Pikëpamje | Demokraci

Ende nuk dihet kush do e formojë qeverinë e Kosovës, por e qartë është se qytetarët votuan për ndryshim

Nga - 12.06.2017

Politikanët e të gjitha partive duhet t’i kushtojnë kujdes të veçantë rezultateve të ditës së djeshme.

Sikur edhe pritej, rezultatet e zgjedhjeve të djeshme nuk do ta nxirrnin fituesin e qartë. Por parashikimet tashmë edhe janë jetësuar me rezultatet preliminare. Këto tregojnë se përveç faktit se asnjë entitet politik nuk i ka fituar votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë si e vetme, as koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) që pashmangshëm ka fituar numrin më të madh të votave, duket të mos jetë në gjendje ta formojë qeverinë qoftë edhe me mbështetjen e partive minoritare.

Ajo çka na pret është një proces i komplikuar i bisedimeve mbrapa perdeve, për të parë se kush do ta formojë qeverinë e ardhshme, një proces i cili sigurisht do të prodhojë fitues të mëdhenj dhe humbës të mëdhenj në një shtet i cili është tejet i polarizuar.

Por, e qartë është se partia e cila ka më së shumti arsye për të festuar është Vetëvendosje. Nga 90,000 vota sa ka siguruar në zgjedhjet e vitit 2014, kjo shifër është rritur në më shumë se 186,000 vota në këto zgjedhje. Vetëvendosjen e ndjek shumë afër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila doli e treta për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 1989.

PAN, i formuar nga PDK-AAK-NISMA, por i përbërë prej gjithsej 16 partive, ka siguruar vetëm afro 236,000 vota. Apo përafërsisht aq sa ka siguruar PDK-ja e vetme në zgjedhjet e vitit 2014, derisa me partitë e koalicionit së bashku kishte mbledhur afër 320,000 vota.  

PDK do të provojë t’i paraqesë rezultatet e ditës së sotme si fitore të madhe — dhe vërtetë ka filluar të bëjë një gjë të tillë — por partitë e PAN-it e dinë se këto shifra paraqesin një goditje të hatashme për ta. Nëse PDK-ja disi e merr pushtetin, jo vetëm për këto zgjedhje, por edhe në zgjedhjet e ardhshme, duhet disi të kërkojë ta bindë elektoratin se po i dëgjon brengat e tyre dhe se mund të ndryshojë.

Tash, PDK  gjithashtu mund të jetë e bindur se Vetëvendosje është partia e vetme më e madhe në Kosovë dhe se Albin Kurti dhe të tjerët do të jenë të bindur se kishin marrë vendim të drejtë kur kishin garuar të vetëm përballë koalicioneve parazgjedhore të kundërshtarëve të tyre politikë.

"Të gjitha partitë tani duhet ta kenë parasysh se në këtë vend nuk ka bastione dhe se askush nuk duhet të ndihet i pacënuar, duke besuar se ata kanë të drejtë të qeverisin me vendin përkundër praktikave të korrupsionit, klientelizmit dhe interesave të ngushta vetanake".

Trendet e votimit tregojnë se qytetarët kanë votuar kundër partive të ashtuquajtura tradicionale, të cilat kanë pasur rotacion të pushtetit ndërmjet tyre përgjatë 18 viteve të fundit në Kosovë. Derisa koalicionet parazgjedhore të drejtuara nga PDK-ja dhe LDK-ja, gati në çdo komunëi kanë humbur votat, për dallim prej Vetëvendosjes e cila ka shënuar rritje të konsiderueshme në nivel vendi.

Befasia zgjedhore ndodhi në shumë qytete anembanë Kosovës, e sidomos në bastionet e LDK-së si në: Gjilan dhe Ferizaj. Aty Vetëvendosje ka dalë e para për nga numri i votave duke lënë shumë njerëz gojëhapur. Goditje si kjo përçon sinjal të qartë se njerëzit kanë dashur t’i dënojnë ‘partitë e mëdha’ dhe kanë preferuar të votojnë për një parti e cila kurrë nuk ka qenë në pushtet në nivel qendror dhe e cila gjithmonë është përpjekur ta distancojë vetën nga ‘politikat e vjetra’ që tashmë janë provuar dhe janë testuar.

Degët e Vetëvendosjes në Gjilan dhe Ferizaj janë të dobëta dhe të pakrahasueshme me ato të LDK-së dhe të PDK-së. Por përkundër pranisë minimale në nivel lokal, në këto qytete ka pasur rritje të konsiderueshme të votave për Vetëvendosjen. Në Ferizaj, ku vetëm 3 prej 41 anëtarëve të Kuvendit Komunal janë nga radhët e Vetëvendosjes, partia ka siguruar mbi 14,7000 vota, që janë më shumë se dyfishi nga zgjedhjet e vitit 2014 ku pati diku 6,885 vota.

Shumë prej atyre të cilët dolën të votonin dje shpresojnë se këto rezultate do të shërbejnë si shtytje për demokracinë e nevojshme për Kosovën, duke i fuqizuar qytetarët dhe duke u dërguar porosi atyre partive të cilat tradicionalisht mbështeten në votat e ‘militantëve’ të partisë. Dhe për pasojë duket se iu ka ardhur fundi ditëve kur partitë iu kanë ikur llogaridhënies duke u mbështetur në votat e militantëve.

Të gjitha partitë tani duhet ta kenë parasysh se në këtë vend nuk ka bastione dhe se askush nuk duhet të ndihet i pacënuar, duke besuar se ata kanë të drejtë të qeverisin me vendin përkundër praktikave të korrupsionit, klientelizmit dhe interesave të ngushta vetanake; zgjedhjet kanë treguar se konsistenca dhe programi politik kuptimplotë mund të kenë efekt në Kosovë për të siguruar vota. Duket se kosovarët kanë reaguar me skepticizëm ndaj koalicioneve parazgjedhore të formuara në minutat e fundit të natës, e të drejtuara nga dy partitë që kanë qenë në pushtet, e janë formuar me pak konsistencë politike. Koalicione të krijuara përgjithësisht vetëm si lëvizje të kalkuluara për ta rimarrë pushtetin.

Rezultati gjithashtu paraqet sfidë për Vetëvendosjen, meqë tani ajo duhet ta ruajë rolin e dallueshëm si parti e antikorrupsionit dhe të mbajë sa më shumë premtime dhe zotime të cilat ua ka dhënë votuesve; jo të gjithë ata të cilët dje kanë votuar për Vetëvendosjen e kanë bërë këtë për shkak të ndonjë lidhjeje të fortë me partinë apo me liderët e saj, por për shkak të shpresës se ajo përfaqëson diçka ndryshe nga ajo që kemi parë deri tash.

"Populli ka folur, dhe duket se ai po kërkon ndryshim".

Cilido hap që është në kundërshtim me standardet e larta të cilat ajo i ka vendosur sigurisht do të ndikojë që votat për këtë parti të zvogëlohen menjëherë. Derisa partia sigurisht do ta festojë këtë jehonë të cilën e ka përçuar në mbarë politikën kosovare, ajo nuk mund të jetë e vetëkënaqur me arritjen e hatashme në nivel nacional.

Vetëvendosje tani duhet të bëjë një rrugëtim tranzitor nga politika opozitare e identifikimit të problemeve të Kosovës, drejt dëshmimit se me plot përgjegjësi mund të ofrojë zgjidhje për sfida të panumërta me të cilat ballafaqohet Kosova, dhe të cilat do të vazhdojnë edhe për një kohë. Për ta bërë këtë, Vetëvendosjes i duhen partnerët — përkundër krejt euforisë, ajo është larg arritjes së shumicës, dhe ç’është e vërteta nuk është as entiteti më i madh politik, meqë PAN-i do ta ketë mundësinë e parë për ta formuar qeverinë. Por mbrëmjen që shkoi në fjalimin e tij, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, dëshmoi pjekuri të madhe politike e cila ishte e pranishme gjatë gjithë fushatës, duke përmendur nevojën për unifikimin e forcave politike dhe duke rikonfirmuar se Vetëvendosje nuk kërkon hakmarrje.

Përkundër kësaj, partia ende i ka vijat e saj të kuqe. Shpend Ahmeti dhe Dardan Molliqaj, duke folur në Klan Kosova, rikonfirmuan fuqishëm se Vetëvendosje nuk do të hyjë në kurrfarë koalicioni me PDK-në, dhe duke lënë të kuptohet se LDK-ja mbetet një opsion, ata ishin të qartë se ishte Vetëvendosje ajo që e kishte fituar përkrahjen e votuesve dhe se LDK-ja nuk do të jetë në pozitë të bëjë kërkesa të mëdha.

LDK-ja tash është ndërmjet dy zjarreve. Koalicioni i saj me PDK-në në qeverinë e kaluar duket se i ka kushtuar shtrejtë, meqë edhe përkundër bashkimit të forcave me Alternativën dhe AKR-në, ajo arriti vetëm 178,000 vota. Kjo nënkupton që LDK nuk ka arritur ta sigurojë as numrin e votave të cilat i kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2014, kur ka garuar si e vetme.

Nëse edhe njëherë futet në koalicion me PDK-në, ky hap do të jetë shumë përçarës, dhe shumë prej anëtarëve të partisë do të tërheqin vërejtjen se një hap i tillë do të mund t’i jepte fund partisë më të vjetër në Kosovë, sidomos nëse merret parasysh trendi i votimit në këto zgjedhje. Që i bie se LDK-së i mbetet të pajtohet me një rol dytësor në një koalicion potencial me Vetëvendosjen, apo të pranojë të kalojë një mandat në opozitë.

Pavarësisht kombinatorikës së qeverisë së ardhshme të Kosovës — dhe periudhat e gjata të ngërçeve apo zgjedhjet e reja kurrsesi nuk duhen përjashtuar — është e qartë se diçka ka lëvizur në politikën kosovare; mbështetja në trashëgiminë politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo në Ibrahim Rugovën më nuk mjafton për të siguruar mbështetjen e votuesve.  

Populli ka folur, dhe duket se ai po kërkon ndryshim.K

Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.