Biseda | Trashëgimia kulturore

Ervina Halili: Rilindja është i vetmi institucion që ka krijuar komunitet të shkrimtarëve

Nga - 28.12.2019

Shkrimtarja që realizoi Arkivin Rilindja flet për veprimtarinë e ndërmarrjes dhe për sfidat që ajo i kapërceu gjatë mbledhjes së materialit.

Fole e bashkimit të shumë shkrimtarëve, gazetarëve dhe njerëzve tjerë të kulturës që nga vitet ‘40 e deri pak vite pas luftës në Kosovë ka qenë ‘‘Ndërmarrja Shoqërore Rilindja”.

Nga koha kur letërsia shqiptare u bënte rezistencë rrethanave, kur arti krijohej për të luftuar sistemin dhe kur nën rreshta i flitej lexuesit, sot kanë mbetur shumë pak gjurmë. 

Së fundmi është bërë lansimi i platformës virtuale Arkivi Rilindja, i realizuar nga Ervina Halili në kuadër të platformës Heritage Space (Hapësira e Trashëgimisë) që implementohet nga Cultural Heritage without Borders Kosova (Trashëgimia Kulturore pa Kufij).

Paneli i diskutimit në mbrëmjen kur u lansua Arkivi Rilindja. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Halili e ka filluar koleksionimin e materialit në mënyrë vullnetare para disa vitesh, duke mbledhur dorëshkrime, rrëfenja nga shkrimtarët që jetojnë, kujtime nga familjarët e atyre që kanë ndërruar jetë, dhe ato pak video e fotografi të mbetura nga ajo kohë.

Kosovo 2.0 ka biseduar me Ervina Halilin, shkrimtaren dhe hulumtuesen që ka realizuar Arkivin Rilindja, të prezantuar më 3 dhjetor në Kino Armata të Prishtinës.

Çka më dhemb shumë është se nuk kemi pasur letërsi kolektive para Rilindjes.

K2.0: Çka ju ka shtyer ta studioni Rilindjen në hollësi dhe t’i grumbulloni e digjitalizoni të dhënat e asaj kohe? 

Pata shkruar një libër që është botuar në vitin 2016 në Vjenë. Quhet “Gjumi i Oktopodit”. Është libër konceptual-poetik. Tematika e librit është vetëshkatërrimi kolektiv. E kam marrë si simbol një lloj të oktopodit, i cili ekziston me të vërtetë si specie natyrore. Ata bien në depresion dhe nuk i njohin më tentakulat e veta, kështu që i hajnë ato dhe bëjnë një lloj vetëvrasjeje. Unë i bëra shenjëzim të vetëshkatërrimit kolektiv këta oktopodë. A ka mundësi një kolektiv të vetëshkatërrohet, ta shkatërrojë atë që e ka krijuar?

Studimet e mia paraprake janë mbi automatizmin kolektiv në letërsi. Kjo nënkupton se si sillet nënvetëdijshëm një kolektiv ose në mënyrë subkoshiente, instinktive. Jam munduar ta projektoj këtë përmes shkrimeve letrare kolektive të një kulture të caktuar. Çka më dhemb shumë është se nuk kemi pasur letërsi kolektive para Rilindjes. E kemi pasur Pjetër Bogdanin, Pjetër Budin, të cilët kanë funksionuar në Kosovë, por nuk kanë shkruar krejtësisht në gjuhën shqipe, sepse nuk kemi pasur alfabet të gjuhës shqipe. 

Mua më vjen shumë keq sepse veprimtarët të cilët e kanë krijuar dhe e kanë mbrojtur ideologjinë kombëtare shqiptarë në Kosovë kanë qenë vetëm shkrimtarët, sepse ata kanë qenë të vetmit intelektualë që ne i kemi pasur në Kosovë. Ata kurrë nuk kanë mundur ta ndërtojnë letërsinë sepse u është dashur të angazhohen në veprimtari kombëtare. 

Rilindja është i vetmi institucion që ka krijuar komunitet të shkrimtarëve. Ai komunitet i shkrimtarëve ka qenë i tillë që e ka ruajtur identitetin kombëtar shqiptar duke u munduar ta ndërtojë letërsinë dhe shkollën në gjuhën shqipe, duke u munduar ta mbajë identitetin e lidhur që nesër-pasnesër tjerët të rebelohen për të mos iu humbur identiteti kulturor. 

Dhe në fund ne shkatërrojmë dosjen e tyre, nuk i kujtojmë kush janë ata, kanë mbetur vetëm edhe dy shkrimtarë prej tyre gjallë dhe nuk e kemi ditur kush janë ata. Ne duhet t’i kujtojmë ata, sepse përmes tyre e ruajmë identitetin tonë, përmes tyre ndihemi krenarë se kush kemi qenë, edhe gjeneratat pas nesh ndihen krenarë që e kemi një bazament kulturor. E nëse nuk e kemi atë bazament kulturor, shkëputemi si identitet, s’kemi identitet kombëtar.

Kur vinin këtu shokët e mi të Albanologjisë, për shembull për ta studiuar imazhin e Kosovës në studimet letrare të Ali Podrimes, nuk gjenin të dhëna askund.

Kur vija në Kosovë [sa kam jetuar në Evropë], mahnitesha pse ne nuk e kemi asnjë urë lidhëse që krijon një lidhje identitare me këtë vend, që e bën qytetarin të lidhet me identitetin e vet. Ne vetëm krijojmë shkëputje identitare. Identiteti është gjendje emocionale kolektive. Kjo ka qenë e para, e dyta ka qenë fakti që jam e fushës së Albanologjisë. 

Kur vinin këtu shokët e mi të Albanologjisë, për shembull për ta studiuar imazhin e Kosovës në studimet letrare të Ali Podrimes, nuk gjenin të dhëna askund. Nuk ka digjitalizim të dhënave, ata vinin prej Rusisë për të kërkuar të dhëna, prej Mynihut. Mua më vinte turp si qytetare e Kosovës. Ata bile kanë më shumë të dhëna atje sesa ne këtu. Dhe unë mendoja se patjetër duhet të bëhet një muze i letërsisë, ose të digjitalizohet arkivi, ose diçka tjetër praktike. Ajo [më lart] ishte ana ime emocionale, kjo është ana praktike

Sa vite ka zgjatur rrugëtimi drejt lansimit të Arkivit Rilindja, cilët kanë qenë hapat e parë dhe a keni pasur bashkëpunëtorë?

Ka zgjatur tetë vite dhe nuk kam pasur bashkëpunëtorë, e gjitha ka qenë punë vullnetare. 

Ka filluar kur e kam takuar për herë të parë shkrimtarin Musa Ramadani dhe e kam parë që po shëtit rrugëve të Prishtinës krejt i vetëm. Njëherë më ka thirrur në ëmbëltoren “Elida” për ta pirë nga një kafe bashkë.

“A po i sheh?”, më ka pyetur.

“Kë?”, ja kam kthyer. 

“Beqir Musliun, Teki Dervishin, a po i sheh?”

“Jo.” 

“Jo de, se krejt kanë vdekë, veç unë jam gjallë.” 

Unë kam dalë jashtë dhe e kam bërë një fotografi, është brenda në Arkiv dhe thotë “Këtu në Elidë ne jemi mbledhë kur na kanë qitë jashtë, Elida ka qenë institucioni i vetëm ku ne kemi ndejtë ditë e natë”.

Takoheshim mandej çdo ditë në Elida dhe ai më tregonte storie pafund, saqë thoja me vete, “këto duhet me u pa dikund”. Pata filluar t’i incizoj storiet dhe t’i fotografoj. Kjo ka ndodhur në 2012-2013.

Pasi u ktheva nga Zvicra, i shkrova Sali Shoshit nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij dhe i thashë se e kam një arkiv dhe duhet bërë diçka me të. Domethënë para 4-5 muajsh ata janë bërë bashkëpunëtorë të këtij arkivi përmes platformës Heritage Space [Hapësira e Trashëgimisë].

Foto: Altin Gashi / K2.0.

A ka qenë e lehtë vënia e kontaktit me shkrimtarët, diskutimi me ta dhe marrja e informatës mbi atë se çfarë ka qenë Rilindja?

Nuk ka qenë e vështirë sepse ata ndihen të harruar dhe në momentin e parë që iu afrohesh, janë në gjendje të të flasin gjatë dhe të ta ofrojnë krejt arkivin. Edhe familjarët e tyre ndihen të harruar.  

Natalia Zaba është studente e  Albanologjisë. Ajo e ka pasur temën e masterit “Imazhi i Kosovës te Vasko Popa dhe Ali Podrimja”. Ka shkuar në Beograd dhe ka gjetur gjithçka për imazhin e Kosovës nga Vasko Popa, miti i Kosovës është shumë i shprehur tek ai. 

Dhe kur ka ardhur këtu [në Kosovë] për Ali Podrimen, është dashur që unë ta njoftoj me të, sepse përndryshe do t’i ishte dashur të shkojë në bibliotekë dhe t’i hyjë hulumtimit manual, nuk ka asgjë të digjitalizuar e as të dokumentuar. Arkivi i shtetit posedon shumë pak ose aspak dokumentacion të rëndësishëm për një hulumtues, ndërsa Biblioteka Kombëtare ka vetëm veprat e shkrimtarëve.

Të gjithë studentët e huaj të Albanologjisë m’u referonin mua që t’i njoftoj me shkrimtarët sepse vetëm përmes arkivave personale [të shkrimtarëve] mundnin t’i kryenin hulumtimet e tyre. Kjo ishte dhimbje shumë e madhe për mua, sepse këto detyra i kanë institutet, ai i Albanologjisë, Biblioteka Kombëtare, Arkivi i Kosovës dhe arkivat rajonale. Nuk e kanë për detyrë shkrimtarët, gazetarët ose kushdo qoftë. Prandaj institutet e Kosovës paguhen prej taksapaguesve të Kosovës për ta kryer këtë punë. 

A mund të na flisni për pjesën e mbetur nën “pluhur”, atë që ka mbijetuar nga Rilindja?

Nuk ka dorëshkrime të arkivit ligjor klasik të Rilindjes, ka vetëm disa dosje personale të gazetarëve dhe një numër të madh të fotografive, të cilat i kanë Ilaz Bylykbashi dhe Enver Bylykbashi, por ato janë private të tyre.

Familjarët kanë fotografi, familjarët e shkrimtarëve kanë dorëshkrime, të cilat po tentojmë t’i mbledhim përmes tyre. Ndërsa, sa i përket institucionit ligjor nuk besoj se ka mbetur diçka. 

Cila ka qenë sfida më e madhe përgjatë këtij rrugëtimi?

Ka shumë në fakt, për shembull shkrimtarët të cilëve u janë vjedhur arkivat nëpër shtëpia, në kohë të luftës kur të gjithë i kemi braktisur shtëpitë dhe kemi ikur. 

Rilindja nuk i ka ruajtur arkivat e tyre, shtëpitë e tyre janë bastisur dhe u janë vjedhur arkivat. Njëri nga ta është Anton Pashku. Kjo është sfida ime më e madhe, familja e Pashkut nuk posedon material të tij dhe ne mundohemi të gjejmë fotografi dhe materiale për të prej të tjerëve.

Për mendimin tim, Anton Pashku është baza e letërsisë moderne në Kosovë, ndërsa arkivi i tij është arkivi më i varfër që ne e posedojmë.

Nuk është shumë e lehtë, për shembull Radiotelevizioni i Prishtinës nuk e ka asnjë video deri tash, unë nuk posedoj asnjë video të Anton Pashkut, përderisa posedoj video të të gjithë të tjerëve. Fotografi të Pashkut kam vetëm pak nga familjarët e tij.

Ai ka vdekur në vitin 1995 ndërsa në Shqipëri ka qenë i censuruar botimi i tij. E kanë gjetur një kartuç, siç i thonë në arkivin e Shqipërisë, ku deklarohet se është i ndaluar botimi i tij në Shqipëri, për shkak se shpallet hermetik i ndaluar, sepse në atë kohë, komunizmi nuk ka lejuar shkrimtarë modernë. 

Prandaj kam marrë shumë histori orale prej shkrimtarëve që e kanë pasur shok të klasës, ose gazetarëve të cilët e kanë pasur shok të fshatit, dhe kështu ndoshta mund të mbledhim edhe histori të fëmijërisë, jo vetëm fotografi. Por për mendimin tim, ai është baza e letërsisë moderne në Kosovë, ndërsa arkivi i tij është arkivi më i varfër që ne e posedojmë.

Deri tani janë të regjistruar tetë shkrimtarë në arkivin digjital të Rilindjes. Sa shkrimtarë përafërsisht kanë vepruar brenda Rilindjes, dhe për sa prej tyre keni arritur të grumbulloni material?

Janë shumë shkrimtarë, por jo të gjithë kanë qenë pjesë institucionale e Rilindjes si redaktorë ose gazetarë. Unë kam mbledhur material për 52 shkrimtarë.  Jam munduar t’i publikoj shkrimtarët të cilët kanë qenë të pavarur, kanë qenë vetëm shkrimtarë, s’janë bërë pjesë e ndonjë strukture politike apo institucionale, nuk kanë pasur pozitë institucionale më vonë dhe nuk janë ribotuar më vonë, për shembull Mirko Gashi ka vdekur në vitin 1995. 

Një artikull i Fehime Selimit i publikuar në Arkiv thotë “më brengos heshtja e shoqeve”.

Mirko Gashi ka qenë shkrimtar, një shpirt krejtësisht i lirë, një bohem. Këta shkrimtarë që i kam futur në Arkiv fillimisht, janë shkrimtarë të cilët kanë qenë më pak të promovuar institucionalisht. 

Shkrimtare gra kemi shumë pak. Në arkiv janë dy: Fehime Selimi dhe Hida Halimi.

Hida Halimi është romancierja e parë që e kemi pasur dhe nuk kemi pasur traditë të promovimit të shkrimtareve gra. Fehime Selimi ka vdekur në vitin 2005 dhe as ajo nuk e ka pasur fatin të promovohet si shkrimtare, edhe pse në kohën e Rilindjes i ka botuar tre libra dhe dy libra tjerë me “Flakën e Vëllazërimit” që ka dalë në Shkup. Ajo vazhdimisht ka qenë aktiviste për promovimin e grave në letërsi brenda në Rilindje.  

Për Fehimen, është një artikull i saj i publikuar në Arkiv që thotë “më brengos heshtja e shoqeve”. Ajo është një shkrimtare e cila ka nisur të botojë në moshën 18 vjeçare, kur ka ardhur nga Presheva në Prishtinë për studime. I ka pesë vepra të botuara, tri prej të cilave me Rilindjen.

Më vonë, ndoshta javë pas jave shtohet nga një shkrimtar që ka qenë më i laureuar sa i përket Rilindjes, për shembull Rexhep Qosja e Ibrahim Rugova. Pastaj Esad Mekuli, i cili ka qenë gjithashtu drejtor dhe  kryeredaktor i Rilindjes, drejtor i Jetës së Re, por që arkivin e tij e kemi edhe në Bibliotekën Kombëtare. Janë dorëshkrimet e dorëzuara nga vajza e tij, kështu që nuk i kemi edhe shumë në rrezik. Në rrezik ishin ata që unë i kam futur aty [në Arkivin Rilindja] sepse nuk kemi dorëshkrime të tyre.  

Ka pasur raste kur shkrimtarëve nuk u janë botuar veprat, apo ndonjë vepër e caktuar; më ra në sy ndalimi ndaj shkrimtarit Musa Ramadani. Cilat kanë qenë kriteret e botimit nga Rilindja, apo si bëhej censura aty?

Musa Ramadanit nuk i është pranuar pikërisht libri “Neorosis”, i cili ka qenë më grafik. Ai libër është komplet postmodern, gati dadaist, i cili nuk ka kontribuar në jetën socialiste jugosllave në atë kohë. Edhe Rilindja ka pasur kriteret e veta sepse ka qenë pjesë e sistemit jugosllav, i cili si sistem komunist e ka proklamuar jetën socialiste.

Ka pasur plot raste te të cilat nuk është problemi se nuk janë botuar, por janë ndryshuar për botim. Për shembull librat e Mirko Gashit i janë nënshtruar një redakture për t’u botuar në Rilindje. Tash i kam disa dorëshkrime të tij, të cilat janë të jashtëzakonshme. Ende nuk kemi këso poeti bashkëkohor çfarë ka qenë ai atëherë. 

A keni shumë këso dorëshkrime të shkrimtarëve që kanë mbetur të paprekura?

Po, kam edhe të tilla që nuk janë botuar, mund të botohen tash. Ende s’e kam shqyrtuar idenë nëse ky Arkivi i Rilindjes 1945-1999 duhet ndoshta edhe të fillojë të botojë, dhe kjo patjetër duhet të bëhet me miratimin e familjarëve ose të kujtdo që mban të drejtën e këtyre shkrimtarëve. 

A mund të na jepni ndonjë detaj rreth tyre?

Vitet e 90-ta nuk ishin kushte aq të favorshme për botime, dhe kryesisht dorëshkrimet që unë kam, janë të viteve ‘90. Ka një procedurë ligjore të të drejtave të autorit dhe patjetër se unë mundohem të jem e kujdesshme prandaj publikoj vetëm copëza deri në miratimin e publikimit. Do të doja shumë që ky arkiv të kishte një qendër hulumtimi ose qoftë edhe të kishte mundësinë e hapur të ekspozimit.

Një ndër dorëshkrimet e mia të preferuara është një dramë e shkruar në vitin 1995 që do të doja që nga viti i ardhshëm ta diskutoja më publikisht. Është drama “Hamleti në pallatin e ëndrrave të Kadaresë” e Teki Dervishit e cila është shkruajtur për Teatrin Shqiptar të Shkupit dhe menduar për regjisorin Vladimir Milcin.

Ky më duket dorëshkrim shumë i çmuar sepse Teki Dervishi në vitin 1981 u largua nga gazeta Flaka e Vëllazërimit në Shkup për shkak se refuzoi të shkruante kundër Kadaresë. Ai gjithashtu është një ndër të burgosurit më të rinj intelektual, i cili ishte burgosur nga sistemi jugosllav qysh në moshën 17 vjeçare në burgun Goli Otok. Dorëshkrimi është në 60 faqe, me shumë ndërhyrje dhe korrigjime të autorit.

Foto: Altin Gashi / K2.0.

Ta vazhdojme bisedën për më shume se si ishte Rilindja. Çka kujtohet, apo pretendohet sot, është se Rilindja përdorte të folurit në mes rreshtash me publikun. A qëndron kjo, dhe nëse po, si bëhej?

Ne vitet ‘80 gazeta filloi ta formojë këtë metoniminë e nënrreshtave, të shkruhet teksti për diçka, e të nënkuptohet diçka tjetër. Me kalimin e kohës lexuesit filluan ta mësojnë gjuhën e përdorur dhe filluan ta kuptojnë atë që po u kumtohej. 

Ata nuk kanë pasur të drejtë t’i kumtojnë për shembull protestat; vetëm përmes Tanjugut, si lajm, por jo të japin vlerësime. Nuk është se Rilindja nuk ka dhënë vlerësime përmes gjuhës së vet, është shumë problematike të shpjegohet ajo gjuhë, por mandej kjo ka ndikuar shumë në letërsi sepse e ka krijuar një lloj hermetizmi letrar, të cilin më së miri e shpërfaq Anton Pashku me gjuhën e tij hermetike, Teki Dervishi me gjuhën e tij komplekse, dhe shumë shkrimtarë të tjerë. 

Ata e kanë krijuar një gjuhë letrare e cila buron nga gazetaria e Rilindjes në atë kohë, duke folur mes rreshtave, që ka qenë komplet gazetari hermetike, me të cilën flitet me ndërdijen kolektive dhe jo me vetëdijen. Këtë lloj të shkrimit më vonë e ka promovuar në një formë Anton Pashku si postmodernizëm psikologjik.

Disa nga dokumentet e mbijetuara janë në Arkivin e Kosovës, disa në Agjencionin e Privatizimit të Kosovës; cila pjesë i takon cilit institucion dhe ku besoni ju se duhet të ruhen këto dokumente?

Sipas Ruzhdi Panxhës, drejtorit të Departamentit te Veprimtarisë Arkivore në Arkivin e Kosovës, në Arkiv është veç 5% e tyre. Vetëm dosjet personale të punëtorëve dhe fondet personale të disa gazetarëve. Janë një 15 metërsh i gazetave dhe një dosje, sipas tij. 5% e arkivit të një ndërmarrjeje nuk është asgjë. Pjesa tjetër gjendet në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ekziston një Ligj për Arkivat Shtetërore — është shumë i varfër, por për aq sa është, është shumë i qartë. Arkivi i një ndërmarrjeje siç është Rilindja përbën interes historik, shkencor, dhe kombëtar, nëse nuk ka kushte [të ruajtjes], të cilat i përcakton ligji dhe nëse AKP-ja nuk ka kushte, duhet automatikisht të shkojë në Arkivin e Kosovës. 

Çka do të thotë për ju lansimi i këtij arkivi dhe pse është i rëndësishëm?

Unë vij nga fusha e shkrimit dhe shkencave humane dhe tani kur kthej kokën pas, e mendoj që është shumë mirë që kjo peshë e arkivit bie mbi njerëz të shkrimit. Edhe kur jam ndjerë e pashpresë se një ditë do të mund të arrijmë ta dokumentojmë punën e Rilindjes, më kanë dhënë shpresë të gjithë ata që i kam tashmë të ruajtur vetëm si dokumente por nuk janë më në mesin tonë.

Arkivi Rilindja nuk përbën vetëm vlerë historike, por edhe qytetare e humane.

Andaj e ndjej si mision vënien në pah të kontributit të këtyre njerëzve të cilët kanë vepruar në rrethana të ndryshme të historisë politike e sociale të Kosovës, e edhe në rrethana shumë të vështira. Nuk ka qenë aspak e lehtë për disa gra që vinin nga fshtra a familje të varfëra për t’u edukuar në Prishtinë e për të marrë vullnetin për të shkruar si gjenerata e parë, pa pasur një model konkret në Kosovë, përderisa ne sot e asaj dite nuk e shohim të rëndësishme ta njohim këtë histori. 

Ndoshta për dikë, arsyeja pse nuk i është dhënë rëndësi kësaj kategorie të shkrimit a letërsisë është se ata gjykojnë a vlerësojnë se nuk përbën vlerë të mjaftueshme letrare, por unë mendoj që përbën vlerë kontributi i tyre dhe konteksti i rrethanave në të cilat ato marrin guximin dhe vullnetin për të vepruar.

Arkivi Rilindja në këtë rast nuk përbën vetëm vlerë historike, por edhe qytetare e humane që mundësisht do t’ua mbillte gjenerateve që vijnë respektin me të cilin duhet të trajtohet trashëgimia e një vendi. Arkivat në përgjithësi janë sisteme konzervatore, por ne nuk mund të kemi asnjë sistem tjetër pasardhës e as evolutiv pa e pasur të ruajtur fillimisht një rrënjë prej nga do të mbinte demokracia.

Pas digjitalizimit të arkivit të Rilindjes, a do të ketë edhe stacione tjera përveç Prishtinës ku do ta shpalosni?

Po, më e afërta është ngarja e organizuar më 10 dhjetor në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Antropologjisë. Më pas, në çdo vend ku do të udhëtoj do ta prezantoj Rilindjen.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.

Foto kryesore: Altin Gashi / K2.0.