Nuk është e lehtë të flasësh për traumën e rëndë që të trondit zemrën. Natyrisht që do kohë. Duhet ta përpunosh, t’i tejkalosh ciklet e pafundme të pafuqisë, ndrydhjes, dhimbjes, mohimit, fajit, dhe pastaj t’i përballosh rishfaqjet e mundshme.
Do kohë ta pranosh që trauma, në të vërtetë, nuk zhduket kurrë. Vetëm bëhet më kollaj të jetosh me të. Nëse ke fat.
Edhe atëherë, kurrë s’mund të jesh i përgatitur kur ajo të bie grusht në fytyrë ose të ther në zemër, veç për shkak të ndonjë trilli.
Ishte vera e vitit 2015, dhe isha me fat që kisha marrë ftesën për t’iu bashkëngjitur fushatës për rihapjen e Muzeut Kombëtar të Bosnjës e Hercegovinës. Atëbotë, ky institucion ishte buzë rrënimit dhe zhdukjes, meqë aktorët vendorë politikë kishin zënë vend rreth gjysmëkufomës së tij për t’u grindur se kujt i takojnë mbetjet.
Aty ishim, shtatë vetë në një zyrë të improvizuar në katin e dytë të godinës austro-hungareze që ishte ngritur për ta ngërthyer tërë historinë e dokumentuar të shtetit tonë, duke planifikuar se si ta kthejmë gjendjen mbarë, kur një lajm prej një portali vendor ma tërhoqi vëmendjen.
S’më kujtohet saktësisht se për çka ishte lajmi. S’ka rëndësi tash, siç nuk kishte as atëherë. Krejt çfarë pashë ishte fotografia e ballinës. Ajo shfaqte një djalë refugjat, jo më i vjetër se 8 vjeç, me farmerka dhe xhaketë denim, i ulur para stacionit të autobusëve në Beograd.
Papritmas s’ishte më viti 2015; ishte 1992-ta, dhe ai djali isha unë.
Isha po në atë vend më 2 maj 1992, si 8-vjeçar që kishte lënë Sarajevën vetëm disa orë para se forcat e Republikës Serbe, të mbështetura nga Ushtria e fuqishme Kombëtare e Jugosllavisë, ta godisnin rëndë qytetin me artileri dhe sulme të mekanizuara — ishte e para prej shumë herash të tjera. Madje, isha i veshur njëjtë sikur ai.
Atmosfera armiqësore, ndjenja e dëshpërimit, dhe frika e njëmendtë nga madhësia e përbindëshit nacionalist që gjendej ndër ne nisën të peshojnë mbi trupin tim të vogël prej atij momenti.
Natyrisht që ia plasa vajit kur pashë fotografinë. Jo vetëm për shkak se ma kujtonte traumën time tronditëse; por edhe nga mosbesimi që kjo po i ndodhte sërish dikujt tjetër.
Kriminalizimi i refugjatëve
Pak kohë më pas vdiq Alan Kurdi, një djalë 3 vjeç nga Siria, dhe e gjithë bota u detyrua ta shihte fotografinë e kufomës së tij në breg të detit diku afër Bodrumit të Turqisë.
Sidoqoftë, momenti botëror i empatisë u zëvendësua shpejt me Marrëveshjen BE-Turqi në mars të vitit 2016, e cila mësyu ta ndalte “rrjedhën e parregullt të imigrimeve”, duke përmendur edhe “imigrimet ilegale”. Kjo kriminalizoi çdo përpjekje të njerëzve që kërkojnë strehë nga lufta — ose fatkeqësitë e tjera — dhe siguroi që s’mund të vënë as edhe një hap në kontinentin tonë të lakmuar.
Kjo farsë u mishërua në përformancën joironike dhe egoiste të artistit të njohur kinez, Ai Weiwei, i cili mendoi se do të ishte ide e mirë ta fotografonte veten në mënyrën si u gjet i trupi i vdekur i Kurdit.
Shkalla e vërtetë e tragjedisë për ata që gjenden në Turqi, prej të cilëve 80% janë sirianë, mund të kuptohet prej faktit që të gjithë jetojnë nën vijën e varfërisë.
Porosia ishte e qartë: empatia ka vdekur; krejt çfarë ka rëndësi nga tash është imazhi.
Çfarë BE-ja s’kishte marrë parasysh gjatë përllogaritjeve me Turqinë në pazarin e llojit “ju ndalni njerëzit, ne ju japim paratë” ishte se, me nënshkrimin e ujdisë, Turqisë dhe Presidentit Rexhep Tajip Erdoan do t’i jepej një mënyrë për ta shantazhuar dhe ngacmuar BE-në drejt nënshtrimit çdo herë që i hyn në punë.
Për të qenë i drejtë, marrëveshja vërtet vuri shtrëngesë të rëndë mbi Turqinë, e cila ende po akomodon rreth 3.9 milionë refugjatë (sipas shifrave të vitit 2018). Shkalla e vërtetë e tragjedisë për ata që gjenden në Turqi, prej të cilëve 80% janë sirianë, mund të kuptohet prej faktit që të gjithë jetojnë nën vijën e varfërisë.
Organizata Help Refugees (Ndihmo Refugjatët) ka shënuar se infrastruktura turke e mbajtjes po vazhdon të rritet, ndërsa azilkërkuesit po përballen me pritje të gjata derisa kërkesat e tyre për mbrojtje ndërkombëtare ende po diskutohen.
Në vitin 2017, organizata Amnesty International radhiti Turqinë si shtet të pasigurt për refugjatët, meqenëse ajo s’mund t’i garantonte të drejtat themelore për ta brenda territorit të vet. Edhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka nxjerrë përfundimin se Turqia nuk është “shtet i tretë i sigurt”.
Megjithkëtë, kjo kishte pak rëndësi për BE-në dhe shtetet anëtare, pavarësisht faktit që marrëveshja do të nënkuptonte largim nga ligjet mbrojtëse për refugjatët, të cilat papritmas u bënë mjaft të lakueshme.
Siç ka thënë Kenneth Roth, drejtori ekzekutiv i Human Rights Watch (Vrojtuesit e të Drejtave të Njeriut), në vitin 2015, kjo qe një krizë e “politikës, jo e kapaciteteve”. Pavarësisht se sa e vërtetë tingëllon, duhet pasur parasysh edhe aspektin tjetër që liderët e BE-së zgjedhin e përzgjedhin ligjet që duhet e s’duhet të respektohen në çfarëdo kohe.
Hapja e portave
Duke e krijuar një zonë të ndërmjetme në Turqi — dhe një version të vogël por të rrezikshëm të saj në Ballkan — Bashkimi Evropian pa dyshim ka shkelur të gjitha konventat, statutet dhe legjislacionin e vet sa i përket të drejtave të refugjatëve dhe azikërkuesve; duke i frikësuar më këmbëngulësit (të cilët të shumtën e rasteve janë edhe më të cenueshmit) me një “guantanamizim” të mundshëm të çfarëdolloj përpjekjeje për të mbërritur te siguria e shumëkërkuar në shtetet perëndimore.
Dhe në vlugun e operacioneve të Turqisë të vitit 2020 në Siri, Erdoani e pa të arsyeshme ta shpërqendrojë vëmendjen dhe të ndjellë drojë duke i hapur portat.
Teksa refugjatët dhe azilkërkuesit lëvizin drejt kufijve të BE-së, zyrtarët përgjigjen ndaj tyre sikur të ishin murtajë.
Në vitin 2020 gjendesha në Bruksel, pasi zura punë si korrespondent i BE-së për transmetuesin publik boshnjak — është prej atyre punëve që secili gazetar përpiqet ta sigurojë gjatë karrierës. Për më shumë se një vjet kam pasur mundësinë ta shoh dhe ta kuptoj sistemin përbrenda, për aq sa munda.
Së voni kam vazhduar të punoj me projekte që lidhen me demokracinë në Ballkan, me shpresën që të bëj diçka të mirë në terren që shkon përtej raportimit të thjeshtë dhe analizave të herahershme. Prapë, unë pata mundësinë të shoh se si duken gjërat nga ana tjetër e tragjedisë.
Teksa refugjatët dhe azilkërkuesit lëvizin drejt kufijve të BE-së, zyrtarët përgjigjen ndaj tyre sikur të ishin murtajë.
Pesë vjet pasi dy milionë refugjatë erdhën në Evropë, po i shohim imazhet e njëjta — telat me gjemba, lotsjellësi, e këto gjëra. Videoja e prindërve që bëjnë çmos ta ndihmojnë fëmijën të marrë frymë pasi preket prej lotsjellësit ështe dëshmi tjetër e dhimbshme që empatia jo vetëm që ka vdekur, por edhe është qëmoti nën dhe, bashkë me ata që kanë vdekur në ujërat e thella të Egjeut, ose në shtigjet e pjerrëta malore të Ballkanit.
A i kujtoni qendrat e mbajtjes që Turqia i ka zgjeruar me ritëm të vazhdueshëm? Duket se Greqia ka së paku një qendër sekrete të mbajtjes, ku imigrantët po mbahen pa mundur të komunikojnë me të tjerët dhe pa pasur qasje në ndihmë ligjore.
Ani se disa nga ne, përfshirë Bobo Veberin e Këshillit për Politika të Demokratizimit, jemi munduar t’ua kujtojmë liderëve tanë që me ligjet evropiane, asnjë shtet nuk ka të drejtë t’i ndalojë azilkërkuesit ta lënë apo të hyjnë në një shtet. Ose se, mbas Konventës së Gjenevës për Refugjatët dhe legjislacioneve të lidhura evropiane, nuk ekziston diçka sikur “imigrimi ilegal”.
Këto nuk patën ndonjë ndikim teksa Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, dhe të tjerë e vështruan kundërpërgjigjen e tmerrshme nga një helikopter, dhe mediat i përhapën fotografitë e tyre ku lideret dukeshin si pjesëmarrës të serialit “Top Gun” në Greqi.
Nuk pati ndonjë ndikim që Von Der Leyen, duke e lëvduar Greqinë si “aspida” ose “mburojën” e BE-së, ajo pa dashje e quajti atë gjarpër helmues, i cili është kuptimi i fjalës në gjuhë të tjera.
Nuk ka ndonjë domethënie që ne, njerëzit që dikur kemi qenë refugjatë në nevojë për ndihmë dhe së paku një premtim për siguri, po e shprehim dhimbjen dhe indinjatën jonë: këta janë njerëz dhe kanë po ato të drejta që i kemi edhe ne.
Qytetarët kundër elitave politike
Çfarë duhet t’ia ndiejë Presidentes Von Der Leyen dhe kolegëve të saj është mendimi i qytetarëve të BE-së.
Sipas të dhënave të Listen to Europe (Dëgjoje Evropën) nga European Movement International (Lëvizja Evropiane Ndërkombëtare), shumica e qytetarëve të Bashkimit nuk kanë stereotipe të rënda negative kundër imigrantëve.
Edhe Greqia — ku qytetarët ndiejnë se janë lënë pas dore nga BE-ja në kulmin e krizës së vitit 2015 — qëndron nën vijën e mesit për pyetjen se a e dobëson imigrimi shtetin, duke qenë se 66% e të anketuarve mendojnë se imigrimi ndikon vetëm shërbimet tashmë të diskutueshme shoqërore.
Sepse historia nuk është e domosdoshme të përsëritet, pavarësisht farsës dhe tragjedisë.
Pra, nëse qytetarët e shteteve anëtare të BE-së do të merrnin pjesë në vendimmarrje, shumica prej tyre nuk do të kishin problem me ofrimin e ndihmës përderisa ka mbështetje të përputhshme nga institucionet — edhe pas gjysmë dekade politikash polarizuese dhe narrativave që i paraqesin refugjatët si dëmtues të shoqërive tona.
Ideja është se ne ende mund ta kthejmë gjendjen mbarë: recidivizmi në mbarë Bashkimin na ka shtyrë të harrojmë se ligjet duhet të respektohen dhe jo të lakohen sikur goma; mungesën e empatisë prej atyre që duhet të jenë në krye në detyrës që ne t’i hapim krahët dhe t’i pranojmë nevojtarët; ekzistencën çnjerëzore të atyre që kanë nevojë për ne, por që gjenden në një limb të tmerrshëm.
Sepse historia nuk është e domosdoshme të përsëritet, pavarësisht farsës dhe tragjedisë.
Është shumë më keq, në fakt. Çdo herë që ne nuk mësojmë nga ajo, helmi i gjarprit përhapet nëpër shpirtrat tanë, derisa të na mbarojë tash e përgjithmonë.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.