Në thelb | Muzikë

Evoluimi i Hip-Hopit kosovar

Nga - 02.06.2019

Prej underground në mainstream përgjatë tri dekadave.

Në fillim të vitit ‘93, kur po ndiqte klasën e katërt, Ergen Berisha huazoi një kasetë nga shoqja e tij, e sapo kthyer nga Amerika. Brenda kasetës ishte albumi ‘‘The Chronic’’ i reperit Dr. Dre. Përmbajtja e saj jo veç që do ndezte një pasion, por edhe do ta diktonte jetën e reperit të ardhshëm nga Kosova.

Albumi ishte një ndër më të suksesshmit dhe më të vlerësuarit të të gjitha kohërave të zhanrit Hip-Hop, po ashtu edhe kontraverz e që nxiti reagime të shumta. Një dëgjim i shkurtër i këngëve të tregon se si albumi shpërfaqë përplasjet mes Hip-Hop grupeve rivale dhe karakterizohet me gjuhë të ashpër dhe seksiste. Por në të njëjtën kohë i gjithi bën komentim të madh social, duke përshkruar jetën në getot ku jetonin afroamerikanët dhe revoltën e tyre ndaj sistemit policor që mbizotëronte në Amerikë.               

Gjuha eksplicite dhe referencat e vazhdueshme për seksin si pjesë e teksteve e bënë Ergenin për vete. Gjithashtu, dhuna e shpërfaqur aty, atij i ngjasonin me atë që e shihte nëpër Prishtinë në vitet ‘90-të.    

‘‘Kah ke shku osht dasht mu rreh’’, kujton ai.

Rrahjet thotë se ishin ‘‘për respekt’’, e kjo nuk vinte veç nga rivaliteti mes lagjeve, por edhe i motivuar prej përkatësisë etnike.  

‘‘Është dasht mu rreh si me serbë qashtu edhe shqiptarë’’, thotë ai.   

Kah fundi i viteve ‘80-ta, ndarjet etnike mes shqiptarëve dhe serbëve veç po thelloheshin. Treguesi më i mirë ishte ajo se dy grupet filluan të mos frekuentonin hapësirat e njëjta të qyteteve.       

Ishte gjatë kësaj kohe që Ergeni u njoftua me frazën ‘‘fuck police’’, e cila përmban përbuzjen dhe urrejtjen ndaj policisë që rep artistët amerikanë thonin vazhdimisht në tekstet e tyre.

Në një kohë kur shqiptarët gjithnjë e më shumë e gjetën veten të larguar nga hapësirat publike dhe duke përjetuar ngacmime dhe rrahje nga policia, ishte një frazë që rezononte.

Kjo frazë do e lindte një dëshirë tek Burim Kursani, i njohur si Bim Bimma. Ai më vonë me Ergenin e shokë tjerë do formonin një prej grupeve më ‘‘underground’’ në Hip-Hopin shqiptar, NR.

Shokët e fëmijërisë Ergen Berisha dhe Burim Kursani (Bim Bimma) më vonë do të krijonin grupin e famshëm të Hip-Hopit, NR. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Bim Bimma kujton fillimin e viteve ‘90-të, kur për herë të parë dëgjoi muzikën e Tupac Shakur, Nas dhe Bone Thugs-n-Harmony.          

‘‘Kur i kom ni qeta çka po folin kom menu që edhe unë muj mi livrit senet, nëse di me shkru’’, thotë Bim Bimma.

Shumica dërrmuese e shqiptarëve që punonin në sektorin publik ishin përjashtuar nga puna e tyre nga regjimi i Slobodan Milošević-it, siç ishin nxënësit e shkollave dhe universiteteve, duke i detyruar që shqiptarët të ngrenë strukturat e tyre paralele në shkollim, kujdes shëndetësor dhe në fusha të tjera të jetës publike.

Ndërsa burgosjet dhe persekutimi policor ndaj shqiptarëve rritej dita-ditës.  

‘‘Qato që k’ta i thojshin, ndodhshin te na… njerëzit i vrajshin me kallash mes qytetit’’, thotë Bim Bimma.  

Anipse ‘‘muzika e getove të Amerikës’’ kishte elemente të ‘‘njëjtë me jetën e Kosovës’’, prapë, Ergeni dhe Bim Bimma e perceptonin atë si të paarritshme, si diçka që nuk mund ta bëjnë kurrë. Por kjo shumë shpejt do të ndryshonte.

‘‘Pici ta ka thy k’to… na ka dhanë zemër se mujna me knu Hip-Hop në shqip’’, thotë Ergeni, kur kujton se si morrën më vonë motivin se edhe ‘‘na mund të bëjmë Hip-Hop’’.   

‘‘Ground zero’’ e ‘90-ve

Pici emri i vërtetë Arian Rexhepi dhe shoku i tij Blerim Krasniqi së pari rranë në kontakt me Hip-Hopin kah viti 89-të, pavarësisht ‘territ informativ’ si shkak i rrethanave në Kosovë gjatë asaj kohe.     

Dy adoleshentët kishin qasje në emisionet e MTV-së apo VIVA-as që jepnin muzikë të tillë. Këngët e reperëve që pëlqenin, e dëshira për t’i konsumuar kurdo që donin, shpehherë, i shtyri t’i regjistronin ato përmes radiove që posedonin. Kur donin kualitet më të mirë të zërit të ‘‘singllave’’ a albumeve, i porositnin tek video-klubet e asaj kohe. Gjithashtu, Hip-Hop muzikë dëgjonin kur herë pas here shfaqte edhe kanali në gjuhën serbe, Treci Kanal.

‘‘N’fillim shkrujshim anglisht, u kanë e paimagjinueshme [për ne] me lidhë këtë muzikë me shqip’’, thotë Pici.

Duke e shpeshtu kontaktin me Hip-Hopin, dy shokët që më pas do formonin grupin Gangs in da Hood nisën të shkruajnë tekste.     

‘‘N’fillim shkrujshim anglisht, u kanë e paimagjinueshme [për ne] me lidhë këtë muzikë me shqip’’, thotë Pici.

Në vitin ‘90-të, dyshja nisi me eksperimentu me instrumentale, ku i merrnin dhe i modifikonin ‘‘sipas veshit të tyre’’: tu i’a rritë a ulë shpejtësinë, tu e marr një pjesë të caktuar tu e përsëritë gjatë gjithë këngës, apo të kthyer, dhe mbi ‘‘instrumentalet e modifikuara’’ filluan ‘‘të repovatim me rima shqip’’.      

Edhe disa grupe të reja u krijuan gjatë kësaj kohe si, Trouble Makers, Nice and Slow, New Enemy, Black Eagle, që të gjitha të formuara në fillim të viteve ‘90-të.

Edhe pse kishte fillu të krijohej Hip-Hop në shqip, studiot dhe producentët e muzikës ishin të orientuar kah muzika folk, pop apo rrymave të rock-ut lloje muzikore që dominonin në shoqëri për dekada.          

‘‘Jena kanë në ground zero’’, thotë Pici, kur kujton se si regjistronin këngë.

Pici ishte një nga artistët e parë të Hip-Hopit, i cili filloi me grupin e tij Gangs in da Hood dhe pastaj vendosi të vazhdonte me solo karrierë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Për të ‘‘pak a hiq’’ ka pasë producentë a muzikantë që kanë njoftë apo kanë dashtë mu merr me Hip-Hop anipse veçon se muzikantët që merreshin me Jazz herë pas here punonin me ta.    

Përveç vështirësive për të krijuar muzikë, ata edhe vendet ku performonin i kishin të limituara, kryesisht skenë i kishin kafeteritë, e rallë herë edhe sallat e kinemave.    

‘‘U kanë rock bendi përmas, na repovatshëm’’, kujton Pici kohën kur këndonin nëpër kafeteri.   

Ai pastaj vazhdon të tregojë për festivalet në Prishtinë, ‘‘Boom 92-shin dhe Boom 93-shin’’, ku shumë reperë së bashku me artistë të zhanreve të ndryshme performuan. Por pak para se të mbahej edicioni i parë i festivalit grupi Gangs in da Hood u nda.

Pici vazhdoi me repovat si solo artist, ndërsa Blerimi krijoi grupin Colors. Ishte ky grup i cili në vitin 1994 do ta bënte video klipin e parë për një këngë Hip-Hop në hqip, ‘‘Kjo është jeta jonë’’ e realizuar së pari me Gangs in da Hood.

Teksti i këngës dominohet nga jeta e ‘90-ve, ku përmendet ‘‘stacioni i policisë’’, dëshira për ‘‘vizë’’, fukarrallëku a vështirësitë financiare, Diss-at për muzikantë e stile të jetës të asaj kohe, si dhe ajo se ‘‘Kosova është e shqiptarëve’’.  

Avni Rudaku beson se Hip-Hopi ishte një “rezistencë kulturore kundër muzikës sllave, gjuhës dhe kulturës në përgjithësi”.

Para kësaj e për do vite, MC Beka veçse po prekte masat me muzikën e tij, që njihej më shumë për muzikën ‘‘mainstream’’. 

Mirëpo, pas vitit të ‘‘video klipit’’, Hip-Hop me ‘‘rima shqip’’ do fillonin të bënin edhe; Ritmi Rrugës, Boom Gang, BAM, Hija Jetës, Etno Engjujt, Tingulli 3, 2po2 e tjerë. Disa prej të cilëve do linin gjurmë e do dominonim pas luftës.

Disa nga këta emra veçse filluan të marrin vëmendje më herët, dhe muzika e tyre po lëshohej nëpër radio lokale, kafeteri, të shpërndaheshin si kaseta apo ‘‘video-kaseta të Vitit të Ri’’ që ishin shumë të popullarizuara atë kohë.

Sociologu Avni Rudaku beson se Hip-Hopi në shqip i viteve ‘90-ta mund ndahet në dy periudha: ‘‘zanafilla’’ në pjesën e parë të dekadës dhe ‘‘rritja e interesimit të publikut’’ në pjesën e dytë.

Zanafillën e lidhë me sistemin paralel në Kosovë, duke shtuar se Hip-Hopi ishte një “rezistencë kulturore kundër muzikës sllave, gjuhës dhe kulturës në përgjithësi”. Në atë kohë, ai thotë se nuk shihej si “art i vërtetë dhe i kultivuar”, por si “arti i rrugës”, dhe si i tillë u nënvlerësua.     

Por përceptimi për Hip-Hopin ndryshoi pas popullarizimit të tij në Kosovë. Rudaku beson se me rritjen e shtypjes policore ndaj shqiptarëve, përdorimi i satelitëve nëpër shtëpi, qarkullimi i video-kasetave, emigrimi i të rinjve dhe ekspozimi i tyre ndaj rrymave muzikore të reja, ndikoi që Hip-Hop muzika të shtrihej në Kosovë.        

Gangsta rap i pas luftës në gegë

Nëse vitet ’90-ta dëshmuan lindjen dhe rritjen e hershme të Hip-Hopit në Kosovë, atëherë periudha e hershme e pas luftës dhe fillimi i mijëvjeçarit të ri, me të vërtetë e pa konsolidimin e saj.

Me përfundimin e luftës shumë reperë iu gjujtën studiove për me kriju Hip-Hop. Përpos që nisën t’i përpunonin e përfundonin këngët e nisura para lufte, filluan të formonin dhe grupe, të shkruanin e regjistronin këngë të reja, si dhe të ‘‘kapnin skenat e muzikës’’.      

Fama e hovi i tyre u ndihmua edhe nga ndryshimi i rrethanave shoqërore: represioni u ndal, u rrit mundësia për me lëvizë dhe me u qasë në informacion, u kthyen shumë nga ata/ato që emigruan. Ndërkohë zhvillimet teknologjike gjithashtu patën ndikim në zhvillimin e muzikës dhe njerëzit mund të kishin qasje më shumë përmes radiove dhe televizioneve, specifikisht internetit.        

Tjetër ndryshim rrënjësor, që jo veçse e popullarizoi por edhe i dha identitet të ri Hip-Hopit në shqip, ishte se Hip-Hopi që po krijohej kishte një identitet të ri. Kryesisht tekstet e Hip-Hop muzikës shqip gjatë të ‘90-ve shkruheshin në standard (për shembull Ritmi Rrugës) dhe me qasje ‘‘ma t’butë’’ karshi fenomeneve shoqërore apo përplasjeve me rival.  

Tekstet i dhanë rëndësi edhe seksit, jetës luksoze apo ironisë e sarkazmës ‘‘ndaj çdo gjëje e çdo kujt’’.

Pas lufte, Hip-Hopi dominohej nga dialekti gegë dhe jo vetëm që bënte dallimin me reperët e mëparshëm, por në përgjithësi muzikës në shqip. Reperët e pas 2000-ës në tekstet e tyre karakterizoheshin për qasje të ashpër, qoftë ndaj fenomeneve shoqërore apo përplasjeve mes reperëve rival, me kërcënime e sharje, apo ajo që njihet si ‘‘gangsta rap’’.

Përtej tematikave sociale, tekstet i dhanë rëndësi edhe seksit, jetës luksoze apo ironisë e sarkazmës ‘‘ndaj çdo gjëje e çdo kujt’’.

Albumet e Tingulli 3, Etno Engjujt, këngët e Da L.I.G.S, WNC, 2po2 apo të Unikkatilit nisën të kapnin majat, sikurse Don Arbas, Dany Boy, Mc Mimo Mc Chika.

Por asnjë grup nuk përfaqëson natyrën ndryshuese të Hip-Hopit më shumë në këtë periudhë sesa NR.

Grupi i Ergenit dhe Bim Bimmas inçizuan këngën e tyre të parë “Shumë vrasje”, në ‘98-ën, pasi dhuna në Kosovë veçse ishte në rritje. Por ishte albumi i tyre i vitit 2003 “Egjeli”, i inçizuar me Dj Blunt dhe Real 1, që nga shumë kush quhet si ‘‘revolucion në Hip-Hopin shqip’’.

E inçizuar në gegë dhe me përmbajtje sociale dhe ironike, “Egjeli” vazhdon të jetë sot një krijim frymëzues për shumë artistë të Hip-Hopit.

NR gjithashtu i kapte imagjinatën e njerëzve. Një vit para se të publikohej “Egjeli”, në festivalin “Show Fest” që ishte i dominuar nga pop artistët, NR morri pjesë me këngën “Afrim Roboti” —ku edhe pse nuk arritën të marrin vendin e parë në garë, kënga ishte votuar si më e mira nga publiku dhe vazhdon të jetë ndër këngët më të njohura të Hip-Hopit në shqip.      

Ergen Berisha dhe Bim Bimma janë pjesë e grupit me ndikim të madh NR, për të cilin shumë thonë se solli ‘‘revolucion në Hip-Hopin shqip’.” Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Pavarësisht se po rritej suksesi i shumë reperëve, ata ende përballeshin me vështirësi për të kompozuar muzikë, pasi që pak njerëz dinin si të krijonin bita (beats). Tradita e huazimit të instrumentaleve të këngëve të reperëve të famshëm ndërkombëtarë vazhdoi.

Por edhe kjo do ndryshonte, ku gjithnjë e më shumë studiot e producentët e muzikës i dhanë rëndësi e u fokusuan kah Hip-Hopi.   

Koncertet dhe festivalet, për herë të parë, gjithashtu filluan të shohin një rritje të performancave të reperëve.

Bim Bimma kujton koncertin e 1 majit, viti 2000, para Teatrit Kombëtar në Prishtinë si një prej koncerteve ku ishin mbledhë goxha njerëz, dhe ku ata si NR e me grupe tjera si Da L.I.G.S repovatën live. Gjithashtu, NR kujtojnë edhe festivalin ‘‘Crossing Brigdes’’ të vitit 2001 në Pejë ku së bashku me reperë të tjerë dolën në skenë para mijëra njerëzve.  

Masivizimi ndikoi që edhe mediat tradicionale në Kosovë të kthejnë sytë kah Hip-Hopi.

Para këtyre, një koncert që mblodhi shumë njerëz e shumë reperë ishte koncerti i mbajtur kah fundi i ‘99-ës në sallën ‘‘Boro Ramiz’’ në Prishtinë, ku kënduan shumë nga emrat që do dominonin këtë rrymë të muzikës në vitet në vazhdim.

Në mesin e organizatorëve dhe atyre që kënduan ishte edhe Dany Boy.  

Përveç se kënduan dhjetëra reperë live, Dany Boy kujton edhe një detaj tjetër, atë se ‘‘sigurinë e mbajti KFOR-i’’, pasi mijëra njerëz po merrnin pjesë.

Krijuesi i hitit të vitit 2001, ‘‘Fjala Hip-Hop’’ thotë se ‘‘nevoja e njerëzve për diçka të re’’ i dha shtytje dhe e masivizoi Hip-Hopin pas luftës.

Masivizimi ndikoi që edhe mediat tradicionale në Kosovë të kthejnë sytë kah Hip-Hopi, e kështu të shpërndajnë edhe më shumë këtë lloj të muzikës.

Dany Boy e krijoi një ndër radio-emisionet e para që merreshin vetëm me Hip-Hop, ‘‘Hip-Hop me Dany Boy’’, i nisur qysh në vitin 2001. Dany Boy thekson se dëshira për me lëshu vetëm Hip-Hop dhe sidomos ajo që edhe këngët që mund të censuroheshin për shkak të fjalorit të ashpër e sharjeve, ishin ndër shtytjet e tij për ta nisë emision.

Mirëpo, pavarësisht se Hip-Hopi po bëhej pjesë e mediave, kishte nga ata që për shkak të gjuhës së ashpër, seksiste apo kontraverze censuroheshin nga mediat.

Diss-at, luftat dhe demaskimi i shushunjave

Ashtu si media që vazhdoi të refuzojë elementet e Hip-Hopit, disa reperë vetë i refuzuan mediat.     

Reperi nga Prishtina, Rebel a.k.a Unikkatil — emri i vërtetë Viktor Palokaj — zgjodhi një mënyrë të veçantë për të arritë publikun. Ai qysh kah fundi i viteve të ‘90-ta nisi të regjistrojë në Prishtinë, por pak para lufte emigroi në New York, ku edhe sot jeton. Me fillimin e viteve 2000, ai nisi të publikojë këngë.

Ai nuk realizonte koncerte, nuk merrte pjesë nëpër show televizivë e nuk jepte intervista. Muzika e tij shpërndahej kryesisht nëpër internet; dëgjohej nëpër klube të internetit, apo përmes CD-ve me përmbledhje të këngëve të tij dhe grupit TBA (Shqipet e Përgjakshme), ku bënte pjesë edhe ai.   

Edhe pse ishte ndër emrat më të njohur e të përfolur të Hip-Hopit në Kosovë, nuk dihej se si fliste jashtë këngës, apo edhe si dukej. Ata që dëgjonin muzikën e tij nuk e dinin mirë se si dukej Unikkatil, pasi për ato vite vetëm një a dy fotografi të tij ishin publikuar. Gjatë gjithë karrierës së tij, Unikkatil ishte ‘‘figura misterioze’’ e Hip-Hopit në Kosovë.     

Mirëpo, se muzika e tij dëgjohej dhe Unikkatili ishte ndër reperët më me nam në reperin e Kosovës, u dëshmua në vitin 2012 kur mbajti koncertin e parë në vendlindjen e tij, në Stadiumin e Prishtinës, në të cilin morrën pjesë më shumë se 20 mijë persona — që shënoi një ndër koncertet me numrin më të madh të publikut që ka qenë në një solo koncert të një artisti shqiptar në Kosovë.

‘‘Shumë tjerë u mundun me ja kthy Unikkatilit e me përfitu [nga diss-at] famë, po as shejë sun ja lanë’’.

Dany Boy, reper

Përveç mënyrës unikate për t’iu qasur publikut, risia që Unikkatil solli në repin shqiptar është edhe gjuha në tekstet, që karakterizohen me tone nacionaliste, përfshirje të figurave kombëtare, lartësimi i identitetit shqiptar, por mbi të gjitha, vazhdimdimisht polemizues e atakues.  

Frymën e diss-ave do e ashpërsonin Unikkatil dhe grupi TBA, pasi nisën me sha me ‘‘emër e mbiemër’’, dhe atë me gjuhën më të ashpër. Ai u kap me shumë reperë, nisur me Ritmin e Rrugës, Tingullin 3, Noyzi, Duda, apo diss-i kult ndaj Prince Double H, përmes këngës ‘‘O Hysen’’ që për shumë është bërë sinonim i ‘‘diss-ve’’ në shqip.   

‘‘Shumë tjerë u mundun me ja kthy Unikkatilit e me përfitu [nga diss-at] famë, po as shejë sun ja lanë’’, thotë Dany Boy, kur thotë se; TBA, veçanarisht Unikkatil, sjellën apo të paktën e ngritën në nivel tjetër kulturën ‘‘mu kapë me vargje’’.

Përtej kësaj, edhe NR ishin ata që diss-at i përdorën qysh në këngët e para të tyre, duke sulmu grupet si Ritmi Rrugës apo Hija Jetës. Më pas edhe reperë të tjerë gjithnjë e më shumë u morrën me diss-a.

Në muzikën Hip-Hop në përgjithësi janë përdorur diss-at, apo sulmet a sharjet ndërmjet reperëve, apo dukurive shoqërore. Kapjet mes reperëve në Amerikë në disa raste përfunduan edhe me vrasje të reperëve ndërmjet vete. Dhe ashtu si elementë të tjerë të Hip-Hopit, kjo dhunë fizike që nga Atlantiku, është gjetur edhe në Kosovë.

Dy grupet rivale nga Gjilani, DG dhe E7 për shumë vite u diss’iratën mes vete dhe shpehherë përfunduan duke u rrahur e gjuajtur me armë mes vete. Pastaj edhe polemikat e disa viteve mes grupeve Babastars (Prishtinë) dhe OTR (Tiranë) përfunduan me diss-a e me rrahje mes tyre. Në vitin 2016, në qendër të Prishtinës dy grupet rivale u rrahën dhe u gjuajtën me armë, ku disa prej tyre kërkuan ndihmë mjekësore dhe njërit prej tyre iu largua një plumb nga trupi.

Pavarësisht kësaj, në gjashtë apo shtatë vitet e pasluftës, Hip-Hopi në shqip karakterizohej nga trajtimi i temave sociale; ndryshimeve apo nevojës për ndryshim në kulturë, mënyrën sesi bëhej politika, përbuzje apo sulme të kulturës tradicionale, sidomos të muzikës; sulme ndaj politikës, korrupcionit, varfërisë e ‘‘mentalitetit’’.     

"Këngët ishin krejt çka po jetojna sot [atë kohë]… ajri çfare osht, mentaliteti a mendimi çfare osht, korrupcioni, politika e ksi sene’’’.

Bim Bimma, NR

NR, përveç që shanë reperë e këngëtarë, ata ‘‘diss-iratën’’ edhe politikanët, korrupcionin, ‘‘dyfytyrësinë’’ apo ‘‘të fortët e mahallës’’.

Në këngën hit, ‘‘Afrim Roboti’’, ata u morrën, me atë që i thonë ‘‘u shpërnda n’krejt Kosovën [e pasluftës] ku krejt u shitshin t’fortë’’, dhe të cilën e ironizonin dhe të ‘‘fortin e mahallës’’ e shihnin ‘‘dostin që sillte barin nga Shqipëria, e jo ata me ‘‘muskuj e pushtet’’.  

‘‘Edhe po t’ishin menu [diss-at] nuk kishin dal ma mirë… janë kanë të jetune’’, thotë Ergeni kur kujton ata që i shanin.

Duke vazhdu tek kjo, Bim Bimma thotë se këngët ishin ‘‘krejt çka po jetojna sot [atë kohë]… ajri çfare osht, mentaliteti a mendimi çfare osht, korrupcioni, politika e ksi sene’’’.

Për disa nga tematikat që ata kapën, ani pse të thëna para një dekade e gjysmë, vlejnë edhe sot.

Të dy, Ergeni dhe Bim Bimma, përmendin këngën ‘‘1 001 111” që, sipas tyre, është aktuale edhe sot dhe lidhet edhe me emigrimin e sotëm të kosovarëve.   

Kënga, në disa vargje të shkëputara, thotë: ‘‘1 001 111 vet po dojn’ me hyp n’raket’/ Me ik nga kjo jet’, e vërtetë, shum’ e shkret’/… Bone lujte koqe edhe pak/ Shum’ shpejt ki me ra pi postit, apo Jom ka du me dek’’/ Prej sikletit po du mu pjek’/ Si kejt tu hek’ për jetë/ Edhe mu po m’vyn qajo raketë’’, apo ‘‘S’ki ka kari ti me ik/ Prej sikletit duhesh me bertit/ Për raket ty t’kanë lidhë’’.

Pos kësaj, NR insistojnë se aktuale janë, qoftë si koncepti apo vargjet e po të njëjtës këngë ‘‘UNMIK-u buxhetin e fiku’’ apo këngës ‘‘‘Raptishizëm’’; ‘‘P’i ha UNMIK-u paret si zhapini mizën’’ — vargje të cilat së fundi në paraqitje i kanë zëvendësuar me ‘‘Qeveria p’i ha paret si zhapini’’ apo ‘‘Qeveria buxhetin e fiku’’.

‘‘T’hujtë janë hajnat ma t’mdhaj bashkë me k’ta tonët nuk e kanë lanë me u zhvillu ky vend, veç ata mu pasunu’’, thotë Bim Bimma, tu vazhdu se ‘‘atëherë neve na ka dirigju UNMIK-u dhe kanë ba sene që mos me i g’zu senet që t’i bjen liria’’.

Hip-Hopi në mainstream

Kah mesi i dekadës së parë të pas luftës, emra të tjerë të reperëve do fillonin të shpërthenin dhe të bëhen pjesë e pandashme e skenës së Hip-Hopit në shqip. Grupe e reperë si Kaos, Skillz, Lyrical Son, MC Kresha e tjerë do fillonin të ngriteshin në skenën e Hip-Hopit në shqip.

Filluan t’u bashkangjiteshin edhe grupet e reperët nga qytetet si Gjilani, Ferizaji e Peja. Hip-Hopi nga Kosova do influenconte edhe muzikën në Shqipëri, Maqedoni dhe diasporën shqiptare.

Hip-Hop artistët nisën të bëhen dominues në muzikën shqipe. Studiot muzikore ‘‘u rezervuan’’ gjithnjë e më shumë për reperët, koncertet e tyre u bënë ndër më të kërkuarit, gjithnjë e më shumë këngëtarët e rrymave tjera po kërkonin bashkëpunime me reperë, studiot e televizioneve dhe radiot gjithnjë e më shumë u mbushën me reperë dhe këngët e tyre. Në përgjithësi, reperët po dirigjonin tregun e muzikës.

Por periudha e fundit nuk është domosdoshmërisht vetëm për artistët që kanë qenë pjesë e skenës qe një kohë.

Taste 2, reper që po ashtu ishte aktiv që nga viti 2000, mendon se shtatë apo tetë vitet e pas luftës janë periudha ku është bërë repi shqip më i arrirë. Sipas tij, kjo erdhi për shkak se reperët për më shumë se gjithçka ishin të fokusuar që përmes teksteve të paraqisnin apo protestonin ndaj problemeve shoqërore dhe atë në mënyrë autentike.  

I njohur për sarkazmë në këngët e tij, Taste 2 thotë se Hip-Hopi në shqip ndryshoi kur shumica e reperëve ‘‘nisën të knojnë për lekë, për asi e ksi, a me kopju’’.

Taste 2 këtë ndryshim e quan ‘‘ego-tripa’’ dhe thotë se erdhi ose nga vetëkënaqësia e disa reperëve apo frika e tyre se ‘‘njerëzit pritojnë me ngu probleme a ni tekst me tri strofa’’.

Kjo sipas tij humbi tendencën e fillimit që reperët të jenë autentik, ku shumica e reperëve as që bëhet më fjalë se ‘‘bahet protestë me Hip-Hop’’ qysh edhe i’a nisi.

Reperi që debutoi në vitin 2001 me këngën ‘‘VO’’ — që flet për me hongër vetëm vo, kur shumë nga reperët kallxonin se sa shumë pare kanë — thotë se Hip-Hopi në shqip nuk arriti ta krijojë një identitet të vetin, ‘‘mbeti kopje apo i inspirum prej Hip-Hopit amerikan’’.

Taste 2 beson se shumë nga reperët sot, janë në ego-tripa dhe se Hip-Hopi në Kosovë ka humbur copëza të origjinalitetin. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ergeni pajtohet që Hip-Hopi në shqip e ka humbur rrugën këto vitet e fundit. ‘‘My dream osht me ba ni estradë tjetër, një Hip-Hop industri në Kosovë’’, thotë ai.

Për reperin Elinel që nisi të regjistrojë muzikë ‘‘kundër atyne që kishin pozitën e të priveligjuarit’’ qysh si adoleshent sot shumica e muzikës Hip-Hop në shqip është limituar në disa klishe që veç përsëriten e përsëriten.

Për të janë disa faktorë që kanë ndikuar në këtë. ‘‘Klubi është dirigjent i krejt muzikës që bahet sot’’, thotë Elineli, kur përmend një prej faktorëve që sipas tij po kushtëzon reperët.

Brenda klisheve për Elinelin muzikën e ka futë edhe ‘‘You Tube’’ apo gara për ‘‘klikimet’’, që sipas tij ka shtyrë shumë reperë, që për ta bërë muzikën e tyre të shitshme, ‘‘tekstet po bahen për hatër të rimës’’ duke anashkaluar apo mos i dhënë rëndësi ‘‘tregimit brenda një këngë’’. Kjo sipas tij i’a ka largu emocionin këngëve dhe ‘‘muzika është e censurume dhe e lulume për masat’’ më shumë se sa ‘‘terapi për artistin’’.     

‘‘A e di çka je tu thanë?’’, është një pyetje që i vjen Elinelit t’ua bëjë shumë reperëve kur dëgjon këngët e tyre.  

Përveç kësaj, Elineli beson se ka qenë edhe një stereotip tjetër ‘‘për me kanë reper, duhesh me nejtë rrugëve, mu kanë gangster apo se gjithqysh ti me kanë protagonisti’’.  Apo në rastin tjetër të kopjojnë ‘‘trendet nga larg’’ dhe kështu shumë reperë kosovar ‘‘pe rrejnë veten’’.

Elinel, i cili repovat qysh kur ka qenë adoleshent, thotë se shpesh dëshiron t’ua bëjë Hip-Hop artistëve pyetjen: “A e di çka je tu thanë?” Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Gjithashtu, në katër apo pesë vitet e fundit disa emra të rinj kanë dal në skenë, një gjeneratë e re e reperëve.

Ndër më të njohurit është Buta, që njihet për stilin Trap, dhe ndoshta të parët që në Kosovë sollën këtë zhanër. Tekstet e tij, njihen për fjalë të ashpëra e eksplicite. Gjithashtu, Buta dallohet nga reperët e tjerë edhe për nga stili i veshjes, apo edhe mënyra e realizimit të videoklipeve.

E veçantë tjetër që po ndodh është edhe organizimi i Rap Battle nëpër hapësira alternative, ku vetëm tre muajt e fundit janë organizuar dy të tilla në hapësirën Termokiss.

Edhe pse një skenë e dominuar më shumë nga burrat, fituesja 25 vjeçare Rreze Osmani, të kthen në kohën kur MC Chika apo Mc Mimon dhe para tyre Blerta Zeqiri ishin reperet që shënonin sukses në skenën e Hip-Hopit në shqip.

Brezi i ri është një tregues se Hip-Hopi në shqip po hyn në një fazë të re. Për 30 vitet e fundit që nga ditët e tij të para, skena ka sjellë emra, qasje dhe stile të reja, të cilat kanë lënë një shenjë të fuqishme jo vetëm në muzikë, por edhe në stilin e jetës. Dhe evolucioni, me sa duket, do të vazhdojë.K

Foto kryesore tregon NR (nga e majta në të djathtë: Real One, Bim Bimma Dj Blunt dhe Ergen Berisha) gjatë foto sesionit për albumin e tyre të parë “Egjeli” në vitin 2003. Foto: Atdhe Mulla.

Kthehu prapa tek Monografia

  • 18 Apr 2023 - 01:23 | Lauri:

    Historik i sakt e i mrekullushem i hip hopit shqip. Ju lumte!

  • 06 Jun 2022 - 19:32 | Burim Elshani:

    Kur Bimbimma i tha Feros: -Po ku k*ri je kon,kur jon kon gangs in da hood,me ekip in the hood,jom kon tu repit in the hood,tyneher reper s'ka mujt me kon secili hut." Qetash pe di qka ka desht me thon e kush jon kon Gangs in da Hood

  • 06 Jun 2020 - 07:53 | Cani:

    Grupa e pare shqiptare ne hip hop ka qen Piratet nga ULQINI hulumtoni para se shkruni

  • 03 Jun 2019 - 19:12 | Dionis:

    Unikkatil u kan tjeter kualitet me NR mos e qitni kerkan para tij.

KOMENTO