Në thelb | Demokraci

Dokumentet e fshehta të Kosovës

Nga - 08.07.2019

Informatat e deklasifikuara mbesin të mbuluara në fshehtësi.

Sivjet në maj Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë mori vendim që detyron Shërbimin Informativ të Shtetit (ShISh) t’i deklasifikojë dosjet nga e kaluara e trazuar e vendit.

Dokumentet i përkisnin pararendësit të ShISh-it, Sigurimit, aktiv ky deri në vitin 1991 si pjesë e aparatit shtetëror, të cilin populli e kishte frikë gjatë regjimit të ashpër komunist të Enver Hoxhës. 

As sot, pas gati 30 vjetësh, as ShISh e as Kuvendi i Shqipërisë nuk i kanë vënë në dispozicion të publikut të gjerë dosjet e regjimit që ishte përgjegjës për përgjime masive, ekzekutime, zhdukje dhe burgosje politike të mijëra njerëzve. Një ligj i vitit 2015 ua garanton të drejtën për t’iu qasur këtij informacioni të persekutuarve nga regjimi dhe familjarëve të tyre, si dhe bashkëpunëtorëve dhe atyre që mbështeteshin nga Sigurimi nëse informacioni lidhet me ta.

E megjithatë, ka kohë që organizatat mediale dhe historianët në Shqipëri po e kërkojnë deklasifikimin e plotë të dosjeve të Sigurimit.

Sfidat në rrugëtimet drejt demokracive “të hapura dhe transparente” janë të zakonshme matanë rajonit - ashtu edhe në Kosovën fqinje.

Disa dokumente specifike që i përkasin dekadës së fundit të regjimit të Hoxhës, bërjen publike të të cilave e urdhëroi gjykata në maj, i kërkoi një organizatë mediale. Megjithatë, ShISh ia refuzoi qasjen me pretendimin se këto dokumente duhej të ishin “fshehtësi e përhershme”. Tashmë që gjykata ka marrë vendimin përfundimtar në këtë rast, Shqipëria po pret të publikohet vendimi, i cili do ta përcaktojë mënyrën se si duhet të bëhen publike këto dokumente.

Uebfaqja e ShISh tashmë përmban kategorinë Deklasifikimi, i cili i përfshin vendimet lidhur me kërkesat nga qytetarët dhe organizatat për dokumente të deklasifikuara. Megjithatë, aktualisht janë të listuar vetëm emrat e dy dokumenteve të deklasifikuara – të dyja nga viti 2017 – kurse vetë dokumentet nuk gjenden online.

Ndonëse e kaluara unike e Shqipërisë ka bërë që transicioni nga një regjim i mbyllur dhe i fshehtë t’i shfaqë disa nuanca të veçanta, në përgjithësi sfidat në rrugëtimet drejt demokracive “të hapura e transparente” janë të zakonshme në gjithë rajonin, madje hiç më pak edhe në Kosovën fqinje.

Njëra nga pikënisjet për transparencë është mënyra se si shteti merret me dokumentet publike ose të paklasifikuara. Por edhe 11 vjet pas pavarësisë së Kosovës, dhe nëntë vjet pasi hyrjes në fuqi të legjislacionit që rregullon qasjen në informata potencialisht të ndjeshme, institucionet nuk kanë krijuar asnjë praktikë për të garantuar që publiku të ketë qasje më të lehtë në informacionin dikur të klasifikuar, që sipas përkufizimt është informacion publik.

Pavarësisht se sipas procedurave dhe ligjeve zyrtare, dokumentet dikur të klasifikuara tashmë duhet të jenë në dispozicion të publikut, një hulumtim i K2.0 gjatë një periudhe disamuajshe tregon se kjo qëndron larg realitetit, dhe se informacionet e tilla mbeten të mbuluara në fshehtësi. K2.0 gjeti po ashtu se mbikëqyrja demokratike e procedurave të lidhura me informatat e ndjeshme është e kufizuar dhe se proceset përkatëse – përfshirë ato që lidhen me hartimin e ligjeve të reja që e rregullojnë këtë fushë – nuk janë transparente. 

Si duhet të funksionojë

Neni 41 i Kushtetutës së Kosovës garanton të drejtën e çdokujt për qasje në dokumente publike; gjithashtu i lejon vetëm tri baza mbi të cilat informacioni mund t’i refuzohet publikut: të dhënat personale, sekretet tregtare dhe informatat e klasifikuara.

Sipas Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, i cili hyri në fuqi në korrik 2010, janë gjashtë kritere të gjera nën të cilat një institucion mund t’i klasifikojë informatat, prej “sigurisë publike” dhe “planeve ushtarake [dhe] të mbrojtjes” e deri te projektet, planet dhe aktivitetet e ndryshme që lidhen me “interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës”. 

Kriteret e klasifikimit

Informacioni mund t’i ndalohet ligjërisht publikut për një periudhë të caktuar nëse konsiderohet “e domosdoshme” që të klasifikohet për njërën ose disa nga arsyet në vijim:

1. Siguri publike;

2. Mbrojtje, plane ushtarake, sisteme armësh, apo operacione;

3. Informacione për marrëdhëniet me jashtë dhe qeveritë e jashtme, përfshirë burimet konfidenciale;

4. Veprimtari zbulimi dhe të zbatimit të ligjit, përfshirë metoda dhe burime të zbulimit;

5. Sisteme, instalime, infrastruktura, projekte, plane ose shërbime të mbrojtjes që lidhen me interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës;

6. Veprimtari shkencore, teknologjike, ekonomike, financiare që lidhen me interesat thelbësorë të sigurisë së Republikës së Kosovës;

Zyrtarët që besojnë se kanë prodhuar informata të ndjeshme, duhet ta njoftojnë një zyrtar të lartë brenda institucionit të tyre; varësisht nga niveli i kërkuar i klasifikimit, autoriteti për ta klasifikuar informatën mund të ushtrohet prej sekretarëve të përgjithshëm, kryeshefëve ekzekutivë ose drejtorëve ekzekutivë (apo vartësve të caktuar të tyre) për klasifikime të nivelit më të ulët, ose prej zyrtarëve shumë të lartë si presidenti, kryeministri a drejtori i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë (AKI) për informatat më të ndjeshme.

Zyrtarët kompetentë pastaj mund të vendosin t’i klasifikojnë informacionet ose dokumentet në njërin nga katër nivelet, secili prej të cilëve e ka kohëzgjatjen e ndalimit të informacionit nga publiku: i Kufizuar (një vit), Konfidencial (pesë vjet), Sekret (15 vjet) ose Sekret i Lartë (25 vjet).

Nëse informacioni më nuk llogaritet si i ndjeshëm, duhet deklasifikuar menjëherë, kurse rishqyrtimi i nivelit të klasifikimit për të gjitha informacionet e klasifikuara duhet bërë çdo pesë vjet.

Këto rregulla nënkuptojnë se plot dokumente, të klasifikuara më parë si të Kufizuara ose Konfidenciale, tani duhet të jenë në sferën publike.

Megjithatë, asnjëri nga institucionet e sigurisë së Kosovës nuk e përmban kategorinë “deklasifikimi” në uebfaqen e vet, madje procedurat rreth deklasifikimit në shumë institucione nuk janë transparente dhe nuk e bëjnë të qartë se si publiku mund të ketë qasje në këto informata.

E vetmja mënyrë për të kërkuar informacion dikur të klasifikuar është duke dorëzuar kërkesa për qasje te institucionet, në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, i cili e obligon secilin institucion të garantojë qasje në informacion publik brenda 15 ditëve më së largu.

Testimi i sistemit

Për të testuar se sa po i ndjekin institucionet rregullat për deklasifikimin e dokumenteve, K2.0 kërkoi një kopje të dokumentit të fundit të deklasifikuar nga AKI, nga Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Jashtme, Agjencia e Kosovës për Forenzikë dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Vetëm Ministria e Mbrojtjes ofroi qasje në një dokument të deklasifikuar, i cili u dorëzua në një takim me shefin e sekretariatit të Ministrisë. Edhe atëherë madje, K2.0 pati qasje vetëm në dy dokumente të deklasifikuara, të dyja të lidhura me procedura standarde burokratike. 

Më poshtë (dhe me link këtu) është potencialisht i pari dokument i deklasifikuar nga Kosova që po publikohet online.

Kjo është një kërkesë nga ish-Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK, tani e quajtur Ministria e Mbrojtjes) për AKI-në që të rritet niveli i verifikimit të sigurisë për një atashe të FSK-së në njërën nga ambasadat e Kosovës nga niveli Konfidencial në Shumë Sekret. (Verifikimi është procedura nëpërmjet të cilës kryhen kontrolle të sigurisë ndaj zyrtarëve para se t’u lejohet qasja në informacion të nivelit të Kufizuar, Konfidencial, Sekret dhe Sekret i Lartë; niveli i qasjes në informacion të klasifikuar për individët varet nga niveli i verifikimit të sigurisë së tyre.)

Emri i atashesë dhe ambasada specifike të cilës i referohet dokumenti i deklasifikuar i Ministrisë së Mbrojtjes u shlyen para se të lëshohej dokumenti, mbi bazën e mbrojtjes së informatave personale të individit. Vetë kërkesa u klasifikua si e Kufizuar më 23 qershor 2014 dhe u deklasifikua pas një viti, më 23 qershor 2015. 

Institucionet e tjera u referoheshin dokumenteve specifike në përgjigje të hulumtimit të K2.0, por nuk na lejuan qasjen në to.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) pretendonte se “deklasifikimi në përputhje me mbarimin e afatit është kryer në të gjitha agjencitë dhe departamentet e MPB-së që kanë prodhuar informacion me nivel të Kufizuar ose Konfidencial”.

K2.0 bëri kërkesa të vazhdueshme për qasje në dokumentet e deklasifikuara rishtazi nga MPB; pas dy muajsh, MPB e dorëzoi një vendim që përmendte deklasifikimin e dokumenteve, por nuk dorëzoi asnjë informacion të deklasifikuar.

Informatat nuk mund të klasifikohen për të…

  • Fshehur shkeljet e ligjit, abuzimin e autoritetit, mosefikasitetin ose gabimin administrativ;

  • Parandaluar turpërimin e një personi, autoriteti publik apo organizate;

  • Ndaluar konkurrencën; apo

  • Parandaluar ose vonuar publikimin e një informacioni, i cili qartazi nuk ka të bëjë me çështje të sigurisë.

Në atë vendim, të datës 1 prill – dita kur K2.0 u takua për herë të parë me zyrtarët e MPB-së në përpjekje për të marrë qasje në informacion të deklasifikuar – thuhej se MPB po deklasifikonte “informacion të prodhuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë” (AKF) me kërkesë të kryeshefit ekzekutiv të AKF-së dhe se po e hiqte nga lista e MPB-së me informacion të klasifikuar “pjesën që lidhej me AKF-në”. Arsyetimi i vendimit e delegon kompetencën për dorëzimin e informacionit të klasifikuar që prodhon AKF nga sekretari i përgjithshëm i MPB-së te kryeshefi ekzekutiv i AKF-së.

Megjithatë, kur K2.0 kërkoi qasje në informacionin e deklasifikuar nga AKF, inspektori i përgjithshëm i këtij institucioni, Arben Gashi, fillimisht deklaroi se institucioni kishte themeluar një komision kompetent për ta rekomanduar nivelin e klasifikimit të informacionit të kërkuar, e më pas u përgjigj se informacioni nuk ish më i deklasifikuar.

Ministria e Drejtësisë u përgjigj se nuk kishte dokumente të deklasifikuara, duke thënë se “Ministria e Drejtësisë nuk ka prodhuar ende informacione të sigurisë dhe rrjedhimisht nuk ka pasur klasifikim, përkatësisht deklasifikim të informacioneve”. 

Megjithatë, kur K2.0 kërkoi kopje të kërkesës së Turqisë për ta ekstraduar Kahraman Demirezin, njërin nga gjashtë shtetasit turq të burgosur në Turqi pas dëbimit nga Kosova në mars 2018, Ministria e Drejtësisë nuk ia lejoi qasjen në këtë dokument.

Në përgjigjen e saj thuhej: “Ministria, me kërkesën e autoritetit gjyqësor të huaj, ruan konfidencialitetin e kërkesës për bashkëpunim juridik ndërkombëtar dhe [të] informatës së cekur në kërkesë, gjithashtu edhe këto kërkesa i transmeton tek organet tona gjyqësore”. 

Kjo pjesë e përgjigjes i referohet qartë Nenit 10 të Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve, i cili përcakton se “shënimi i një dokumenti të një qeverie të huaj apo organizate ndërkombëtare që përmban informacion të klasifikuar do t’i ruajë shënimet e tij origjinale të klasifikimit…”

Në një tjetër rast, K2.0 e dinte titullin e një dokumenti specifik të Njësitit të Intelegjencës Financiare që njihej si “i klasifikuar” dhe Ministria e Financave, një muaj pasi mori kërkesën tonë, konfirmoi se ishte i klasifikuar për një vit. Gjithashtu konfirmoi se dokumenti do të ishte në dispozicion të publikut në shtator 2019 nëse Ministria nuk e ushtronte të drejtën ligjore për ta vazhduar periudhën e klasifikimit.

Disa institucione duket se po i klasifikojnë dhe riklasifikojnë dokumentet e tyre, gjë që kanë të drejtë ligjore ta bëjnë, në gjashtë muajt e fundit të periudhës së klasifikimit, nëse publikimi i dokumentit konsiderohet si i rrezikshëm për sigurinë e Kosovës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, agjenci nën Ministrinë e Drejtësisë, vetëm ka shtuar dokumente në listën e dokumenteve të klasifikuara dhe ka rinovuar klasifikime, sipas zëvendës-drejtorit Rasim Selmani, por kurrë nuk ka deklasifikuar ndonjë dokument.

“Edhe… lista [e dokumenteve të klasifikuara] është e klasifikuar”, thotë Selmani.

Institucionet që nuk përgjigjen

Disa institucione nuk treguan a kanë deklasifikuar dokumente apo jo.

Këshilli i Sigurimit i Kosovës (KSK) refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve ose të tregojë nëse kishte deklasifikuar ndonjë dokument.

“Ju përgëzojmë për hulumtimin… por sipas nenit 41, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, qasja në dokumente të klasifikuara është e kufizuar”, shkruan Shpend Tërdevaj, sekretari i përgjithshëm i KSK-së, duke iu referuar nenit kushtetues që përcakton qasjen në informacion si dhe rrethanat në të cilat kjo mund të kufizohet. K2.0 në fakt kishte kërkuar qasje në dokumentin më të fundit të deklasifikuar, duke iu referuar kësaj të drejte kushtetuese.

AKI nuk iu përgjigj kërkesës së K2.0 për qasje në dokumentin më të fundit që kanë deklasifikuar.

"Duhet të jetë një person, një kontakt, i cili duhet të jetë në kontakt me publikun.”

Hilmi Jashari, Avokati i Popullit

Një tipar i përbashkët e KSK-së dhe AKI-së është se asnjëra nuk kanë zyrtar për komunikim me publikun ose zyrtar për dokumente publike, as në uebfaqet e tyre e as në raportin e fundit të qeverisë për qasje në dokumente publike.

Ligji për Qasje në Dokumente Publike thotë se “të gjitha institucionet publike do të obligohen të caktojnë njësite ose zyrtarë përgjegjës për pranimin e aplikacioneve për qasje në dokumente dhe analizën fillestare të tyre”, e se kërkesat “do t’u adresohen njësiteve për komunikim me publikun ose zyrtarëve të autoritetit në fjalë”.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë se megjithëse informacionet e klasifikuara duhen mbrojtur, ligji nuk i përjashton këto institucione nga punësimi i zyrtarëve për shtyp.

“Nuk duhet të ketë përjashtime sa i përket caktimit të personit, sepse duhet të ketë një person, një adresë, që të jetë në kontakt me publikun”, tha Jashari. “Pastaj se a është dokument për qasje apo jo nuk paraqet ndonjëlloj komplikimi po besoj”.”.

Avokati i Popullit shtoi se deri sot nuk kishte marrë ankesa nga institucionet e sigurisë në lidhje me deklasifikimin e informacionit.

As Ministria e Punëve të Jashtme nuk iu përgjigj kërkesës së K2.0, megjithëqë e posedon zyrën për shtyp.

Mbikëqyrje e pjesshme

I vetmi institucion i cili ka nxjerrë një dokument publik që tregon nivelin e zbatimit të Ligjit mbi Klasifikimin është Kuvendi, pasi Komisioni i tij për Mbikëqyrje të AKI-së e zhvilloi një hulumtim për mbikëqyrjen e ligjit në vitin 2016.

Nëntë deputetë zhvilluan intervista në AKI, në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (tani: Ministria e Mbrojtjes), atë të Drejtësisë, të Punëve të Brendshme, në ambasadat e Kosovës në Shqipëri e Bruksel, si dhe në Bankën Qendrore dhe Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në vitin 2017, pas takimeve me zyrtarë, Komisioni doli me raportin që sugjeronte se ruajtja e informacioneve të klasifikuara dhe shkëmbimi i tyre ndërmjet atyre që i kërkojnë për vendimmarrje efektive ishte problematike, meqë shumica e institucioneve “nuk i kanë hapësirat e nevojshme të ruajtjes së këtyre informacioneve [sefa], nuk i kanë librat (regjistrat) e evidentimit të shpërndarjes së këtyre informatave, duke bërë që këto të mbesin të pashpërndara dhe rrjedhimisht edhe të padobishme”.

Raporti i Komisionit nuk iu referua deklasifikimit të dokumenteve.

Faton Topalli tha se monitorimi i ligjit është “proces i pandalshëm” që mund të ndodh “kur, për shembull, Komiteti ka informata që një pjesë e ligjit nuk po zbatohet ose është shkelur".

Por pavarësisht prej mangësive, duket se ka pak vullnet politik për të vlerësuar nëse ka pasur përmirësime sa i përket zbatimit të ligjit. Ganimete Musliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe zëvendës-kryetare e Komisionit, thotë se nuk sheh arsye për të vazhduar me monitorimin e institucioneve.

“Procesi i monitorimit të zbatimit të Ligjit Nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacionit dhe Verifkimin e Sigurisë është kryer nën legjislaturën e pestë, në prill [2017], dhe nuk është në kompetencën time të flas për gjetjet e raportit”, thotë Musliu.

“Nuk është praktikë [e përhapur] duplifikimi i punës së Komisionit për çështje të njëjta, për të cilat njëherë është përfunduar procesi”, shton ajo.

Faton Topalli, deputet i Partisë Social-Demokrate (PSD), është anëtari më i ri i Komisionit, i zgjedhur si kryetar i tij më 14 mars 2019.

Ndonëse Topalli bashkë me deputetë të tjerë që janë pjesë e Komisionit ka thënë se nuk është në dijeni sa po zbatohet Ligji për Klasifikimin, ai shtoi se monitorimi i ligjit është “proces i pandalshëm” që mund të ndodhë p.sh. “kur Komisioni ka informacione që një pjesë e ligjit nuk po zbatohet ose është shkelur”.

Kërkesa e K2.0 për ta parë planin origjinal të punës së Komitetit për këtë vit u refuzua fillimisht, pavarësisht faktit që ky dokument duhet të jetë në dispozicion të publikut.

Pak pasi u zgjodh kryetar i këtij organi, Topalli tha për K2.0 se komisionit i duhej kohë për t’i caktuar detyrat e reja për muajt e ardhshëm dhe tha se do ta rishikonte planin e punës në qershor 2019.

Një rishikim i planit të punës për gjashtë muajt e parë të vitit 2019 ishte në agjendën e takimit të fundit të Komisionit, që u mbajt të mërkurën më 26 qershor. Megjithatë, u kuptua që plani i punës ka mbetur i pandryshuar dhe se agjendës së radhës nuk i është shtuar shqyrtimi i zbatimit të ligjeve e të rregulloreve që i rregullojnë dokumentet e klasifikuara dhe të deklasifikuara.

Megjithatë, informatat në lidhje me Komisionin përgjithësisht gjinden vështirë. 

Seksioni i Komisionit në uebfaqen e Kuvendit nuk përfshin asnjë dokument të publikuar, ndërsa kërkesa e K2.0 për ta parë planin origjinal të punës së Komisionit për sivjet fillimisht u refuzua, pavarësisht se ky dokument duhet të jetë në dispozicion të publikut. Kuvendi e dërgoi dokumentin vetëm pasi K2.0 ia dorëzoi një ankesë Avokatit të Popullit.

Kjo mungesë e transparencës së punës së Komisionit shfaqet pavarësisht se vetë anëtarët e tij nuk kanë qasje në informacion të klasifikuar, prandaj teknikisht nuk është e mundshme që të prodhojnë informata ose dokumente që ligjërisht mund t’u ndalohen publikut.

Deputetët e Komisionit mbikëqyrin në terr?

Vjet në prill kishte dyshime të thella për kapacitetin e Komisionit të Kuvendit për ta realizuar në mënyrë efektive rolin e vet mbikëqyrës, kur as ish-kryetari Driton Gashi, e as zëvendës- kryetari Latif Merovci, nuk u paraqitën para Komisionit për të raportuar pas arrestimit dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq më 29 mars 2017.

Ganimete Musliu, e cila e kryesonte mbledhjen ku u ftua të raportonte Merovci, për herë të parë foli zëshëm për mungesën e kapacitetit për ta mbikëqyrur AKI-në, duke thënë në një konferencë shtypi se “si komision e kemi të pamundur të ushtrojmë kontrollin demokratik mbi këtë institucion”.

Por, pas dhjetë muajsh, Musliu tha për K2.0 se “tani për tani”, mbikëqyrja e Komisionit është e nivelit të kënaqshëm, pa e bërë të qartë se ç’ia ka ndryshuar mendimin.

Deputetët e opozitës në këtë Komision nuk pajtohen. Disa e shohin mungesën e qasjes së tyre në informacion të klasifikuar si pengesë për kontrollin demokratik.

Anton Quni, anëtar i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se deputetëve të Komisionit duhet t’u lejohet qasja në informacion të klasifikuar.

“Aktualisht, ne [si deputetë të Komisionit] e nënshkruajmë një dokument të konfidencialitetit, një deklaratë nën betim… As ky dokument nuk e obligon drejtorin e AKI-së ta deklasifikojë informacionin [për ne]”, tha ai.

Sipas Qunit, Kosova duhet ta rregullojë këtë çështje nëpërmjet Projektligjit të ri për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe ta hormanizojë atë me legjislacionin ekzitues.

“Drejtori [i AKI-së] nuk përçon kurrëfarë informata… Ne duhet të ngulim këmbë me çdo kusht që ta kemi një ligj që na lejon qasjen [në informata të klasifikuara]."

Shemsi Syla, anëtar i Komitetit

Shemsi Syla, anëtar i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, pajtohet se ndryshimet legjislative duhet t’ua lejojnë deputetëve qasjen në informacionin e klasifikuar.

“Ne [deputetët] vetëm figurojmë në Komision”, tha Syla. “Drejtori [i AKI-së] nuk jep informacion… Ne duhet të insistojmë me çdo kusht për një ligj që na jep qasje [në informacion të klasifikuar]”.

Por Topalli nuk pajtohet me këtë, dhe mendon se qasja në informacion të klasifikuar nuk do të ishte e dobishme për të, në rolin e tij si anëtar i Komisionit.

“Puna e deputetit është publike dhe duhet të jetë e tillë”, tha ai. “Mua nuk do të më shërbente asnjë informacion sekret, edhe sikur ta kisha çertifikatën e sigurisë, nëse për të si Kuvend nuk do të mund të diskutonim publikisht”, tha ai.

Ligj i ri, agjenci e re

Projektligji i ri për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuari cili planifikohej të miratohej nga Qeveria në qershor, por nuk hyri në agjendë – nuk u jep qasje në informacion të klasifikuar anëtarëve të Komisionit. Madje, ka elemente të këtij projektligji që duket se e shtojnë fshehtësinë e informacionit.

Projektligji i zgjeron kategoritë e informacionit që mund të klasifikohet, sidomos sa i përket inkorporimit të komunikimeve elektronike, kriptologjisë dhe përgjimeve elektronike, dhe e zgjeron listën e të autorizuarve për të klasifikuar informacion. Po ashtu, periudhën e klasifikimit për dokumentet e kategorisë Sekret i Lartë nga 25 vjet e zgjat në 50.

Projektligji i ri e adreson çështjen e verifikimeve të sigurisë, që teknikisht ka qenë kompetencë e AKI-së që kur u miratua Ligji aktual për Klasifikimin në vitin 2010.

Megjithatë, Departamenti i Verifikimeve të Sigurisë në AKI e nisi punën vetëm para pesë vjetësh. Zëdhënësi i KFOR-it Vincenzo Grasso tha për K2.0 se “KFOR-i bënte verifikime të sigurisë për ca kohë, nga viti 2008 deri në 2014”, kurse Ekipi i tij Ndërlidhës dhe Këshillues ndihmoi për ndërtimin e kapaciteteve të AKI-së për kryerjen e kontrolleve të sigurisë, procedurave të verifikimit të sigurisë dhe klasifikimit të dokumenteve.

Sipas versionit online të Projektligjit, e sapothemeluara Agjenci për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK), do të jetë përgjegjëse për verifikimet e sigurisë dhe kontrollimin e zbatimin e standardeve të sigurisë për informacionin e klasifikuar. Kjo ndjek rekomandimin e raportit të vitit 2017 të Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së.

Këshillitari për siguri i kryeministrit nuk zbuloi datën apo lokacionin e konsultimeve të ardhshme publike dhe nuk iu përgjigj pyetjeve për informata për konsultimet publike që ishin mbajtur.

Megjithatë, sikurse zbatimi i ligjit aktual lidhur me dokumentet e klasifikuara dhe verifikimin e sigurisë, as procesi i hartimit të ligjit të ri nuk ishte transparent.

K2.0 e pyeti Zyrën e Kryeministrit se kush ishte i përfshirë drejtpërdrejt në procesin e hartimit të këtij ligji, si dhe mbi hollësitë e kontributeve dhe të konsultimeve publike, por mori vetëm përgjigje të pjesshme.

Ndonëse emrat e anëtarëve të komisionit më të gjërë, që ishin përgjegjës për hartimin e ligjit të ri, gjenden online, gjatë një interviste në Zyrën e Kryeministrit në mars, Hysen Gashi, këshilltar i kryeministrit për çështje të sigurisë, refuzoi t’i jepte emrat e pjesëtarëve të grupit punues më të ngushtë që ishin drejtpërdrejt përgjegjës për hartimin e projektligjit. Ai tha vetëm se ky përbëhej prej zyrtarëve të Zyrës së Kryeministrit, të Zyrës së Presidentit dhe AKI-së.

Gjithashtu, nuk e shpalosi as datën as lokacionin e konsultimeve të ardhshme publike, dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara përmes emailit për informata mbi konsultimet publike që ishin mbajtur. Në përgjigjen fillestare, Zyra e Kryeministrit kishte dhënë vetëm periudhën në të cilën ishin mbajtur konsultimet, por kur u pyet sa njerëz kishin marrë pjesë, tha se “nuk ka pasur kufizime” në përfshirjen e pjesëmarrësve.

Mirjeta Ademi, hulumtuese në Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KCSF), thotë se fondacioni i ka rekomanduar qeverisë që t’i publikojë datat dhe vendet e konsultimeve.

“Njëri nga rekomandimet e KCSF-së në raportin [2018] e titulluar Under Construction është që datat dhe të gjitha materialet e tjera t’u jepen palëve të treta [të interesuara për proces]”, thotë ajo.

Standardet Minimale të qeverisë për Procesin e Konsultimit Publik gjithashtu kërkojnë transparencë dhe “siguruar mundësi të barabarta për pjesëmarrjen jodiskriminuese të palëve të interesuara dhe publikut në procesin e konsultimit publik”.

Këto Standarde Minimale gjithashtu kërkojnë që pjesëmarrësve t’u qarkullohet një përmbledhje që “reflekton diskutimet dhe konkluzionet kryesore nga takimi publik” në një periudhë prej shtatë ditësh pas përfundimit të konsultimit publik.

“Konsultim publik është edhe që të kem qasje në dokumente, për të parë se çfarë është duke u folur për legjislacionin që është në prodhim e sipër.”

Robert Muharremi, ligjërues i politikave publike

Megjithatë, duket se nuk janë mbajtur procesverbale të tilla sa i përket këtij Projektligji.

Borovci tha se qasja në dokument publik është e drejtë “absolutisht” kushtetuese. Më vonë, në përgjigjen për kërkesën e procesverbalit të cilitdo konsultim publik tha se “një qytetar i Republikës së Kosovës po e kërkon një dokument që nuk ekziston”, dhe shtoi se Zyra Ligjore do ta publikonte një përmbledhje të komenteve në fund të procesit të konsultimit në një memorandum sqarues. Në kohën e publikimit, ky dokument nuk qe publikuar online.

Robert Muharremi, ligjërues i politikave publike dhe qeverisjes në R.I.T. Kosovo, thotë se duhet të ketë regjistra se kush çfarë ka thënë në takimet e zyrtarëve që e kanë hartuar ligjin.

Konsultim publik nuk është që vetëm që unë të kem qasje fizikisht atje [ku prodhohet legjislacioni]”, tha ai. “Konsultim publik është edhe që të kem qasje në dokumente, për të parë se çfarë është duke u folur për legjislacionin që është në prodhim e sipër”, tha ai.

Efekti i përgjithshëm është se qytetarët mbesin kryesisht në terr sa i përket mënyrës në të cilën operojnë dhe rregullohen proceset dhe shërbimet e sigurisë, ndërkohë që padisponueshmëria e dokumenteve të deklasifikuara nënkupton se ka shumë për t’u monitoruar.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.