Puna e Kairos, që vë dritë në lidhjet mes kulturës shqiptare dhe të qenit queer bazohet në një projekt universitar për “burrneshën” e Shqipërisë, të ashtuquajturat “virgjëreshat e betuara” të veriut të Shqipërisë. Në një përshkrim në Instagram, ai ndërlidh trashëgiminë e lashtë të burrneshës dhe transmaskulinitetit bashkëkohor. “Individët transmaskulinë”, shkruan ai, “kanë qenë gjithmonë pjesë e historisë shqiptare”.
Kairo u lind dhe rrit në Lugo të Italisë, në një familje shqiptare. Familja migroi në Mbretëri të Bashkuar, kur ishte 14-vjeçar. Ndonëse shkrepjen e fotografive e nisi gjatë pushimeve me familjen, siç më tregon ai, shpërngulja në Londër e frymëzoi të merrej më seriozisht me fotografinë.
Në atë kohë, shumë familje shqiptare që jetonin në Britani të Madhe, ruanin kujtime dhe mbanin lidhje familjare përmes ruajtjes së albumeve me fotografi. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe midis dhunës në rritje, që u çoi te lufta në Kosovë, shumë shqiptarë u nisën për në Mbretëri të Bashkuar. Një nga format e pakta se si arritën të mbanin kontakte me familjet e tyre në shtëpi ishte përmes shkëmbimit të fotografive. Në të njëjtën mënyrë që prindërit tanë shqiptarë e përdorën fotografinë për t’u ndier më pak të vetmuar, Kairo më tha se fotografia e bënte të ndihej më pak i vetmuar në Londër.
Duke shfrytëzuar izolimin, si rrjedhojë e Covid-it, Kairo filloi tranzicionin e tij fizik në vitin 2020, duke e dokumentuar të gjithë procesin në mënyrën se si ai dëshironte t’i prezantohej botës. Fotot polaroid që ai shkrepi gjatë gjithë dokumentimit të vetes, e lejuan atë t’i shihte menjëherë rezultatet, ato ishin një pasqyrë përmes së cilës ai mund ta shihte veten më mirë.
Me projektin e dokumentimit, Kairo donte ta eksploronte identitetin e tij kulturor. Ai ndjeu, më tha, sikur “asgjë në Britani të Madhe nuk lidhej me identitetin tim kulturor”.