Blogbox | Feminizmi

Feminizmi, kultura dhe pushteti

Nga - 17.12.2020

Çfarë jemi duke bërë gabim?

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Grave këtë vit (25 nëntor), RAI — kanali publik televiziv në vendlindjen time, Itali — shfaqi një video që u shpjegonte grave si të ecin në mënyrë sensuale në këpucë me taka ndërmjet rendeve të supermarketit. Për gratë më të paafta, gjithashtu përfshinte një tutorial se si të marrin gjëra nga dyshemeja, duke përfshirë sugjerime se si ta bëjnë këtë me sugjestivitet, gjersa i shmangen dukjes si “e pavlerë”. 

Po të mos ishte e neveritshme, dikujt mbase do t’i dukej pothuajse ngazëllyese. Cila grua, në mes të kësaj pandemie, duke u munduar të balancojë përgjegjësitë në rritje dhe joproporcionale ndaj familjes dhe shoqërisë, do të shkonte në supermarket me taka të larta dhe me mini-fund, duke jetuar fantazinë e “Victoria’s Secret” me qëllimin e vetëm për t’i rënë në sy një burri, ndërkohë që është duke u ngutur të blejë panettone (lloj buke italiane) para orës policore? Cila grua, pasi padashur rrëzon një paketë të djathit mascarpone, do ta hapte furishëm YouTube-n për të kërkuar tutorial se si t’i kapë gjërat nga dyshemeja?

Në vend se të nisin diskutime rreth fuqisë së tyre dhe asaj se si e përdorin, institucionet shpenzojnë para dhe fjalë për të kthyer fokusin tek individët.

Vulgariteti i këtij mesazhi dhe koha ofenduese që kanali publik televiziv italian ka zgjedhur ta transmetojë këtë “manual për vajza të martueshme” që të kthen në vitet ’50 ka ndezur një debat intensiv në Itali. Politikanët, feministët, aktivistët dhe komentatorët kanë ngritur zërin kundër këtij horrori mesjetar, duke denoncuar dhunën kundër grave që ka rrënjë të brendshme kulturore dhe që duhet të luftohet pikërisht duke sfiduar narrativat shtypëse të cilat garantojnë bazat kognitive për më shumë veprime të prekshme të dhunës. Po atë ditë, ndërkohë që kjo ishte duke ndodhur online, në jetë reale në Itali tri gra u vranë nga partnerët e tyre. 

‘Ta bëjmë botën portokalli’ — për 16 ditë

Çdo vit, 25 nëntori shënon fillimin e 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, që zgjat deri më 10 dhjetor. Këto 16 Ditë të Aktivizmit shënojnë një kohë kur, të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, institucione rajonale dhe kombëtare, qeveritare dhe joqeveritare nisin fushata për të ngritur vetëdijen ndaj dhunës kundër grave. Kjo me gjasë është iniciativa vetëdijesuese më e bashkërenduar kundër dhunës me bazë gjinore dhë për këtë arsye duhet të çmohet e të festohet. Sidoqoftë, këto 16 Ditë të Aktivizmit gjithashtu e riprodhojnë një paradoks interesant. 

Përderisa institucionet tregojnë mbështetjen e tyre për barazinë gjinore duke “portokallizuar” ndërtesat e tyre, duke shpërndarë postime dhe duke filluar fushata vetëdijesimi, ato gjithashtu e kthejnë fokusin në individë dhe në shoqëri, duke sugjeruar që dhuna me bazë gjinore është kryesisht kulturore dhe duhet të luftohet në baza kulturore. Edhe pse kjo është pjesërisht e vërtetë, institucionet dhe individët nuk janë të njëjtë, as të këmbyeshëm.

Përderisa individët munden dhe duhen të kontribuojnë në luftën kundër dhunës me bazë gjinore duke shtyrë përpara ndryshimin kulturor, institucionet nuk i kanë vetëm mjetet por edhe detyrën e mandatuar ligjërisht që të veprojnë në botën reale për të parandaluar dhunën kundër grave aty ku dhe kur kultura — dhe individët — nuk munden. Nevoja e vazhdueshme për fushata vetëdijesimi kundër dhunës me bazë gjinore dhe 16 ditë në vit të dedikuara për të, para së gjithash janë dëshmi e dështimit të institucioneve për të përdorur fuqinë që u është dhënë atyre, vetëm atyre, për të përmbushur detyrën e mbrojtjes së grave. 

Një nga dështimet që bie në sy është ajo që sistematikisht të ofrohet edukim me ndjeshmëri gjinore dhe për të drejtat njerëzore në shkolla, gjë që nëse do të organizohej, do t’i bënte fushatat e vetëdijesimit si kjo e aktivizmit 16 ditor të panevojshme prej fillimit. Ky është paradoksi i institucioneve të cilat avokojnë për ndryshim kulturor, kur ata, vetëm ata, i kanë mjetet për të vepruar jo përmes kulturës, por përmes pushtetit. 

Megjithatë, të gjithë ata që luftojnë për barazi gjinore kurrë nuk duhet të harrojnë që dhuna dhe diskriminimi ndaj grave nuk janë çështje kulturore.

Në vend se të nisin diskutime rreth fuqisë së tyre dhe mënyrës si e përdorin, institucionet shpenzojnë para dhe fjalë për të kthyer fokusin tek individët; të cilët nuk janë as afërsisht të pajisur e as përgjegjës për ta luftuar dhunën e përhapur dhe të vazhdueshme kundër grave. Thënë shumë thjesht: ndërsa të gjitha këto iniciativa brenda 16 Ditëve të Aktivizmit janë me të vërtetë të përgëzueshme, ato e limitojnë veten kur zgjedhin të veprojnë vetëm në një botë teorike — apo kulturore — dhe jo në botën e vërtetë në të cilën jetojmë.

Gratë i vuajnë në trupat e tyre dështimet konkrete të institucioneve, të zëna nga burra dhe gra të vërtetë me emra e mbiemra, për të përmbushur përgjegjësitë e tyre — përgjegjësi të cilat nuk mund të transferohen e as të përgjithësohen. Si rezultat, shumë nga këto iniciativa që theksojnë rolin e kulturës në vend se të pushtetit, pothuajse pa përjashtim lënë jashtë të vetmin veprim që grave u duhet për të fituar lirinë nga shtypja: largimin e atyre që janë në detyrë dhe kanë fuqinë për t’i dhënë fund këtij fenomeni, dhe zëvendësimin e tyre me feministë të aftë. 

Pushteti kundrejt Kulturës

Pa dyshim, dhuna dhe diskriminimi ndaj grave është kulturor. Edhe më shumë, njëri mund të argumentojë që është pasojë e një mungese kognitive: Burrat vazhdojnë të përulin dhe të abuzojnë gratë sepse janë personalisht të bindur që ato e meritojnë, apo, me thjeshtë, që ata, si burra, kanë të drejtë të kenë fuqi dhe të dominojnë. Kjo vazhdon me edukimin dhe përfaqësimin e duhur në politikë dhe në media të cilat janë thelbësore në luftën kundër këtij fenomeni.

Megjithatë, të gjithë ata që luftojnë për barazi gjinore kurrë nuk duhet të harrojnë që dhuna dhe diskriminimi ndaj grave nuk janë çështje kulturore. Është çështje pushteti. Udhëzuesi i neveritshëm që u është transmetuar miliona grave dhe burrave në Itali nuk është pasojë e një kulture toksike. Është pasojë e viteve të zënies së pozitave më të larta në kanalin televiziv publik italian nga ana e partive të udhëhequra nga burrat, të cilët kanë preferuar interesat e partisë mbi diversitetin, aftësinë dhe përkushtimin gazetaresk. 

Përndryshe, për arsye të nevojës dhe padyshim jo të qëllimit, ata që do të kenë qasje në edukim të nevojshëm, të duhur dhe respektues të të drejtave të njeriut janë shpesh ata të cilët krahasimisht kanë më pak nevojë për të.

Pas suspendimit të programit për shkak të zemërimit të përhapur publik të cilin e nxiti, të nesërmen RAI zgjedhi ta transmetojë një episod më të vjetër nga e njëjta shfaqje televizive — kësaj radhe duke u fokusuar në sytjena. Duke përfshirë një pistë me modele gjysmë të zhveshura në të brendshme dhe një “eksperte të sytjenave” e cila ndante sugjerimet e saj për përdorimin e tyre. 

Kjo nuk do të thotë që iniciativat të cilat promovojnë ndryshimin kulturor — shpesh në duart e organizatave të shoqërisë civile (OShC) të cilat, të nënfinancuara dhe të mbështetura nga shteti në mënyrë jo të duhur, guximshëm sfidojnë stereotipet gjinore, u sigurojnë rinisë dhe të tjerëve edukim shumë të nevojshëm në respektimin e dallimeve dhe të drejtave njerëzore, dhe kërkojnë përgjegjësi nga institucionet — janë të panevojshme. Kjo do të thotë që, në Itali aq sa në vendet tjera në botë, këto iniciativa, të vetme, janë të pamjaftueshme për të sjellur ndryshim të qëndrueshëm.

Efikasiteti i këtyre përpjekjeve, në fakt, varet në mbështetjen — apo të paktën në neglizhim dashamirës — nga institucionet. Është shumë e limituar nga financimet jostabile që marrin zakonisht OShC-të, dhe, për arsyen e dukshme që burimet e limituara nuk mund të veprojnë gjithkund, është e karakterizuar me pabarazi në vend dhe në kohë. Thënë më thjesht, do të argumentoja që ka arsye pse dekada më parë i kemi deleguar edukimin shtetit, si trupi i vetëm që mund të garantojë qasje ndaj diturisë dhe liri për të gjithë. OShC-të duhet të lihen të lira ta bëjnë atë të cilën janë të thirrura ta bëjnë: monitorimin e jo zëvendësimin e punës së autoriteteve publike. 

Përndryshe, për arsye të nevojës dhe padyshim jo të qëllimit, ata që do të kenë qasje në edukim të nevojshëm, të duhur dhe respektues të të drejtave të njeriut janë shpesh ata të cilët krahasimisht kanë më pak nevojë për të — ata në kryeqytet apo në qytete, ata të cilët tashmë janë aktivë shoqërisht dhe të përfshirë politikisht, ata të cilët kanë mjetet të “shijojnë” aktivitete jashtëshkollore — ata, shkurtimisht, të cilët tashmë kanë të paktën disa mjete për t’i kundërshtuar vetë normat e parashtruara.

Politika dhe pushteti

Si person i lindur menjëherë pas shembjes së rendit politik në Italinë pas Luftës së Dytë Botërore (në fundin e të ashtuquajturës “Republika e parë”), dhe në kohë për të ndihmuar Berlusconizimin e politikës Italine, besoj që mund të ndërlidhem të paktën me një pjesë të zhgënjimit, drojës dhe averzionit që shumë progresivë, aktivistë me parime dhe talente, artistë dhe profesionistë të shoqërisë civile të Kosovës shpesh ndiejnë kundrejt politikës së vendit të tyre. Unë sinqerisht nuk e di se si dikush do të mund të ndihej ndryshe.

Prapëseprapë, duke shikuar përvojën e vendit tim dhe vendeve të tjera, do të argumentoja që kjo ndjenjë e zhgënjimit nuk është nënprodukt i padëshiruar i politikës së tanishme kosovare. Përkundrazi, mund të argumentohet që është një ndër qëllimet e saj përfundimtare. Politikanët në pushtet e dinë më mirë se kushdo tjetër që, përderisa fuqia e tyre nuk sfidohet drejtpërdrejt, ata do të mund ta përdorin po atë fuqi për të ruajtur statusin e tyre — duke grumbulluar edhe më shumë privilegje, burime dhe pushtet.

Përderisa ata angazhohen me gjeste performative të mjaftueshme për të rrënjosur dyshim që gjërat në fakt mund të përmirësohen në të ardhmen, ata mbrojnë me zell status kuonë në një kohë kur është shumë e rëndësishme. Ata i shterojnë me përpikmëri — duke përdorur fuqinë që ata, vetëm ata, e shfrytëzojnë si armë apo si joshje të parezistueshme — të gjitha përpjekjet e vërteta për t’i sfiduar ata përmes proceseve elektorale.

Kultura është esenciale. Por nuk mund ta luftosh pushtetin me kulturë.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq, nuk mund ta anashkalojmë dhunën me të cilën gratë përballen kur kërkojnë pushtet publik. Në çdo vend, gratë në politikë u nënshtrohen niveleve të ngacmimit dhe abuzimit të cilat burrat vështirë mund t’i kuptojnë, lëre t’i përjetojnë. Kjo mund të shkaktojë dëm të jashtëzakonshëm në shëndetin e tyre mendor, në familjet e tyre, në privatësinë e tyre, në reputacionin e tyre dhe në trupat e tyre. Përderisa këto sjellje toksike e të përhapura sigurisht janë rezultat i normave kulturore patriarkale të rrënjosura thellë, unë besoj që kjo duhet të shërbejë si dëshmi e mëtutjeshme që kjo kulturë e sëmurë nuk ekziston apo shumëzohet në vakum, por si kulturë që në mënyrë precize kërkon të mbrojë pushtetin nga ata të cilët dëshirojnë ta përdorin për të mirën e përbashkët. 

Më pak kulturë, më shumë pushtet

Siç ia sqaroi mjeshtrja e politikës Cersei Lannister — nga seriali i famshëm Game of Thrones — një burri i cili ngathtësisht mundohej t’ia shpjegonte asaj me përçmim se “dituria është fuqi”, dituria nuk është fuqi: “fuqia është fuqi”. Përderisa feministët nga shoqëria civile duhet të vazhdojnë të ngrisin komunitetet e tyre përmes aktiviteteve mbikëqyrëse, kulturore dhe avokuese, ata gjithashtu duhet ta mbajnë në mend që “fuqia është fuqi”.

Këta feministë të shoqërisë civile duhet të gjejnë mes tyre gra të cilat janë mjaftueshëm të guximshme, mjaftueshëm vizionare, apo ndoshta mjaftueshëm të çmendura për të luftuar fuqinë me fuqi, dhe t’i mbështesin ato. Ata duhet të përdorin zërin dhe pozitën e tyre për t’u mbledhur rreth këtyre grave, t’i mbrojnë ato nga sulmet e egra të cilat do t’u drejtohen në mënyrë të pashmangshme, dhe të sigurojnë që ato janë të mbështetura nga një komunitet mjaft i fortë që ato t’ia japin goditjen e fundit një fuqie patriarkale.

Përndryshe, është shumë e vështirë të shohim se si, nëse të gjithë shtyjnë për ndryshim “nga jashtë”, përderisa të gjithë ata që kanë pushtet, dukshmëri, para dhe burime; të gjithë ata që shkruajnë ligje dhe udhëheqin institucione, të gjithë ata që ligjërojnë në media dhe mbledhin turma mbesin aty ku janë, dikush mundet të shpresojë për ndryshim të qëndrueshëm. Është njësoj e vështirë të shohim pse ata në pushtet duhet të heqin dorë nga fuqia dhe privilegji disproporcional që shijojnë — dhe përdorimi i tyre instrumental — si pasojë e ndonjë iniciative kulturore. Sipas të gjitha gjasave, ata do të provojnë t’i përdorin këto për ta zbukuruar abuzimin e tyre, dhe për ta cementuar më tutje pushtetin e tyre. 

Kultura është esenciale. Por nuk mund ta luftosh pushtetin me kulturë. Gratë nuk kanë të drejtë të jetojnë në një kulturë të lirë nga patriarkati, që u është dhuruar me dashamirësi nga flamurtarët e patriarkisë në pushtet. Gratë kanë të drejtë të jetojnë në një kulturë të lirë nga patriarkati që i japin vetvetes, dhe që mbrohet përmes të vetmes mënyrë që mund të shpresojmë ta ruajmë: duke zënë sistematikisht pozitat në pushtet. Alternativa është të mbesin të ngecura për një kohë të papërcaktuar një një dinamikë skllavo-pronare ku njerëzit me parime gjithmonë duhen të lusin ata në fuqi të bëjnë atë çfarë veç duhet ta bëjnë — ta shpenzojnë kohën dhe energjinë e tyre, dhe përfundimisht të heqin dorë nga kërkesa për të arritur emancipim të vërtetë. 

Deri diku patriarkia i shtyp edhe burrat, duke përfshirë këtu burrat cisgjinorë dhe heteroseksualë.

Pasi dikush ta ketë sfiduar nocionin patriarkal që gratë nuk përkasin në korridoret e pushtetit dhe që ndryshimi demokratik dhe i qëndrueshëm mund të arritet pa zënë pozitat e fuqisë, ajo duhet të përfshihet në një detyrë edhe më të vështirë. Në luftën e jashtme për të drejtat e gruas, ku burimet janë të rralla dhe një person duhet t’u shmanget goditjeve nga pushteti dhe kultura patriarkale, solidariteti mes feministëve është qenësor.

Feminizmi nuk është vetëm për gratë

Megjithatë, feministët e vërtetë gjithmonë duhet të jenë të vetëdijshëm se një feminizëm pa ndërthurje jo vetëm që nuk është feminizëm, por është në fakt një formë e rrezikshme dhe perverse e shtypjes patriarkale. Ata duhet ta mbajnë këtë në mend gjithmonë, dhe, gjersa konfrontojnë patriarkatin nga jashtë, pa mëshirë të angazhohen në çrrënjëzimin e atyre që dobësojnë luftën për barazi nga brenda. 

Në një bisedë të organizuar nga K2.0, gjigantja e feminizmit Mona Eltahawy në mënyrë briliante ka definuar këta sabotues-të-fshehur të luftës për barazi si “ushtarë këmbësorë të patriarkatit”, mjaft afër pushtetit patriarkal sa për të shijuar disa nga benefitet e tij dhe ndërkohë pjesë e një demografike e cila përgjithësisht shtypet nga ajo. 

Eltahawy jep shembujt e saj të grave të bardha perëndimore, të cilat, përderisa janë vetë viktima të patriarkatit si kategoritë e tjera të grave, shpesh pengojnë progresin e vërtetë feminist për të gjithë të tjerët — si për shembull gratë e zeza, jo-perëndimorët, jo të krishterët, gratë trans, queer apo të varfëra — dhe përdorin privilegjin e tyre relativ për të mirëmbajtur superioritetin e pozitës të tyre ndaj të tjerëve. Ato tradhtojnë solidaritetin gjinor — shpesh për hir të solidaritetit klasor, bashkëpunojnë me patriarkatin, dhe përfundojnë duke ngurtësuar një strukturë të patriarkatit e cila, edhe pse më pak dhunshëm, i shtyp edhe ato.

Në ditët e sotme, ka mjaft shembuj të këtyre ushtarëve këmbësorë të patriarkatit, të cilët përfshihen në aktivitete të tilla jo domosdoshmërisht si pasojë e vetëdijes së rrejshme, por pikërisht për të mbrojtur pozitat e tyre të larta mes të shtypurve. Ne mund të përmendim gratë e bardha nga SHBA-ja, shumica e të cilave përsëri kanë votuar për një president i cili ka një rekord të pafund të shtypjes patriarkale. 

Gjithashtu mund të përmendim rritjen e aktivizmit të të ashtuquajturve TERF (Feministë Radikalë me Përjashtim të Transgjinorëve), definimin e të cilëve e kundërshtoj fuqishëm, pasi nuk ekziston diçka e tillë si përjashtim i transgjinorëve por vetëm transfobi; transfobët nuk mund të konsiderohen feministë; dhe transfobia, si të gjitha fytyrat e patriarkatit, është gjithçka përpos radikale — është normë konservative. 

“Feministi” i rastit, i cili nganjëherë vjen nga jashtë, angazhohet në veprime të tilla të tradhtisë për një arsye të vetme: dukshmëri personale.

Përderisa demonstrohet një lidhje mes Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Grave dhe Ditës të së Drejtave të Njeriut, vlerat dhe problemet prapa feminizmit shkojnë përtej problemeve për barazinë e grave. Përgjatë viteve, feminizmi ka evoluar për të përfshirë një luftë nga poshtë lart, pjesëmarrëse dhe demokratike për eliminimin e të gjitha formave të shtypjes patriarkale që përndjekin gratë, por edhe personat LGBTQ+, personat e varfër, personat e zinj, personat jo-perëndimorë apo jo të BE-së, personat jo të krishterë, personat me aftësi të kufizuara, e kështu me radhë.

Deri diku patriarkia i shtyp edhe burrat, duke përfshirë këtu burrat cisgjinorë dhe heteroseksualë. Feministët, feministët e vërtetë, kanë kuptuar që gratë, edhe pse shumicë, nuk janë të vetme në shtypjen e tyre; por që shtypja e minoriteteve të tjera është rezultat i të njëjtit sistem patriarkal i cili shtyp gratë në rend të parë. Ata gjithashtu kuptojnë që gratë nuk janë një lapidar, dhe që në këtë makro-kategori gra të ndryshme përballen me shtresa të ndryshme të shtypjes, të cilat ndërthuren dhe i bëjnë disa më të cenueshme se të tjerat. 

Si rezultat, ata e kanë kuptuar që, nëse lufta për barazinë e grave do të fitohet, të gjitha këto lufta duhet të luftohen njëkohësisht. Ata e kuptojnë, për shembull, që përderisa burrat gej femininë dhe gratë transgjinore shtypen për shprehjen apo identitetin e tyre gjinor, gratë cisgjinore kurr nuk do të jenë të liruara nga normat konservative të cilat pengojnë sigurinë dhe lirinë e tyre.

Kjo është për shkak që ata e kuptojnë se këto dy fenomene janë dy anë të ndryshme të së njëjtës monedhë, përkatësisht, nocionet patriarkale se çfarë është një grua dhe çfarë lejohet të jetë. Kështu që kanë ndërtuar solidaritet ndërmjet të gjitha grupeve të shtypura nga patriarkati, një solidaritet i cili nuk i fshin identitetet e ndryshme, përvojat dhe restaurimet, por e mbështesin dhe pasurojnë njëri-tjetrin.

Bashkëpunëtorë të shtypësve

Për këtë arsye, të gjithë ata që luftojnë për barazi gjinore duhet të jenë të kujdesshëm ndaj atyre të cilët përdorin anëtarësinë e tyre në një kategori të shtypur, siç janë gratë, për të dobësuar, korruptuar apo banalizuar luftën për drejtësi nga brenda. Kosova gjithashtu është rrënuar nga disa feministë të vetëquajtur të cilët, me injorancën dhe privilegjin relativ, helmojnë përpjekjet ekzistuese feministe. 

Këta ushtarë këmbësorë të patriarkisë të bazuar në Prishtinë u ofrojnë arsyetim atyre të cilët janë kundër emancipimit të grave për të ndjekur besimet e tyre, dhe më keq, të gjithë atyre që janë në pushtet dhe nuk e përdorin pozitën e tyre për të promovuar barazi të vërtetë u ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për të zbukuruar papërshtatshmërinë e tyre — duke mbështetur këtë feminizëm të rrejshëm, të zbrazur nga i gjithë kuptimi dhe fuqia transformuese.

Siç e ka thënë me mjeshtëri Simone De Beauvoir, “shtypësi nuk do të ishte aq i fuqishëm nëse nuk do të kishte bashkëpunëtorë midis të shtypurve”. “Feministi” i rastit, i cili nganjëherë vjen nga jashtë, angazhohet në veprime të tilla të tradhtisë për një arsye të vetme: dukshmëri personale — diçka që të gjithë feministët e vërtetë duhet të zotohen ta mohojnë me stoicizëm, duke vepruar me damnatio memoriae që i vë në harresë të cilës i frikësohen me dëshpërim, dhe të cilën dukshëm e meritojnë. 

Një shembull i këtij fenomeni të “punëve të brendshme” në feminizëm është përgjigja që disa mbrojtës të vetëshpallur të grave e kanë pasur ndaj lajmeve që qyteti i Prishtinës do të investojë në strehimoren e parë për personat queer në Kosovë. Ata kanë argumentuar se, përderisa shumë gra janë duke u përballur me dhunën dhe femicidin në shtëpitë e tyre, burimet e pakta në dispozicion nuk është dashur t’i dedikohen dhunës kundër personave LGBTIQ+. 

Duke lënë anash për një moment faktin që shumë persona LGBTIQ+ janë gra, askush që me të vërtetë e kupton se të drejtat e grave janë të drejta njerëzore — dhe që gratë meritojnë liri — nuk do të ishte në gjendje të parashtrojë që, pasi gratë vdesin në duart e patriarkisë në numra më të mëdhenj, atëherë disa jetë LGBTIQ+ ia vlen të sakrifikohen. 

Feministët e vërtetë, gra dhe burra, heteroseksualë apo queer, cis apo transgjinorë njësoj duhet ta bëjnë të qartë me vendosmëri që, gjithmonë, kur vë shtypjen e disave kundër shtypjes së të tjerëve, nuk je duke luftuar për lirinë e asnjërit. Si pasojë, ata duhet të zotohen të çrrënjosin progresivët e rrejshëm, të pastrojnë lëvizjen nga të gjitha inflirtimet patriarkale dhe të organizojnë krijimin e hapësirave socio-kulturore mjaftueshëm të mëdha që një numër i tyre të fitojnë pozita të pushtetit. Siç thotë shprehja, “nëse nuk je në tavolinë, je në meny”. 

Imazhi i ballinës: Pamje ekrani nga kanali RAI 2, të ilustruara nga K2.0.