Pas shumë javësh të gufimit, ethet parazgjedhore kanë hyrë në fazën e kulminimit këtë javë meqë përfundimisht nisi fushata zyrtare.
Me veç një javë deri në ditën e votimeve, zor t’u shmangesh bisedave për zgjedhjet, meqë transmetimet dhe rrjetet sociale duket sikur s’përmbajnë gati asgjë tjetër.
Këtë të shtunë të gjithë do të pushojmë pak kur të fillojë heshtja mediale parazgjedhore e detyrueshme, që do të zgjasë 24 orë.
Por deri atëherë, jemi këtu për t’ju orientuar nëpërmjet zhurmës me përmbledhjen e pesë rrëfimeve të mëdha zgjedhore të javës.
- Të gjithë i duan tubimet e mëdha
Të mërkurën (25 shtator) të gjitha partitë politike i nisën zyrtarisht fushatat zgjedhore 10-ditore.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e nisi fushatën me një tubim në sheshin Ibrahim Rugova të Prishtinës, të quajtur sipas ish-liderit të partisë dhe simbolit historik.
Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, deklaroi se po i fitoi zgjedhjet, do t’i hapë dyert e mbyllura të Kosovës.
“Qeveria e udhëhequr nga LDK do ta çajë izolimin që e kemi si pasojë e politikanëve kryeneçë e keqbërës”, tha ajo.
Po në ditën kur nisi fushata, LDK publikoi programin e saj të qeverisjes; programi ndërtohet mbi pesë shtylla kryesore – Qeverisja dhe Sundimi i Ligjit, Familja, Zhvillimi, Arsimi dhe Shëndetësia, si dhe Partneritetet Ndërkombëtare – të cilin Osmani e kishte lajmëruar para dy javësh.
Kadri Veseli e nisi fushatën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në vendlindjen e tij në Mitrovicë, që ka qenë njëra nga pikat fokale të dialogut shumëvjeçar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kam zgjedhur Mitrovicën për ta përcjellë qartë dhe fuqishëm mesazhin e Kosovës dhe PDK-së se Kosova është mirë vetëm kur Mitrovica është mirë”, tha lideri i partisë dhe kandidati i saj për kryeministër në këto zgjedhje. “Jam këtu për të bërë hapin e parë drejt 6 tetorit”.
Pavarësisht fushatave të rafinuara të marketingut dhe premtimeve të mëdha se PDK do të jetë partia e vetme që mund ta luftojë korrupsionin, asaj ende i mbetet ta publikojë një program të qeverisjes.
"E dini se është momenti i fundit për ta shpëtuar vendin nga politikanët e pangopur dhe të paditur që na varfëruan”.
Albin Kurti, VV
Edhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) zgjodhi ta nisë fushatën zgjedhore në qytetin e veriut. Lideri dhe kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, tha se ka ardhur dita për ndryshim në vendin tonë.
Duke folur në një tubim në sallën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë, Kurti tha se “pas 6 tetorit do të lindë një diell i ri mbi Kosovë e për Mitrovicën”.
“Thellë në zemrat tuaja, ju s’keni ardhur vetëm për Lëvizjen [VV] dhe mua, por për veten dhe fëmijët tuaj”, tha Kurti. E dini se është momenti i fundit për ta shpëtuar vendin nga politikanët e pangopur dhe të paditur që na varfëruan.”
Këtë javë VV po ashtu e dyfishoi listën e publikuar më parë prej 20 prioriteteve, duke e vënë arsimin në majë të listës së re me 40 pika përqendrimi.
Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partisë Social-Demokrate të Kosovës (PSD) e zgjodhi Suharekën si vend për ta nisur fushatën zgjedhore.
Zëvendës-kryetari i AAK-së, Blerim Kuçi, tha se më 6 tetor do të ketë referendum për shtetin e Kosovës.
Haradinaj më ka thënë kur s’po jemi aty sende të këqija po ndodhin për Kosovën".
Shpend Ahmeti, PSD
Ai tha se vota për koalicionin AAK-PSD dhe kandidatin për kryeministër Ramush Haradinaj është “votë për burrështetasin e shekullit 21”.
“Vota për AAK-PSD është votë për 100 përqind Kosovë”, tha ai, duke përsëritur slloganin e fushatës së koalicionit, që ka për qëllim të aludojë tek taksa 100 përqindëshe që e vendosi qeveria e Haradinajt mbi produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina; Haradinaj më herët i ka postuar 100 prioritetet e koalicionit për qeverinë e ardhshme.
Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, tha se Haradinaj po mungonte në tubim për shkak se kishte shkuar në ShBA “për t’u kujdesur që të mos ndodhnin sende të këqija për shtetin”.
“Më ka thënë se kur s’po jemi aty, sende të këqija po ndodhin për Kosovën”, tha Ahmeti, para se t’i referohej përpjekjeve të Presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Aleksandar Vučić për ta prezantuar idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet dy vendeve.
“Kanë shkuar atje [në ShBA] presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë e mos po mundohen të bëjnë hartë të re. S’do të votoni për ne, por ta dini se do të votoni për Kosovën”.
Ndërkohë, koalicioni NISMA, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Partia e Drejtësisë (PD), e nisi formalisht fushatën e vet për zgjedhjet e 6 tetorit me një tubim në kryeqytet.
Kandidati i koalicionit për kryeministër dhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj, tha në tubim se është i bindur që koalicioni i tij do t’i tejkalojë të gjitha pritjet, duke siguruar fitore.
“Dëshmia më e mirë jeni ju sonte këtu”, tha ai. “Me qindra mijëra mbështetës tanë, në mënyrë solemne po e hapim fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit, në të cilat ky koalicion do të jetë befasia spektakulare”.
- Kandidatët për kryeministër nuk janë të gjithë të etur për debat
Ndonëse ideja e një “super debati” ndërmjet kandidatëve për kryeministër ka qarkulluar tash sa kohë, realizimi i saj po duket gjithnjë më i pamundshëm.
Këtë javë, të pesë kandidatët kryesorë u ftuan në një debat të mbajtur nga Kongresi Kombëtar i të Rinjve të Kosovës për t’i diskutuar idetë e tyre me rininë. Megjithatë, vetëm Kurti i VV-së dhe Fatmir Limaj nga koalicioni NISMA-AKR-PD e pranuan ftesën. Koalicioni AAK-PSD e justifikoi mungesën e Haradinajt me udhëtimin e tij në ShBA, LDK me agjendën e zënë të Osmanit, ndërsa PDK nuk dha shpjegim për mungesën e Veselit.
Kurti e shfrytëzoi mundësinë për të diskutuar pjesë nga programi i partisë së tij, duke i kritikuar qeveritë e kaluara për investime në ndërtimin e rrugëve, para se në arsim. Ai tha se mbi 10 vjet buxheti për asfalt ishte më i madh se buxheti për Universitetin e Prishtinës, dhe ngulmoi se nëse bëhet kryeministër, sektori i arsimit do të jetë më i rëndësishmi.
Kurti u pyet edhe për qëndrimin në lidhje me simbolet e Kosovës, si flamuri dhe himni, meqë në të kaluarën i ka mohuar dhe ka ngulur këmbë që të përdoren simbolet kombëtare shqiptare. Ai u përgjigj që si kryeministër, nuk do të ishte më vetëm deputet i VV-së, prandaj do t’i respektonte simbolet shtetërore të Kosovës.
Duke iu referuar kritikave për asfaltin, Limaj tha se është krenar për punën që e ka kryer si pjesë e dy qeverive, pasi ka shërbyer si zëvendës-kryeministër në administratën në largim dhe më parë si ministër i transportit prej 2008 deri në 2010 kur ende ishte pjesë e PDK-së.
I pyetur për arritjet e partisë së tij në lidhje me arsimin, pasi që ministria e arsimit është drejtuar nga partia e tij prej vitit 2017, Limaj tha se reformat në këtë sektor nuk mund të bëhen pa u prioritizuar nga kreu i qeverisë.
- Kandidatët e opozitës serbe ballafaqohen me kërcënime
Lista Serbe, e cila i kishte nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për serbë në mandatin e fundit të Kuvendit të Kosovës, këtë javë u akuzua për shantazh dhe ushtrim të presionit të tepërt mbi aktivistët e partive të tjera serbe në Kosovë.
Në një debat parazgjedhor të organizuar nga Qendra e Mediave në Çagllavicë, Nenad Rašić i koalicionit Sloboda (Liria), Slobodan Petrović i Partisë së Pavarur Liberale, si dhe Aleksandar Jablanović i Partisë së Serbëve të Kosovës, e akuzuan Listën Serbe për presion brutal ndaj serbëve të Kosovës. Në këtë debat nuk mori pjesë lideri i Listës Serbe, Goran Rakić.
“Agresiviteti është rritur dhe është bërë më brutal”, tha Rašić. “Bashkëshortja e një aktivisti të partisë sonë është kontrolluar detajisht, është marrë në pyetje, dhe i kanë thënë që kontrata i skadon në tetor. Kështu është prej themelimit të Listës Serbe në vitin 2013. Rezultatet e zgjedhjeve janë në rendin e dytë, pasi që siguria e qytetarëve është mbi të gjitha, në rrethana të tilla”.
Ankesa të ngjashme për kërcënime në mesin e partive serbe i kanë njollosur fushatat zgjedhore në të kaluarën.
Në një intervistë tjetër, Rašić tha se nuk mund ta mohojë që jeta e tij mund të jetë në rrezik për shkak të presionit dhe shantazhit nga Lista Serbe dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, i cili haptas e mbështet Listën Serbe. Është raportuar se koalicioni Sloboda e ka marrë vendimin për të mos postuar fotografi të aktiviteteve të fushatës në rrjete sociale, në përpjekje për t’i mbrojtur mbështetësit e vet nga kërcënimet.
Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut reagoi ndaj komenteve të Rašić-it duke kërkuar që Prokurori Shtetëror të nisë hetime zyrtare, për ta garantuar sigurinë e Rašić-it dhe serbëve të tjerë që gjejnë veten në listën e linçimit verbal.
Ndërkohë, raportohet se Zyra e Prokurorit Shtetëror tashmë ka filluar të merret me ankesat e politikanëve serbë të opozitës në Kosovë. Megjithatë, Rašić beson se reagimet e institucioneve ndaj këtij problemi kanë qenë të ngadalshme.
Ankesa të ngjashme për kërcënime në mesin e partive serbe i kanë njollosur edhe fushatat zgjedhore të kaluara, ndërsa vitin e kaluar lideri i Nismës së Qytetarëve SDP, Oliver Ivanović, u vra para zyrave të partisë së tij.
Ndërkohë, zëvendës-kryetari i Listës Serbe, Milan Radoičić, po kërkohet për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Kosovës në lidhje me vrasjen e Ivanović-it, partia e të cilit e befasoi shumëkënd më herët gjatë muajit kur lajmëroi se kishte vendosur të garonte përkrah Listës Serbe në këto zgjedhje.
- Kutitë e votimit duhet të mbrohen nga policia
Masa të shtuara po ndërmerren nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në përpjekje për ta garantuar integritetin e procesit zgjedhor pasi në rrjete sociale kishte qarkulluar një video e cila thuhet që tregon një votues të diasporës duke plotësuar dhjetëra fletëvotime.
Në një takim të KQZ-së këtë javë, u arrit marrëveshja që të gjitha materialet votuese nga diaspora të mbaheshin nën mbikëqyrje të policisë.
“Duhet të jetë e qartë për sekretariatin [e KQZ-së] që nuk mund të bëhen dërgesa pa policë dhe mbikëqyrës partiakë pas publikimit të videos”, tha përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, i cili e propozoi idenë për siguri të shtuar. “Ky institucion do t’i pranojë fletëvotimet që janë në përputhje me ligjet dhe rregullat në fuqi.”
Afati i fundit për pranimin e fletëvotimeve nga diaspora është të shtunën, më 5 tetor.
KQZ lajmëroi gjithashtu se mbi 2,700 mbikëqyrës të zgjedhjeve nga organizatat joqeveritare dhe mediat janë çertifikuar, dhe se do të ketë edhe misione ndërkombëtare të mbikëqyrjes.
Ndërkohë, përfaqësues të strukturave të sundimit të ligjit në Kosovë janë zotuar për mobilizim të plotë, për të garantuar integritetin e zgjedhjeve të 6 tetorit.
Zyra e Prokurorit Shtetëror lajmëroi këtë javë se 100 prokurorë do të angazhohen anembanë vendit ditën e zgjedhjeve, ndërsa drejtori i departamentit për operacione në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti, tha se polciia do të caktonte ekipe monitoruese në të gjitha komunat e Kosovës, në mënyrë që të ketë siguri në të gjitha vendvotimet, derisa të dërgohen kutitë e votimit për numërim.
- Nuk të duhet partia për të garuar në zgjedhje
Këtë javë u raportua se një kandidat i pavarur po garon në zgjedhjet e ardhshme.
Esmir Kasi thotë se gjendja e keqe në Kosovë, sidomos në mesin e komunitetit boshnjak, pjesë e të cilit është, e ka motivuar që të bëjë përpjekje për t’u zgjedhur deputet, në mënyrë që të mundohet të bëjë një ndryshim të vogël.
“Është gabim kur politika thotë ‘ne nuk hapim vende të punës’ - politika pikërisht këtë e bënë".
Emir Kasi, kandidat i pavarur
Avokati 29-vjeçar nga Prizreni thotë se nëse arrin të hyjë në parlament, do të punojë me shqiptarët për ta ndryshuar situatën në Kosovë.
“Për fat të keq, më 1999 ka pasur luftë dhe shumë njerëz kanë ikur për t’u kthyer, por pas 20 vjetësh, të rinjtë po ikin si pasojë e kushteve jo të mira”, tha ai për KTV. “20 vjet më pas, boshnjakë e shqiptarë dalin jashtë për shkak se nuk ekzistojnë kushtet elementare për jetesë. Do të mundohemi ta ndryshojmë sado pak këtë gjendje”.
Kasi është veçmas i shqetësuar për problemet në arsim dhe shëndetësi, dhe pohon edhe se partitë e tjera nuk kanë punuar sa duhet për t’i mbajtur të rinjtë në Kosovë, si dhe shton që politikanët duhet t’i garantojnë kushtet për krijimin e vendeve të punës, në mënyrë që qytetarët të mos ndihen të detyruar që të largohen.
“Është gabim kur politika thotë ‘ne nuk hapim vende të punës’ – politika pikërisht këtë e bën”, tha ai. “Për këtë arsye kemi hyrë në skenën politike dhe së bashku me vëllezërit tanë shqiptarë do të punojmë që shtetin ta çojmë në një nivel tjetër, sepse Republika e Kosovës është vendlindja jonë”.K
Imazhi: Arrita Katona / K2.0.