Biseda | Kulturë

Elona Beqiraj: Sot, vendos të mos vendos dhe ta jetoj identitetin tim hibrid

Nga - 08.01.2021

Poetja dhe fotografja flet për pasojat e migrimit dhe për gjetjen e vendit të saj.

Elona Beqiraj u lind më 1997 në Gjermani dhe u rrit po aty. Vendin e paraardhësve të saj, Kosovën, për shumë vite e njohu vetëm përmes rrëfimeve dhe pushimeve verore. Ajo filloi të shkruante vetëm për veten e saj. Më pas, libri i saj i parë me poezi “And We Came Every Summer” (“Dhe Ne Erdhëm Çdo Verë”) u botua nga Resonar Verlag në nëntor 2019, i përcjellë me librin e saj të parë me fotografi, “Malli-Sehnsucht”.

Pyetjet rreth mallëngjimit për përkatësi e kanë ndjekur Beqirajn prej moshës së hershme. Duke u zhytur në ditarin e saj dhe duke reflektuar për pozicionin e saj në shoqëri, Beqiraj e kuptoi se çfarë e bënte të ndryshme nga të tjerët nuk ishin rrënjët e saja “të huaja” jo gjermane, por balancimi i përballjes me jetën në Gjermani dhe kujtimet nga gjëkundi.

Në rrjetet sociale, Beqiraj u jep shpresë të rinjve nga diaspora dhe është shembull i gjetjes së një mënyre të shëndoshë për të jetuar ndërmjet dy identiteteve kombëtare apo dy kulturave.

Me art dhe letërsi, Beqiraj gjeti një mënyrë për t’i drejtuar mendimet dhe emocionet e saj. Por, më e rëndësishmja gjeti një hapësirë që shtrihet përtej nocioneve të kombësisë, një kornizë që i përshtatet identitetit të saj të fragmentuar që është më i plotë se më parë.

Kosovo 2.0 u ul për një bisedë me Beqirajn rreth humbjes dhe përditshmërisë, melankolisë së diasporës dhe aktivizmit përmes letërsisë.

K2.0: Libri yt i parë “Dhe Ne Erdhëm Çdo Verë” doli në nëntor të vitit 2019, dhe para se të thellohemi në shkrimet e tua, a mund të na tregosh më shumë për të? Ndoshta duke e sqaruar zgjedhjen e titullit?

Elona Beqiraj: Unë jam lindur në Verden, Gjermani, ku edhe jam rritur. Mirëpo prej se mund ta mbaj në mend, gjithmonë kam menduar se do të “kthehem” një ditë në Kosovë. Për shumë vite, jetoja vetëm për verat. Studioja dhe punoja në Gjermani; jetoja një jetë pasive në Gjermani dhe e neglizhoja cilësinë e jetës sime këtu thjesht duke pritur, duke pritur ta vizitoja Kosovën çdo verë.

A ke qëndruar ndonjëherë më gjatë se vetëm për pushime verore në Kosovë?

Po. Ndryshimi ndërmjet botëve dhe ndjesia e mospranimit të plotë në [Gjermani] ishte e vështirë. Aq e vështirë saqë pas shkollës së mesme vendosa ta kaloja një vit pushimi në Kosovë. Por, në fund i kalova vetëm disa muaj në Prishtinë. Po kërkoja ta gjeja një rutinë. Mirëpo nuk funksionoi. Isha aty për t’i njohur me të vërtetë njerëzit dhe vendin; kisha miq por nuk munda të lidhesha me njerëzit ashtu siç doja. Kështu që u depresionova ta them të drejtën, pasi m’u desh të përballesha me realitetin — e kisha romantizuar vendlindjen si një vend ku do të mund të përkisja. Pastaj shkova në malet e Rugovës, prej nga e kam prejardhjen, dhe qëndrova për tre muaj vetëm — duke shkruar.

Kështu e ke shkruar librin?

Puna me shkrimin është e çuditshme. Kur botuesi më tha t’i dërgoja dorëshkrimet, fillimisht m’u desh t’i merrja 13 apo 14 ditarët e mi nga tavani. Poezitë e mia nuk janë shkruar për t’u botuar në një libër. Në të vërtetë, shkruaja për veten sepse nuk doja t’i ngarkoja prindërit e mi me të gjitha krizat e identitetit dhe pyetjet që kisha, të cilat nuk kishin përgjigje të lehta. E dija se ata kishin halle të tjera; e kishin lënë vendlindjen e tyre dhe përpiqeshin të mbijetonin çdo ditë. Nuk doja t’i ngarkoja. Kështu që të shkruarit në ditarët e mi ishte një mënyrë për t’u përballur me emocionet dërrmuese që kisha në atë kohë. Ishte i vetmi ilaç kundër vetmisë.

Mund të vërej ndjenja faji; a ishin ato shtysë për shkrimet e tua?

Si një e re në diasporë, rritesh me faj sepse prindërit në vazhdimësi ta përkujtojnë se ishe ti arsyeja pse e lanë vendlindjen. “Ikëm që ti të kishe të ardhme më të mirë” është fraza të cilën nuk di sa e sa herë e kam dëgjuar. Andaj, është një presion i vazhdueshëm për “t’ia dalë”, për të qenë me vetëbesim dhe e suksesshme. Dhe pastaj je e dobët, sepse je e dërrmuar dhe ndryshe nga të tjerët përballesh me një lëmsh gjërash që lidhen me përvojën e migrimit. Kështu që në vend se të flisja për këtë me ta, flisja me veten përmes ditarit. Gjetja e fjalëve që buronin nga pasiguria më dha siguri. Dhe të gjitha shkrimet ishin vetëm për mua, ishte hapësira ku mund ta përpunoja krizën time të identitetit.

Librat e Elona Beqirajt kanë të bëjnë me migrimin dhe luftën, dhe përqendrohen në përvojat e saj si pjesë e diasporës. Foto: Elona Beqiraj.

E përmende se kishte të bënte kryesisht me kriza identiteti. A mund ta shpjegosh këtë?

Kur flas për krizën time të identitetit, e nënkuptoj konfliktin e brendshëm; ndihesha e thyer. Dhe kjo nuk filloi në adoleshencë por më herët gjatë fëmijërisë. Çfarë për të tjerët është fëmijëri, për mua ishte pjekuri që në moshë të hershme. Sipas mendimit tim, ata që rriten me një prapavijë të migrimit në një “vend të huaj”, kalojnë më shpejt në prekuri, sepse duhet të marrësh përgjegjësi në një fazë të hershme. Për shembull, duhet të shërbesh si urë ndërmjet institucioneve dhe familjes, duke përkthyer, duke dorëzuar dokumentet. Andaj, faza e reflektimit mbi veten dhe rolin tënd në shoqëri fillon shumë më herët. Sot ndihem shumë e turpëruar për faktin që e kam bërë veten kaq të vogël. Por kur je duke u rritur në mes të gjithë këtyre dinamikave të pushtetit, thjesht përpiqesh të jesh në një pozitë më të mirë dhe të pranohesh.

Prisja tërë vitin të vija në Kosovë gjatë verës dhe kur isha aty, e kuptoja sa ndryshe shihesha nga shqiptarët.

Pra kjo ishte mosha kur e ndieje pjesën e thyer në identitetin tënd, apo kjo erdhi në një fazë tjetër të jetës?

Po, fillon me gjëra në dukje aksidentale. Me mësuesit dhe të tjerët që e gjykojnë anglishten e dobët të prindërve të tu. Jam ndier e turpëruar. Shpeshherë doja ta ndryshoja emrin në “Lena” ose “Anna”. Gjithmonë doja të shkoja për të ndenjur në shtëpitë e shokëve e shoqeve gjermane pas shkollës. Të kaloja në mjedisin e tyre të shtresës së pasur nga lagjja ime e migrantëve me ndërtesa kolektive. Isha e vetmja “migrante” në klasë, bashkë me disa të tjerë në shkollë të mesme, dhe aty ku jetoja isha e rrethuar vetëm me migrantë që nuk shkonin në shkollë të lartë. Sot, ndihem fort e turpëruar që e bëja veten aq të vogël. Por kur rritesh mes këtyre dinamikave të pushtetit, në moshë të re thjesht përpiqesh të jesh në një pozitë më të mirë dhe të pranohesh.

Beqiraj është rritur duke besuar se gjithmonë do të kthehej në Kosovë por marrëdhënia e saj me vendin tani ka ndryshuar. Foto: Elona Beqiraj.

Kur u mësove ta bësh dallimin ndërmjet identitetit të jashtëm dhe asaj që vjen nga brenda? Apo, a arrite në një përfundim të qartë në fund?

Kjo është pyetje me të vërtetë magjepsëse. E pranoj që me vite kam menduar se identiteti është diçka e dhënë nga jashtë. Prandaj isha në një krizë aq të thellë. E kisha bërë imazhin dhe identitetin tim të varur në atë se si njerëzit në Kosovë dhe njerëzit këtu në Gjermani më shihnin. Në Kosovë më quanin të huaj; në Gjermani po ashtu më quanin të huaj. Asnjëherë nuk isha plotësisht e mirëpritur. Prisja gjithë vitin për të ardhur në Kosovë gjatë verës dhe kur isha aty, e kuptoja se sa ndryshe shihesha nga shqiptarët. Dhe e njëjta ndodhte në Gjermani. Kjo vazhdoi për vite të tëra. Ishte shumë e vështirë.

A të ndihmoi procesi i shkrimit të librit për ta kuptuar këtë?

Po, shumë, pa diskutim. Përmes përfundimit dhe botimit të librit e kuptova se mund të zgjedh ndërmjet të dy botëve. Që jam një përzierje e të dy botëve — dhe se kjo është plotësisht në rregull. Dhe pavarësisht se në çfarë rrethe njerëzish gjendem, është zgjedhja ime të theksoj nëse jam shqiptare apo gjermane. Prej dy vitesh, kam krijuar një rreth shoqëror në Gjermani me njerëz që mendojnë njëlloj si unë, duke kontaktuar me aktivistë në rrjete sociale. Dhe, gjithashtu duke u takuar me njerëz të ngjashëm që punojnë në temën e të qenit ndërmjet dy ulëseve.

Sa kohë të ka marrë përgatitja e librit? A ishte rrjedhë e mendimeve apo më shumë  proces i përpjekjeve të ngadalta?

Fillova të shkruaja më intensivisht kur isha në malet e Rugovë para tri vitesh. Andaj, kur e planifikova një libër në vitin 2019, 50% e shkrimeve të mia ishin shënime të vjetra dhe pjesë ditarësh. Dhe gjysma tjetër duhej të ishte me poezi të shkruara nga fillimi. Shkova përsëri në Kosovë për disa muaj, përsëri më gjatë se muajt e verës. Por sa isha atje, ende isha në proces të mbledhjes së impulseve dhe të kuptuarit të përvojave. Vetëm kur u ktheva në Gjermani munda ta filloj procesin e shkrimit.

Më rrëmbehej një pjesë e identitetit sa herë që gjermanët bëheshin kinse është aq e vështirë të shqiptohet emri im, ama dinë ta shqiptojnë emrin e çdo personazhi të “Game of Thrones.”

Poezia jote “I dashur baba”, përfundon me “I dashur baba, m’fal që e kam ngritë zanin, po a nuk e sheh që s’kam pasë zgjidhje tjetër, pos me e ba këtë vend temin, këtë vend të huaj që e thërras shpi”. Duket si kërkimfalje por gjithashtu si thirrje për zgjim, si rezistencë në ngritje?

Pikërisht. Të kuptuarit se kisha ndërtuar një shtëpi iluzionare me Kosovën në mendjen time, më ndihmoi të përballesha me faktin se Gjermania, vendi ku isha lindur, ishte shtëpia ime. Nëse nuk e ndiej si shtëpi, duhet të luftoj për të. Ka më shumë “Alman” (gjermane) në mua sesa do të doja të kishte. Më pëlqen ta mohoj, por është e vërtetë. E kam kuptuar se toka e huaj që është e huaj për babain tim, nuk do të thotë të jetë e huaj për mua.

A mund të na tregosh për poezinë tënde “E dua emrin tim”, ku reflekton për përçmimin ndaj emrit tënd në Gjermani dhe në historinë e shqiptarëve. Si u krijua?

Më duhet të jem shumë e sinqertë sepse është histori e lezetshme. Libri im ishte tanimë gati dhe ishte dërguar për shtyp. Dhe një natë më parë, në katër të mëngjesit, në një gjendje pagjumësie, duke menduar për historinë tonë, historinë e shtypjes, u zgjova dhe fillova ta shkuaj këtë poezi. Më pas, e pyeta botuesin tim nëse mund ta përfshinte edhe këtë në botim.

Me poezinë, në fillim thjesht doja të reflektoja mbi temën se kur isha e vogël kisha dëshirë ta kem emrin gjerman “Lena”, pasi askush nuk mund ta shqiptonte emrin tim dhe e shihnin si të pazakontë. Por pastaj thashë jo, e dua emrin tim. Dhe reflektova për emrin tim Elona, nga vjen, si u krijua, dhe nëpër çfarë ka kaluar për të qenë gjallë sot. Më doli nga zemra.

Pra, poezia “E dua emrin tim” flet për të dy anët e vjedhura të identitetit përmes mohimit dhe degradimit të emrit tënd?

Po! E kuptova se më rrëmbehej një pjesë e identitetit sa herë që gjermanët bëheshin kinse ishte aq e vështirë të shqiptohet emri im, ama dinë ta shqiptojnë emrin e çdo personazhi të “Game of Thrones”. Duke menduar për historinë e shtypjes së shqiptarëve dhe emrat e tyre përballë regjimeve dominuese, kuptova se emri im tashmë ishte shumë i politizuar.  

I thashë vetes se në këtë rast ia kam borxh vetes ta mbaj me krenari. Ta ngris zërin dhe t’i bërtas botës se e dua emrin tim, pikërisht sepse i mbijetoi përçmimit. Në këtë mënyrë, margjinalizimi i gjeneratave dhe vendeve të ndryshme bashkohet në shkrimet e mia si një histori e vetme evokuese. Emri im si problem këtu dhe gjëkundi, atëherë dhe tash.

Beqirajt iu deshën vite për t’i pajtuar të dy identitetet e saja: shqiptare kosovare dhe gjermane. Me kohë, ajo e përqafoi të qenët anëtare e botës së diasporës. Foto: Elona Beqiraj.

Dhe, kjo është diçka që e bën me vetëdije apo pavetëdijshëm?

Plotësisht pavetëdijshëm. Kjo është bukuria e gjithë kësaj. Pasi i ndaj dhe i lexoj poezitë e mia me publikun, vlerësimet e tyre më bëjnë ta kuptoj se i kombinoj përvojat që qëndrojnë bashkë, përvojat paralele dhe ato të ndara.

Pra, pikëtakimi është trajtimi si e huaj prej diku tjetër më herët dhe tani në Gjermani. Në të dy rastet duke u përballur me të qenët Tjetra e ngarkuar me Orientalizma.

Po, realisht poezia nuk ishte planifikuar në atë mënyrë, por ka ngjashmëri pasi këtu trajtohemi si tjetri joevropian, musliman, i Ballkanit; dhe në historinë e Kosovës dhe shqiptarëve jemi trajtuar si myslimanë apo shqiptarë që nuk përkisnim në diçka që përfytyrohej si sllave e krishterë ortodokse. Paraqitemi si të tjerët e pacivilizuar, të pazhvilluar, barbarë.

A të kanë treguar prindërit për historinë e Kosovës apo ishte diçka për të cilën ke gjurmuar vetë?

Të dyja. Mendoj se prindërit e mi kanë folur më shumë për luftën se të tjerët. Është ende një heshtje e thellë rreth asaj se çfarë ka ndodhur, pasi kanë kaluar vetëm 20 vjet dhe revizionizmi historik ndodh ngadalë në Kosovë. Por, unë jam përballur në një fazë të hershme me këtë, përmes nostalgjisë për UÇK-në dhe këngëve të Shkurte Fejzës.

Çfarë mendon se ka të bëjë kjo me rritjen në Gjermani, ky strehim dhe ekzil i brendshëm?

Mendoj se njëra e shkakton tjetrën. Kur isha 18 vjeçe po kërkoja banesë, por pronari e anuloi marrëveshjen e kontratës duke thënë se nuk kishte dëgjuar asgjë të mirë për shqiptarët. Kjo është një formë e diskriminimit që kam përjetuar ndër të tjera, që duket e parëndësishme por lë gjurmë. Jo të gjithë shqiptarët janë përballur me diskriminim, por shumë prej tyre — mendoj se shumica e atyre që kam takuar — po.

Beqiraj planifikon një seri leximesh në gjuhën shqipe për të folur me kosovarët për jetën në diasporë. Traileri i videos nga Resonar Verlag.

 

A mendon se kur rritesh në mes të një përplasjeje identitetesh, ku duhet të vendosësh ndërmjet dy identiteteve të nacionalizuara, arti hap rrugë drejt ballafaqimit me veten dhe fuqizimit të vetes? Cila është fuqia e artit dhe letërsisë që u mungon diskutimeve politike publike?

Në leximet e mia publike kam diskutuar një pjesë të librit tim ku shkruaj për terrorizmin e krahut të djathtë; në vitet e 90-ta aksidenti në Mölln ku u dogjën vendbanimet e populluara nga gjermanë me “prapavijë të migrimit turk”. Dhe së fundi në vitin 2020, në Hanau, vrasja e gjermanëve me origjinë nga jashtë Evropës apo në kufij të saj; duke i bërë automatikisht jogjermanë, joevropianë, duke i kthyer në të huaj edhe pse Gjermania është vendlindja e tyre.

E kuptova se këto poezi ishin shpërndarë më shumë se 1,000 herë në rrjete sociale. Besoj se rezistenca ka veçori të ndryshme, mund të jetë e dhunshme por nuk ka nevojë të jetë e tillë. Rezistenca ime është lirike. Bio-gjermanët më dërgojnë mesazhe duke thënë se e kam ndryshuar pikëpamjen e tyre apo se kanë filluar të reflektojnë për të shkuarën dhe të tashmen raciste në Gjermani. Është tronditëse se sa shumë njerëz janë të pavetëdijshëm dhe të paditur për këto incidente dhe rrethana.

Besoj me të vërtetë se një postim shpjegues në rrjete sociale kurrë nuk do t’i arrinte mendjet dhe zemrat e njerëzve. Thjesht do të mënjanohej. Kur nxiten emocionet mund të prekësh më shumë njerëz dhe të bësh më shumë ndryshim. Mendoj se nxitja emocionale e njerëzve është më transformuese se luftimi dhe diskutimi i aspekteve teorike dhe politike.

Nxitja e emocioneve, por gjithashtu më e rëndësishmja ndarja e emocioneve, të cilën e bën me angazhimin dhe punën tënde. Ti e bën veten të cenueshme para një numri audiencash anonime. A nuk është edhe kjo pjesë e rëndësishme drejt pajtimit?

Po, sigurisht, është pjesa më e rëndësishme, dhe ndarja e personales nuk është gjithmonë e lehtë, por pasi bëhet publike është shumë shpërblyese.

A të ndryshon në atë mënyrë që ti dhe bota nuk jeni aq të ndara si më herët? A është një lloj ure?

Kur e kuptova se jemi shumë, nuk u ndieva e vetmuar me vështirësitë e mia dhe kjo përfundimisht krijoi një lidhje më të fuqishme ndërmjet botës sime private dhe asaj publike. Kriza e identitetit përfundoi sepse e krijova një shtëpi dhe përkatësi në diasporë me një rrjet njerëzish të tjerë që po ashtu janë “as-as”. Një shtëpi që është e pavarur nga njëra apo tjetra anë. Kurrë nuk kam qenë shumë krenare të jem Kanak, një qenie diasporike. [Tani] e shoh si pasuri.

Beqiraj shpreson ta gjejë një lidhje më të sinqertë me shtëpinë e paraardhësve të saj. Foto: Elona Beqiraj.

A është kjo shtëpi diasporike vetëm për shqiptarët?

Jo. Nuk është e rëndësishme se nga vjen, Afganistani, Turqia, Kurdistani; të gjithë ata që kanë pasur vështirësi të ngjashme janë pjesë e rrjetit tim shoqëror të cilin e quaj shtëpi. Është komuniteti im. Një komunitet që është i liruar nga identitetet normative dominuese po që ende e ruan pasurinë kulturore dhe historinë e vet.

Kur thua që ke hequr dorë nga Kosova, a e ke fjalën që ke hequr dorë nga shpresa për të gjetur përkatësi në komunitetin e saj?

Është e bukur mënyra se si i përmbledh mendimet e mia në mënyrë kaq të qartë. Po, pikërisht për këtë e kam fjalën. Nuk kam hequr dorë nga Kosova, kurrë nuk do ta bëj këtë. Por, e kam braktisur nevojën lakmitare për t’i përkitur komunitetit të saj. Sot, vendos të mos vendos dhe ta jetoj identitetin tim hibrid. Një përzierje e të dyjave, duke ndryshuar nga situata në situatë dhe duke e vënë mirëqenien time në rend të parë.

Megjithatë, në arte dhe letërsi ndodh që hibriditeti si koncept i jetuar të lartësohet me nxitim duke i anashkaluar kufizimet strukturore socio-ekonomike. A nuk është ky imazh i rrejshëm i fazës përfundimtare të një rasti të rrallë? A nuk është e padrejtë që duhesh t’i luftosh këto beteja në rend të parë? A nuk është të jetuarit e hibriditetit një përpjekje për të mos u ndier e mposhtur teksa problemet strukturore mbesin të paadresuara?

Po, kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Problemet mbesin, mirëpo unë provoj të jetoj, jo vetëm me to por përmes këtyre dallimeve dhe kufizimeve; unë krijoj diçka të re, një kulturë të tretë. Por problemet mbesin dhe duhet të emërohen… Ende nuk e di se si e gjithë kjo është diçka të cilën mund dhe do ta adresoj.

Si mendon se mund t’i prekësh kosovarët me këto tema për t’i bërë ta kuptojnë më mirë jetën në diasporë?

Po planifikoj të bëj një turne leximesh publike në gjuhën shqipe. Një pikë tjetër është se në libër i trajtoj edhe pyetjet e të ndierit e huaj në vendin e prindërve të mi. Bëra një pyetësor me pyetjen “Kur jeni ndier të huaj në atdheun tuaj?” Dhe përgjigjet ishin shumë të dhimbshme nga njerëzit në diasporë që vizitojnë Kosovën.

Kam dëshirë që këto t’i ndaj me të tjerët që jetojnë në Kosovë, të diskutojmë dhe të flasim për të gjetur një lidhje më të mirë dhe më të sinqertë se vizitat sipërfaqësore gjatë verës. Do t’i përkthej këto pjesë në shqip, pasi kam marrë komente nga shqiptarët në Kosovë se shkrimet e mia i kanë ndihmuar të na kuptojnë, të mos qeshin me ne dhe të mos na thërrasin “shaci”. Kjo më ka bërë të qaj. Andaj, ideja ime është t’i trajtoj këto çështje në Kosovë.

Nëse do të kishe një dëshirë për shqiptarët në Kosovë, cila do të ishte ajo?

Me gjithë respektin për vështirësitë me të cilat përballen, thjesht pak mirëkuptim dhe më pak gjykim për atë se pse jemi ashtu siç jemi dhe për betejat me të cilat përballemi. E kuptoj që gjatë verës importojmë gjëra të bezdisshme dhe vozisim shpejt me Mercedesët tanë; por ata duhet ta dinë se në Gjermani e ndajmë një banesë dydhomëshe me tetë njerëz. Që jemi minoritet i diskriminuar.

Sigurisht që këtu hyjnë vendimet joracionale — blerja e një Mercedesi për t’i treguar familjes në Kosovë se ia kanë dalë mbanë. Ndoshta si ngushëllim i vogël për përditshmërinë e hirtë e të trishtë në diasporë. Do të doja t’ua transmetoja ndjenjën e mospërkatësisë dhe se sa e dhimbshme është ta dëgjosh fjalën “shaci”, kur gjatë tërë jetës të kanë quajtur imigrante. Sidoqoftë, kosovarët përballen me probleme që janë të pakrahasueshme me ato në Gjermani – që janë shumë më ekzistenciale. Për këtë arsye vendosa të kaloja kohë në Kosovë, të kthehesha dhe ta njihja jetën e tyre të përditshme. Mësova përmes bisedave me të tjerët, që është përvoja më pasuruese gjatë procesit të shkrimit dhe botimit.K

Imazhi i ballinës: K2.0