Më 27 qershor, u nisa nga Prishtina për në Beograd, ku do të merrja pjesë në edicionin e radhës të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!”, organizuar nga Integra në Kosovë dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) e Nismat Qytetare në Serbi. Festivali, që tash e dhjetë edicione shërben si dritare shkëmbimi e bashkëpunimi ndërmjet artistëve/eve, intelektualëve/eve e aktivistëve/eve nga Serbia e Kosova do të hapej me shfaqjen “Babai dhe Babai” të Jeton Nezirajt, me regji të Kushtrim Koliqit. Mirëpo, shfaqja, që përcjell jetën e një familjeje, të përcaktuar nga mungesa e babait e bashkëshortit, i cili, si 1597 njerëz tjerë është i zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, nuk u luajt. Edhe ky edicion i festivalit nuk u hap sepse, pak orë para se të niste, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e ndaloi atë.
Kjo ndalesë ishte epilog i fushatës disa-javore kundër festivalit. Në krye të kësaj fushate ishin, ndër tjerë, ministri i kulturës i Serbisë, Nikola Selaković, zëvendëskryeministri, Aleksandar Vulin e ministri i brendshëm, Ivica Dačić, i cili edhe e vulosi ndalesën. Atë ditë, një autobus me pjesën tjetër të pjesëmarrësve/eve nga Kosova u ndalua në hyrje të kryeqytetit dhe u përcoll mbrapa nga policia, gjer në kufirin me Kosovë.
Tash e kaherë, qeveritë e njëpasnjëshme të Serbisë, e sidomos ajo në krye me Aleksandar Vučić, e kanë bërë të qartë që ne nuk jemi të mirëpritur në Beograd. Por, këtë herë, ashiqarshëm tha: Ju jeni të ndaluar. Mënyra se si ndodhi gjithçka, më çoi nëpër udhëtimet e mia tjera në Beograd, ndoshta sepse trajta që mori ky udhëtim ishte e pandashme prej udhëtimeve të mëparshme. Secili dalëngadalë çoi deri këtu.
Beogradi ka nisur kaherë t’i ndërtojë ndalesat
Për herë të parë në Beograd kisha shkuar në vitin 2014, si pjesëmarrëse në një program për ballafaqim me të kaluarën. Prej atëherë, 10 vjet më parë, në Beograd më ka rënë të shkoj të paktën dy herë në vit, kryesisht për punë.
Në Festivalin “Mirëdita, Dobar dan!” mora pjesë për herë të parë në maj të vitiit 2022, në edicionin e nëntë të mbajtur në Beograd, ku promovohej libri që e kisha redaktuar, i titulluar “Hije të shtrembëruara”, botuar nga Integra. Libri përmbledh rrëfime të të burgosurve politikë shqiptarë nga Kosova, që u kishin mbijetuar torturave brutale në burgun famëkeq, Goli Otok, në Kroaci, gjatë kohës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Në hapje të atij edicioni, për shkak të kërcënimit për bombë, na larguan nga oborri i Qendrës për Dekontaminim Kulturor (CZKD), shtëpia e dramaturges së guximshme e frymëzuese, që i ndejti kundër nacionalizmit të shtetit të vet për sa rrnoi, Borka Pavičević. Nga një hapësirë ku dyshohej për bombë, dolëm në rrugë, ku na priti një turmë burrash që bërtisnin, teksa në duar ngrisnin lart parulla e simbole nacionaliste e urryese ndaj shqiptarëve.
Në qershor të po atij viti, në Beograd kisha shkuar për prezantimin e shfaqjes “The Handke Project” të Jeton Nezirajt e me regji të Blerta Nezirajt. Shfaqja problematizon laureimin me çmimin Nobel për letërsi në vitin 2019 të shkrimtarit austriak Peter Handke, i cili pak më shumë se dhjetë vjet para marrjes së çmimit, i bëri eulogji te varri njeriut që urdhëroi vrasjen e mijëra njerëzve në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë e Kroaci, Slobodan Milošević. Me krijmtarinë e tij, Handke po ashtu relativizoi e mohoi krimet e shtetit serb në luftërat në ish-Jugosllavi.
Brenda as plot dy muajve, isha ballafaquar me normalizim të kërcënimit e urrejtjes, të cilat duhet të mbeten çnormale.
Këtë shfaqje edhe tjerat, patëm këmbëngulur të mos i jepnim më në hapësira alternative, që na mirëprisnin, si CZKD, por në institucione publike, që shfaqja të shihej nga më shumë njerëz e të mund ta bënte të veten — t’i ballafaqonte me të, sidomos ata që mund të mos pajtoheshin me përmbajtjen e saj. Ishte pozicionim i qartë kundër gjenocidit dhe gjithë Peter Handkeve të sotëm dhe e dinim se nuk do të ishte thjesht një shfaqje tjetër në Beograd. Në vitin 2022, “The Handke Project” e dhamë në skenën e teatrit publik “BITEF”. Por e dhamë nën mbikëqyrje të policisë përreth ndërtesës së teatrit dhe në një atmosferë të akullt brenda te audienca, anipse ishim në pikë të vapës mbytëse të verës.
Brenda as plot dy muajve, isha ballafaquar me normalizim të kërcënimit e urrejtjes, të cilat duhet të mbeten çnormale. Kur i shoh prej sotit, ato dy vizita në Beograd ishin shenja të qarta që qeveria e Serbisë, ndonëse pak më fshehurazi e pak më në hije po normalizonte ndalimin. Po i mprehte dhëmbët.
Më në fund, e ndaloi
Për ironi, qeveria e Serbisë, së bashku me burrat që zakonshëm mbledhin pankartat e tyre nacionaliste e ngrohin zërin për t’ia thënë këngës plot urrejtje, gjithmonë ngrisin pluhur të madh kur bëhet fjalë për shkëmbime kulturore. Kështu, kjo qeveri dëshmon se për kulturë e art nuk i bëhet vonë kur është fjala për mbështetje e sigurim të qëndrueshmërisë, sidomos ndaj një skene të pavarur kulturore që në Serbi është e dërrmuar. Por e kupton dhe i frikësohet fuqisë që ato kanë për t’i bashkuar njerëzit, për t’i afruar dhe për t’i mbajtur ata kurreshtarë për të gjetur e shpërndarë të vërtetën. E e vërteta, për qeverinë e Serbisë, nënkupton ballafaqim me veten, me fajet e veta.
Kështu, burrat e zakonshëm bashkë me qeverinë e tyre, i dolën në pritë festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!” edhe këtë vit dhe përfundimisht e ndaluan.
Kështu, burrat e zakonshëm bashkë me udhëheqësit politikë, i dolën në pritë festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!” edhe këtë vit dhe përfundimisht e ndaluan. U ndalua edhe diskutimi ku isha ftuar për të marrë pjesë, i quajtur “Normalizimi i moslejimit apo moslejimi i normalizimit: Pengimi i shkëmbimit kulturor”. Në këtë diskutim do të flisja për rrugët që i kishim gjetur për të naviguar një klimë urryese e dashakeqe, të instaluar nga qeveria serbe me të cilën ishim ballafaquar ne dhe kolegët tanë nga Serbia në çdo përpjekje për t’u shkëmbyer normal. Do të tregoja se si ishim treguar supermenë dhe i kishim rënë rreth e qark këtij ambienti e ia kishim bërë disi. Do të flisja për disa medie, disa akademikë/e e herë-herë një grusht artistësh/esh në Serbi, që në rastin më të keq ia bëjnë argatin qeverisë, ndërsa në rastin më pak të keq, përulen përballë frikës ndaj kësaj tiranie, që i bie se në thelb, prapëseprapë po ia bëjnë argatin.
Por, ndoshta më mirë që nuk fola e festivali u ndalua me vendim qeveritar. Më në fund krerët e këtij shteti, pataten e nxehtë po e mbajnë në duar të veta. Më nuk po mjaftohen me deklaratat kundërshtuese, të cilat u dilnin mjaftueshëm sa për t’i legjitimuar thirrjet fashiste në rrugë e edhe për ta shpëlarë veten, se “ja ne reaguam për ta mbrojtur historinë”, por jo mjaftueshëm sa për ta ndaluar festivalin. Sillej gjithnjë “ngrehe e mos e këput”.
Ndoshta, mirë bënë sepse, kam frikë se po të mos ndodhte diçka e këtillë, do të kishim vazhduar edhe për një kohë të gjatë të navigonim këtë status quo — t’i gjenim shtigjet e vështira në një ambient përjashtues ku janë normalizuar kërcënimet me bomba e me jetë dhe përçmimet publike të figurave edhe nga Kosova edhe nga Serbia, që komunikimin e bashkëpunimin normal e kanë bërë mision personal e politik. Ndoshta, duke qenë as plotësisht të ndaluar e as plotësisht të lejuar, do të kultivonim njëfarë iluzioni se kemi përmbushur njëfarë misioni.
Në radhë të parë, shtetit serb i duhet të çlirohet nga Kosova.
Ndoshta ky vendim do të jetë syçelës e do të ketë karakter mobilizues të shoqërisë së atjeshme kundër një strukture të trashëguar shtetërore, e cila po bëhet çdo vit e më sypatrembur për ta bërë të qartë pozicionimin e vet dhe për të dëshmuar me veprime se qëndron e palëkundur nga pozicionimi i vet tiranik. Prandaj, derisa njerëzve në Kosovë u duhet kohë për t’u shëruar prej një lufte shkatrrimtare, shtetit serb i duhet të shërohet nga qeveria e vet, që të mund ta marrë rolin që i takon në ballafaqimin me të kaluarën. Për këtë, në radhë të parë, shtetit serb i duhet të çlirohet nga Kosova.
Festivale si “Mirëdita, Dobar Dan!” nuk shkojnë në Beograd për të mohuar të kaluarën, as për ta kapërcyer atë sikur asgjë s’ka ndodhur.
Mbase kështu do të nisë shërimi, i cili nuk mund të bëhet nga secili shtet veç e veç, në mënyrë të izoluar. Ai ndodh vetëm kur shoqëritë komunikojnë mes vete sinqerisht dhe i pranojnë pozicionet e veta të vërteta, edhe nëse ato janë të parehatshme.
“Mirëdita, Dobar dan!” është shembull i kësaj përpjekjeje për shërim. Festivale si ky nuk shkojnë në Beograd për të mohuar të kaluarën, as për ta kapërcyer atë sikur asgjë s’ka ndodhur. Përkundrazi, ato me këmbëngulje krijojnë hapësira që njerëzit të merren me të kaluarën, ta shoshisin atë, si e vetmja udhë drejt një të ardhmeje më pak të zhurmshme e të dhunshme për këtë rajon të trazuar.
Qeveria serbe po e sheh që po i rrëshqet nga duart miti për vetveten sepse njerëzit gravitojnë kah e vërteta, pashmangshëm, edhe nëse këtë gjë e bëjnë me vonesë.
Nëse krerët e shtetit serb janë krenarë me të kaluarën e shtetit që e udhëheqin, atëherë ç’u pengojnë këto platforma? Këtu qëndron frika e tyre. Kur njerëzit flasin, shprushet e vërteta, i bëhet vend asaj. Kjo klasë politike e ka bërë të qartë se i vetmi mision në të cilin është konsistente është mirëmbajtja e trillimit që ka krijuar për vetveten. Izolimi i shoqërisë së vet nga e vërteta është motor që e mban gjallë trillimin. Sistemet tiranike më së shumti i frikësohen ekspozimit të popullit ndaj të vërtetës ose shumësisë së të vërtetave, sepse vetëm kjo ua shkundë pozitën. Kur u shkundet pozita, sistemet tiranike s’mund ta kapërcejnë vetveten, prandaj fillojnë e shpërfaqen si të çartura, duke mikromenaxhuar lëvizjet e njerëzve, duke dëgjuar se çka flasin ata, duke kontrolluar se kush hyn në kufi, kush ku fle. Sistemin e kapë paranoja.
Prandaj, anulimi i këtij edicioni të festivalit “Mirëdita, Dobar dan!” është shpërfaqja më e qartë e kësaj paranoje. Është tregues i dobësimit të aparatusit propagandues. Qeveria serbe po e sheh që po i rrëshqet nga duart miti për vetveten sepse njerëzit gravitojnë kah e vërteta, pashmangshëm, edhe nëse këtë gjë e bëjnë me vonesë.
Qeveria serbe e mbronte veten
Këtë mit e mirëmban herë haptazi e herë duke fshehur dorën pas grupeve të burrave a pas medies shpesh të kontrolluar. E bën këtë duke e vështruar tek ndodh dhe madje mundësuar ngjyrosjen e Beogradit me fytyrën e kriminelit të luftës dhe kryesit të gjenocidit në Srebrenicë, Ratko Mladić; duke arrestuar këdo që përpiqet ta kundërshtojë pamjen gjenocidale të qytetit; duke anuluar EuroPride në vitin 2022; duke mbyllur sytë përpara sulmeve kundër organizatave të shoqërisë civile që s’i shkojnë shtatit qeverisë; duke fryrë me zor numrat e mbështetësve; duke u zgjedhur nën dyshime serioze për keqpërdorime.
Klasa politike serbe e ka urgjente këndelljen — nëse vërtet e do popullin e vet.
Në këto rrethana, klasa politike serbe e ka urgjente këndelljen — nëse vërtet e do popullin e vet. Prandaj ajo së pari duhet të fillojë ta dojë popullin e vet, që më në fund të çelet ndaj popujve tjerë, atyre në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci e gjithë rajonin — të gjithëve që mëtoi t’i shkatërronte. Serbia duhet ta kuptojë se këta popuj nuk i ka shfarosur, se ata kanë mbijetuar, janë aty. E duke qenë aty, do të flasin, do të kujtojnë, do ta tregojnë historinë e vet.
Përpjekjet si “Mirëdita, Dobar dan!” ua mundësojnë njerëzve këto biseda, kultivimin e kujtimeve dhe tregimin e historive të veta. Ato njohin faktin që shoqëritë në rajon janë të lidhura dhe deshën apo s’deshën ato, ndikojnë te njëra-tjetra. Nacionalizmi që e ushqen shteti serb, fatkeqësisht i kanoset edhe Kosovës e edhe shteteve të rajonit dhe kjo është serioze. Brezat që e kanë përjetuar luftën si në Kosovë, si në Bosnjë e Hercegovinë, si në Kroaci, do të bëjnë çmos ta shmangin me çdo kusht, por çka bëhet me brezat e lindur pas luftës, me brezat që e shohin këtë rezistencë të dhunshme me të cilën ballafaqohen përpjekjet për komunikim e bashkëpunim normal. Si t’i bindim ata se kjo është udha e duhur?
Nga Beogradi pas anulimit të festivalit, praktikisht u deportuam, në përcjellje të një protokolli të rreptë të sigurisë. Duke na përzurë kështu nga Serbia, ata po respektonin “vullnetin e popullit”, prandaj po na “ruanin” neve që e kishim “shkelur” atë vullnet.
Por kush është populli në Serbi? Kë e njeh për popull qeveria serbe? Popull janë edhe Sofija Todorović nga YIHR në Serbi, të cilës një ditë pas ndalimit të festivalit i dërguan porosi një kokë të prerë derri, si për t’ia bërë me dije se po e këqyrin; popull është edhe Aida Corović, e cila ia theu hundët me vezë Mladić të vizatuar në muret e Beogradit; janë Andrej Nosov e Biljana Srbljanović nga Heartefact e është edhe Sasa Ilić i festivalit Polip; janë edhe aktivistët/et, artistët/et, miq e kolegë/e tjerë/a që na kërkonin falje për fajin e shtetit të tyre.
Rrugën që e përshkova me përcjellje të policisë e kisha bërë krejt ndryshe teksa po shkoja nga Prishtina në Beograd. Në atë rrugë isha takuar me popull që Serbia do ta fshehë duke e nëpërkëmbur — me policin në Prokuplje, që më uroi rrugë të mbarë dhe me shitësin në pompë të benzinës, që në shqip më tha “Ditën e mirë, faleminderit!” Në Beograd do të kthehem për krejt këta njerëz, me të cilët/at më bashkon misioni për të vërtetën. Do të kthehem sepse Serbia e ka edhe këtë fytyrë, e cila sado e dobësuar dhe e lodhur nga dhuna shtetërore, është aty dhe do të triumfojë.
Sepse rrugës për në Prishtinë — me sirena e autoblinda që shoqëronin një grup artistësh/esh e akivistësh/esh nga Kosova — qeveria serbe s’e mbronte popullin e vet. E mbronte veten nga vetvetja.
Imazhi i ballinës: Dion Krasniqi me fotografi nga Integra.
Ky artikull është prodhuar në bazë të monitorimit të medies, i kryer nga Rrjeti i Raportimit të Diversitetit, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.