Biseda | Aktivizmi

Ferdez Onuzi: Aktiviste bëhesh, nuk lind, njëlloj sikurse grua

Nga - 06.01.2021

Aktivistja feministe flet për rritjen, frymëzimet, organizimin sindikal dhe gratë punëtore.

Natyrisht, viti 2020 do të mbahet mend për pandeminë — për frikat dhe paqartësinë, ngujimet dhe masat shtrënguese, si dhe konfliktet e vështirësitë personale që kemi tejkaluar ndërsa jemi përpjekur të pajtohemi me mungesën e imponuar të lirive.

Megjithatë, as në kohë të këtilla, rebelët e rajonit nuk janë strukur në heshtje.

Ata kanë refuzuar të heqin dorë nga protesta ose ngritja e zërit në publik, nga luftërat ligjore ose mënyrat e ndryshme të ushtrimit të demokracisë në praktikë — nga beteja për të drejtat dhe liritë e të gjithëve. Të patrembur, ata kanë vazhduar t’i sfidojnë njerëzit në pushtet duke kërkuar llogari dhe mbi të gjitha ndryshim.

Për të ditur më shumë se çfarë i motivon qytetarët e rajonit të dalin në ballë të luftës kundër padrejtësive të ndryshme, K2.0 ka identifikuar gjashtë rebelë që jetojnë rreth nesh në rajon. Ata janë njerëzit që janë të vendosur kundër absurditeteve të jetës në Ballkan dhe vazhdojnë të luftojnë, edhe pse shpeshherë duket se shanset nuk janë në favorin e tyre dhe ballafaqohen me kërcënime e sulme.

Natyrisht, ka shumë rebelë të tjerë meqë arsyet për rebelim janë të pafundme. Por ata që kemi zgjedhur për këtë varg shkrimesh përbëjnë një grup të larmishëm individësh dhe çështjesh; njerëz që kanë bërë një hap përtej, kanë mobilizuar të tjerët dhe kanë gjetur një mënyrë për të arritur ndryshim në fushat e tyre përkatëse.

Rebelja e K2.0 nga Shqipëria Ferdez Onuzi është aktiviste feministe, pjesë e lëvizjes sindikaliste në Shqipëri, pranë Organizatës Politike. Ajo ka lindur në vitin 1993 në qytetin e Kukësit dhe qysh herët është mbrujtur në një mjedis ku politika e viteve ‘90 në Ballkan, ka luajtur rol të qenësishëm. 

E gjendur në Kosovë së bashku me familjen, fill pas bombardimeve të NATO-s, Ferdezi u rrit me ndjenjën e solidaritetit dhe dëshirën për një botë ku mbizotëron paqja dhe drejtësia sociale. Në vend të kufijve, ajo kërkon të ndërtojë ura dhe mbi tokën e shkrumbuar, ajo kërkon që bashkërisht të hedhim themelet për një shoqëri të re: më shpresëdhënëse, më të barabartë dhe bujare. Rrugën drejt kontekstualizimit të një realiteti të këtillë, Ferdezi e kërkon tek organizimi i shtresës punëtore në sindikata sepse sipas saj, ndryshimet rrënjësore mund të vijnë vetëm prej bashkimit dhe reagimit të atyre që shtypjen e përjetojnë përgjatë gjithë ekzistencës.  

Kosovo 2.0: Cili është kujtimi më i hershëm politik juaji? 

Ferdez Onuzi: Bisedat e gjyshërve në shtëpi gjatë luftës së Kosovës. Dikur, një mbrëmje asokohe, dikush trokiti në derën e shtëpisë sonë, për të kthyer rrobat e paketuara të xhaxhait e për të na njoftuar se ky i fundit ishte bashkuar me lëvizjen çlirimtare të Kosovës. Dashnor Onuzi, atëherë rreth të tridhjetave, nuk kishte patur as kohën dhe as mundësinë për ta njoftuar familjen se po shkonte në luftë, çka shkaktoi një gjendje ankthi dhe pasigurie te gjithsekush prej nesh, përfshirë mua. Më kujtohen murmurimat e shqetësuara të gjyshes dhe gjyshit teksa vrisnin mendjen se ku mund të ndodhej biri i tyre, nëse ishte ende gjallë e nëse do të kthehej sërish në shtëpi.

Fatmirësisht, ai u kthye në gjirin tonë dhe ky ka qenë një çast i veçantë për mua që isha tepër e lidhur me të. Mbaj mend se kur xhaxhai u shfaq në pragun e shtëpisë, të gjithë iu hodhën në krah me mall. Ndërsa unë prisja e veçuar që të më afrohej ai i pari, si zakonisht, të më përqafonte dhe të më merrte hopa… Të tilla ishin çmalljet tona… Megjithatë ai ngurronte të më qasej e ky ngurrim vinte nga fakti se ai nuk kishte mundësi të më përqafonte: një granatë e kishte lënduar në krahë dhe në njërën këmbë… 

Lufta ishte e mishëruar në trupin e xhaxhait tim dhe shqetësimin e gjyshërve. Ajo ishte e mishëruar akoma më fort, në sytë e dy familjeve nga Kosova që u strehuan në shtëpinë vetëm dy dhomë e kuzhinë tonën; në heshtjen që kaplonte sa herë që xhamat tronditeshin nga bombat në kufirin fare pranë mëhallës ku banonim. Një kufi imagjinar që ndante luftën nga paqja, rrezikun nga mbrojtja, frikën nga shpresa dhe të tashmen nga e ardhmja.

“Ku është Ukshin Hoti?”, mund të konsiderohet mbase leximi i parë imi pas abetares.

Ky kufi pushoi së qeni imagjinar kur në nëntor 1999, unë u gjenda së bashku me familjen përballë kordonit të trupave ndërkombëtarë të UNMIK-ut në Morinë, me qëllim mbërritjen në Prizren, ku do të jetoja deri më 2009. Në këtë qytet që tashmë nuk konsiderohej më në luftë, pavarësisht patrullimit rutinor të tankeve, prezencës së trupave të huaja ushtarake, trazirave dhe orës policore, do të mësoja gjuhën shqipe në shkollën 9-vjeçare “Abdyl Frashëri” dhe leximin e saj, do ta praktikoja me tim atë, mureve të qytetit. “Ku është Ukshin Hoti?”, mund të konsiderohet mbase leximi i parë imi pas abetares dhe shpjegimi i tim ati për këto graffiti, bisedat e para “jashtë klase”. 

Kam përshtypjen se është pikërisht kjo atmosferë kaq intensive, përplot pështjellim, pasiguri, frikë e po aq kureshtje, ajo që ka ndikuar në formimin tim dhe në nxitjen e mëvonshme për t’u angazhuar politikisht. Historitë mbi përdhunimin e grave (dhe burrave) si instrument lufte nga regjimi i Millosheviçit; kuja për personat e zhdukur dhe plagët ende të hapura të një populli që i mbijetoi luftës e spastrimit etnik, protestat e njëpasnjëshme, parrullat e fuqishme… 

Të gjitha këto u shndërruan në pjesë të pandashme timen duke më bërë të kërkoja të mësoja se pse ekziston lufta; pse shoqëritë tona janë këto që janë; çfarë na mungon për të qenë të lumtur, të bollshëm, të shëndetshëm? Çfarë na mungon që të bashkëjetojmë në harmoni, pavarësisht dallimeve tona? A qëndron problemi te “tjetri” apo te një sistem që e krijon “tjetrin” si kategori a priori të dehumanizuar ku shfryhen më pas, kamuflimi i padijes e rrjedhimisht, urrejtja e shtypja? 

Sa ka ndihmuar shkolla e lartë për t’i dhënë një përgjigje këtyre pyetjeve? 

Shkolla e lartë ka ndihmuar pjesërisht. Unë zgjodha që studimet fillestare t’i kryeja për Filozofi e më pas të specializohesha në Teori Politike, si një mënyrë për t’u thelluar në reflektime brenda një sfere mendimi më të ndërlikuar dhe sfiduese. Kisha përshtypjen se krahas praktikës së mobilizimit dhe organizimit të qytetarëve, përkatësisht punëtoreve dhe punëtorëve e po aq, eksperiencës sime personale, dija do të më mundësonte që t’i vendosja një emër fenomeneve, që të shkoja më shpejt tek e vërteta e kësisoj, te zgjidhjet e drejta. 

Pozita shoqërore dhe ekonomike e secilës/it prej nesh, përcakton edhe pozitën tonë në rrethin e gjerë shoqëror.

Megjithatë sot universiteti i shërben tregut dhe jo dijes, aq më pak, mendimit kritik. Në vend se të jetë një agora ku rrihen mendimet dhe idetë, universiteti është një fabrikë që prodhon diploma dhe qytetarë të bindur të cilët nuk e çojnë asnjëherë nëpërmend vendosjen në pikëpyetje të realitetit të tyre personal dhe atij shoqëror – kështu ruhen strukturat e shtypjes. Veçanërisht degë si Filozofia dhe Teoritë Politike janë të destinuara të çertifikojnë të papunë që citojnë Aristotelin… 

Pse kjo zgjedhje atëherë… ?

Për shkak të idealizmit, afërmendsh. Por gjithashtu sepse për mua, kusht krejt personal për vazhdimin e studimeve të larta ishte dëshira e panegociueshme që shkollën e lartë ta ndiqja në Tiranë. Si vajzë e periferisë, ardhur nga një familje e varfër punëtore, që autoritetin patriarkal është rrekur ta shtrijë në çdo sferë të jetës dhe intimitetit tim, shkolla e lartë e veçanërisht Tirana e ëndërruar, e idealizuar dhe madje e ekzotifikuar, nënkuptonin çlirim dhe pavarësi. Besoja se kryeqyteti do të më përballte me shumë të panjohura e gradualisht, një gjë e tillë do më ndihmonte të njihja veten, potencialin e kufijtë e mi.

Më vonë do të zbuloja se thjesht të qenit në Tiranë nuk është e mjaftueshme… Pozita shoqërore dhe ekonomike e secilës/it prej nesh, përcakton edhe pozitën tonë në rrethin e gjerë shoqëror e madje, mikpritjen në një metropol të madh e kaotik si Tirana që në të vërtetë, i druhet të huajve vendas, atyre që rëndom e ndërthurin shqipen standarde me dialektin, që nuk kanë të holla për t’iu përshtatur shkëlqimit të rremë të vitrinave, ku ekspozohen imitime të lira markash botërore e ku për të mbijetuar na kërkohet të jemi mbinjerëz. 

Sfida më e madhe është pikërisht mposhtja e kësaj frike në familje, në strukurën e parë të shtypjes.

Të punojmë me dy turne teksa shkollohemi; të tejkalojmë stereotipet që na i mveshin dhunshëm e në mënyrë të padrejtë; të mos bëzajmë për pagat e ulëta, përbuzjen, ngacmimet seksuale në vendin e punës dhe fyerjet në trotuarët e betonizuar të një qyteti që prodhon ëndrra e po aq, ëndrra vret. Të ruajmë shëndetin mendor mes stërmundimit në toksicitetin shoqëror ekzistues dhe frikës së rikthimit në periferi, ku skamjen e kurojnë herët me mblesëri… 

Çfarë do të thotë aktivizmi për një grua të re si ju?

Aktiviste bëhesh, nuk lind, njëlloj sikurse grua, për të perifrazuar Simone de Beauvoir e zhvendosur atë në kontekstin publik të politikbërjes civile. Bota është ndryshe për vajzat e gratë sepse ato ose janë të përjashtuara prej saj pa ardhur në jetë, ose edukohen qysh në vegjëli për të mos ekzistuar përveçse në sferën private nga ku, mbi kurrizin e të cilave, manifestohet i gjithë riprodhimi shoqëror. 

Ferdez Onuzi beson se ndryshimet gjithpërfshirëse në shoqëri do të vijnë nga shtresa punëtore, veçanërisht të gjitha gratë punëtore, si nëna e saj, e cila është punëtore fasonerie dhe burim frymëzimi për aktivizmin e saj. Foto nga arkivi i Ferdez Onuzit.

Në mënyrë të veçantë, vajzat e periferisë rriten me frikë: frikën nga babai apo çdo figurë tjetër mashkullore brenda gjirit të familjes; frikën nga burrat e tjerë jashtë pragut të shtëpisë, nga shokët e klasës, të lagjes, më vonë nga bashkëshorti, kunati, vjehrri e çdo figurë patriarkale e autoritare që ua vjedh lirinë e frymën. Sfida më e madhe është pikërisht mposhtja e kësaj frike në familje, në strukurën e parë të shtypjes. Prej aty, çdo hap i hedhur do të jetë më i sigurtë dhe premtues. Të ngresh zërin, të kërkosh të drejtat që të takojnë, të refuzosh dhunën shndërrohet në filozofi e praktikë jete. Këto janë të rëndësishme sepse ç’kuptim ka jeta në robëri? 

Nëse s’mund të vendosim ne vegjëlia për jetën e të ardhmen tonë, nuk mund të vendosë askush tjetër për ne sepse askush nuk i di nevojat tona më mirë se ne.

Mbërritja te kjo pikë rebeluese që përcakton më pas rrjedhën e jetës së gjithsecilës është ndryshe për çdo vajzë e grua. Tek unë ka ardhur njëkohësisht me angazhimin tim si aktiviste në sferën publike. Në vitin 2014 u njoha me lëvizjen “Për Universitetin”. Lëvizja sapo ishte ngjizur atëmot dhe studentet/ët aktiviste/ë kishin nisur me organizimin e tryezave të para. Më grishi ky organizim i vullnetshëm e veçanërisht, shkathtësia e vajzave aktiviste. E pashë veten pjesë të këtij grupimi, njëlloj si këto vajza e shpejt, iu bashkova atyre. Por familja ime e kishte të vështirë të bashkëndante të njëjën imagjinatë e botëkuptim me mua. 

“Nuk të takon ty të merresh me këto gjëra. Politikën e bën tjetërkush!” – më përsërisnin çdoherë prindërit. Por çfarë do të thotë “të bësh politikë” e kush e ka tagrin e politkbërjes? “Udhëheqja i takon tjetërkujt”, vijonte padronizimi prindëror nga pozita therrëse e një familjeje historikisht të shtypur e të varfër, që u është vjedhur çdo grimcë pushteti. Unë mendoja ndryshe… Mendoja se pikërisht njerëzit si prindërit e mi, si nëna ime që është punëtore fasonerie dhe im atë që është punëtor në një pikë karburanti në autostradë; unë dhe shokët e shoqet e mia që vijmë nga kontekste të tilla të ngjashme të gjithë ne pra, jemi në mos “udhëheqja”, potenciali për udhëheqje. 

Ne mbajmë të gjithë shoqërinë mbi supe, njëlloj sikurse nëna ime shtëpinë, pas punës në fasoneri… Nëse s’mund të vendosim ne vegjëlia (që përbën në fakt shumicën dërrmuese të vendit) për jetën e të ardhmen tonë, nuk mund të vendosë askush tjetër për ne sepse askush nuk i di nevojat tona më mirë se ne.

Kam parasysh këtu gratë naftëtare të Ballshit, shembuj frymëzimi dhe potencial i njëmendtë ndryshimesh shoqërore.

Si forcë punëtore që gjeneron të ardhura për një shoqëri të tërë përmes punëve të paguara keq dhe njëkohësisht, punës së papaguar të grave në sferën private, ne përkasim te publikja, përmes personales sonë që është shëmbëlltyra e një sistemi të dështuar. Madje, ky vit pandemik vetëm sa vërtetoi pikërisht këtë… 

Çfarë e bën të veçantë organizimin sindikal?

Faktin që solidariteti vjen natyrshëm te punëtoret, ndoshta edhe sepse punë të rënda kërkojnë bashkëpunim, komunikim e njëlloj motërzimi, jo vetëm për ta shpënë punën përpara, por edhe për të siguruar mbrojtje e për të ngadhënjyer në struktura që të sakrifikojnë më kollaj nëse gjendesh vetëm. Kam parasysh këtu gratë naftëtare të Ballshit, shembuj frymëzimi dhe potencial i njëmendtë ndryshimesh shoqërore. Ato nuk janë vetëm punëtore të rafinerisë por gjithashtu shoqe që bashkëndajnë hallet, gëzimet, trishtimet, frikën, pasigurinë, ëndrrat dhe idealin për një botë më të mirë për to, familjet e tyre dhe mbarë shoqërinë tonë. Ishte pikërisht kjo frymë e natyrshme solidariteti midis tyre që e udhëhoqi grevën e urisë me sukses, duke i garantuar të gjithë punëtoreve dhe punëtorëve të rafinerisë të ardhura të mjaftueshme, së paku, deri në organizimin e tyre të radhës. 

“Punë! Pagë! Perspektivë”, ishin thirjet e vazhdueshme të naftëtarëve të Ballshit, gjatë protestave të vazhdueshme për kushte më të mira në punë në vjeshtën e kaluar. Foto nga arkivi i Organizatës Politike.

Nga ana tjetër, gratë minatore, shpesh të gjendura pa kurrfarë mbështetjeje dhe perspektive në një qytet si Bulqiza që nuk ofron asgjë veç mjerimit, ia kanë dalë që falë solidaritetit mes tyre, sidomos në rastet e grave të ve, jo vetëm të mbijetojnë, por të mbajnë gjallë një qytet të tërë. E prapësëprapë, këto gra rrallë përmenden. Madje për shumëkënd mund të përbëjë ende habi fakti që në Shqipëri ka minatorë por ka edhe minatore që punojnë në minierë 8 orë e më pas në shtëpi, pa orar… 

Jam e mendimit dhe besoj se ndryshimet gjithpërfshirëse në shoqërinë tonë do të vijnë kur shtresa punëtore, veçanërisht të gjitha gratë punëtore, si ime ëmë, do të mposhtin frikën që i mban ende të paralizuara dhe të vetëdijshme siç janë për nevojat e paplotësuara, për të drejtat e mohuara dhe lirinë e vjedhur, do të ngrihen për të përmbushur rolin e tyre shoqëror, atë të marrjes së frenave të jetës në dorën e tyre e ne, bijat e shoqet e tyre, do t’u qëndrojmë në krah, duke guxuar bashkë me to. 

Ju jeni shembull frymëzimi e model për çdo vajzë e grua të re në shoqëritë tona, përmes forcës, inteligjencës dhe maturisë suaj. Keni pasur një model të ngjashëm udhëheqjeje gjatë rritjes? 

Është peshë e rëndë mbi supe të krijuarit e një pritshmërie të tillë te të tjerët, pavarësisht lëmimit të egos, por unë vërtetë shpresoj që përmes punës sime të arrij t’i nxisë vajzat e gratë e shoqërive tona që ato ta shohin veten të shkëputura nga presioni patriarkal rreth e përqark, për gjithë sa janë realisht e mund të arrijnë.

Në jetën time jam frymëzuar nga gra jetët e së cilave jo domosdoshmërisht kanë qenë histori suksesi, por dituria dhe udhëheqja e tyre kanë shtruar rrugën për kapërcimin e humnerave shoqërore… Një grua e tillë është ajo që më ka falur jetën, nëna ime. Shkalla e vetëdijësimit të saj për pozitën dhe kushtet aktuale ku është gjendur gjithnjë, sikurse nxitja e vendosmëria që unë të bëhesha ndryshe nga ajo, më ka vërtetuar se në fakt, sot, unë kam mbërritur deri këtu (edhe) falë rezistencës së saj e se për mua është krenari, që ta trashëgojë atë rezistencë e t’i jap asaj një hov më tutje. 

Një tjetër grua e fuqishme është bashkëshortja e xhaxhait tim e cila ka qenë tepër e re kur jemi njohur. Ajo më mësoi mbi virtytet, për të mirën, të drejtën dhe ndershmërinë. Për këtë të fundit jo si tagër të burrit dhe konceptit absurd të virgjërisë, kësaj mbetjeje patriarkale, por për ndershmërinë si forcë për t’u treguar e sinqertë me veten. 

Pikërisht për këto arsye mendoj se duhet mbështetur sindikalizmi: sepse vetëm struktura kolektive që mbruhen në solidaritet, ia dalin të krijojnë hapësirën që gjithsekush të ngadhënjejë e për pasojë, të shtrojë rrugën frymëzuese për të tjerët që do të vijnë më pas. Organizime të këtilla i rezistojnë kohës dhe grave si nëna ime apo bashkëshortja e xhaxhait (kjo grua shoqërinë e së cilës e fitova disi vonë në jetë) u krijojnë një hapësirë të sigurtë për t’u shprehur e vepruar. E fjala e veprimtaria e tyre janë shpresa e të gjithëve ne për një botë të re, të lirë e të barabartë.K

Imazhi i ballinës nga arkivi i Ferdez Onuzit.