasqyruar kulturën “moderne” të pjesëmarrjes dhe konsumimit. Shoqëritë ku nuk ndodhën proceset e tilla lineare u akuzuan për mospërshtatje me kërkesat e modernizimit, për shkak të fuqisë së vazhdueshme të shoqërisë tradicionale.

Komplekset e apartamenteve, si këto në lagjen “Tophane”, të ndërtuara afër njëra-tjetrës për të akomoduar popullsinë në rritje të Prishtinës.

Urbanizimi i ri

Në Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore socialiste, një ekonomi e menaxhuar politikisht gjithashtu prodhoi një rrugë të përcaktuar politikisht drejt urbanizimit. Përderisa qytetet dhe industritë u zhvilluan, kolektivizimi dhe kufizimet ligjore ndaj imigracionit ruajtën popullsi relativisht të mëdha rurale.

Bash në këtë situatë ndodhi edhe urbanizimi në pjesën tradicionalisht agrare jugperëndimore të Ballkanit. Nuk është se qytetet në Ballkan janë krijim i shekullit të 20-të, natyrisht. Por, qytetet në Evropën otomane kurrë nuk u zhvilluan po aq shpejt sa ato në Evropën Veriperëndimore. Dendësia e popullsisë në terrenet e dhëmbëzuara dhe malore të Evropës otomane ishte më e vogël se në pjesët e tjera të Evropës. Në fakt, historianët ekonomikë theksojnë se numri i popullsisë ishte aq i vogël gjatë pjesës më të madhe të shekujve 16 dhe 17 në Evropën otomane, saqë mungesat e punëtorëve lanë pjesë të mëdha të tokave pjellore të pabanuara.

Ekonomia agrare otomane i shihte komunitetet e vogla rurale dhe tregtinë e kufizuar në distancë të gjatë si ndihmues të zhvillimit. Shtresa tregtare në Ballkan mbeti e vogël, dhe merrej kryesisht me mallra vendore. Në të njëjtën kohë, transporti detar dhe orientimi atlantik i Evropës pas shekullit të 16-të minimizoi rëndësinë e rrugëve historike tregtare nëpër Ballkanin e lashtë. Tregtia në distancë të gjatë në perandori ishte e përqendruar në Stamboll dhe në porte të mëdha, si Selaniku. Kështu, tokat periferike të perandorisë mbetën si zona agrare me produktivitet të ulët. “Raja (njerëzit e zakonshëm) krijon pasurinë”, dhe “sulltani mban rajën nëpërmjet sundimit të drejtësisë” ishin pjesë të ideologjisë së perandorisë, që ndryshe quhej “rreth i barazisë”.

Këto kushte mbijetuan më së gjati në rajonet otomane të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, sepse urbanizimi shoqëronte formimin e shtet-kombeve të reja në ish-rajonet otomane. Por kjo nuk ndodhi deri në shekullin e 20-të në këto anë të ish-perandorisë. Në rastin e Kosovës, interesi politik për urbanizim nuk u pa deri pas Luftës së Dytë Botërore, me lindjen e Jugosllavisë së re socialiste dhe nismën e saj për zhvillim të shpejtë industrial.

Ndodhur ndërmjet Tregut të Gjelbër dhe ndërtesës së Postës dhe Telekomit, ky udhëkryq në lagjen e “Ulpianës” është shpeshherë i ngufatur nga automjetet e shumta gjatë ditës.

Lindja e një qyteti

Këtu shfaqet Prishtina moderne. Më 1945 Prishtina ishte një qytet i vogël i rreth 20.000 banorëve. Turqishtja ishte gjuha më e folur nga banorët e saj. Sikurse banorët urbanë në shumicën e qyteteve të Kosovës,  ata përdorën gjuhën e vjetër perandorake për t’u dalluar nga shqipfolësit dhe serbishtfolësit në fshatrat përreth.

Prishtina dhe Kosova dolën nga një luftë e tmerrshme, për të hyrë në dominimin kolonial të sundueses postotomane të vendit, Serbisë. Udhëheqësit serbë i identifikonin shqiptarët myslimanë dhe turqishtfolësit si elementë të padëshiruar në rajonin e rimarrë të “Serbisë së vjetër”. Prandaj, Beogradi zbatoi një varg politikash për shpërnguljen e popullsisë, të shoqëruara nga kolonizimi i drejtpërdrejtë nga serbët dhe malazeztë. Këta kolonë u sollën për të rimarrë atë që udhëheqësit politikë e quanin trashëgimi të vërtetë të Serbisë në Kosovë. Megjithëse për qeverisen e Kosovës së porsapushtuar Beogradi kërkoi bashkëpunimin e elitës së pasur shqiptare në Kosovë. Fundi i Luftës së Dytë Botërore e vuri Kosovën nën një regjim të ri dhe nën një projekt krejtësisht të ri politik të zhvillimit industrial socialist, të drejtuar nga shteti.

Efektet u panë në vitet e ‘50-ta, por transformimi industrial i Kosovës nuk mori hov deri më 1965, me themelimin e Fondit federal për rajonet e pazhvilluara. Kosovës i ishte ndarë nja 40 për qind e fondit të përgjithshëm. Udhëheqja provinciale kërkonte këtë ndihmë për të ndihmuar rajonin e sëmurë, që kishte mbetur bajagi prapa pjesës tjetër të Jugosllavisë. Shumica e parave shkuan për zhvillim urban, veçanërisht në Prishtinë. Mund të shihen edhe sot fotografitë e lagjeve të reja të qytetit në fundin e viteve të ‘60-ta dhe në fillim të viteve të ‘70-ta, një periudhë që disa e kujtojnë si “ditët e lavdishme” të Prishtinës.

Struktura e Prishtinës moderne pasqyron këtë histori; reliktet e zhvillimit socialist jugosllav shihen në disa prej mbeturinave të pakta të shesh-pazarit të vjetër otoman. Pushteti i drejtpërdrejtë administrativ ishte themeluar me ndërtesat e para qeveritare, – duke përfshirë ndërtesën e Komunës së Prishtinës dhe ndërtesën aktuale të Qeverisë së Kosovës, – të bëra në një stil imitues të atij të Haussmannit, por më pak mbresëlënës dhe në një shkallë më të vogël. Ndonëse mjaft modeste sipas standardeve botërore, këto simbole të reja të pushtetit zhdukën qendrën e vjetër të stilit otoman të qytetit, zemrën e Prishtinës së vjetër.

Zhvillimi i qendrës së re, asaj zgjatjeje të ngushtë rreth gjysmëkilometërshe që ekziston edhe sot, kërkonte edhe shkatërrimin e qytetit të vjetër. Kjo në mënyrë vendimtare zhvendosi zhvillimin e qytetit në perëndim dhe në jug, drejt rrafshinave të Fushë-Kosovës, dhe larg nga shpatet në të cilat ishte ngritur qyteti i vjetër. Terreni i ri mundësonte ndërtimin e banesave të reja shumëkatëshe, që e karakterizuan zhvillimin e qytetit në vitet e ‘70-ta dhe në fillim të viteve të ‘80-ta, duke përfshirë lagjet e reja të “Ulpianës”, “Dardanisë” dhe të Kodrës së Diellit.

Avancimi

Ngritja e Prishtinës urbane është paralele me krijimin e Kosovës moderne. Qyteti është qe një kohë të gjatë magnet për joprishtinasit. Vërtet, si shumica e qyteteve, Prishtina u rrit kryesisht falë imigrimit të ardhacakëve, dhe sot pasardhësit e tyre janë më të shumtë në numër se ata të familjeve që jetonin në qytet më 1945. Por, në periudhën jugosllave, ky imigrim ishte i kontrolluar. Njerëzit zhvendoseshin për arsye institucionale: për arsimim në gjimnaz apo universitet, për një punë të re (veçanërisht në sektorin e madh administrativ), apo për t’u bashkuar me anëtarët e tjerë të familjes.

Për dallim me situatën e tashme, dëshpërimi ekonomik ka qenë një arsye e pazakontë për zhvendosje në kryeqytet jo se ai nuk ka ekzistuar (papunësia në Kosovën socialiste nuk ka qenë kurrë më e vogël se 25 për qind), por sepse mundësitë për punësim në qytet ishin jo edhe aq më të mira se ndokund tjetër. Dhe gjetja e një vendi për të jetuar do të kishte qenë e vështirë, sepse ndërmarrjet i zgjidhnin banorët e shumëkatësheve të banimit. Mundësitë për iniciativa private kanë qenë të vogla. Gjatë aparteidit të viteve të ‘90-ta, arsyet për zhvendosje në kryeqytet kanë qenë edhe më të vogla. Por kjo dinamikë e popullsisë ka ndryshuar pas 1999-ës, me ekonominë e transformuar të Kosovës dhe shpresën për një shtet të ri.

Gjatë luftës së 1999-ës, forcat serbe dëbuan shumicën e banorëve shqiptarë nga Prishtina, ndonëse qyteti u kursye nga dëmtimet e rënda fizike. Pas luftës, vazhdoi ekspansioni, bashkë me përpjekjet për të rregulluar zhvillimin urban. Tani kryesisht nën kontroll privat, problemet me zhvillimin u përkeqësuan nga qeverisja e dobët e pasluftës, e cila mundësoi uzurpimin e pronave publike dhe private nga bandat e caktuara. Një baticë shtetasish të huaj erdhi në qytet si pjesë e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, me xhepat përplot para për t’i shpenzuar për marrje të pronave me qira, duke shkaktuar bumin e patundshmërive.

Pengimi i vdekjes

Në mesin e viktimave të kaosit të pasluftës është arkitekti i shquar Rexhep Luci, i cili u vra në vitin 2000 nga vrasës ende të panjohur. Luci u mundua të parandalonte zhvillimin e pakontrolluar të Prishtinës dhe të sillte rend në zhvillimin urban, por pa sukses. Ai organizoi konferencën “Vizioni për Prishtinën 2000-05” pak para vrasjes së tij, por vizioni i tij u dëshmua i pakapshëm. Vdekja e tij shënoi fundin e një epoke për qytetin dhe u pasua nga një periudhë e ekspansionit të “egër” dhe e kaosit të madh në strukturën urbane shoqërore.

Ky kaos erdhi jo vetëm si rezultat i ardhjes së udhëheqësve të rinj të huaj të Kosovës (që qeverisnin zyrtarisht) dhe të të fortëve vendës (që dominonin jozyrtarisht), por edhe për shkak të valës baticore të njerëzve që vinin nga zonat rurale. Ata ikën nga shtëpitë e shkatërruara dhe ekonomitë e rrënuara lokale. Ndryshe nga e kaluara, dëshpërimi ekonomik ishte ai që tani nxiti imigrimin drejt kryeqytetit. Të tjerët u joshën nga oportunizmi i qartë dhe shpresa për përfitime të shpejta. Lufta goditi zonat rurale bajagi shumë, dhe më pas ushqimi i lirë, i importuar vërshoi tregjet lokale, duke minimizuar bujqësinë vendëse. Ekonomia e re shërbyese e Prishtinës, duke përfshirë sektorin e organizatave ndërkombëtare, dukej se krijonte mundësi për punësim të leverdishëm, veçanërisht për të rinjtë, ndonëse punët shpesh ishin jetëshkurtra. Nga të gjitha qytetet, Prishtina ofronte të vetmen shpresë ekonomike. Kolapsi industrial bëri që qendrat e tjera urbane të Kosovës të lihen anash. Motorët e dikurshëm industrialë, si Mitrovica dhe Gjakova, ranë në varfëri të thellë.

Deri më 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, Prishtina kishte marrë një imazh të ri, një simbol të pasurisë së re dhe të pushtetit politik nën kapitalizmin grabitqar të transformimit të pasluftës. Ajo kishte sjellë një konsensus politiko-ekonomik, që studiuesi kosovar, Agon Hamza, e quan “ideologji e porsalindur”.

Buzë humnerës

Kosova sot është në rrezik të “parësisë urbane”, një gjendje në të cilën një qytet i vetëm përmban një përqindje të shpërpjesëtuar të popullatës urbane të vendit dhe të popullatës në përgjithësi. Kjo është e zakonshme kudo në botën në zhvillim, ku ritmi i përqendrimit urban ka çuar drejt kushteve të mjerueshme për të varfrit në vendbanime joformale, si “favelat” e Brazilit, barakat e Afrikës së Jugut, dhe lagjet gjysmëformale, si “Bathorja” në Tiranë. Fuqia e lidhjeve shoqërore në Kosovën rurale, dhe mbështetja që gëzojnë shumë familje nga pjesëtarët e tyre që jetojnë jashtë vendit, e ka mbajtur nën kontroll zhvendosjen e popullsisë tani për tani, por kjo mund të mos zgjasë shumë. Sektorët tradicionalë industrialë të Kosovës nuk janë përtërirë, dhe njerëzit përballen me shumë pengesa për të imigruar jashtë vendit. Njerëzit do të vazhdojnë të kërkojnë shpëtim në Prishtinë.

Një qytet është fillimisht institucion shoqëror e pastaj strukturë fizike, ka argumentuar Mumford. Në mesin e problemeve më serioze të Prishtinës moderne është dështimi i institucioneve shoqërore për të zhvilluar dhe për t’i forcuar lidhjet e asociacionit urban dhe vetorganizimit. Struktura e copëtuar shoqërore e qytetit është e dukshme për këdo që kalon kohë në të. E dukshme është edhe pritja se të gjitha problemet do të zgjidhen sipas strategjisë lart-poshtë, dhe fajësimi i “atyre” (politikanëve, ndërtimtarëve, ardhacakëve, të huajve etj.) për dështimet e qytetit. “Bashkësia” është një fjalë me pak kuptim në qytet dhe është e prirë t’i kujtojë përpjekjet e dështuara të shtetit jugosllav për të inkurajuar angazhimin nëpërmjet “bashkësive lokale” të famshme. Ato ende ekzistojnë, ndonëse në një formë të degraduar, si njësi të administratës komunale dhe si kanale për nepotizëm për partitë politike.

Rritja e pakontrolluar, imigrimi i lartë, varfëria e madhe, rreziku i intensifikimit të parësisë urbane, krimet rrugore, keqmenaxhimi infrastrukturor, dështimi i qytetit për të krijuar një strukturë shoqërore – të gjitha këto e kanë stagnuar Prishtinën në fazën që ka qenë që prej lindjes së saj moderne. Prishtina është një qytet për nga emri, por zombi për nga shpirti. Ajo mbetet e lodhur politikisht dhe pre e përhershme e tekave të forcave politike dhe ekonomike që shtrihen përtej kontrollit të saj.