Në thelb | Kosova

Drama të reja nga Ballkani

Nga - 30.06.2021

Radio-dramat kosovare transmetohen për herë të parë.

Megjithëse pandemia ka qenë pothuajse vdekjeprurëse për teatrin live, për podkastet dhe audio-dramat kjo ka qenë kohë bumi. Një projekt i ri britanik podkasti, “Out of the Woods: New Plays from the Balkans”, pjesë e të cilit janë dy dramaturge kosovare, shpreson të përfitojë nga ndryshimi i mënyrës se si e konsumojmë artin dhe të ndihmojë për t’i sjellë rrëfimet nga Ballkani te një audiencë më e gjerë.

Out of the Woods” është ide e dramaturgut britanik, Fin Kennedy, ish-drejtor artistik i kompanisë teatrore britanike, Tamasha, e përkushtuar në prodhimin e veprave nga zëra të margjinalizuar. Kennedy fillimisht u njoftua me Kosovën përmes bashkëpunimit me muzikanten britanike, PJ Harvey. Kjo e fundit udhëtoi në vendet që kishin kaluar nëpër konflikte, gjatë realizimit të albumit të saj, “The Hope Six Demolition Project“, në vitin 2016.

Një numër i këngëve në album kanë të bëjnë me përvojën e Harvey-it në Kosovë. Kennedy ra në dashuri me to. “Më tërhoqi pikëllimi i pafundmë që kishte paraqitur në ato këngë,” tha ai. “Ishin plot imazhe poetike.”

Kennedy erdhi në përfundim se këngët e Harvey-t do të ishin shoqërues të mirë për një radio dramë. Duke marrë për bazë këngët, ai krijoi për BBC-në një seri me drama 15 minutëshe, të quajtur “On Kosovo Field(Në Fushën e Kosovës). Seria përcjellë historinë e dy refugjatëve të rinj, të cilët kthehen në Kosovë për herë të parë si të rritur për ta zbuluar fatin e prindërve të tyre.

Megjithëse, fillimisht, Kennedy planifikoi ta krijonte versionin shqip të radio dramës “On Kosovo Field,” shpejt iu zgjua interesimi për t’i ndihmuar zërat e rinj t’i tregojnë historitë e tyre.

Por, Kennedy thotë se gjatë punës në radio dramë “gjithnjë e më shumë e kam ndierë peshën e përgjegjësisë së të shkruarit për traumën e një vendi tjetër pa pasur asnjë lidhje me të.” Ai u ndie edhe më pak rehat me faktin se paguhej për ta bërë këtë. Ndërsa e pranoi ofertën, ai vendosi ta shfrytëzonte pagesën për të bashkëpunuar në një projekt me shkrimtarë nga Kosova.

Kennedy krijoi një grup shkrimtarësh, me ndihmën e Kushtrim Koliqit, drejtor artistik i Intent New Theatre, organizatë në Londër e dedikuar për teatrin kosovar dhe ballkanik. Më pas shkoi në Kosovë për të drejtuar një seri punëtorish, të cilat filluan me eksplorimin e praktikave të të shkruarit për radio, por shpejt morën trajtën e një diskutimi më të gjerë mbi procesin kreativ.

Megjithëse, fillimisht, Kennedy planifikoi ta krijonte versionin shqip të radio-dramës “On Kosovo Field”, shpejt iu zgjua interesimi për t’i ndihmuar zërat e rinj t’i tregojnë historitë e tyre. “Ka mjaftueshëm projekte ndërkombëtare qëllim-mira në Kosovë,” tha ai, dhe përveç kësaj, “brezi i ri nuk dëshiron të shkruajë për luftën.”

Pjesëmarrësit e punëtorisë shkruan audio-dramat e tyre, dhe puna e dy prej shkrimtareve, Agnesa Mehanolli dhe Ulpianë Maloku, është prezantuar në sezonin e parë të “Out of the Woods”.

Mehanolli, e cila ka studiuar dramaturgji në Universitetin e Prishtinës ishte entuziaste për potencialin artistik të versionit audio. Edhe pse në fillim, përdorimi i dialogut për ta treguar historinë i ishte dukur kufizues, më pas i pëlqeu mënyra se si audienca detyrohej ta përdorte imagjinatën. Duke e marrë Odisenë për shembull, ajo thotë se Helena e Trojës kurrë nuk do të jetë aq e bukur në skenë ose në ekran, sa është në imagjinatën e audiencës.

Drama e Mehanollit “Ku është Z. President?” (Where is Mr. President?) është satirë me ngjyrim absurditeti, në të cilën presidenti i Kosovës zhduket dhe zëvendësohet me një qen. Tani, qeni udhëheq. Ajo u inspirua nga programi i famshëm në radio i Orson Welles, “War of the Worlds” — ku ngjarja tregohet përmes raportimit të lajmeve —  dhe nga një prej episodeve të serisë së Netflix-it “Love, Death and Robots” në të cilën një jogurt super-inteligjent e sundon botën.

“Nuk kam dashur të shkruaj diçka politike,” tha ajo, por politika “thjesht u shfaq.” “Ndoshta, isha shumë e ngarkuar me gjithçka që ndodh në Kosovë.” Mehanolli u rrit duke dëgjuar gjëra ekskluzivisht negative për udhëheqësit e vendit. Ajo vendosi që, në vend se të kontibuojë në negativitet, ta ketë një qasje tjetër të analizimit të pyetjeve për pushtetin dhe udhëheqjen, e cila njerëzve mund t’u duket argëtuese.

“Humori është mënyra se si i trajtoj gjërat,” tha ajo, dhe programi mentorues i Kennedy-it, i mundësoi që ta shihte veten seriozisht si shkrimtare e komedisë.

Drama e Malokut “Nude” është histori e treguar në mënyrë më konvencionale për një artist i cili shkakton turbullim kur punimi i tij i ri del të jetë një portret i zhveshur i fqinjes së tij në moshë mesatare. Është dramë e shkurtë plot me ide rreth të bërit art dhe përceptimeve të ndryshme ndaj bukurisë femërore.

“Inspirohem nga rrëfimet e jetës së përditshme”, tha Maloku, e cila më herët ka shkruar drama për skenë si dhe skenarë për filma të shkurtër. “Si dikush që jeton në Kosovë, gjithmonë kam dashur të shkruaj për mentalitetin dhe mënyrën tonë të jetesës”. Ajo tha se Nude nuk ka të bëjë me lakuriqësinë fizike, por me “pranimin e vetes pa u menduar se si të tjerët mund të të gjykojnë”.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme kur e di se njerëzit e tjerë mund ta dëgjojnë dhe ta shijojnë punë time,”

Ulpianë Maloku, dramaturge.

Drama e tretë në seri është e shkruar nga dramaturgu Miran Hadžić që punon në Londër, të cilin Kennedy e ka njohur përmes kompanisë Tamasha. Hadžić u regjistrua për projektin e Kennedy-it për të udhëhequr një punëtori në Kosovë në vitin 2017. Drama e tij “Dimensioni i Pestë” (Fifth Dimension) u shkrua me kontributin e kompozitorit kosovar Trimor Dhomi.

“Nuk kam menduar se mund të shkruaj për Kosovën,” tha Hadžić, familja e të cilit shkoi në Mbretërinë e Bashkuar nga Sarajeva kur ai ishte fëmijë, në fillim të viteve 1990, “nuk është vendi im.” Drama që Hadžić përfundoi duke shkruar është një histori distopike, e vendosur në të ardhmen e afërt, në Britaninë e pas Brexitit, ku një muzikant, dikur i famshëm, ka për detyrë të shkruajë një himn të ri kombëtar. Pjesërisht, është e insipuar nga vështirësitë që Dhomi kishte hasur gjatë marrjes së vizave për të performuar jashtë Kosovës. Në dramë, qytetarët britanikë përballen me pengesa të ngjashme për të udhëtuar, sikurse qytetarët e Kosovës tani.

Ideja për t’i kthyer frytet e punëtorisë së shkrimtarëve në podkast erdhi relativisht vonë gjatë procesit. Sidoqoftë, me anë të një granti për projekt, ishin në gjendje t’i prodhonin dramat dhe t’i inqizonin në Britani të Madhe me një kastë të përzier aktorësh britanikë dhe shqiptarë.

Maloku ishte e ngazëllyer kur e dëgjoi për herë të parë dramën e saj. “Aktorët ishin shumë të mirë; kanë sjellë pikërisht energjinë që kam menduar se duhet ta kenë personazhet e mia,” tha ajo. “Është kënaqësi e jashtëzakonshme kur e di se njerëzit e tjerë mund ta dëgjojnë dhe ta shijojnë punë time.”

Teatri në Britaninë e Madhe mund të jetë tejmase i izoluar. Megjithëse ndonjëherë vepra ndërkombëtare arrinë të shfaqen në skenë, zakonisht janë nga shkrimtarë dhe regjisorë të mirënjohur. Vepra të reja nga Evropa dhe më gjerë vazhdojnë të paraqiten rrallë dhe Ballkani është veçanërisht i nënvlerësuar. Andaj, Kenney shpreson se “Out of the Woods” do ta përmirësojë këtë realitet.

Ai është entuziast për t’i inqizuar dramat edhe në shqip dhe ka filluar një fushatë online për financimin e kësaj nisme. Gjithashtu, ka shumë punë në zhvillim e sipër. Kennedy tha se shpreson që ky të jetë fillimi i një projekti më të madh, i cili do të shkonte përtej Kosovës duke përfshirë shkrimtarë nga i gjithë rajoni. “Ky është projekt disa-vjeçar.” tha ai.

Dramat janë të qasshme në Spotify, për t’u dëgjuar nga njerëzit në të gjithë botën, por Mehanolli është më e gëzuar që njerëzit në vendin e saj do të kenë mundësi t’i dëgjojnë. “Shpresoj që njerëzve do t’u pëlqejë,” tha ajo, “dhe do t’i bëjë të qeshin.” 

Imazhi i ballinës: Intent New Theatre.