Pikëpamje | Serbia

Duhet të flasim për Serbinë

Nga - 16.03.2022

Heshtja e BE-së rreth mbështetjes së Serbisë për Rusinë është e tepërt. 

Serbia është vend kandidat për në Bashkim Evropian (BE), vend i cili nga Brukseli konsiderohet që po prin kur është fjala për anëtarësim në BE. E në të njëjtën kohë, qeveria serbe po refuzon ta sanksionojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës, opinioni publik serb dhe shtypi po e mbështesin në mënyrë masive Rusinë dhe pak më parë Beogradi u bë qyteti i vetëm në Evropë ku mijëra qytetarë dolën në rrugë në mbështetje të Rusisë dhe Vladimir Putin. Derisa vendet e BE-së i kanë ndaluar fluturimet për në apo nga Rusia, Air Serbia i ka dyfishuar fluturimet për në Moskë, duke ofruar një korridor të sigurt kryesisht për rusët e pasur të hyjnë në Evropë.

Qëndrimin pro-rus të Serbisë, shumë ia atribuojnë vëllazërisë ortodokse të përfolur shpesh apo faktit që NATO bombardoi Serbinë për 78 ditë, në vitin 1999. Cilado qoftë arsyeja, gjatë dekadës së fundit, qeveritë e njëpasnjëshme në Serbi, shpesh duke përfshirë ish-ministra nga regjimi i Milošević, kanë qenë në mënyrë aktive pro Kremlinit. Ndër ngjashmëritë e tjera mes Rusisë dhe Serbisë janë përpjekjet e tyre të vazhdueshme për destabilizimin e vendeve fqinje dhe narrativat e tyre të shtrembëruara për veten.

Për shembull, Putini e ka përsëritur disa herë se nuk e sheh Ukrainën si një shtet të vërtetë, por thjesht si një territor për t’u rrëmbyer. Po ashtu ai pretendon se Rusia e Kievit mesjetar përfaqëson thelbin e Perandorisë Ruse. Dhe pas pushtimit rus të Ukrainës, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov po pretendon se Rusia “nuk ka sulmuar askënd”.

Ngjashëm, në narrativën serbe, Kosova konsiderohet djepi i kombit serb, një pikëpamje që është ruajtur në kushtetutën e tanishme serbe. Arsyetimi për brutalitetin e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1998 dhe 1999 ishte se ka qenë e nevojshme të mbroheshin serbët e Kosovës dhe toka e shenjtë e kombit serb. Të dy rrëfimet e portretizojnë aktin e pushtimit ose okupimit si rikuperim apo ruajtje të vetë thelbit të kombit.

Për më tepër, ashtu siç Putin e sheh si kërcënim për Rusinë anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO, ministri i brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin e sheh anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në NATO si kërcënim për Serbinë. Si në Rusi ashtu edhe në Serbi, narrativa mbizotëruese është se po luftojnë, pothuajse të vetme, kundër zgjerimit të NATO-s dhe agresionit imperialist perëndimor. 

Ndërhyrja e NATO-s kundër Serbisë gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999 u përdor si një pretekst cinik për një sërë veprimesh që Putin ndërmori pastaj në përpjekje për ta ruajtur statusin e dyshimtë të Rusisë si superfuqi. Në vitin 2008 ai de facto aneksoi Abkhazinë dhe Osetinë Jugore nga Gjeorgjia, pas një politike të gjatë ekzistuese “passportizacija” (në shq. pasaportizimi) që i pajiste gjeorgjianët rusisht-folës me pasaporta ruse. Aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe ndërhyrja e saj ushtarake në Siri në vitin 2015 ishin në një masë të madhe akte që synonin ta forconin luftën e Rusisë kundër Perëndimit.

Gjatë 20 viteve të fundit, BE ka heshtur ndaj ndërhyrjes së Serbisë në Bosnjë dhe Hercegovinë e Kosovë.

Normalisht, fuqia e Serbisë as që i afrohet asaj të Rusisë. Megjithatë, gjatë 20 viteve të fundit, Serbia rregullisht ka përkeqësuar konfliktet e stërzgjatura politike në rajon, kryesisht në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Këtë e bën duke e mbështetur haptazi, Milorad Dodik, mohuesin e gjenocidit dhe udhëheqësin separatist të Republika Srpska. Këtë e bën duke e penguar në mënyrë aktive integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Këtë e bën duke nxitur tensione etnike në veri të Kosovës dhe përmes fushatës së bashkërenduar që vendet e tjera ta çnjohin pavarësinë e Kosovës.

Gjatë 20 viteve të fundit, BE ka heshtur ndaj ndërhyrjes së Serbisë në Bosnjë dhe Hercegovinë e Kosovë. Madje, e ka shpërblyer qeverinë serbe duke e mbështetur për rolin udhëheqës të saj në agjenda të rëndësishme rajonale, përfshirë këtu Procesin e Berlinit dhe nismën “Ballkani i Hapur”.

Tërë kohën, Rusia është bërë gjithnjë e më e pranishme në rajon, duke i përkeqësuar shqetësimet se kërkimi i saj për luftë hibride do të bëhet tipar i përhershëm në konfliktet e stërzgjatura të Serbisë lidhur me Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën. Pushtimi rus i Ukrainës vetëm se u ka dhënë më shumë shtysë Dodik dhe Vučić, si dhe mbështetësve të tyre. Për shembull, më 12 mars, anëtarët vendas të klubit rus të motoçiklistëve Night Wolves (në shq. Ujqërit e natës) —  një grup që mori pjesë në aneksimin e Krimesë dhe të cilit shpesh i referohen si “Putin’s Angels” (në shq. Engjëjt e Putinit) — mbajti protestë në Banja Luka në mbështetje të Rusisë.

Autoritarizmi i Vučić është më i dukshëm pikërisht në peizazhin e tanishëm medial serb.

Në politikën e tij të brendshme, Vučić është kritikuar për autoritarizmin e tij, monopolizimin e mediave, korrupsionin në projektet e mëdha publike dhe për inkurajimin e mohuesve të gjenocidit. Në vitet 1990, Vučić ka shërbyer si ministër i informacionit gjatë regjimit të Milošević dhe në atë kohë ka zbatuar një nga ligjet më kufizuese të medias në Evropën e shekullit XX. Këtu përfshiheshin gjoba për gazetarët që kritikonin Milošević, ndërprerje të rrjeteve të huaja televizive, konfiskim të pronës së kompanive mediale nëse nuk i paguanin gjobat si dhe akuzim të disa redaktorëve të gazetave të pavarura për “shpërndarje të dezinformimit” sepse u referoheshin shqiptarëve që kishin vdekur në Kosovë si “njerëz” dhe jo si “terroristë”.

Ndoshta joçuditërisht, autoritarizmi i Vučić është më i dukshëm pikërisht në peizazhin e tanishëm medial serb. Shumica dërrmuese e mediave serbe janë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi të lidhura me qeverinë serbe, duke përfshirë edhe mediat dikur të pavarura si B92.

Si rezultat, më 24 shkurt, ditën kur Rusia pushtoi Ukrainën, ballinat e disa gazetave serbe njoftuan se Ukraina kishte sulmuar Rusinë. Që atëherë, ata e përsërisin këtë pretendim, duke lavdëruar Rusinë për mbrojtjen e “botës Lindore” nga kërcënimet e ShBA-së dhe përhapjen e teorive konspirative se amerikanët po mbledhin ADN-në e rusëve për të zhvilluar një luftë biologjike.

Një prej këtyre gazetave së fundi ka botuar një opinion të shkruar nga Radovan Karadžić, lideri i kohës së luftës i Republika Srpska, i cili tani po vuan dënimin e përjetshëm pasi ishte paditur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Përveç kësaj, në mes të marsit, ministri i brendshëm serb Vulin bëri homazhe te varri i Slobodan Milošević. Shumë komentues nga Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina e quajtën këtë një fyerje për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit e krimeve të tij. Vetë Vucić ka deklaruar se  Milošević ka bërë disa gabime, por se nuk ka qenë njeri i keq.

BE-ja duket e pavëmendshme ndaj kthesës autoritare të Vucić në vend.

Është koha që BE-ja e dhe ShBA-ja, ta adresojnë kthesën një-dekadëshe autoritare të Serbisë.

Më 3 prill, Serbia do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale dhe shumica e sondazheve tregojnë mbështetje dërrmuese për Vučić dhe elitat e tanishme në pushtet. Por ka arsye për t’u shqetësuar edhe për disa nga kundërshtarët e Vučić. Kreu i një partie opozitare, Mlađan Đorđević, si shenjë e mbështetjes së tij për Rusinë, miratoi si pjesë pamore të fushatës së tij shkronjën Z, simbolin e ngjyrosur nëpër pajisjet ushtarake ruse që pushtuan Ukrainën. Teksa BE-ja po punon për ta kundërshtuar bashkërisht agresionin rus kundër Ukrainës, ka qëndruar rrezikshëm e heshtur përballë veprimeve të Serbisë.

Edhe Victoria Nuland, një diplomate e lartë amerikane, së fundmi falënderoi Serbinë “për mbështetjen e saj për Ukrainën, përpjekjet e vazhdueshme në adresimin e krizës humanitare dhe përkushtimin ndaj stabilitetit rajonal”. Gjatë vizitës së saj të fundit në Serbi, ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock tha: “Ne duam që në të ardhmen, Serbia të bëhet një anëtare e plotë, e barabartë dhe e lirë e Bashkimit Evropian”.

Më 13 mars, Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën, një fraksion politik në Parlamentin Evropian, i bëri thirrje Komisionit Evropian që veprimeve të fundit të Serbisë, t’i përgjigjet me ndaljen e integrimit të saj në BE. Megjithatë, në diskursin e zyrtarëve të BE-së, apo atyre që flasin në emër të BE-së, duket pothuajse sikur nuk ka asnjë lloj ndërgjegjeje për veprimet e Serbisë gjatë dy javëve të fundit në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës, apo në dy dekadat e fundit në politikat e saj të brendshme dhe rajonale.

Është koha që BE-ja e edhe ShBA-ja, ta adresojnë kthesën një-dekadëshe autoritare të Serbisë, mbështetjen e saj aktive për pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe nxitjen e përpjekjeve të Rusisë për destabilizimin e Ballkanin Perëndimor. Nëse as BE-ja dhe as ShBA-ja nuk e sfidojnë statusin e Serbisë si kryesuese për anëtarësimin në BE, mesazhi për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor do të jetë se nxitësit e luftës, mbrojtësit e gjenocidit dhe autoritarët do të shpërblehen nga BE-ja.

Imazhi i ballinës: K2.0