Muajin e kaluar, Qendra për Barazi dhe Liri për komunitetin LGBT në Kosovë (CEL Kosova), e publikoi botimin “Manuali për praktikën psikologjike me klientë lesbikë, gejë dhe biseksualë.” Manuali u ofron psikologëve informata dhe mënyra bazike për këshillime për persona lezbikë, gejë dhe biseksualë (LGB) në fushat e vlerësimit, intervenimit, identitetit dhe marrëdhënieve. Manuali është i përqendruar vetëm për persona LGB, jo edhe në personat transgjinorë për shkak të dallimeve në praktikat psikologjike e të dyja grupeve.
Manuali ka për qëllim të jetë një udhëzues i përgjithshëm për psikologët që punojnë me personat LGB për shkak të asaj që e përshkruan si: “mungesë relative të njohurisë për personat LGB dhe të terapisë affirmative tek psikologët; stigmatizimin shoqëror, diskriminimin me të cilin personat LGB ballafaqohen, dhe pasojat e konsiderueshme në shëndetin mendor që personat LGB i përjetojnë.”
Me qëllim të plotësimit të mangësive lidhur me mbështetjen psikologjike për personat LGBT, CEL poashtu ka ofruar seance psikologjike pa pagesë gjatë këtyre dy viteve të fundit. Fortesa Kadriu është një nga psikologet që ka punuar me komunitetin LGBT, dhe bashkëautore e manualit të ri.
K2.0 u takua me të për të diskutuar për gjendjen e shërbimeve të shëndetit mendor për personat LGBT në Kosovë dhe për qasjet psikologjike më efektive për klientë LGB.
K2.0: A mendon se psikologët në Kosovë mund t’u ofrojnë shërbime adekuate personave LGBT?
Fortesta Kadriu: Një studim për persona transgjinorë [dhe qasjen e tyre në shërbime shëndetësore] ka theksuar që përvojat e personave LGBT me psikologë nuk janë shumë pozitive. Arsyeja është se shumë [psikologë] kanë mungesë të informatave për terminologjinë bazike dhe për nevojat e veçanta për komunitetin. Ç’është më e rëndësishme, nuk e kanë as qëndrimin e duhur.
Ka deklarime personale nga persona LGBT që tregojnë se ata nuk ndihen të pranuar, e që është një prej faktorëve kyç të nevojshëm për terapi të suksesshme. Nëse shkon në terapi për çështje që ndërlidhen me identitetin gjinor apo orientimin seksual dhe ndjenjen e mos pranimit për atë që je, atëherë terapia nuk do ta ketë efektin e mirë nëse as gjatë terapisë nuk ndihesh i pranuar. Posaçërisht nëse je duke u trajtuar për ankth apo depresion.
Sigurisht që nuk bën të gjeneralizohet, por ekziston një pjesë e madhe e profesionistëve shëndetësorë që e kanë këtë lloj qasjeje.
Çfarë qasje ofroni ju?
Psikoterapia ka për qëllim të trajtojë devijime të ndryshme psikologjike, por gjithashtu edhe problem që personat mund t’i kenë gjatë jetës së tyre e të cilat nuk ndërlidhen me ndonjë çrregullim. Për shembull kur është fjala për personat LGBT, shpesh faza e krijimit të identitetit seksual mund të jetë shumë stresuese. Ky nuk është një çrregullim, por megjithatë personi ka nevojë për mbështetje në mënyrë që ta kuptojë veten.
Shpesh ka persona LGBT që vijnë për shkak të problemeve në jetën e tyre, duke treguar simptoma që nuk lidhen me orientimin e tyre seksual apo me identitetin e tyre gjinor, por këto simptoma zmadhohen apo rriten si rezultat i stresit që ata e përjetojnë në raport me identitetin e tyre gjinor apo orientimin seksual.
Ne ofrojmë qasje të ndryshme varësisht nga mundësitë tona dhe klienti mund të zgjedh vetë se si do të trajtohet.
Cilat janë arsyet për të cilat personat LGBT kërkojnë më së shumti ndihmë psikologjike?
Ballafaqimi me identitetin gjinor dhe seksual shpesh përcillet me shumë stres dhe arsyeja kryesore për këtë është mungesa e pranimit nga njerëzit e tjerë. Ata janë shumë të stigmatizuar dhe shpesh kjo është arsyeja kryesore për çka kërkojnë trajtim.
Sikur të përjetohej si variant normale e identitetit gjinor, mendoj se shumica do të ballafaqohej me këtë çështje pa kërkuar ndihmë. Kështu ndodh me vendet apo familjet ku individët janë të pranuar.
Studimet tregojnë që personat e pranuar nga familjet kanë tendencë të mos kërkojnë ndihmë, ndërsa personat që nuk janë të pranuara nga familjet, kanë tendencë të provojnë depresion, të vetëlëndohen, të kenë çrregullime në të ushqyer, të keqpërdorin droga, dhe janë në rrezik më të madh për vetëvrasje. Kjo nuk ndodh vetëm me personat e komunitetit LGBT, por edhe me, për shembull, refugjatët kur vijnë në një vend të ri.
Meqë ka kohë që punon me persona LGBT, cili është perceptimi yt për nivelin e mos pranimit dhe stigmatizimit. A ka pasur progres?
Sipas vështrimit tim, ka pak progress dhe [stigma] ka rënie, por nuk jam e sigurt se a mund të ndihet efekti. Kam përshtypjen që personat LGBT janë paksa më të hapur; këtë e shohim me marshimin [LGBT] që po shkon duke u rritur çdo vit shumë e më shumë. Po ashtu shoh më shumë njerëz që janë të interesuar për seanca dhe që janë më të hapur për trajtime.
E mbaj në mend që në fillim ngurronin shumë; pothuajse nuk kishte klientë, ndoshta nga frika për konfidencialitetin. E mbaj mend që në fillim shumica e klientëve nuk i jepnin emrat e tyre të vërtetë, por tanimë kjo gjë nuk ndodhë.
Ka ca shenja të vogla që kjo temë po diskutohet më hapur, përfshirë këtu edhe dukshmërinë më të madhe në media.
Psikologët e shkollave mund të kenë ndikim të madh në tinejxherët LGBT gjatë fazës së rëndësishme të zbulimit dhe të dalurit hapur. Çfarë mendimi ke për psikologët e shkollave ne Kosovë?
Dua t’i theksoj gjetjet e një studimi të rëndësishëm; që dalja hapur si tinejxher nëpër shkolla që nuk i pranojnë – dhe këtu shumica janë të tilla – e rritë mundësinë e vetëvrasjes dhe çrregullimeve të shëndetit mendor.
Këtë e përmendim edhe në manual, dhe do të këshilloja që nuk është gjithnjë për të mirë që të shtyhet një individ që të del hapur, posaçërisht jo në moshë shumë të re kur personi nuk është i gatshëm që të ballafaqohet me pasojat. Ndonjëherë ndodh që rezultati të jetë më shumë negativ se sa pozitiv. Dalja hapur shpesh shoqërohet me ndjenja të fuqizimit dhe të çlirimit por duhet përgatitur edhe për t’u ballafaquar me pasoja.
Në shkollat tona ka nivel të lartë të bullying [ngacmimeve të ndryshme dhe dhunës], dhe kjo është edhe më e theksuar tek personat që perceptohen me orientim të ndryshëm seksual apo identitet tjetër gjinor. Këtu ka nevojë që psikologët të punojnë me ta dhe nuk jam e sigurtë se sa kompetentë janë ata.
Në manualin për psikologë përmendet një anim heteroseksual, duke e etiketuar si pengesë të madhe në trajtimin e personave LGBT?
Nëse njerëzit që janë autoritet, për shembull psikologët, fillojnë ta gjykojnë situatën bazuar në vlerat dhe besimet e tyre personale, kjo mund të krijojë problem gjatë terapisë sepse ata mund ta gjykojnë situatën e klientit ose më pozitive ose më negative se sa që është. Për shembull nëse ata e shohin një klient që është gej dhe shpreh simptoma të ndonjë çrregullimi specific, dhe thonë: “s’ka dert se është gej. Është normale t’i ketë këto simptoma.” Me këtë ka shans që e zvogëlojnë apo e zmadhojnë patologjinë.
Prandaj rekomandohet që të ketë qasje afirmative. Ky nuk është lloj i terapisë por qëndrim ndaj klientit. Është ngjashëm me kompetencat kulturore kur punon me një grup specifik kulturor. Duhet t’i njohësh nevojat e veçanta të grupit. Qasja afirmative në psikologji do të thotë që duhet të kesh njohuri për ndikimin e diskriminimit dhe stigmatizimit në përvojën e atij personi. Duhet të keni njohuri nëse personi e ka internalizuar homofobinë, gjë që ndodh shpesh. Duhet të jeni të vetëdijshëm për qëndrimin tuaj personal, sepse nëse keni besime specifike që mund të kenë ndikim negative në klientin, atëherë duhet të punoni me veten.
Cilët janë faktorët që e kanë shtyrë organizatën ta botojë këtë manual?
Janë dy faktorë kryesorë: mungesa e informatave që reflektohet në pothuajse secilin debat, e që shihet shpesh në mesin e ekspertëve të shëndetit mendor – bindjet personale shpesh përzihen me hulumtimet shkencore.
Psikologjia dhe mjekësia janë shkenca dhe përderisa bindjet personale mund të jenë pjesë e jetës së përditshme, në nivel akademik duhet të kesh njohuri shkencore. Thuhet që [të qenurit person LGBT] është çrregullim, pa pasur një argument shkencor për ta mbështetur këtë.
Por edhe kur ke informata të sakta, nevojitet qasja pranuese. Ky është elementi i dytë që donim të adresonim në manual. Studimet kanë treguar që psikoterapia ka efekt të mirë, por kur bëhet fjalë për klientë nga komuniteti LGBT, ka efekt pozitiv vetëm nëse terapeuti ka informata të sakta për nevojat e veçanta të komunitetit dhe ka qasje pranuese.
Cilat janë parimet kryesore etike që psikologët duhet t’i kenë?
Një nga parimet bazike të kodit etik është “mos shkakto dëm.” Kjo është me rëndësi të kihet parasysh kur ka qasje negative, mos pranuese. Nëse nuk i pranon [personat LGBT], shansi është që do t’i bësh më shumë dëm personit sepse do ta rrisësh ndjenjën e homofobisë së internalizuar, dhe më shumë do ta dëmtosh se sa që do t’i ndihmosh gjendjes së tij/saj mendore.
Një tjetër parim etik është që duhet të ofrosh informata të sakta për klientin, në raport me shërbimet që ata duhet t’i marrin: duhet t’u thuash se cili trajtim është më efektiv për një rast specifik, dhe klienti mund ta zgjedhë terapinë që dëshiron ta marrë. Me qëllim të ofrimit të shërbimeve më të mira duhet të keni shumë njohuri, dhe duhet të lexoni e të kuptoni se cila qasje do të funksionojë më mirë.
Këtë po e them sepse ka raste kur personat LGBT vijnë dhe kërkonë “konvertim” [trajtim psikologjik për ta ndryshuar seksualitetin], gjë që ende bëhet në disa vende si formë terapie, dhe kjo mund të shkaktojë shumë dëm. Kur takon raste të tilla duhet patjetër të jepen informata të sakta për të kuptuar se sa e dëmshme një gjë e tillë mund të jetë.K
Manualin e prodhuar nga CEL dhe me Kadriun si bashkëautore, mund ta shkarkoni këtu.
Deklaratë mohimi
Ky artikull u mundësua me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e organizatës Kosovo Glocal dhe nuk pasqyron doemos pikëpamjet e USAID apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Proactive Media for LGBT Rights” që implementohet nga Kosovo Glocal, përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.
Foto kyesore: Majlinda Hoxha / K2.0.