Në thelb | Policia

Të vdesësh në rrugë

Nga - 10.08.2017

Kërkohet të ndërmirren masa pas rritjes së numrit të aksidenteve vdekjeprurëse.

“Nuk mund ta shikoj këtë pjesë kur e di që këtu vdiq djali im”, thotë Fidan Haziri. “Eci në anën tjetër të rrugës dhe asnjëherë nuk kam ecur këndej prej se ka ndodhur aksidenti”.

Fytyrën plot dhimbje e sytë e përlotur. Kështu e shikon vendin ku i vdiq i biri 12 vjeçar. Me 29 qershor, një veturë i theu pengesat anësore të rrugës afër shkollës së fshatit Koshare, Ferizaj, e pastaj e goditi Endritin duke e lënë pa jetë.

Gjashtë javë pas këtij aksidenti tragjik, familja Haziri vazhdon të jetë e tmerruar kur e sheh vendngjarjen që ende nuk është rregulluar. Mbetjet e pengesave rrugore të shkatërruara ende janë aty, as 100 metra prej shtëpisë së tyre. “Komuna duhet me reagu”, thotë Haziri. “Duhet të marrin masa e të mos na lanë me plagë të hapura neve si familje”.

Pengesat anësore në rrugën ku u godit Endrit Haziri nga një veturë para gjashtë jave, ende të parregulluara. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në këto ditë zije, përveç dhimbjes së madhe familjen Haziri po e mundon fakti që autoritetet ende nuk kanë marrë masa për ta rregulluar atë vend, ata thonë që rrezikohen edhe fëmijët tjerë të cilët ecin në atë vend cdo ditë. “I ndodhi djalit tim po ishalla nuk përsëritet, sepse tani rreziku është edhe më i madh”, thotë Haziri.

Në kthesën ku u godit Endriti edhe më parë kanë ndodhur aksidente vdekjeprurëse. Vetëm disa metra larg vendit ku u godit ky fëmiu është një përmendore e dy ushtarëve gjermanë të cilët vdiqën në një aksident me veturë menjëherë pas luftës, dhe fshatarët pohojnë  se në atë kthesë të rrezikshme kanë ndodhur edhe aksidente tjera me fatalitet.

Ndonëse qytetarët i kanë apeluar Komunës së Ferizajit për ndërhyrje, rruga në fjalë, Ferizaj-Shtime, është rrugë magjistrale dhe mirëmbajtja e saj është në fakt përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës.

Numri i fataliteteve në rrugët e Kosovës

2013: 119
2014: 127
2015: 129
2016: 110
2017 (Janar-Korrik): 70
(Burimi: Policia Kosovës)

Burim Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të  Departamentit Koordinues të Këshillit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor brenda Ministrisë së Infrastrukturës, thotë se e kupton shqetësimin e familjes Haziri, por e thekson vështirësinë e mirëmbajtjes së mijëra rrugëve që janë në Kosovë, si dhe procedurat që duhet të ndiqen. “Unë e kuptoj shqetësimin e prindit me e pa të sanuar që mos me ja kujtu momentin mirëpo ajo besoj se shumë shpejtë ka me u sanu”, thotë ai.

Megjithatë, Krasniqi insiston që edhe kur të rregullohet ky vend, rreziku do të jetë i pranishëm, meqë është pjesë e disa problemeve tjera më të gjëra që kanë të bëjnë me sigurinë në rrugët e Kosovës. 110 njerëz kanë vdekur në aksidente rrugore vitin e kaluar.

“Çfarëdo pengese metalike ta instalojnë, nëse dikush është duke vozitur 100 km/h, prap se prap do t’i godasin fëmijët”, thotë ai. “Pengesat metalike janë aty më shumë për t’i ndarë fëmijër apo këmbësorët prej veturave, se sa për ofruar siguri të madhe, meqë pengesat metalike nuk mund ta ndalin me lehtësi një veturë nëse vozitësi është duke shkuar 100 km/h”.

Sipas statistikave të siguruara nga K2.0 prej Ministrisë së Infrastrukturës, Endriti është një prej 11 fëmijëve të moshave 0-12 që janë goditur me fatalitet në rrugët e Kosovës në gjashtë muajt e parë të vitit 2017; kjo përfaqëson një rritje gati 200 përqind në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2016, kur u vranë katër fëmijë.

Mirëmbajtja e rrugëve magjistrale është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës. Zyrtarët theksojnë vozitjen e rrezikshme dhe zbatimin e dobët të ligjit nga ana e policisë si arsye për rritjen e numrit të vdekjeve në rrugë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Këtë verë raportet e mediave për aksidente rrugore e kanë shokuar shoqërinë kosovare. 17 vdekje kanë ndodhur në rrugët e vendit vetëm në korrik. Thurrja #NdaljaGazin është shpërndarë shumë në rrjete sociale, si pjesë e një fushate online të qytetarëve që ka për synim t’i nxitë njerëzit që të ngasin në mënyrë më të kujdesshme.

Pjesë e këtij problemi si duket është fakti që gjatë verës ka më shumë trafik për shkak të fluksit të diasporës së Kosovës për pushime në vendlindje; kjo veç sa e zmadhon këtë problem ekzistues të vdekjeve të shumta në trafik në Kosovë.

Pesë anëtarë të diasporës kanë vdekur në aksidente rrugore në ditët e fundit të korrikut. Mes tyre ishin katër njerëz që u vdiqën në të njejtën veturë gjatë një incidenti shokues që ndodhi me 28 korrik, kur një veturë me shpejtësi ra nga rrethrrotullimi kryesor i Prishtinës që e lidh kryeqytetin me shumë qytete tjera. Vetura i theu pengesat metalike dhe ra poshtë rrethrrotullimit. Më herët gjatë kësaj jave (e hënë, 7 gusht), një veturë me targa zvicrrane i goditi për vdekje dy adoloshente  në Gjakovë.

Adresimi i sigurisë rrugore

Si reagim ndaj numrit të madh të aksidenteve, Policia e Kosovës javën e kaluar (të martën me 1 gusht) e themeluan një task forcë speciale, për të cilën thonë se do të jetë përgjegjëse për patrullim më të shpeshtuar nëpër gjithë Kosovën.

Burim Krasniqi nga Ministria e Infrastrukturës beson se mungon zbatimi më i rreptë i ligjit nga ana e policisë tash e sa kohë, e po të mos ishte kjo mungesë, do të reduktohej numri i aksidenteve. “Tendenca për të qenë të sjellshëm me diasporën tonë ka krijuar situata në të cilat policët tanë nuk janë strikt sa duhet”, thotë ai.

Sipas një raporti policor që e siguroi K2.0, sivjet policia në fakt ka dënuar më shumë vozitës, edhe pse si duket kjo nuk ka pasë ndikim në rënien e numrit të aksidenteve vdekjeprurëse. Më shumë se 183,000 kosovarë u dënuan gjatë 6 muajve të vitit 2017, në krahasim me më shumë se 161,000 që u dënuan në 2016. Por 59 njerëz u vranë në rrugët e Kosovës në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar, e sivjet ky numër është shtuar në 70 për të njejtën periudhë.

Bajram Krasniqi, zyrtari për media i Policisë së Kosovës, thotë se ekzistojnë disa shkaktar të aksidenteve, por faktori njerëzor është shkaktari kryesor. “Në mënyrë të përgjithsuar, po të ishin rrugët me një standard më të lartë, atëherë ka mundësi që do të kishim aksidente më pak”, thotë ai. “Mirëpo faktori njeri është kryesori dhe nuk mund të fajësojmë qeverinë apo komunat se nuk ka rrugë të mira…Të gjithë ne jemi faktorë se pse ndodhin këto aksidente”.

"Nëse policia patrullon gjatë natës, jam i sigurt që mbi 70 përqind të vozitësve janë nën ndikim të alkoolit."

Burim Krasniqi nga Ministria e Infrastrukturës

Një prej problemve që u identifikua nga Krasniqi është vozitja nën ndikimin e alkoolit, fenomen i përhapur në Kosovë që është lidhur me disa incidente vdekjeprurëse.

Reduktimi i vozitësve që ngasin nën ndikim të alkoolit është një prej objektivave të Plan Veprimit dhe Strategjisë për Siguri në Rrugë 2016-2020 të Ministrisë së Infrastrukturës.

Zëdhënësi i policisë thotë se konsumimi i alkoolit shpeshherë shkakton tejkalim të shpejtësisë së lejuar, që rezulton pastaj në numër më të lartë të aksidenteve rrugore. Ai insiston se policia është duke u munduar që t’i jep fund këtij fenomeni. “Policia është duke u munduar që t’i identifikojë vendet ku mbahen ahengje dhe dasma”, thotë ai.

Burim Krasniqi i ministrisë beson se kur t’i identifikojë policia njerëzit që vozisin nën ndikim të alkoolit, duhet që të marrin masa më të rrepta, në mënyrë që ta dekurajojë këtë sjellje në të ardhmën. “Nëse policia patrullon gjatë natës, jam i sigurt që mbi 70 përqind të vozitësve janë nën ndikim të alkoolit”, thotë ai. “Policia duhet të kërkojë që një vozitës tjetër të vijë menjëherë për ta marrë veturën, ose t’ua marrin veturën vet me marimangë dhe t’i dënojnë shumë – ju garantoj që herën e ardhshme ai person nuk do të vozis nën ndikim të alkoolit”.

Vozitja nën ndikim të alkoolit është lidhur me vdekjen e katër personave në atë incidentin e fundit në rrethrrotullimin kryesor të Prishtinës, por policia thonë se procesi i autopsisë është ende në vazhdim e sipër, dhe nuk duhet të paragjykojmë.

Katër anëtarë të diasporës së Kosovës u vranë në korrik kur vetura e tyre goditi pengesat metalike dhe ra nga rrethrrotullimi. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Duke iu referuar këtij incidenti në veçanti, Krasniqi i ministrië thotë se dyshimet e ngritura për infrastrukturën rrugore janë të pasakta. “Pengesat e betonit nuk janë zgjidhje”, thotë ai, duke iu referuar thirrjeve për marrje të masave për përmirësim të sigurisë në rrethrrotullimin apo nevojën për betonim të asaj zone. “Zgjidhja është respektimi i kufizimeve të shpejtësisë dhe shenjave në trafik”.

Zyrtari i ministrisë thekson se në përgjithësi shumë para po shpenzohen në mirëmbajtje të rrugëve të Kosovës. Kosto shtesë ka kur shenjat po hiqen prej qytetarëve. Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës për vitin 2017 ishte 305 milion euro prej buxhetit total të shtetit, që është pothuajse arrin në 2 miliard euro.

Nuk besoj se ka rrugë në Kosovë që është në gjendje të keqe ose nuk ka sinjalistikë”, thotë ai, “veçanërisht nëse e marrim paarasysh se në të gjitha pikat ku ndodhin aksidente me fatalitet ka shenja të komunikacionit”.

Zyrtari i Ministrisë, Burim Krasniqi, thotë se nuk ka probleme me shenjat e rrugës, si në këtë lokacion në Koshare. Mendon se problemi është te fakti që vozitësit po i injorojnë shenjat. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ai thekson se një prej sfidave kryesore sa i përket trajtimit të problemit të numrit të madh të vdekjeve në rrugë është mungesa e bashkëpunimit efektiv në mes të institucioneve, dhe insiston që institucionet duhet të punojnë më shumë së bashku, në mënyrë që ta zgjidhin këtë problem me efikasitet. “Bashkëpunimi me policinë është relativ, por nuk është në nivel të kënaqshëm, dhe këtë e them me autoritet të plotë”, thotë Burim Krasniqi. “I kemi disa raporte të rregullta, por nuk kemi hollësi për aksidente… dhe na duhen veçanërisht më shumë hollësi për aksidente që përfundojnë me vdekje”.

Krasniqi gjithashtu thekson masat parandaluese që po përpiqet t’i merr ministria, në mënyrë që të parandalohen aksidentet e trafikut. Një prej tyre është që të ketë më shumë integritet në procesin e dhënies së lejes së vozitjes. Ky proces është vënë në dyshim me akuza që zyrtarët po marrin ryshfet për t’i ndihmuar aplikantët gjatë pjesës teorike të testit të vozitjes, që duhet të kalohet para pjesës praktike.

“Ekzaminojmë nëpërmjet kamerave në qendra të testimit, në mënyrë që lejet e vozitjes që ipen, me meritë”, thotë ai. “Besoj se sivjet do të nisim edhe testimin elektronik me kompjuterë, në mënyrë që të kemi 0 tolerancë për çfarëdo shpërdorimi të procesit”.

Në afat të gjatë, institucionet kosovare po zbatojnë individualisht politika për reduktimin e numrit të vdekjeve në trafik, por meqë kjo çështje ka shumë aspekte, do të nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse nga të gjithë institucionet përgjegjëse, në mënyrë që t’i shpëtojmë jetët e njerëzve në rrugë. Ndërkohë, para se të përpilohet një qasje e koordinuar, familjet si ajo e Hazirit do të vazhdojnë të vuajnë për humbjet tragjike të të dashurve të tyre.K

Vdekjet rrugore në rajon për 100,000 njerëz

Mali i Zi: 20.4
Shqipëria: 13.9
Bosnia & Herzegovina: 10.9
Serbia: 9.8
Kosova: 7.0
Maqedonia: 6.9
(Burimi: World Health Organisation 2014 / Kosovo’s Road Safety Strategy)

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.