Babai është gati në moshë të njëjtë me bijën e tij. Që këtu ka diçka që nuk shkon, veç është zor ta përcaktosh në fillim, sepse gjithçka duket si një rutinë e zakontë e një familjeje të zakontë.
Rutinë është çdo gjë për Dinin (Bujar Ahmeti), Sarën (Ilire Vinca) dhe bijën e tyre Lolën (Kosovare Krasniqi). Dashuria e tyre, darkat e tyre, bisedat. Rutinë është edhe dhimbja e tyre. E siç rëndom janë rutinat, ato janë të thjeshta, ashtu siç janë dhimbjet – të thjeshta në esencë, por të rënda.
“Babai dhe Babai”, shkruar nga Jeton Neziraj, me regji të Kushtrim Koliqit është prej atyre shfaqjeve që të mbysin me thjeshtësinë e tyre. Askush, as Dini, as Sara e as Lola, nuk qan fort, nuk qesh fort, nuk bërtet fort. Gjithçka është e qetë, gati-gati lineare dhe fort e sinqertë. Dhimbja shpërndahet dalëngadalë, fjalë pas fjale, këngë pas kënge, por ama shpërndahet mirë, në çdo skutë të dhomës së shndërruar në skenë.
Edhe vetë vendi i shfaqjes, Muzeu Etnologjik “Emin Gjiku”, të lejon të jesh vetëm, midis tjerësh. E ke lirinë të jesh i sinqertë me veten së pari dhe lirinë t’i largosh personazhet nga pozicioni i viktimës, pozicion ky në të cilin rëndom ftohemi t’i vendosim këta njerëz, e t’i shohësh si njerëz që qeshin, duhen, bëjnë shaka, kanë agjenci. Shfaqja të lejon ta mposhtësh konfliktin me veten nëse diku-diku të rrëshqet një e qeshur, sepse në fund të fundit dhimbja është e ngjyrosur, nganjëherë edhe me shaka.
Shumë shpejt e merr vesh çka i bën bashkë Lolën dhe Dinin, babain dhe të bijën. që shohin jashtë dritares, prej nga vjen terri. Ngadalë nis e qartësohet afërsia në moshë e tyre.
Dini është i zhdukur. Ai ishte zhdukur në moshë të re, gati gati në moshën e Lolës sot, prandaj për të nuk ka ecur koha. Teksa të dy shohin jashtë, duket sikur të dy përpiqen të dalin nga terri kah i cili shohin e Sara, nëna e Lolës, bashkëshortja e Dinit ende, sheh drejt nesh, me kokën përpara, kokën e saj të fortë e këmbëngulë që terri nuk ka rënë në shtëpinë e tyre. Ajo e refuzon praninë e territ, teksa tërhiqet nga ai, bile zvarrë, poshtërsisht.
Përditë punon fort e me zell që ta ruajë të kaluarën, vendin e vetëm ku jeton Dini i saj.
Edhe ne, publiku e shohim terrin, ajo jo. Ajo lufton me të, jo duke u përpjekur t’i largohet, por duke e mohuar në plotni vetë ekzistencën e tij. Ajo ka ndërtuar me kujdes realitetin e saj, ku gjithçka është mirë. Një rrobaqepëse e disiplinuar, ajo ka qepur me përpikpmëri realitetin e ngushtë brenda asaj dhome, ku jeton me Dinin e Lolën, si më parë. Kjo është mbase arsyeja pse ajo nuk shikon jashtë, sepse prej andej dritares mund të shohë të vërtetën, që do t’ia prishte shpresën. Të vërtetën se Dini nuk është aty, se ai është zhdukur.
Përditë punon fort e me zell e herë pas here edhe me britma, që ta ruajë të kaluarën, vendin e vetëm ku jeton Dini i saj. Përpos që do ta ruajë atë të kaluar, ajo qëndron në të, me pretekstin se nuk do ta lë Dinin vetëm, derisa njeriu i vetëm i vetmuar e i lënë në vetmi është ajo.
Dini është i urtë. Ai nuk zë vend. Është gjithkund pas Sarës, është hije e saj. Ai kërkon falje kur nervozohet, është i dashur dhe e mbyt terrin që e përthekon shtëpinë dikur të tij me një buzëqeshje që përçon njëfarë nostalgjie të çuditshme. Dini buzëqesh si në faj.
Ai njëmend duket se ndihet në faj që nuk është më. Në faj që nuk është pranë Sarës e Lolës. Dini, gjeodeti, teodoliti i të cilit qëndron gjithnjë në skenë nuk është aty. Ai nuk është as fantazmë. Ai është “problem administrativ”. As gjallë, as vdekur. Atij i ka skaduar pasaporta. Ai nuk mund ta rregullojë dot një poç elektrik. Ai qëndron midis vdekjes dhe jetës, në vendin e njëjtë ku jetojnë të gjithë njerëzit e zhdukur në Kosovë.
Ku është babai?
Qetësia imponohet edhe më fort nga këngët, që të tre i këndojnë lehtaz kohë pas kohe –– muzikë e ndreçur mjeshtërisht prej Adhurim Grezdës ashtu që t’i shtojë edhe më shumë heshtje heshtjes. Atë e thyen Dini, duke bërtitur “A ekzistoj”? “A po m’sheh”? “A ekzistoj”? Nuk mund të mos e mendosh, a ekziston Dini? Pyetjet të gërryejnë, sepse çiltërsia e Dinit, thyerja e tij, mënyra se si ai sillet pa bërë zë, pa ia prishur qejfin askujt, të bën të ndihesh sikur i ke borxh diçka, ia ke borxh një përgjigje. Dhe po, Dinit dhe Dinëve të tjerë u kemi borxh përgjigje.
Ashtu siç ua kemi borxh një përgjigje të dashurve të mbi 1,600 njerëzve të zhdukur në luftë dhe pas saj në Kosovë. Nuk mund të mos e mendosh pyetjen e tyre. Nuk mund të mos i shohësh të gjithë, gra, fëmijë e burra teksa vërtiten nëpër shtëpitë e familjarëve të tyre duke pyetur “A po m’sheh”?
Aty këputet qetësia. Aty fillon të përçudnohet rutina e zakontë e familjes. Aty e merr vesh që Dini nuk mund ta rregullojë poçin sepse Dini nuk është aty. Ekziston, por s’është aty, fizikisht. Prandaj ai është gati moshatar me Lolën, vajzën e tij që në shpinë bartë peshën e rëndë të së kaluarës dhe së ardhmes. Dinit i është ngrirë jeta. Dini ka mbetur gjeodeti i dikurshëm, ka mbetur i dashuri i ri e lozonjar i Sarës.
Dinit ia kanë këputur kohën që i takon. Ia kanë vjedhur të drejtën që të plaket. Pastaj, kur ia kanë vjedhur plakjen Dinit, ia kanë vjedhur Lolës rininë që ajo do e donte e Sarën e kanë lënë duke jetuar as këtu as atje, në një mes midis kujtimeve të asaj që ka qenë dikur dhe një shprese të paushqyer se mbase, një ditë, Dini do kthehet.
Madje, ajo edhe pse ashiqare është në shtëpi vetëm me vajzën e saj Lolën, pyet “juve a u pëlqeu gjella”?
Prandaj, po, Dini ekziston. Në kokat e tyre. Madje, veç në kokat e Lolës dhe Sarës. Në të njëjtin vend ku duket se njihen e ekzistojnë të gjithë njerëzit e zhdukur nga lufta dhe pas saj në Kosovë, në mendjet e kokat e familjarëve të tyre. Ashtu ekzistojnë edhe nëna dhe katër motrat në kokën e Bekim Gashit nga fshati Tërnje, bashkëshorti Salihu, e djemtë Sahiti, Xhaviti, Dritoni e Naiti në kokën e Ajshe Shehut nga Krusha e Vogël, djali Dritoni e bashkëshorti Muhameti në kokën e Ferdije Hotit në Krushë të Madhe, jo fort larg sallës ku luhej “Babai dhe Babai”. E dinë edhe ato se si është ta kesh shtëpinë plot dhe më thjesht mos ta kesh. Si mund ta harrosh këtë pamje? Si mund ta harrosh gjallërinë e dikujt që nuk ka vdekur, po që as gjallë nuk është?
Sara gatuan darkë edhe për Dinin. Madje, ajo edhe pse ashiqare është në shtëpi vetëm me vajzën e saj Lolën, pyet “juve a u pëlqeu gjella”? Nuk ka njëjës për Sarën, sepse ajo gatuan edhe për Dinin edhe për Lolën, siç gatuan Ferdonije Qerkezi nga Gjakova, për vete dhe për Halimin, Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin.
Ekziston babai, po. Patjetër që po. Por ai ekziston për të na treguar se ai nuk mund të vërtitet përjetësisht në kujtime, në gjella të gatuara, në dhimbje, brenda mureve të shtëpisë ku dikur ishte i gjallë. Ai ekziston për t’ua brejtur ndërgjegjen atyre që duhet t’ia zgjidhin nyjen kësaj çështjeje e s’ia kanë zgjidhur.
Normalisht që Dini ekziston. Sepse si mund të mos ekzistojnë djemtë e Ajshes? Djemtë e Ferdijes? Të Ferdonijes? Si mund të jenë të pa vërtetë ata, kur në gjithë historinë e njerëzve të zhdukur në Kosovë, pothuajse e vetmja gjë që ka mbetur vërtetë është dhimbja e familjarëve të tyre që si duket shkon në relacion të zhdrejtë me punën që bëhet në kërkim të tyre –– teksa dhimbja rritet, kërkimi për ta zbehet, nga ata që duhet t’i kërkojnë dhe t’i gjejnë. Prandaj, jo rastësisht Dini e thotë më shumë se një herë “problem administrativ”.
Problemi administrativ
Kur dhimbja e dikujt shndërrohet në problem administrativ, atëherë e vetmja gjë që duhet sfiduar në rrënjë është administrata. Sara dhe Lola janë të përfshira në këtë problem administrativ. Ato eksploatohen përditë prej tij. Sara, që shtypet edhe si punëtore në një fabrikë të rrobave dhe Lola që nuk ka para për ta paguar semestrin – të dyja janë viktima të “problemit administrativ” që s’i gjendet filli që prej pas luftës në Kosovë.
Askush nuk ia doli ta zgjidhë këtë problem. Askush nuk ia doli t’i tregojë Sarës që ky nuk është fati i saj. Askush s’doli t’i tregojë Lolës që ajo meriton të dalë prej vorbullës së territ e ta jetojë jetën e saj. Askush nuk doli t’i pyes Lolën dhe Sarën në shfaqje, Ferdijen dhe Ajshen, jashtë shfaqjes, se si duhet të zgjidhet ky “problem administrativ”.
Askush nuk u dha zgjedhje më të mirë Lolës dhe Sarës. “Midis dy zgjedhjeve, ne gjithnjë na duhet të zgjedhim të keqen më të vogël”, thotë Lola në shfaqje. As edhe një zgjedhje e mirë nuk iu dha.
Askush nuk e bindi Lolën, tash e më shumë se 20 vjet, se ajo ka të drejtë të jetë më shumë se sa njeriu që përpiqet të mbajë një trohë arsye në atë konak. Askush nuk doli të thotë se Lola mund të jetojë, përtej të funksionuarit si sahat që bie sa herë Sara fundoset në mall e dhimbje e e thërret Dinin.
Asaj i duhen përgjigje. Që ta dijë cilin baba ta dojë.
Sara e kërkon Dinin, Lola e kthen Sarën në realitetin e terrtë ku ato të dyja përzihen bashkë me Dinin që është e s’është. Sara prapë e kërkon Dinin, Lola prapë, butësisht e kthen nënën në realitet. Lola, si Dini është e qetë. Të vetmet hera kur ajo e ngritë zërin është kur i duhet ta rikthejë nënën aty, midis të gjallëve. Ajo lufton me të kaluarën që e tërheq nënën e saj dhe kur kjo luftë është kaq e shpeshtë, nganjëherë bëhet e zhurmshme. Megjithatë, Lola ka mëshirë. Mëshirë që vetëm Lola ka të drejtë ta ketë. Por asaj, ashtu si familjarëve tjerë të 1,600 njerëzve të zhdukur në Kosovë, s’i duhet mëshira e askujt.
Asaj i duhet që jeta të mos i jetë “problem administrativ” më. I duhet që nëna e saj të mos ketë nevojë të nxjerrë të zitë e ullirit për të gjetur edhe një punë, edhe një tjetër, që të mos i ketë gishtat të shpuar nga gjilpërat e vjetra që nuk i kanë ndërruar kurrë në fabrikën ku ajo punon.
I duhet që jeta të jetë pak më e mirë, më në fund. I duhen përgjigje. Që ta dijë cilin baba ta dojë, atë me të cilin flet nëna e saj përditë, atë që është i gjallë, atë që është i vdekur? Asaj i duhet babai, asgjë më shumë.
Asaj i duhet të mos endet nga zyra në zyrë. Asaj i duhet të mos ndihet në faj sa herë që provon të bëjë diçka të mirë për vete, sa herë që provon të jetë e lumtur. Asaj i duhet të vendoset diku, ta kapërcejë të jetuarit midis babait dhe babait. Asaj i duhet babai i saj. Nëna e saj. Jeta e saj.
E neve, që në fund të shfaqjes na jepet nga një mindil i bardhë, përpos lotëve, na duhet ta fshijmë pluhurin që ka rënë mbi çështjen e njerëzve të zhdukur, ashtu siç fshin Sara pluhurin e teodoloitit të Dinit në fund të shfaqjes. Ata duhet gjetur.
Shënim i redaksisë: Shfaqja “Babai dhe Babai” pati premierën më 16 maj 2022. Shfaqja do të kthehet në skenë në shtator.
Imazhi i ballinës: Sovran Nrecaj/ INTEGRA