Biseda | Art

Driton Selmani: Në rajonin tonë, roli i artistit është të nxitë reagime

Nga - 19.06.2018

Artisti konceptual flet për flamuj të ofsajdit, xhaketa të mbijetesës dhe shmangien e përcaktimit sipas ideologjisë.

Driton Selmani flet me metafora dhe alegori, madje edhe kur e takon në rrugë. Nëse e nxitë pak, ai e shfaq humorin dhe mendimet e thella.

Llogaria e tij në instagram është bërë një ditar interesant nëpërmjet të cilit shohim se çfarë sheh ai në gjëra të vogla, si një furgon i bardhë i rëndomtë apo një karrige e thyer. Kjo është e rëndësishme, sepse në veprat e Selmanit, sendet e vogla dhe mitet delikate që kalojnë pa u dalluar ngriten në një vend ku është vështirë t’i injorosh.

Në një prej veprave që është duke i punuar aktualisht, Selmani lozonjar i ka zgjedhur disa qese të plastikes si sipërfaqe të punimit artistik, duke i rikontekstualizuar ato me kuptime të reja nëpërmjet vizatimeve apo mesazheve të shkruara në to. I gjunjëzuar në studion e tij, ai zgjatet për t’i marrë disa qese të plastikës transparente dhe plot ngjyra – si ato që i merr në kioska të vogla, e jo qeset kualitative të dyqaneve të mëdha.

Disa prej të cilave i shfaq para nesh përfshijnë ato që ai i quan “letra të dashurisë” nga bashkëshortja e tij – lista për blerje në dyqan, të cilat përfshijnë domate dhe tranguj, të rivendosura në sipërfaqe të qeses plastike të cilën e ka përdorur për t’i sjellë në shtëpi ato gjëra. Në fund zgjatet për ta marrë qesen e tij të preferuar, në të cilën shkruan: “Dorëzohem, por me flamurin tim”.

Aktualisht, Selmani është duke zhvilluar një seri të punimeve me qese të plastikës. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ishte pikërisht një flamur ai që e vendosi Selmanin në ndërgjegjen publike më herët gjatë vitit. Vetëm tri javë para dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ai e hoqi flamurin e madh shqiptar që valëvitej në rrethrrotullimin në hyrje të Prishtinës dhe e zëvendësoi atë me një flamur të madh të ‘ofsajdit’. Struktura e rombëve të kuq dhe të portokalltë që referi anësor zakonisht e shfaq në ndeshje futbolli për të treguar se lojtari është në pozitë jashtë loje, u valëvit për disa orë në Prishtinë, para se të hiqej nga autoritetet komunale.

Kjo vepër i provokoi plot njerëz, të cilët reaguan me kërcënime dhe komente nënçmuese. Por shumë qytetarë dhe politikanë e mbështetën veprimin, përfshirë këtu vet kryetarin e komunës së Prishtinës. Flamuri ‘ofsajd’ i Selmanit u ngrit në një kohë të antipatisë së madhe politike, dhe të entuziazmit të ulët publik për dhjetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Ngadalë po rritet interesimi i tij për ndërhyrje të mëdha publike. Vitin e kaluar, ai e krijoi një hajmali gjigante për t’u mbrojtur nga Syri i Ligë, dhe e kishte nderin na vendoste në portin e Amsterdamit, për ta mbrojtur kryeqytetin holandez nga shpirtat e ligë gjatë Amsterdam Light Festival.

Në vitin 2016, në Poligano a Mare (Itali), si pjesë e veprës së tij “Wanderlust”, Selmani e vendosi një xhaketë gjigante ngjyrë portokalli të mbijetesës në statujën e këngëtarit italian Domenico Modugno (i njohur për refrenin “Volare, cantare…”), duke e shndërruar atë në një migrant që sapo ka arritur në breg pasi i ka mbijetuar një udhëtimit të tmerrshëm.

Këtë muaj, Selmani u kthye në Galerinë Kombëtare të Kosovës me ekspozitën kolektive “Fog” (Mjegull), e cila u kurua nga Avi Lubin. Selmani u paraqit përkrah katër artistëve tjerë: Albert Allgeier, Fatmir Mustafa-Karllo, Gazmend Ejupi dhe Luan Bajraktari.

K2.0 u takua me Selmanin në studion e tij në Prishtinë për të folur për ofsajdin, mitet, mjegullën në të cilën sulmojnë ujqit dhe realitetin si konsensus.

K2.0: A e ke lehtë ta shpjegosh ofsajdin?

Driton Selmani: Ka shumë ofsajda. Ka ofsajd në sport, ka ofsajd në jetë reale dhe ka ofsajd që poashtu përfaqëson shoqëri dhe situata, apo situata të shoqërive, apo pozita të shoqërive, sepse secila shoqëri e ka një pozitë përkatëse apo gjindet në një pozitë përkatëse.

Kur e vendose flamurin e ofsajdit në rrethrrotullimin në Prishtinë, mesazhi ishte i drejtpërdrejtë. Si në futboll, a po ankohen qytetarët që referi anësor e ka ngritur flamurin, apo po e duartrokasin atë? Apo, siç ndodh në pothuajse të gjitha ndeshjet, i kemi të dy reagimet? Çfarë roli kanë ata në ofsajdin tënd?

Mendoj se roli i qytetarëve ishte si në futboll. Thonë se lojtarët kur luajnë si nikoqir e kanë një lojtar ekstra. Mendoj se unë e kisha një lojtar ekstra me mua sepse po e diskutoja idenë time me disa miq të afërt, dhe ata me të vërtetë më shtyen që ta realizoja.

Unë isha thjeshtë tipi që e ngriti flamurin, apo që e vendosi aty flamurin. Mendoj se pasi e bëra, e kuptova se isha një prej zërave që shumëkush deshi ta ngriste, dhe deshi të bënte çfarë bëra unë. Vepra ishte më e madhe se unë, ego ime dhe gjithçka përreth.

Si pjesë e punimit “Red Tape” (Shiriti i Kuq), Selmani e zëvendësoi flamurin e madh shqiptar në hyrje të Prishtinës me një flamur të madh të ‘ofsajdit’ në një ndërhyrje të vështirë publike. Foto nga artisti.

Shumëkush e përshkroi këtë vepër si shumë të qëlluar. Madje edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e pëlqeu ndërhyrjen – të paktën këtë përshtypje e dha me fjalët e tij… Sidoqoftë, komuna të gjobiti prapëseprapë.

Varet çfarë lloj artisti je apo ku jeton, por mendoj se roli i artistit në rajonin ku rri unë nuk është thjeshtë të jetë artist, por është gjithashtu të nxitë reagime. Në këtë rast, mendoj se e kam kërkuar nervin qendror të shoqërisë në mënyrë që… jo të provokojë, por ta vëjë në dyshim gjithë realitetin – ndonjëherë përfundojmë ashtu dhe thjeshtë rrimë të shtrirë në realitetin e gabuar.

Por sa i përket kryetarit, mendoj se atij thjeshtë i pëlqeu idea. Por sinqerisht, nuk kam qenë kurrë në kontakt me autoritetet, as me të majtën, e as me të djathtën, sepse jam shumë i budallë. Unë i përkas një ushtrisë dhe partisë së përbërë prej vetëm një burri – unë.

Ka artistë të cilët kërkojnë leje për të bërë ndërhyrje në hapësira publike. Por ju nuk e bëtë këtë. A mendoni se kur kërkon leje e delegjitimon veprën?

Ka artistë konformistë dhe jokonformistë. Unë mendoj se i përkas grupit të dytë. Unë kurrë nuk i negocioj idetë e mia me normat sepse të vendosin në jastekë të ndryshëm, me të cilët mund të kesh gjumë të mirë apo të keq. Mendoj se unë isha duke flejtë me jastëk të keq dhe prandaj e bëra. Po ta kisha një jastek të butë me pupla të patës, kurrë nuk do ta kisha bërë.

Për shkak të “Shiriti i Kuq”, komuna i dha dy gjoba për Selmanin dhe kompaninë që e zëvendësoi flamurin, në total 700 euro. Foto nga artisti.

Çfarë ndodhi me gjobën?

Departamenti i inspeksionit, i cili i përket komunës së Prishtinës, m’i dha dy gjoba. Njëra ishte për mua, si artist i cili shkaktoi “dëme në hapësirë publike”. Tjetra ishte për kompaninë të cilën e kam angazhuar [për ta zëvendësuar flamurin]. Ata e tërhoqën gjobën e madhe 500 euro [për kompaninë], por unë u detyrova ta paguaj gjobën time prej 200 euro, sepse më thanë se nëse nuk e paguaj, nuk mund të dalë nga vendi. Nuk mund të dal nga stadiumi (qesh). Duhej të paguaja për shkak se kisha shënuar autogol.

Çfarë mëndon për faktin se je detyruar ta paguash këtë gjobë?

Kam kafshuar. Nuk kam lehur, kam kafshuar. Kështu që e dija që do të ma kthejnë kafshimin. Isha i përgatitur. Por jam shumë i dobët në matematikë dhe financa dhe nuk e mendova sa do të kushtojë. Por e dija që, për shkak të Kushtetutës, nuk do të më burgosnin, sepse nuk kam dëmtuar apo kryer blasfemi ndaj ndonjë simboli të shtetit tim.

Çfarë mendoni për tërheqjen e gjobës së madhe? A është si lloj falje?

Pasi më morrën policia, ata ishin shumë të ashpër sepse menduan se jam aktivist i së majtës, apo të djathtës – nuk e di, kurrë nuk i kam kuptuar këto rryma politike. Pasi biseduam, ata e kuptuan se kjo ishte një vepër artistike – çfarë mënyre me e prezantu profesionin tim para policëve!

Pas kësaj, të gjithë po silleshin mirë me mua, nga inspeksioni e deri tek policia. Në bazë jozyrtare, të gjithë po e mbështesnin veprimin tim – në departamentin policor, në rrugë. Kudo që shkoja, të gjithë po më thonin se kam vepruar mirë. Por gjithashtu kam marrë kërcënime në rrjete sociale.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Çfarë kanë flamujt që nxisin ndjenja kaq të kundërta?

Varet çfarë flamuj janë. Të gjithë kanë simbole, semiotikë, ngjyra. Dhe tjerat janë… mendoj se është krejt bërllog. Sepse ata thjeshtë i përfaqësojnë ndjenjat e gabuara tek njerëzit. Flamujt përdoren si trampolinë për të zier ujë të zi dhe u ipen njerëzve si ushqim, për të ua shpërlarë trurin. Mendoj se flamuri është trik i magjistarëve.

Gjithashtu mendoj se përfaqësojnë krenarinë shumë të gabuar të njerëzve, sa i përket ndjenjave nacionaliste.

A ka krenari të gabuar dhe të drejtë? Çfarë është krenaria e drejtë?

Krenaria e drejtë? Nëse nuk tregon kurrë simbol apo ndarje. “E kuqja ime është më e kuqe se e jotja; e kaltërta ime është më e kaltërt se e jotja”. E kuqja është e kuqe dhe e kaltërta është e kaltërt. Shtylla është shtyllë.

Në ekspozitën kolektive “Mjegull” në Galerinë Kombëtare, keni pasur një vepër në të cilën disa doreza të kuqe të boksit ishin krejtësisht të mbështjellura me tel me gjemba. Ishte e kuqja ndonjë aludim i së kuqës së flamurit shqiptar apo identitetit shqiptar?

Jo. Arsyeja e vetme pse dorezat janë të kuqe është sepse të tilla përdoren në boks profesional, pra këto i ke në dyqane. Vepra është alegori e një eseje së shkruar nga Claude Lévi-Strauss, “Raw and the Cooked” (Gjallë dhe e Pjekur).

Librat e tij trajtojnë mite, e edhe unë jam duke trajtuar shumë mite rreth meje, pra vepra ka tendencë ta theksojë idenë e ushqimit që na servohet – ushqimi i realitetit, realiteti që unë e përjetoj çdo ditë.

Ndonjëherë është shumë liberale, ndonjëherë është shumë radikale, por asnjëherë nuk e kam kuptuar se cila është, pra është kombinim i të dyjave. E gjallë dhe e pjekur. Disa njerëz e hanë ushqimin të gjallë, e disa e pjekin.

Këtu në studion e juaj po e shohim një qese të plastikës të rrethuar në kornizë dhe në të shkruan “Realiteti është një konsensus”. A lidhet ajo vepër me këtë konsensus? A ka situata në të cilat ju duhet të pranoni realitete të pakëndshme dhe ta themeloni një konsensus?

Mendoj se shumë shpesh nuk të bie as të zgjedhësh mes ushqimeve të gjalla dhe të pjekura. Njohim njerëz të cilët jetojnë në zona ku mund të hanë vetëm ushqim të gjallë, dhe e dimë gjithashtu se dy të tretat e ushqimit që shërbehet në ekonomi shumë të zhvilluara nëpër botë përfundon në bërllog. Nuk është idea se çfarë mund të zgjedhësh, por çfarë të shërbehet.

Nuk e di nëse lidhet me vepra tjera artistike, por për mua realiteti është një konsensus, sepse unë jetoj me shumë versione të vetes brenda meje, me shumë Dritona, të cilët realisht nuk e pranojnë realitetin. Gjithashtu jetoj me shumë lëndë të errët dhe mitologji. Ne duhet të bëjmë konsensus.

Po flasim pak për simbole, si flamujt. Dua të flas për një simbol që e keni përdorur në instalacionin “Eye to Eye” (Sy më Sy) që ishte pjesë e Amsterdam Light Festival në vitin 2017. Ishte një hajmali e madhe për t’u mbrojtur nga Syri i Ligë dhe ti e vendose në portin e qytetit. Ky simbol daton në kohën e Mesopotamisë dhe është relevant në religjione të ndryshme, nga budizmi te islami dhe krishterizmi. Këtë herë u shfaq në një qytet shumë multikulturor. A mund të paraqitet kjo vepër në ndonjë qytet të Kosovës, ta mbrojë ndonjë qytet të Kosovës?

Ndoshta mundet. Nuk e kam menduar asnjëherë idenë se si mund të qëndrojë syri në Amsterdam apo këtu apo kudo. Siç the, Amsterdami është shumë multikulturor, kështu që thjeshtë mendova si mund të jap diçka që ofron mbrojtje shpirtërore për qytetin.

E vetmja dhuratë që më erdhi në mend ishte mbrojtja nga Syri i Ligë. Doja që Amsterdami të ishte i sigurt. Mendoj se syri… kur e panë njerëzit, me të vërtetë i bënte të ndjenin diçka. Ndoshta njerëzit nuk e kuptuan saktësisht këtë ndjenjë… por ai sy të shikon, komunikon me njerëz. Ishte vepër artistie e shkallës së lartë dhe ishte e vendosur në një vend të mirë.

Në Kosovë, në kontekstin e Kosovës… pse jo? Ndoshta edhe neve na vynë [ajo mbrojtje], por na vynë më shumë se një sy!

Ky simbol lidhet edhe me Islamin, si pjesë e Dorës së Fatimës. A e merrni parasysh këtë lidhje në ndonjë mënyrë?

Nuk kam menduar asnjëherë ta lidhi me ndonjë religjion, sepse për mua simbolet përfaqësojnë gjëra përtej religjionit dhe Syri i Ligë nuk i përket ndonjë kulturës specifike. Është i përhapur në të gjitha vendet e botës. U gjet njëkohësisht në vende të ndryshme.

Po kërkoja dizajne industriale nga e kaluara, sepse po mundohesha t’i rikrijoja dhe t’i vendosja në kontekstin e kohës së tashme. Për mua Syri i Ligë ishte pop ikonë para se ta vendoste [Andy] Warhol apo dikush tjetër pasqyrën në pop ikona. Pra mendova, ok, ta gjejmë një ikonë nga kohët aziatike. Kishte simbole tjera, por Syri i Ligë ishte vegël për ta mbrojtur qytetin, i cili ka nevojë për mbrojtje shpirtërore.

Kjo vepër transmeton mbrojtje shpirtërore, por shumë prej veprave të juaja lidhen me këtë ide të ruajtjes së status kuosë dhe njëkohësisht ruajtjes së elementeve të rrezikshme që nuk duhet të jenë aty. Janë të bashkuar në një pezullim të qëndrueshëm, një balanc të rrezikshëm. Pra, duke iu referuar një prej veprave të juaja më të vjetra, a mund të mbahen realisht dy bostanë me një dorë?

Unë e kam gjetur veten në situata ku jam munduar të përdori vegla apo të prodhoj punime artistike që përshkruajnë gjëra që njerëzit thjeshtë i thonë dhe e ilustrojnë të flajëpërfjalshmën. Mundohem ta heqë këtë të fundit nga ai kontekst dhe ta shohë se si do të dukej realisht. Ndoshta mbajtja e dy bostanëve me një dorë, siç më tha një mik i imi, është një imazh që duhet të ja kujtoj vetes çdo ditë.

“Nuk mundesh me i mbajtë dy bostanë me një dorë” është shprehje shqiptare të cilën Selmani e manifesoi në veprën e tij. Foto nga artisti.

Për shkak se mund të funksionojë apo nuk mund të funksionojë?

Sepse mendoj që shpeshherë jam në atë situatë. Por në fakt mund të funksionojë! Mundet për një milisekond. E kam provuar dhe ka funksionuar! Dhe i kam thyer dy bostanë. Ndoshta ndonjëherë kur provon diçka për vetëm një sekond, e gjen një shpjegim për atë se si duken gjërat nga ana tjetër.

Me të lexuar më shumë për këtë vepër, mësuam se dy bostanët lidhen me historinë bashkëkohore të Kosovës dhe statusin e saj ndërmjet periudhave, regjimeve, duke lëvizur para drejt kësaj të ardhme premtuese. Ndoshta nuk mund t’i mbash dy bostanë me një dorë… mund t’i vendosësh një mbi një për një milisekond… por a mund të zgjatë shumë ky realitet?

Jo, jo, jo. Nuk mundet. Por nuk është natyrale t’i vendosësh dy objekte sferike një mbi një. Rregulla e gravitetit nuk të lejon për shkak të peshës. Por ndonjëherë jam aq budalla. Flas me babin tim dhe ai veç më përqeshë. Kur i shpallë luftë gravitetit, nuk fiton, sepse graviteti është diçka që nuk mundesh me ndryshu.

Por, kur mundohesh ta kuptosh dhe ta dekodosh, mund të fitosh njohuri për gjëra tjera. Mendoj, ndonjëherë bën diçka duke u munduar t’i mbash dy bostanë me një dorë, duke u munduar me e vendosë diku hajmalinë kundër Syrit të Ligë, duke u munduar ta krijosh një flamur të ofsajdit dhjetë metra të gjatë. Nuk bën gjithçka, por bën diçka.

Ndoshta ky është misioni i artistëve. Misioni i artistëve nuk është për ta ndryshuar gjithë botën, por për t’u munduar me i djegë disa flamuj të vjetër, me i heq disa flamuj, me i shënu disa autogola. E kupton? Për t’u zgjuar disi nga ëndrra, për t’i lëvizur gjërat.

Një punim i juaji, “Call it fate, call it karma” (Quaje fat, quaje karma), i paraqet dy këmbë që bëhen një dhe hynë në një këpucë që nuk është as për këmbën e djathtë, as për të majtën. Duke shkruar për të, Vincent W.J. van Gerven Oei e krahason me Oedipus Rex, në të cilin karakterit kryesor ja shpojnë këmbët dhe ja lidhin kur është foshnje për ta parandaluar atë për të mos u zvarritur lartë e poshtë. Ai e quan “këpucë centriste post-ideologjike” dhe “balancim i rrezikshëm”. Pra a është rrezik i madh kur “nuk je me asnjërën anë”?

Është rrezik shumë i madh!

Mendoj se Vincent e lexoi shumë mirë veprën dhe u mundua të vendosë në kontekstin e kohës dhe vendit ku u ekspozua. Për herë të parë vepra u ekspozua në Tiranë (në Qendrën Kulturore Tulla) në vitin 2015, kështu që ndonjëherë punimet ekspozohen gjithashtu me kulturën përreth.

Idea e kësaj vepre është ekstraktim i thënies shqiptare “i ka vënë të dy këmbët në një këpucë”, që do të thotë se është duke ecur në mënyrë të kontrolluar. Kontrolli ushtrohet nga tjetër kush, sigurisht, dhe ai tjetër kush mund të jetë gruaja, miku, prindi, partneri, kryeministri, shefi…

Desha ta ngrija atë moment dhe ta quaja fat apo karma. Sepse mund të jenë dyjat, nëse ndodhë kjo. Ndoshta për shkak se nuk e ke mbrojtur veten para dikujt, apo i ke keqpërdorur këmbët, apo nuk e ke pranuar stilin tënd të ecjes apo rrugën.

Për veprën “Call it fate, call it karma” Selmani e krijoi një këpucë që nuk është as për këmbën e djathtë, e as të majtën. Këtë e bëri në një fabrikë të këpucave në Suharekë. Foto nga aritsti.

Në Kosovën e sotme, është vështirë ta kuptosh kush është brenda cilave etiketa, ideologjikisht.

Ky është rasti im i studimit, dhe Raw and the Cooked” e trajton këtë, sepse për mua tani… unë nuk e di cila është e majta dhe cila e djathta… kush po më godet me boks e kush po më vendosë tel me gjemba në lëkurë. Është kombinim i kësaj dhe i gjithë instalacioni funksionon gjithashtu si shkurre, pra lidhet me të.

Mendoj se është njejtë për artistë tjerë. Shpeshherë shohim vepra që nuk e vendosin artistin në pozitën e majtë apo të djathtë, por kanë kuptim “neutral”, dhe nuk janë në asnjërën anë.

Por ke artistë shumë, shumë, shumë të mirë të së majtës, apo artistë-aktivistë të së majtës, apo kolektivë të artistëve të së majtës, apo njerëz që bëjnë veprime por nuk e quajnë veten artistë. Gjithashtu ke artistë interesantë të krahut të djathtë. Nuk di shumë për këtë sepse unë nuk mundohem t’i përkasë ndonjë ideologjie.

Por a është e mundur kjo? Të mos i përkasësh ndonjë ideologjie?

Mendoj se është shumë e mundshme. Pse t’i përkasësh ndonjë ideologjie? Mund të jesh ideologjia jote. Siç thash më herët, kam shumë gjëra në mendje të cilat luftojnë me njëra tjetrën, kështu që unë i përkas ideologjisë sime dhe gjërave që i kam të afërta, të cilat disi mundohen të më mbulojnë. Unë i përkas tregimeve rreth meje.

Vepra “My country on my back” (Shteti im mbi shpinën time) paraqet disa thika të cilat janë të varura në ballona të brishtë të mbushur me helium. Pra përsëri janë dy elemente të cilat nuk duhet të jenë të bashkuara, duke e ruajtur një balanc të rrezikshëm. Është një element i rrezikut konstant i pranishëm në mesin e figurave që janë shumë të kundërta me njëra tjetrën, por prapëseprapë bashkëjetojnë. Ky pezullim është përsëri një alegori e politikës, e sociales, që nuk po ndryshon. Vepra me flamur e sfidoi këtë status kuo duke e bërë të qartë. A mendoni ta sfidoni më tej këtë pezullim? Ta thyeni pezullimin?

Mendoj se vepra “Shteti im mbi shpinën time” është lloj poezie. Jam shumë i dobët në të shkurar poezi, por mundohem të bëjë objekte fizike që janë poezi. Për mua është si vallëzim, sepse thikat, pezullimi dhe teli, e kanë një tension dhe lëvizin rreth e rrotull.

Në veprën “My country on my back” Selmani vari thika të krijuara me punë dore në ballona të mbushur me helium. Foto nga artisti.

E sheh një thikë dhe harron që e ke një thikë edhe mbrapa. Kështu filloi gjithçka dhe simbolet nuk janë përsëritëse, por unë i zgjedhi për shkak të kuptimeve që i kanë. Ndonjëherë e zgjedhi “Raw and the Cooked”, e ndonjëherë e zgjedhi heliumin dhe thikat (dhe ta keni parasysh që heliumi nuk qëndron për kohë të gjatë…).

E ke gjithashtu një vepër tjetër në Itali, “Wanderlust”, në të cilën e ke vendosur një xhaketë gjigante të mbijetesës në skulpturën e Domenico Modugno…

Më ftuan për një solo shfaqje në Polignano a Mare në Itali. Atje mësova se aty afër u gjet një anije me më shumë se 200 emigrantë të cilët veçse kishin vdekur brenda në anije në kohën kur ajo u gjet. Ata vdiqën nga dehidrimi sa ishin duke lundruar. Të gjithë trupat e vdekur kishin xhaketa të mbijetesës. Ata nuk vdiqën për shkak se nuk mund të notonin, por për shkak të ditëve që kaluan në det.

Në këtë qytezë është një statujë e madhe e Domenico Modugno, i cili e këngon atë këngën e njohur “Volare, cantare”. E kanë një statujë të madhe të tij [me duar të hapur dhe detin prapa], dhe për mua kjo përfaqësonte diçka tjetër në atë moment. E krijova një xhaketë të madhe të mbijetesës me disa miq dhe ja vesha statujës. Ka kuptim sepse ai duket sikur ka ardhur prej detit duke thënë “Mbijetova. Unë jam emigrant”.

Modugno e pëlqente shumë udhëtimin dhe ‘Wanderlust’ do të thotë dëshira për të udhëtuar. Desha të ua përçoja këtë pyetje italianëve: Si do të ndjeheshit po të ishte një italian emigrant dhe të vinte këtu dhe jo vetëm ndonjë i rëndomtë, por një shumë i famshëm si Domenico Modugno?

U grinda me një turist deri sa isha duke e veshur statujën sepse më thoshte që ja prisha mundësinë për të bërë fotografi, por italianëve vendas u pëlqeu shumë veprimi im dhe ata kërkuan që të mos e heqi. Policia e heqi pas pak, por të gjithë e pëlqyen dhe në fund u shkrua një recension në revistën Flash Art – kjo është diçka shumë e mirë për mua.

Vepra “Wanderlust” e Driton Selmanit është thirrje për ta rimenduar konceptin e migrantit. Foto nga artisti.

Mendoj se e përçoi një mesazh. Unë kërkoj veprime të vogla domethënëse. I kërkoj nervat e shoqërisë për t’i prekur ato, që njerëzit ta kuptojnë pse është kështu, apo pse Modugno e ka të veshur një xhaketë gjigante.

Kurrë nuk mundohem ta përdori fatkeqësinë e dikujt dhe të riprodhojë vepra artistike që më përfaqësojnë mua. Më pëlqen ta vendosi fatkeqësinë në ekran të madh, por jo me emrin tim. Nuk dua t’i blejë 10,000 xhaketa të mbijetesës si Ai Weiwei dhe ta bëj një punim artistik që shitet shumë. Jo, e urrej këtë.

Shumë prej veprave të juaja janë ekspozuar më shumë jashtë vendit se këtu. Pse ndodh kjo? A është për shkak se Kosova nuk e ofron këtë platformë apo…?

Kësaj pyetje nuk mund t’i përgjigjem. Është pyetje për njerëz të cilët punojnë me krijimin e ekspozitave në Kosovë. Unë nuk e kuptoj dhe nuk e kam kuptuar kurrë. Por ende ka shumë trampolina.

Nëse të mungojnë mundësitë këtu, kërkon mundësi tjetër kund. Nëse këtë trampolinë e përdorë një fëmijë tjetër, e gjen ti një trampolinë tjetër. Nëse topin e basketbollit janë duke e përdorur ata lojtarët muskuloz gjysëm të zhveshur, atëherë largohesh. Ose shkon dhe e prodhon një sallë të basketbollit.

Ndoshta lidhet me gjuhën që e përdori gjatë krijimit të artit, me llojin e artistit që jam unë. Nuk e mbaj mend herën e fundit që kam ekspozuar punimet e mia në Kosovë.

Sa i përket gjeneratave të artistëve bashkëkohor, ju jeni lindur në 1987 dhe jeni pak më i ri se ata që konsiderohen si gjenerata e parë e artistëve bashkëkohor. A ndiheni më ndryshe nga ajo gjeneratë dhe çfarë mendoni se ju dallon nga ajo gjeneratë e artistëve?

Jam mjaft ndryshe për shkak të shumë elementeve. Fillimisht, nuk jam rritur në një zonë urbane, por jam rritur në një fshat në Kaçanik. Kjo dhe koha kur jam rritur kanë patur ndikim. Kur unë hyra në botën e artit, këta artistë veç se ishin të arritur. Unë i studiova ata dhe u mundova ta inkorporoj historinë time në art.

Gjithashtu, ata filluan pa internet, e unë me internet. Artistët e internetit dhe artistët para internetit kanë qasje shumë të ndryshme, si dhe elemente tjera të cilat mendoj se më dallojnë mua nga gjenerata e dytë.

Pjesa më e madhe e artistëve të gjeneratës së parë ishin miq mes vete dhe kishin një gjuhë të ngjashme. Unë? Ndoshta as unë nuk jam aq më ndryshe…

Duke marrë parasysh perspektivën tënde, shpeshherë humoristike dhe të pafajshme: tani që ke krijuar familje, a të ka ndryshuar qasja ndaj artit?

Ka ndryshuar gjithçka. Tani arsyet pse bëj punime artistike të shkallës së ulët apo të lartë është për shkak të situatës në të cilën gjindem me familjen time. Ata kanë shumë nevojë për mua dhe unë nuk mundem thjeshtë ta bëjë banesën time studio dhe të pikturoj, sepse duhet të jem i kujdesshëm me fëmijët.

Të kesh fëmijë është sikur të kesh një galerist. Ata të bëjnë presion për të prodhuar dhe për të qenë më produktiv. Dhe kështu mëson, sepse ata fillojnë të ecin dhe të folin dhe të shtrojnë pyetje. Audienca ime e parë janë fëmijët e mi. Ne bëjmë bukë së bashku, por një pjesë e bukës shkon tek prodhimi i artit.

Driton Selmani mundohet t’i përdorë përvojat e tij personale për të krijuar punime artistike. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Veprat e juaja ndoshta kanë lidhje fluide me emocionet dhe ne nuk jemi mësuar t’i shohim burrat duke shfaqur kaq shumë emocione. A e keni të lehtë në këto rrethana të flisni për emocionet personale?

Unë nuk derdhi lot dhe nuk tregoj se si qaj, por mundohem ta nxjerrë ndjenjën nga lotët dhe ta shtojë ndonjë element që ta përfaqësojë. Mendoj se bën diçka për shoqërinë, sepse tregimet e sinqerta gjithmonë janë tregime të mira. Varet vetëm se a mund ta vendosësh në një nivel ku mund të komunikosh me audiencën.

Çka ka më mirë se përvojat personale? Mundohem të lexoj tregime tjera dhe janë shumë të mira, por nuk janë tregimet e mia. Pra përvoja personale është gjithëmonë pikënisja më e mirë. Nuk nis nga gënjeshtra. Të jesh burrë në Kosovë që tregon tregime reale dhe të sinqerta, kjo është platformë shumë e mirë që promovon kulturë të mirë.

Në një prej veprave të juaja në ekspozitën “Mjegull”, e keni shfaqur një hartë në të cilën Kosova paraqitet nën ujë. Për këtë je frymëzuar pjesërisht nga koha që e ke kaluar në Angli para disa viteve, kur njerëzit nuk dinin se ku është Kosova. Dua Lipa ndoshta i ka ndihmuar britanezëve për ta gjetur më lehtë Kosovën, por… a ka më shumë mjegull sot në Kosovë? A do të hiqet mjegulla?

Ne prodhojmë shumë mjegull në Kosovë. Ndotje dhe mjegull me kuptimin e plotë të fjalës. Është vetëm një gjë. Ne nuk kemi mjete për ta hequr mjegullën dhe nuk na ndinë për mirëqenien e ambientit dhe ndotjen politike, kështu që veç po shtojmë gjithnjë më shumë shtresa të mjegullës. Mendoj se nëse e sheh Kosovën pas dhjetë viteve, mjegulla do të jetë edhe më keq, sepse është duke ndryshuar – shtresë pas shtrese të së keqës, dhe tani bëhet e shëmtuar. Sipas meje, ndoshta ne kemi mjegull më të dendur.

Pra si ta heqim mjegullën?

Kur ka mjegull në luginë, duhet të dalësh, të ecësh, të ngjitësh në mal dhe ta shikosh luginën prej lart, ta shohësh vendin nga një kënd tjetër, jo vetëm nga një pikëpamje. Takoj shumë shokë të cilët më thonë se nuk janë larguar nga Prishtina me muaj. Unë kam fatin që gjysma e familjes sime jeton 40 km larg qytetit dhe unë i vizitoj shpesh. Nuk e ndërroj vetëm lokacionin, por edhe mendimet. Ky studim i realiteteve paralele nuk na ndihmon vetëm për ta hequr mjegullën, por na ndihmon për të mos prodhuar më shumë mjegull.

Në shqip thuhet se ujkut i duhet mjegulla për të sulmuar dhe se vetëm ujqit mbijetojnë në mjegull. E çka nëse 90 përqind e shoqërisë nuk janë ujqi dhe nuk duan të jenë? Duhet të kemi balancim të faunës në këtë rajon. Si do të ishte po të kishte vetëm ujqi? Një tregim i mirë për tu treguar fëmijëve para se te flenë.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.