Pikëpamje | Politika

Edhe pa marrëveshje, Kosova ka alternativa dhe perspektiva të realizueshme

Nga - 03.09.2020

Takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë nuk është skenari ‘përfundimtar’ i fitores ose i humbjes për Kosovën.

Kosova është përfshirë në bisedime dhe negociata të llojllojshme me Serbinë tash e më shumë se dy dekada për zgjidhjen e mundshme të mospajtimit të tyre të lidhur me statusin e Kosovës. Dështimet e njëpasnjëshme të këtyre bisedimeve çuan te shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, e cila është bashkërenduar ngushtë dhe është miratuar nga komuniteti i shteteve Perëndimore dhe Evropiane — sidomos nga ShBA-ja.

Sidoqoftë, mungesa e një marrëveshjeje konsensuale mes Kosovës dhe Serbisë çoi te përçarja e komunitetit më të gjerë ndërkombëtar sa i përket njohjes së shtetësisë së Kosovës. Ky mosunitet i komunitetit ndërkombëtar ia ka imponuar Kosovës një pjesëmarrje të cunguar në arenën ndërkombëtare, shpeshherë në margjinat e sistemit ndërkombëtar për shkak të mosanëtarësisë në OKB, pjesëmarrja në të cilën në njëfarë mënyre perceptohet si “certifikatë e lindjes” për shtetet.

Si rrjedhojë, Kosova dhe Serbia rifilluan bisedimet me ndërmjetësim të BE-së që nga viti 2011 si përpjekje për ta arritur një zgjidhje konsensuale dhe gjithpërfshirëse për mospajtimet e tyre. Por ky dialog doli të jetë një dialog i tejzgjatur dhe i zhagitur të cilit nuk i shihej fundi dhe i karakterizuar nga mangësi dhe pengesa të ndryshme. Kjo si pasojë ua ka hapur rrugën shfaqjes së ideve për zgjidhje të shpejta, të cilat ndër të tjera kanë përfshirë edhe temën famëkeqe dhe fillimisht të përjashtuar të shkëmbimit të territoreve.

Para takimit të shumëtrumbetuar të nivelit të lartë me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 3 dhe 4 shtator si rrjedhojë e angazhimit dhe ringjalljes së përpjekjeve të administratës së ShBA-së kohët e fundit për të sjellë një marrëveshjeje mes palëve, një vlerësim i asaj që mund ta presë Kosovën në një skenar me ose pa marrëveshje është i nevojshëm. 

Do të tentoj të elaboroj se çfarë mund të nënkuptojë një skenar pa marrëveshje për Kosovën — një skenar që u është nënshtruar interpretimeve të shumëllojshme dhe manipulimeve të herëpashershme. Analiza e një skenari pa marrëveshje është me rëndësi, meqë vlerësimi i mirëfilltë i kësaj mund të japë qartësi kur vjen puna te vlerësimi i kushteve të një marrëveshjeje të mundshme, veçanërisht për atë se a do t’ia vlenin dobitë e një marrëveshjeje koncesioneve që Kosova do të mund të duhej t’i bëjë.

Një skenar pa marrëveshje është parë përgjithësisht në dritë negative, meqenëse vihet në lidhje me statuskuonë, e cila konsiderohet si e paqëndrueshme për shkak të potencialit të saj për jostabilitet dhe paparashikueshmëri.

Për më shumë, është vështirë të analizohet një skenar i marrëveshjes pa iu hyrë spekulimeve se çfarë një marrëveshje e tillë do të mund të përmbajë apo si janë gjasat që ajo të ndodhë, duke pasur parasysh mungesën e transparencës së procesit në përgjithësi dhe temat e diskutimit në veçanti. Sidoqoftë, të llogarisim se një lloj marrëveshje do të bëhet — mbase në frymë të ngjashme me marrëveshjen e fundit të normalizimit mes Izraelit dhe EBA-së — meqë politikat e “paqebërësit imponues” të Presidentit të ShBA-së Donald Trump para zgjedhjeve në nëntor dhe dëshira e tij për trofe suksesi në politikën e jashtme aludojnë për këtë.

Një skenar pa marrëveshje është parë përgjithësisht në dritë negative meqenëse vihet në lidhje me statuskuonë, e cila konsiderohet si e paqëndrueshme për shkak të potencialit të saj për jostabilitet dhe paparashikueshmëri. Do të doja ta paraqisja një pikturë paksa më të ndritshme për një skenar pa marrëveshje në afatin e shkurtër dhe të mesëm, dhe ta sfidoja pikëpamjen e përgjithshme për implikimet negative që mund të sjellë për Kosovën dështimi i arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë.

Kjo në asnjë mënyrë nuk sugjeron që Kosova nuk duhet ta ketë për qëllim arritjen e një ujdie me Serbinë në të ardhmen. Sidoqoftë, ndriçimi i opsioneve dhe alternativave të mundshme, sidomos nëse janë të favorshme, do ta përmirësonte pozitën e negocimit të Kosovës dhe do ta ndihmonte në shmangien e mangësive të një marrëveshjeje apo ujdie të ngutshme. Në thelb, e ardhmja e mundshme e Kosovës në sistemin ndërkombëtar në një skenar ku njohja nga Serbia zgjatet pafundësisht ose mbetet e paarritshme për një periudhë më të gjatë kohore duhet të konsiderohet dhe të analizohet.

Sfidat në kushte të kontestimit ndërkombëtar

Në zemër të sfidave të Kosovës në sistemin ndërkombëtar qëndron bllokimi për të arritur integrim gjithpërfshirës ndërkombëtar, për çka asgjë nuk është më e rëndësishme se sistemi i OKB-së. OKB-ja tanimë perceptohet si referencë për komunitetin ndërkombëtar për shkak të rolit parësor për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, stimulimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rregullimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në përgjithësi.

Sidoqoftë, anëtarësimi në OKB mbetet i paarritshëm për Kosovën nën kushtet e kontestimit ndërkombëtar të shtetësisë së saj. Ç’është e vërteta, asnjë shtet nuk ka mundur t’i bashkohet OKB-së në të kaluarën e afërt si anëtare e barabartë pa lejen e shtetit të dikurshëm pararendës. Po ashtu nuk ka ndonjë shtet sot të njohur gjithmbarësisht që nuk është anëtar i OKB-së. Bazuar në këtë dhe duke pasur parasysh kundërshtimin e Rusisë dhe Kinës si anëtare të përhershme me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, gjasat e Kosovës për t’u bërë anëtare e OKB-së pa një marrëveshje paraprake me Serbinë janë të zbehta, për të mos thënë joekzistente.

Ngjashëm, anëtarësimi në NATO mbetet i paarritshëm nën statuskuo për shkak të së drejtës për veto nga secili shtet anëtar. Siç ka thënë Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s James Appathurai në një intervistë të vonshme, “pa njohjen e të gjitha shteteve të Aleancës, Kosova nuk mund të anëtarësohet — kjo është një çështje shumë e thjeshtë dhe e qartë që mund ta kuptojë çdokush”, dhe ka shtuar që “mënyra e vetme për anëtarësimin e Kosovës në NATO është mbarimi i suksesshëm i dialogut Beograd-Prishtinë”.

Në pritje të një marrëveshjeje me Serbinë, Kosova është lënë të ndjekë një përpjekje të gjatë për njohje diplomatike nga vendi në vend për të rritur gradualisht integrimin e saj ndërkombëtar.

Megjithatë, mungesa e anëtarësisë në OKB nuk nënkupton që një shtet nuk përmbush kriteret e shtetësisë, meqë është e mundshme që ai shtet dëshiron të mbetet jashtë OKB-së. Kështu ndodhi, për shembull, me Zvicrën deri vonë, e cila për hir të neutralitetit të vet vendosi të mos anëtarësohej deri në vitin 2002 por zgjodhi të mbetet vëzhguese e përhershme pa e komprometuar shtetësinë e plotë.

Është e vetëkuptueshme që ka fuqi të mjaftueshme intelektuale — dhe jo vetëm — për të dhënë argumentin që Kosova është shtet. Ajo përmbush kriteret që përgjithësisht shoqërohen me shtetësinë në të drejtën ndërkombëtare, siç janë ato që gjenden në Konventën e Montevideos. Për më shumë, shpallja e pavarësisë së Kosovës është vlerësuar si e ligjshme, ose si jo e kundërligjshme, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND).

Edhe pse përmbushja e kritereve të shtetësisë e pajis një entitet me të drejtat dhe detyrimet nën ligjin ndërkombëtar, njohja mund ta ndikojë shkallën e zbatueshmërisë së këtyre të drejtave dhe detyrimeve. Për këtë arsye aspirojnë shtetet e reja të anëtarësohen në OKB, duke dashur t’iu shmangen arbitraritetit, vështirësive dhe pasigurisë së kërkimit të njohjeve bilaterale. 

Pra, mbetja jashtë sistemit të OKB-së ka qenë dhe është pengesë e madhe për Kosovën që të sigurojë trajtim të barabartë në arenën ndërkombëtare. Në pritje të një marrëveshjeje me Serbinë, Kosova është lënë të ndjekë një përpjekje të gjatë për njohje diplomatike nga vendi në vend për të rritur gradualisht integrimin e saj ndërkombëtar. Kjo statuskuo karakterizohet me paqartësi, sidomos për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, mosbesimit dhe armiqësisë mes Kosovës dhe Serbisë, por gjithashtu sa i përket rivaliteteve në rritje mes fuqive të mëdha, nacionalizmit të shtuar dhe politikave populliste të krahut të djathtë dhe mungesës së unitetit brenda BE-së — ndër të tjera — për statusin e Kosovës.

Kjo ngrit pyetjen se a duhet Kosova të veprojë shpejt për ta arritur një marrëveshje me Serbinë që ta sigurojë pozitën si anëtare e barabartë në sistemin ndërkombëtar, ose nëse ky ngut i trumbetuar mund të jetë thjesht i imagjinuar dhe u shërben më shumë interesave të ngushtë të akterëve të caktuar sesa interesave të Kosovës?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje në mënyrën më objektive të mundshme, është e nevojshme që së pari të shihet se ku qëndron Kosova tani dhe sa mund të përparojë nga aty. Një mënyrë për ta kuptuar këtë është të shihet niveli i integrimit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar duke e krahasuar me nivelin e integrimit të shteteve të tjera relevante për të vënë në pah dhe për të analizuar sa ka hapësirë për përmirësim.

Integrimi ndërkombëtar i Kosovës i matur përmes pjesëmarrjes në organizata dhe instrumente ndërkombëtare (p.sh. traktatet shumëpalëshe) është i mangët në krahasim me shtetet e njohura gjithmbarësisht, siç janë shtetet e tjera në rajonin e Ballkanit dhe sidomos në krahasim me vendet fqinje të Shqipërisë dhe Serbisë. Kjo shpërfaq kufizimet e dukshme të integrimit ndërkombëtar të Kosovës në statuskuo. Pjesëmarrja e saj në sistemin multilateral është vetëm një pjesë e vogël e asaj të Shqipërisë dhe Serbisë kur krahasohen organizatat ku ato marrin pjesë. Sa u përket instrumenteve ndërkombëtare, dallimi është i qindfishtë.

Një mënyrë tjetër objektive për ta parë këtë çështje është shqyrtimi i precedentëve të bërë nga shtete të tjera të kontestuara sa i përket integrimit ndërkombëtar. Krahasuar me shtete të tjera të kontestuara që janë të pranishme në sistemin ndërkombëtar sot, Kosova qëndron gjithashtu prapa Tajvanit dhe Palestinës. Meqenëse këto shtete janë të kontestuara që një kohë shumë më të gjatë se Kosova dhe njësoj aspirojnë njohje, ky krahasim është një tregues i përshtatshëm i kufizimeve që mund ta presin Kosovën në përpjekjet e saj ndërkombëtare, sidomos kur konsiderojmë rastin e Palestinës që njihet nga edhe më shumë shtete se Kosova, pra 137 gjithsej.

Ndonëse secili shtet i kontestuar ka veçoritë e veta specifike dhe trajektore unike sa i përket krijimit të tyre dhe zhvillimit historik, politik, normativ e ligjor drejt shtetësisë, ngjashmëritë dhe të përbashkëtat mes tyre janë të padyshimta — sidomos kur vjen puna te përpjekjet e tyre për pavarësi, kundërshtimin nga shtetet pararendëse si dhe mungesën e njohjeve dhe kërkesën për njohje të gjithmbarshme.

Mungesa më e dukshme e Kosovës në nivelin ndërkombëtar duket të jetë (mos)pjesëmarrja në instrumentet ndërkombëtare. Kjo qartazi demonstron kufizimet që kanë shtetet nën kushtet e kontestimit ndërkombëtar në sistemin multilateral ndërkombëtar; por në rastin e Kosovës, kjo po ashtu tregon për mosshfrytëzimin apo nënshfrytëzimin e mundësive, duke i pasur parasysh arritjet e shteteve të tjera të kontestuara.

Pra, si mund ta avancojë Kosova pozitën e saj ndërkombëtare nën statuskuonë e një skenari pa marrëveshje?

Kanalet për përparim dhe integrim të mëtejmë

Pavarësisht nga pengesat, janë dy mënyra se si Kosova mund ta rrisë thellësisht praninë dhe pjesëmarrjen në sistemin e OKB-së nën statuskuo. Në njërën anë si shtet vëzhgues i përhershëm, sikur aktualisht Vatikani dhe Palestina, ose si 14 shtete vëzhguese në të kaluarën (përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Italinë, Japoninë, Finlandën, Monakon, ndër të tjera). Në anën tjetër, përmes anëtarësimit në disa nga 15 agjencitë e specializuara të OKB-së, duke pasur parasysh që ato kanë strukturat, rregullat dhe anëtarët e vet.

Statusi i vëzhguesit të përhershëm

Statusi i vëzhguesit të përhershëm — pra si shtet vëzhgues, jo si entitet vëzhgues — jep një alternativë të arritshme e të realizueshme dhe kompromis mes anëtarësisë dhe mosanëtarësisë, sidomos duke marrë parasysh zvarritjen e një ujdie me Serbinë. Statusi i shtetit vëzhgues mund të shihet si njohje e tërthortë e shtetësisë së Kosovës, gjë që do të sillte përparësi mjaft të mëdha krahasuar me statuskuonë. Kjo do ta lejonte Kosovën të bëhej palë në traktatet e OKB-së ku zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së shërben si depozitues, domethënë kryen funksionin e ruajtjes dhe administrimit të punëve që lidhen me traktatet.

Kështu ndodhi me Palestinën, të cilës iu hap mundësia të bëhej pjesë e shumë traktateve të tilla vetëm pasi iu dha statusi i shtetit vëzhgues në vitin 2012. OKB-ja shërben si depozitues i mbi 560 traktateve multilaterale, të cilat mbulojnë një varg temash — siç janë të drejtat e njeriut, çarmatosja, dhe mbrojtja e mjedisit — dhe 80 instrumente që merren vetëm me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Një përparësi tjetër shumë e rëndësishme në këtë kontekst është mundësia e sigurimit të qasjes në mekanzimat ndërkombëtarë të drejtësisë dhe të zgjidhjes së konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, respektivisht në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GjNP) dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND). Institucionet ndërkombëtare ligjore do të ofronin kanale të reja për zbatimin e drejtësisë ndërkombëtare si dhe mundësi të reja ligjore për zgjidhjen e konflikteve.

Si shembull, GjNP-ja mund të hetojë krime të dyshuara të luftës, krime kundër njerëzimit, gjenocidin dhe akte të ngjashme në shtetet dhe territoret që bien në juridiksionin e saj. Kjo Gjykatë u themelua nga Statuti i Romës, në të cilin tashmë janë123 shtete anëtare/palë. Ndonëse shtetet që nuk janë palë në traktat mund t’i nënshtrohen juridiksionit të tij duke bërë një deklaratë ad hoc, shteteve të kontestuara mund të mos u pranohet kjo.

Kështu ndodhi me Palestinën, e cila në vitin 2009 dorëzoi një deklaratë të tillë pranë GjND-së pas operacioneve ushtarake nga Izraeli në Rripin e Gazës gjatë asaj periudhe. Mirëpo, kjo nuk u pranua nga Gjykata për shkak të kontestit rreth statusit të saj ndërkombëtar dhe sovranitetit në territorin e pretenduar. Vetëm pas marrjes së statusit të shtetit vëzhgues, Palestina arriti të bëhet pjesë e traktatit si Shtet Palë dhe tashmë mund ta adresojë Gjykatën.

Për dallim, mandati i GjND-së kryesisht lidhet me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shteteve. Për më shumë, një numër i madh traktatesh dhe konventash ia akordojnë Gjykatës juridiksionin për zgjidhjen e mosmarrëeshjeve. Me Statut kjo Gjykatë gjithashtu është e hapur për shtete që nuk janë palë, të cilat njësoj duhet të dorëzojnë një deklaratë për pranimin e juridiksionit të Gjykatës. Palestina dorëzoi një deklaratë të këtillë me sukses në vitin 2019, dhe Kosova mund t’i ndjekë ngjashëm hapat e saj në këtë drejtim.

Pasi u bë deklarata dhe u pranua nga GjND-ja, Palestinës iu mundësua ta adresonte edhe këtë Gjykatë, e cila më pastaj shfrytëzoi këtë për të kontestuar zhvendosjen e Ambasadës së ShBA-së në Jerusalem, duke iu referuar Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike të prillit të vitit 1961. Në të njëjtën mënyrë, Kosova do të mund ta shfrytëzonte GjND-në për ta paditur eventualisht Serbinë para Gjykatës, për shembull për shkeljen e Konventës mbi Gjenocidin të vitit 1948. Pavarësisht nga rastet e ngritura në Gjykatë apo rezultatet e tyre, ky aderim do ta përmirësonte në mënyrë drastike fuqinë dhe pozitën negociuese të Kosovës në raport me Serbinë.

Ekziston edhe një vlerë simbolike që lidhet me këtë status. Flamujt e shteteve vëzhguese ngriten në OKB që nga viti 2015.

Statusi i shtetit vëzhgues do ta forconte më tej pranimin si akter legjitim shtetëror në arenën ndërkombëtare dhe sidomos në sistemin e OKB-së, duke ofruar mundësinë për t’i përmirësuar raportin e forcave të pabarabartë mes Kosovës dhe Serbisë. Marrja e statusit të përhershëm vëzhgues si shtet do të ishte poashtu mënyrë efektive për të ndërtuar besim brenda sistemit të OKB-së duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme dhe duke u familjarizuar me mekanizmat e saj dhe me kompleksitetin e sistemit multilateral.

Kjo poashtu do ta vendoste një bazë të përhershme për të lobuar në mënyrë të qëndrueshme dhe efikase për anëtarësim duke e sjellë rastin e Kosovës në vëmendjen e pjesës tjetër të botës rregullisht dhe vazhdimisht, por edhe do t’ia mundësonte Kosovës ta rrisë nivelin e angazhimit me shtetet e tjera, sidomos me shtetet që nuk e njohin atë, duke i zhvendosur burimet kryesisht nga kërkimi i njohjes reciproke në bashkëpunimin për çështjet e interesit të përbashkët.

Ekziston edhe një vlerë simbolike që lidhet me këtë status. Flamujt e shteteve vëzhguese ngritën në OKB që nga viti 2015, ndërsa emërtimi i tyre në të gjitha dokumentet zyrtare dhe pllakat e emrave në mbledhje dhe takime mund të zgjidhen nga vetë vëzhguesit, gjë që do të thotë se Kosova do të mund të përfaqësohej si Republika e Kosovës në OKB.

Procesi i dhënies së statusit të vëzhguesit trajtohet kryesisht nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm, ndërsa Asambleja e Përgjithshme është autoriteti më i lartë, që do të thotë se nuk kërkon miratim nga Këshilli i Sigurimit. Njohja nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së është kërkesë praktike, si dhe anëtarësimi në një ose më shumë agjenci të specializuara të OKB-së. Kosova i përmbush këto kërkesa, duke gëzuar njohjen e shumicës së anëtarëve të OKB-së dhe duke qenë anëtare e plotë e dy agjencive të specializuara të OKB-së, përkatësisht në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe në Bankën Botërore (BB).

Argumentet kundër statusit vëzhgues gjoja se një status i tillë u jepet entiteteve të pazakonta ndërkombëtare, si p.sh entiteteve gjysmë të pavarura ose gjysmë-sovrane, mund të rrëzohen lehtë, duke pasur parasysh se një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të tanishëm të OKB-së kanë qenë shtete vëzhguese jo-anëtare në të kaluarën. Përtej kësaj, për dallim nga “anëtarësia e asociuar” në organizatat tjera të OKB-së që edhe është i paraparë për entitete të tilla, përkatësisht për “territore që nuk kanë përgjegjësi për udhëheqjen e marrëdhënieve të tyre ndërkombëtare”, statusi i shtetit vëzhgues në OKB nuk është i paraparë për këto entitete. Përkundrazi, nuk ka dispozita fare për të as në Statutin e OKB-së, as në rregullat dhe procedurat e saj, por bazohet vetëm në praktikën e organizatës.

Shumica e ish-shteteve vëzhguese janë përcaktuar për këtë status, sepse anëtarësimi i plotë është konsideruar i paarritshëm për ta në atë kohë shkaku i mungesës së mbështetjes së mjaftueshme në Këshillin e Sigurimit. Arsyeja për këtë ishin rrethanat mbizotëruese gjeopolitike të konfrontimit mes Lindjes dhe Perëndimit dhe politikave të Luftës së Ftohtë të kohës, të cilat në një mënyre apo tjetër vazhdojnë të jenë prezente edhe sot.

Aderimi në agjencitë e specializuara të OKB-së

Si mënyrë për ta rritur integrimin brenda sistemit të OKB-së, aderimi në agjencitë e specializuara të OKB-së është gjithashtu një opsion i arritshëm dhe i realizueshëm, meqë pjesa më e madhe ndjek modelin e OKB-së dhe kërkon një shumicë të konsiderueshme, por pa mundësinë e vetos nga anëtarë të caktuar. Anëtarësia në më shumë agjenci të specializuara të OKB-së mund ta përforcojë legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës për të aderuar edhe në shumë trupa dhe instrumente ndërkombëtare.

Njëkohësisht, ato ofrojnë mundësinë për të adresuar dhe përmirësuar sfida dhe mangësi të brendshme të shtetit, meqenëse shumë agjenci të specializuara merren me çështje praktike. Si anëtare e dy agjencive të specializuara, Kosova tashmë ka fituar të drejtën për anëtarësim në të gjitha agjencitë e specializuara. Në kushtet e tanishme, anëtarësimi edhe në katër agjenci tjera është relativisht lehtë i mundshëm.

Në Organizatën Botërore të Pronës Intelektuale (WIPO) dhe në Organizatën e OKB-së për Zhvillim Industrial (UNIDO), Kosova mund të anëtarësohet në mënyrë të njëanshme, duke aderuar në kushtetutat e tyre përkatëse, ose me fjalë të tjera, duke i ratifikuar ato në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (WHO) dhe në Fondin Ndërkombëtar për Zhvillim Bujqësor (IFAD), Kosova mund të anëtarësohet relativisht lehtë, meqë e para kërkon vetëm miratim nga një shumicë e thjeshtë, ndërsa e dyta përdor votim të ponderuar bazuar në kontributet financiare, ku fuqia e votës së njohësve të Kosovës tejkalon pragjet e nevojshme. Pranimi i anëtarëve të rinj në agjencitë tjera zakonisht kërkon pajtimin e të paktën dy të tretave të shteteve anëtare dhe rrjedhimisht anëtarësimi i Kosovës në to është vështirë i mundshëm pasi tejkalon numrin e shteteve njohëse.

Sidoqoftë, sa i përket pranimit në OBSh — por gjithashtu në përgjithësi sa u përket agjencive të tjera — një sfidë mbetet ndërlidhja me rastin e Palestinës dhe precedenti që mund t’i krijohet si dhe politika e lidhur ngushtë e ShBA-së kundër anëtarësimit të saj. Ligje të miratuara nga Kongresi i ShBA-së ndalojnë financimin e organizatave të OKB-së, në të cilat anëtarësohet Palestina.

Pra, duket se ShBA-ja në këto rrethana nuk mund ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në OBSh. Sidoqoftë, mundësia e heqjes së këtyre kufizimeve mund të varet nga përpjekjet diplomatike të Kosovës. Ndoshta tani, në mesin e një pandemie, është shfaqur një mundësi unike për t’iu bashkuar OBSh-së si rrjedhojë e lëvizjes së ShBA-së për ta ndërprerë financimin për OBSh-në. Nëse ShBA-ja prish marrëdhëniet me OBSh, kjo rrethanë sado e hidhur mund të jetë një mundësi për të evituar kundërshtimin e ShBA-së për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë tejet të rëndësishme, sidomos në kohë pandemie.

Kosova nuk është në situatë që i duhet të pranojë një ‘ofertë që nuk mund të refuzohet.’

Për shkak të po kësaj ndërlidhjeje të përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare me aspiratat e Palestinës për njohje dhe integrim ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara në vitin 2015 mbetën pa të drejtë vote për të mbështetur kandidaturën e Kosovës për pranim në UNESCO. Pasi Palestina u pranua në UNESCO si anëtare e plotë në 2012, Shtetet e Bashkuara ndërprenë fondet për këtë organizatë — dhe më vonë tërhoqën edhe anëtarësimin — dhe nuk ishin në gjendje të mbështesnin Kosovën në përpjekjet e saj.

Për t’iu kthyer dilemës sonë rreth domosdoshmërisë së një marrëveshjeje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë — veçanërisht në kontekstin e negociatave në Shtëpinë e Bardhë pak para zgjedhjeve të ShBA-së —Kosova bazuar në këtë vlerësim nuk ka arritur ende në një qorrsokak që do ta detyronte të bënte një marrëveshje me Serbinë është e kushtueshme për sa i përket koncesioneve apo e shoqëruar me humbje eventuale të pakthyeshme.

Kosova nuk është në situatë që i duhet të pranojë një “ofertë që nuk mund të refuzohet”, pasi ka shumë opsione ende të pashfrytëzuara dhe alternativa të vlefshme. Në terminologjinë ekonomike, Kosova duhet të ndjekë konceptin e “përmirësimit pareto” ose “optimizimit pareto”, që do të thotë se duhet të përpiqet të përmirësojë pozicionin e saj sa më shumë që të mundet pa pasur nevojë të bëjë ndonjë sakrificë ose koncesion në këmbim, për aq kohë sa kjo është e mundshme.

Rezultati i negociatave varet në masë të madhe nga “levat” apo mjetet e ndikimit në dispozicion të palëve negociuese. Kosova ka hapësirë ​​të mjaftueshme për të përmirësuar pozicionin e saj në skenën ndërkombëtare si dhe në raport me Serbinë. Vetëm krahasuar dhe matur me këto mundësi mund të të vlerësohet dhe negociohet një marrëveshje e mundshme siç duhet. Pra, një skenar pa marrëveshje nuk është domosdoshmërisht skenar i keq, ndërsa një i tillë me marrëveshje të shpejtë mund të jetë i kushtueshëm.

Imazhi i ballinës: K2.0.