S`fundmi | Politika

Dy herë kryeministër i ndërprerë nga Haga

Nga - 23.07.2019

Përmbledhje e dorëheqjes së Haradinajt qe zuri të gjithë në befasi.

Në prag të fundjavës së kaluar, më 19 korrik, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tronditi të gjithë kur në një konferencë për media shpalli se jepte dorëheqje të parevokueshme. Kjo erdhi si rezultat i  një ftese që ka pranuar nga Dhomat e Specializuara tё Kosovёs me seli në Hagë, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale, e cila do të hetojë krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, në periudhën 1998-2000.

Lajmin për dorëheqjen e tij e dha vetë Haradinaj, pasi që paraprakisht e kishte lajmëruar edhe kabinetin e tij qeveritar. Ai tha se në Hagë është ftuar në cilësinë e të dyshuarit, ndonëse akoma nuk është bërë e ditur nëse ka ndonjë aktakuzë kundër tij.

Gjatë fjalimit, Haradinaj u deklarua edhe për një nga vendimet më kontradiktore dhe popullore të tij si kryeministër – atë të taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës që e kishte vendosur në nëntor 2018, për të cilën tha se do të mbetet në fuqi. Por Haradinaj pohoi se nuk dëshironte që në Hagë të shkonte si kryeministër, sepse vlerësonte se ashtu do ta dëmtonte shtetin e Kosovës, prandaj ka vendosur që atje të shkojë vetëm si qytetar i zakonshëm.

“Mendoj se me ketë dorëheqje qeveria në dorëheqje i kryen detyrat e veta deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të lira. Tani përgjegjësia kalon te presidenti që ai të fillojë konsultat dhe të caktojë datën e zgjedhjeve me partitë politike. Ato janë afate kohore kushtetuese,” tha ai në konferencën për media.

Bashkë me Haradinajn në këtë valë u ftuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, këshilltar i Presidentit Thaçi; ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryetar i Kuvendit, Jakup Krasniqi; si dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm, Sokol Bashota, ish-kryetar i Komunës së Klinës. Paraprakisht, nga Gjykata Speciale janë ftuar edhe të tjerë, përfshirë kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtaku nga PDK-ja dhe ish-komandatin e UÇK-së nga Zona e Llapit, Rrustem Mustafa-Remi të PDK-së, deputetin nga AAK-ja dhe ish-komandant i UÇK-së nga rajoni i Suharekës, Blerim Kuçi, si dhe të tjerë. 

Dhomat e Specializuara janë themeluar në gusht 2015 nga Kuvendi i Kosovës përmes amandamentimit të Kushtetutës dhe funksionojnë në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës. Dhomat e Specializuara janë të vendosura në Hagë dhe nëpërmjet tyre synohet që të sigurohet një proces sa më i rregullt dhe të ofrohet siguri për dëshmitarët e mbrojtur. Shpenzimet për funksionimin e tyre janë marrë përsipër nga Bashkimi Evropian. 

Reagime kontradiktore nga qarqet politike

Menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt erdhën reagimet e para.

Presidenti Hashim Thaçi, përmes llogarisë së tij në Facebook tha se “vlerat e lirisë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund t’i cënojë askush”, ndërsa në vitin 2015 ai kishte nxitur ratifikimin për themelimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovë. Kurse, në lidhje me hapat e ardhshëm politikë, ai shtoi: “ju siguroj se do të veproj bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë.”

Partneri më i madh i koalicionit, kryetari i PDK-së dhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në një konferencë për media tha: “vendimi i ish-kryeministrit për dorëheqje është vendim personal dhe si të tillë e kemi pranuar, pavarësisht që për këtë nuk kemi pasur asnjë njoftim ose konsultë paraprake.”

Në fakt, që të dy, Veseli dhe Haradinaj, vijnë nga një periudhë polemikash në distancë në lidhje me çështjen e taksës, insistimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë për heqjen e të cilës e ka mbështetur Veseli, por jo edhe Haradinaj.

Në fakt, pati edhe polemika mes tyre pasi që Haradinaj pretendonte se Rama i kishte bërë presion për heqjen e taksës.

Veseli, i cili ishte në vizitë pune në ShBA në momentin e dorëheqjes së Haradinajt, kishte thënë se nuk do të lejonte që forma në të cilën komunikon Haradinaj me Serbinë të bartet njëtrajtshëm edhe me ShBA-në dhe BE-në. “Ky është dallimi mes meje dhe kryeministrit Haradinaj,” tha ai. Si përgjigje, kryeministri Haradinaj nga Prishtina e cilësoi deklaratën e Veselit si të ulët dhe servile. “Është e turpshme të bësh asimetri të qasjes me Serbinë e me Amerikën,” tha ai.

Menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt reaguan edhe dy partnerët e tjerë të koalicionit qeveritar. Fatmir Limaj, zëvendëskryeministër dhe kryetar i “Nismës Socialdemokrate”, tha se ftesa për Haradinajn është “ftesë e padrejtë nga një gjykatë e padrejtë”, kurse, Behgjet Pacolli, ministër i jashtëm dhe kryetar i Aleancës “Kosova e Re”, e cilësoi aktin e dorëheqjes së Haradinajt si “gjest burrështetasi”.

Isa Mustafa, kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK) opozitare deklaroi se LDK-ja në vazhdimësi ka kërkuar që kjo qeveri të japë dorëheqje, por shtoi se “ndjejmë keqardhje që kjo ndodhë për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara.”

Kurse Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ishte më i ashpri dhe tha: “së fundi [Haradinaj] e pa që mocionin e mosbesimit të opozitës do ta votonin edhe disa prej deputetëve që e kishin mbështetur fillimisht. E kuptoi atë që ia kishim thënë dikur: kryeministrinë e ka pasur si biçikletë hua nga PDK-ja për të bërë ndonjë xhiro.”

Reagime ka pasur edhe nga rajoni. Aleksandar Vucic, Presidenti i Serbisë, e quajti dorëheqjen e Haradinajt “mashtrim politik” dhe tha se Haradinaj do të qëndrojë në Hagë dy ose tri ditë dhe “do të kthehet si hero”.

Ndërkohë kanë reaguar edhe shumica e liderëve politikë shqiptarë nga Shqipëria dhe Maqedonia. Presidenti shqiptar Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha, lideri opozitar Lulzim Basha, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti – që të gjithë i kanë cilësuar këto ftesa të Gjykatës Speciale si “të padrejta”.

Por ajo që ra në sy ishte heshtja e kryeministrit shqiptar, Edi Ramës. Që nga Samiti i Berlinit në maj të këtij viti kishte pasur ftohje raportesh mes dy kryeministrave. Në fakt, pati edhe polemika mes tyre pasi që Haradinaj pretendonte se Rama i kishte bërë presion për heqjen e taksës. Duke e shkruar një tweet goxha vonë në krahasim me liderët e tjerë, Rama nuk e përmendi Haradinajn, por bëri një reagim të përgjithshëm në mbrojtje të UÇK-së.

Saga e proceseve gjyqësore

Ky nuk është procesi i parë gjyqësor në lidhje me krimet e luftës me të cilin përballet Haradinaj. Në mars 2005, rreth tre muaj pasi për herë të parë ishte zgjedhur kryeministër i koalicionit LDK-AAK, ai dha dorëheqje pasi që kishte marrë ftesë nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

Ajo që pasoi ishte një fushatë masive “Kryeministri ynë ka një punë për ta kryer këtu” në mbrojtje të tij dhe ngritja e një miti për “100-ditëshin e Ramushit”, të cilin bashkëpartiakët e tij u munduan ta paraqitnin si të vetmen periudhë kur në Kosovë një kryeministër ia kishte dalur të vendoste rend dhe ligj.

Por në janar 2017, Haradinajt do t’i ktheheshin sërish telashet me drejtësinë ndërkombëtare.

Pasi që e kishte lajmëruar partnerin e koalicionit, Presidentin Ibrahim Rugova, Haradinaj kishte dhënë dorëheqje dhe qeveria kishte vazhduar me mandatar të ri, Bajram Kosumin nga radhët e AAK-së. Asokohe, Kosova u fut në një vlug kontestimesh politike deri në zgjedhjet e vjeshtës 2007, periudhë që përkon me një stad jetik politik për Kosovën – negociatat e Vjenës për përmbylljen e statusit final të Kosovës, të cilat çuan në shpalljen e pavarësisë në shkurt 2008.

Dy muaj më vonë, në prill 2008, Haradinaj do të shpallej i pafajshëm nga Tribunali i Hagës në lidhje me të gjitha akuzat për krime lufte, por ndërkohë, ish-prokurorja e Tribunalit të Hagës, në librin e saj “The Hunt” kishte ngritur pretendime se disa ish-komandantë të UÇK-së kishin intimiduar dëshmitarë potencialë të proceseve gjyqësore. Kësisoj, pas dy vjetësh, në korrik 2010, rasti i tij do të kthehej për rigjykim të pjesshëm në Hagë. Haradinaj u lirua nga të gjitha akuzat në nëntor 2012, duke e përmbyllur kësisoj sagën e tij gati 8-vjeçare me drejtësinë ndërkombëtare.

Por në janar 2017, asokohe akoma lider opozitar, Haradinajt do t’i ktheheshin sërish telashet me drejtësinë ndërkombëtare. Për shkak të një fletarresti ndërkombëtar të Serbisë nëpërmjet INTERPOL-it, ai u arrestua me të hyrë në Francë, për t’u liruar katër muaj më vonë, gjegjësisht rreth një muaj para zgjedhjeve parlamentare të majit 2017, pasi që gjykata franceze refuzoi kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij. Në zgjedhjet nacionale të vitit 2017, Haradinaj kishte fituar rreth 100 mijë vota, duke u renditur i katërti nga liderët politikë. Por, me anë të koalicionit bashkëqeverisës me PDK-në dhe Nismën, Haradinaj arriti ta fitonte postin e kryeministrit. 

E tani, për herë të dytë, Haga po ia lë mandatin të papërfunduar.

Trashëgimia politike e dy viteve si kryeministër

Por, ndonëse akoma në Kosovë fletarrestet për ish-komandantët e UÇK-së provokojnë ndjenja solidariteti për ta, kësaj radhe duket që euforia nuk është sikurse në vitin 2004. Kjo pasi ky mandat pothuajse dy-vjecar është përcjellë me një sërë vendimesh kontraverse e problematike. 

Me ardhjen në pushtet, Haradinaj kishte rritur pagën e tij në 3,000 euro, dyfish më shumë se më parë. Në një deklaratë për media ai kishte deklaruar se atij i duhej të blente kravata për të përfaqësuar një ndër pozitat më të larta të qeverisë. Kjo deklaratë e tij nxiti shumë qytetarë që të organizonin protesta para qeverisë në dhjetor 2017 të cilët në mënyrë ironike vendosën me dhjetëra kravata në gardhin e ndërtesës së qeverisë. Vendimi i tij për rritjen e pagës ishte kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, por gjykata kishte vendosur në favor të Haradinajt. 

Brenda Kosovës, një ndër vendimet e tij më të kontestuara mbetet rritja e vazhdueshme e numrit të zëvendëministrave, të cilët arritën në mbi 80 sosh për 21 ministri e që u cilësuan si mënyrë për t’i rehatuar anëtarët partiakë.

Ndërkombëtarisht, Haradinaj arriti të shkaktonte më së shumti polemika me anë të vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Partitë opozitare me rastin e dorëheqjes së Haradinajt kanë përmendur edhe vendime të tjera që ata i konsiderojnë “tradhti” të tij. Për shembull, Vetëvendosja përmes liderit të saj, Albin Kurtit, ka përmendur çështjen e miratimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Kjo çështje gjatë periudhës 2015-2016 i kishte bashkuar Kurtin e Haradinajn në opozitë duke organizuar së bashku protesta e hedhur gaz lotsjellës në Kuvend kundër miratimit të marrëveshjes që kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa kishte arritur me qeverinë malazeze. Ndonëse kundërshtimi i tyre solli rënien e qeverisë më 2017 dhe rezultoi në zgjedhje të jashtëzakonshme, me ardhjen në pushtet, Haradinaj e pranoi atë marrëveshje, e cila u miratua në Kuvendin e Kosovës në mars 2018.

Agron Demi, drejtor i Institutit GAP, me rastin e shënimit të 400 ditëve të mandatit të Haradinajt në tetor 2018, në një opinion kishte numëruar disa prej vendimeve e politikave më problematike të qeverisjes së tij, përfshirë: shpikjen e pozitave të reja në administratën shtetërore, si atë të koordinatorëvë nacionalë; ndërhyrjet në Ministri të Arsimit duke shkarkuar Bordin e Këshillit Kombëtar të Cilësisë pa pëlqimin paraprak të Kuvendit, siç parashihet ligjërisht; emërimet familjare dhe partiake në borde të ndërmarrjeve publike; ndarjen e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë “Bechtel-Enka” që ndërtoi autostradën Prishtinë-Shkup e që u bë me arsyetimin e vonesave në kryerjen e pagesave sipas kontratës, etj.

Ndërkohë, ndërkombëtarisht Haradinaj arriti të shkaktonte më së shumti polemika me anë të vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Taksa erdhi si pasojë e ofensivës diplomatike serbe për të pamundësuar anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, si për shembull aplikimin e Kosovës në Interpol. Kjo taksë ka ndikuar më pas edhe në rrjedhën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, pasi presidenti serb Vucic ka thënë se nuk do t’i kthehet tryezës së bisedimeve pa anulimin e taksës.

E çka tash?

Dje, më 22 korrik, Haradinaj ka njoftuar zyrtarisht edhe Presidentin Thaçi dhe Kryeparlamentarin Veseli rreth dorëheqjes së tij. Por ende ka paqartësi se cfarë hapash do të ndërmarrë Presidenti.

Sipas pikës 5 të nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës: “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Por, ende nuk dihet nëse Presidenti Thaçi do të futet në konsultime të tilla për të propozuar një emër të ri për mandatar të qeverisë, apo nëse do ta shpërbëjë Kuvendin e Kosovës dhe rrjedhimisht vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mundësitë për vendosje të një mandatari të ri duken të vogla duke marrë parasysh dobësinë e koalicionit qeveritar për të vepruar të unifikuar, përleshjet dhe mospajtimet ndërmjet subjekteve politike në të, specifikisht ndërmjet AAK-së dhe PDK-së, si dhe vetë prononcimin e Haradinajt se dorëheqja e tij hap rrugë për zgjedhje e që nënkupton mosgatishmërinë e partisë së tij për ta përkrahur një mandatar të ri.

Fisnik Halimi, analist politik, e ka vlerësuar se dorëheqja e Haradinajt nga posti i kryeministrit kishte qëllim përfitimet elektorale, kurse për shumë analistë të tjerë Haradinaj e kuptoi se “Nisma” ishte gati t’ia jepte LDK-së dhe Vetëvendosjes nënshkrimet për mocionin e vetëbesimit të qeverisë dhe prandaj vendosi të dorëhiqej si hero i persekutuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se nuk ka hapësirë që të ketë një mandatar të dytë. Sipas tij, zvarritja e mbajtjes së zgjedhjeve do të mund të bllokonte punën e institucioneve të vendit. “Presidenti duhet që sa më shpejt, duke respektuar edhe afatet kushtetuese, të shpallë zgjedhjet e parakohshme,” tha ai.

Radio-televizioni publik i Kosovës (RTK) gjatë ditës së hënë ka raportuar, bazuar në burimet e tij brenda Presidencës, se zgjedhjet e jashëzakonshme do të mbahen më 8 shtator.

E, si duket, duke parë disponimin e hapur të partive politike dhe bazuar në burimet anonime të radio-televizionit publik, me shumë gjasë vjeshta do ta gjejë Kosovën me zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. 

Foto kryesore: K2.0