Pikëpamje | Media

Klasa e re analfabete është e varur nga videot në Facebook – dhe ky është lajm i mirë për demagogë

Nga - 21.12.2016

Gjenerata që është pjekur gjatë viteve 2000 komunikon nëpëmjet emotikonëve, dhe kështu sjell një formë të re të lajmeve të stërthjeshtësuara dhe emocionale.

Demagogët e botës, qofshin të së djathës apo të së majtës, sigurisht se po e duan televizionin. Ky medium linear, pasiv, i shtyer prej emocioneve e i përqëndruar në imazhe, e ka reduktuar politikën në një reality shoë. Siç argumentoi Neil Postman në librin e tij ‘Amusing Ourselves to Death’, botuar në 1985, televizioni e ka ulur drastikisht nivelin e diskursit publik në shumicën e demokracive. Prej SHBA në Ian, prej Venezuelës në Francë, prej Egjiptit në Rusi, prej Italisë në Turqi; ka poaq konkurencë për të kapur syrin e shikuesve, sa ka edhe për t’i mbledhur votat e tyre. Në shumë shtete, ky sy automatikisht përkthehet në vota.

Më alarmues është fakti se interneti, që ishte hapësira e fundit publike që përqëndrohet në fjalë pas rënies së gazetarisë së shtypit, po kapitullon ndaj formatit të televizionit. Nocioni i rrjeteve sociale si Facebook, Twitter etj. po e mbytë internetin, dhe kështu edhe gazetarinë që bazohet në fjalë. Facebook tani është më shumë si e ardhmja e televizionit se që është si internet, siç është dukur për më shumë se dy dekada.

Hulumtimet e fundit nga Oxford University tregojnë se shikimi i videove online po rritet në SHBA dhe në shumicën e pjesëve të botës, me përjashtim të Evropës veriore – ndoshta meqë kanë bilanc më të shëndoshë në mes të punës e jetës, dhe meqë sistemi i arsimit publik në këto vende ende promovon leximin dhe mendimin kritik.

Facebook dhe Instagram i vrau hyperlinks për të maksimizuar profitet duke i mbajtur përdoruesit brenda, dhe duke i ekspozuar gjithnjë e më shumë ndaj reklamave.

Ndërkohë Facebook ka lajmëruar që videot së shpejti do të dominojnë, meqë “komandojnë shumë informata në periudhë shumë më të shpejtë e kështu në fakt ky trend na ndihmon që të pranojmë më shumë informata në mënyrë më të shpejtë”, me fjalët e Nicola Mendelsohn, zëvendës president në Facebook.

Kjo i konfirmon spekulimet e mija; kur më liruan nga një burg iranian në vitin 2014, zbulova një internet krejtësisht tjetër, ku tekstet po reduktohen dhe imazhet, të lëvizshme e të palëvizshme, po shtohen. Si pionier i blogging në Iran, pas gjashtë viteve i izoluar ajo që e kuptova ishte se blogs, shembulli më i mirë i sferës së decentralizuar publike, kishin vdekur.

Facebook dhe Instagram i vrau hyperlinks për të maksimizuar profitet duke i mbajtur përdoruesit brenda, dhe duke i ekspozuar gjithnjë e më shumë ndaj reklamave. Pra po e vranin internetin e hapur, që u themelua prej linqeve. Interneti ishte bërë më shumë si mjet i zbavitjes se sa hapësirë alternative për diskutim publik. Edhe më keq është se vërejta një ndjenjë të çuditshme të shqetësimit në mesin e të rinjve sa herë që u kërkohej që të lexonin diçka më të gjatë se 140 shkronja.

Sigurisht se teksti nuk do të vdes kurrë, por aftësia për të komunikuar nëpërmjet alfabetit tani ngadalë po bëhet privilegj që i përkushtohet një elitës së vogël në shumë shoqëri – si në mesjetë, kur vetëm politikanët dhe murgjit e gëzuan aftësinë e komunikimit nëpërmjet alfabetit. Tjerët do të jenë analfabetë të shekulit 21 që kryesisht komunikojnë nëpërmjet imazheve, videove – dhe sigurisht, emotikonëve.

Klasa e re analfabete, e varur nga televizionët e tyre të vjetër ose nga televizionët mobil personal të përqëndruar në Facebook – me fjalë tjera, telefonët e mençur – janë lajm i mirë për demagogë. Shikoni se si Donald Trump e zotëroi formulën e televizionit për ta kthyer në maqinë pa pagesë të marrëdhënieve me publikun.

Postman në mënyrë të përkryer shpjegoi pse në librin e tij. Për të, dallimi në mes të diskursit publik në SHBA në shekujt 16-19 dhe ati tani është se opinioni publik i epokës së televizionit është më shumë strukturë e “emocioneve e jo opinioneve, e prandaj edhe ndryshojnë nga java në javë, siç na tregojnë anketuesit”. Ai e sheh natyrën zbavitëse të televizionit si vetëm prodhuese e keqinformimit, që “nuk do të thotë informimit të gabuar. Do të thotë informata çorientuese – të pavenda, jo relevante, të copëtuara ose sipërfaqësor; informata që krijojnë iluzion të dijes, por në fakt e largojnë njeriun nga dija”.

Është e qartë se për të patur demokraci të shëndoshë, përfaqësuese, kemi nevojë për më shumë tekst se video, të paktën për t’i rezistuar demagogëve vetëshërbyes.

Raportimi në lidhje me referendumin e BE në televizionet e Mbretërisë së Bahskuar (MB) ishte shembull i mirë i kësaj. Në përpjekje për t’i respektuar rregullat mediale të MB për paanësi, disa ende besojnë që debatet e shumta, në të cilat të dy anët kishin kohë të barabartë për të argumentuar, nuk ishin të drejtë sa i përket një temës kaq të ndërlikuar e të ndjeshme si Brexit. Kjo është veçanërisht e vërtetë tani që disa prej pretendimeve fillestare që u shprehën nga kampi që ishte pro daljes, si rialokimi i një shumë prej 350 milion funta “që i dërgohet BE-së çdo javë” në sistemin publik të kujdesit shëndetësor në MB, tani po hidhen poshtë nga vet njerëzit që i dhanë këto pretendime. Veç se pati mjaft shumë demaskime e dekreditime për këto shtrembërime e keqinformime në internet dhe në shtyp. Por kur flet për numra dhe matematikë në televizion, sigurisht se del e mërzitshme dhe e padobishme. Siç thotë fjala e urtë e persianëve të lashtë “një person budalla e gjuan një gur në bunar, por njëqind të mençur nuk mund ta nxjerrin atë”.

Justin Webb, ish-redaktor për Amerikën e Veriut në BBC, e çoi aq larg sa që i la fajin rregullave ekzistuese të paanësisë, duke shkruar në Radio Times: “Një prej mesazheve më të qarta gjatë fushatës së referendumit ishte se audiencat janë të uritura për dituri reale. Njerëzit donin që të shkonin përtej pretendimeve dhe kundërpretendimeve në mënyrë që të mund ta kuptojnë se cila ishte e vërteta”. Ai aludoi se “mediat kanë nevojë që ta rishqyrtojnë atë se si raportojnë për politikë, dhe mënyrën se si kërkojnë llogari nga njerëzit pas votimit për të dalur nga Bashkimi Evropian”, sipas The Guardian.

Muzgu i gazetarisë së përqëndruar në fjalë, qoftë në shtyp apo në internet, është diskurs i stërthjeshtësuar, emocional, politik, është pjesëmarrje e painformuar politike, dhe sigurisht, më shumë demagogji nëpër botë.

Vështirë është të themi se a ishte publiku ai që i pari kërkoi më shumë video, apo mediat që të frikësuar nga mundësia e teknologjive që bllokojnë reklamat, nxituan kah videot, që tërhoqën më shumë audiencë, prodhuan më shumë para për reklama, dhe dolën që të jenë më të vështira për t’u bllokuar. Sidoqoftë, përballemi me pasoja të tmerrshme të një ndryshimi për të ardhmën e demokracive tona.

Është e qartë se për të patur demokraci të shëndoshë, përfaqësuese, kemi nevojë për më shumë tekst se video, të paktën për t’i rezistuar demagogëve vetëshërbyes. Ky nuk është vetëm problem amerikan apo britanez; ky është rrezik që i kanoset civilizimit tonë.

Ky artikull u publikua fillimisht në shtator në International Business Times dhe është publikuar përsëri këtu me lejen e autorit.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.