Në Kosovë, pabarazia dhe stereotipet gjinore janë të ngulitura në kulturën e përgjithshme dhe në raportet ekonomike — dhe pak progres është arritur në luftimin e tyre. Në fakt, në disa aspekte situata është përkeqësuar nga politikat qeverisëse, edhe atë në të gjitha nivelet.
Trendi i mos-përfshirjes së grave në pozita drejtuese dhe i përfshirjes së pamjaftueshme në pozitat përfaqësuese ka shënuar ngritje në vitet e fundit dhe angazhimi për ngritje të barazisë gjinore në sferën politike dhe publike mbetet sipërfaqësor dhe minimalist. Pozitat udhëheqëse në institucione dhe politikë janë zënë nga burrat dhe intervenime të fuqishme politike kërkohen për të ndryshuar këtë gjendje.
Qasja e barabartë e burrave dhe grave në vendimmarrje është parakusht i domosdoshëm për qeverisje demokratike. Në këtë mënyrë, pjesëmarrja e balancuar e të dy gjinive në vendimmarrje politike dhe publike është një nga faktorët kyç që mundëson barazinë gjinore, duke avancuar kështu realizimin e të drejtave të njeriut dhe llogaridhënie më të mirë për gratë.
Është dëshmuar se gratë në pozita vendimmarrëse përbëjnë faktor të rëndësishëm në krijimin e politikave më të mira që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën e grave dhe vajzave në veçanti, dhe atë shoqërore në përgjithësi. Dhe angazhimi për përfaqësim më të barabartë në institucione ndikon drejtpërdrejtë në zvogëlimin e padrejtësive dhe kohezionin shoqëror.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Kosova ka Ligjin për Barazi Gjinore më të avancuar. Ky ligj, mbron dhe vendos barazi ndërmjet gjinive në themel të zhvillimit demokratik të shoqërisë kosovare, dhe ofron mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në zhvillimin politik, ekonomik, social, kulturor dhe të gjitha fushat e jetës shoqërore.
Në teori, ky ligj poashtu obligon të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, si dhe institucionet e tjera publike të sigurojnë përfaqësim të barabartë gjinor prej 50 përqind për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse. Ligji poashtu parasheh sanksione për dështim të zbatimit të dispozitave të tij.
Por, si me shumë ligje të tjera në Kosovë, në praktikë ndodh krejt ndryshe. Përfshirja e grave në vendimmarrje dhe udhëheqje, qoftë brenda sektorit publik apo privat, vazhdon të mbetet sfidë e madh, dhe pabarazia gjinore pengon gratë që të kontribuojnë dhe të ndikojnë në agjendat e zhvillimit.
Pabarazia ekonomike gjinore në Kosovë vlerësohet të jetë më e larta në Evropë. Edhe pse gratë përbëjnë 52.1 përqind të numrit të përgjithshëm të kosovarëve me diplomë universitare, krahas 47.9 përqind të burrave, në punësim ato përbëjnë vetëm 12.7 përqind kundrejt 46.6 përqind të burrave. Edhe në rastet kur ato janë të punësuara, mbesin shumë pak të përfshira në nivele vendimmarrëse. Ndërkohë, sanksionimi ligjor mbetet i pa aplikuar.
Politika vazhdon të konsiderohet fushë e dedikuar për burrat. Paragjykimet gjinore, besimi i përgjithshëm se burrat janë udhëheqës më të mirë dhe mungesa e përkrahjes politike, janë disa nga shkaqet që pamundësojnë ose pengojnë shumë promovimin e grave në pozita vendimmarrëse.
Po ashtu, puna e papaguar — mirëmbajtja e shtëpisë dhe kujdesi për familjarët — dhe mungesa e qendrave të kujdesit ditor për fëmijët, i vendosin gratë dhe burrat në raport shumë të pabarabartë lidhur me kohën e disponueshme për t’iu dedikuar angazhimit politik e publik. Kështu, gratë nuk arrijnë të angazhohen sa duhet në aktivitete të rrjetëzimit politik dhe ngritje të fondeve, çfarë iu kufizon qasjen në burime për financimin e fushatave të tyre politike.
Lufta kundër pabarazisë dhe diskriminimit gjinor duhet të zhvillohet në fusha dhe dimensione të ndryshme dhe një pikënisje e mirë do të ishin institucionet kryesore politike, kjo ngase ndikimi shoqëror i këtyre institucioneve është jashtëzakonisht i madh dhe përcaktues. Prandaj, le të hedhim një vështrim në disa nga institucionet kyçe dhe sa kanë arritur të kontribuojnë në përfshirjen e grave.
Presidenca
Në vitin 2011 si rezultat i një marrëveshjeje ndërpartiake për të zgjidhur krizën politike mes burrave më të fuqishëm në politikë, Kuvendi emëroi Presidenten e parë grua, Atifete Jahjagën, duke u bërë kështu vendi i parë në rajon që pozitën më të lartë shtetërore ia beson një gruaje. Gjinia dhe pavarësia e saj politike u pa si zgjidhje e duhur e krizës nga përfaqësuesit ndërkombëtar, kundrejt luftës së burrave që synonin pushtetin me çdo kusht.
Gjatë mandatit të saj, Jahjaga arriti që shumë çështje që prekin të drejtat e gruas t’i vë në fokus të Presidencës. Për herë të parë, krimet e dhunës seksuale gjatë luftës u bënë pjesë e debatit politik dhe shoqëror. Ndryshe nga koha e Presidentes Jahjaga, pasuesi i saj, Presidenti Hashim Thaçi, nuk ka treguar ndonjë interesim të mirëfilltë që të vazhdojë debatin e filluar për mbrojtjen dhe fuqizimin e grave, duke e zbehur kështu përkushtimin institucional ndaj promovimit të të drejtave të tyre.
Ky dallim në qasje në mes dy Presidentëve, vërehet qartazi në përzgjedhjen e këshilltarëve politikë. Derisa në vitet 2013 dhe 2015 — dy vitet e fundit të mandatit të Jahjagës — Presidenca kishte deklaruar se numri i grave të angazhuara në pozitat e këshilltarëve ishte e barabartë me atë të burrave. Ndërsa në mandatin e Presidentit Thaçi të gjithë 11 këshilltarët politikë janë burra.
Mirëpo kur flasim për pozita të larta vendimmarrëse brenda Presidencës, pavarësisht se kush ka qenë president/e, pabarazia e përfaqësimit nuk ka ndonjë dallim të madh. Edhe pse gratë kishin përfaqësim më të mirë në rolet konsultative nën udhëheqjen e Presidentes Jahjaga, nga viti 2013, në Zyrën e Presidentit asnjë grua nuk është emëruar në pozitë të lartë vendimmarrëse. Gjatë viteve 2013-2016, në nivel të lartë drejtues dhe në nivel drejtues, nga 32 pozita, 18 udhëhiqeshin nga burrat kurse 14 nga gratë.
Mandati i ish-Presidentes Jahjaga kishte ndikim pozitiv në luftimin e stereotipeve gjinore që sugjerojnë se gratë nuk kanë aftësi drejtuese dhe njëkohësisht shpërfaqi paragjykimet e rrënjosura për angazhimin e grave në politikë.
Ish-Presidentja Jahjaga, gjatë mandatit të saj shumë shpesh ishte cak i komenteve dhe fyerjeve seksiste, deri tek portretizimi objektizues. Një shembull kulminant për këtë ishte vizatimi anonim në një mur ndërtese i një grafiti seksist. Ndaj sulmeve të tilla kundër ish-Presidentes patën reaguar ashpër disa organizata për të drejtat e grave, por nuk kishte pasur reagim të menjëhershëm nga drejtuesit e institucioneve apo partive politike — gjë që përbënte një legjitimim të heshtur të këtyre sulmeve seksiste.
Kuvendi i Kosovës
Që nga viti 2000, një shkallë minimale e përfaqësimit të grave në Kuvendin e Kosovës është bërë e mundur përmes kuotës, e cila iu rezervon 30 përqind të ulëseve — kundrejt burrave, të cilët praktikisht e kanë të garantuar zënien e 70 përqindëshit tjetër.
Edhe pse shpeshherë efekti i kuotës gjinore është kontestuar, ka mjaft raste që gratë të cilat fillimisht janë zgjedhur deputete për shkak të saj, më vonë këtë synim e kanë arritur edhe pa kuotë. Një efekt i tillë është vërejtur edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017, ku gratë fituan 38 prej 120 ulëseve në Kuvend; 17 prej tyre i fituan vendet në saj të kuotës e 21 tjera i fituan vendet e tyre me meritë nga beteja me trefishin e numrit të kandidatëve burra.
Përderisa përfaqësimi i grave në Presidencë dhe në Kryesinë e Kuvendit është poashtu i rregulluar me Rregulloren e Kuvendit, në anën tjetër, hapësira për gratë në drejtimin e grupeve parlamentare është shumë e kufizuar. Në legjislaturën aktuale të gjitha grupet parlamentare udhëhiqen nga burrat.
Kjo pabarazi tregon se si partitë politike nuk kanë bërë asgjë më shumë për përfaqësim të barabartë gjinor, përpos asaj që iu kërkohet me ligj. Për shembull, pothuajse asnjë nga partitë politike apo koalicionet parazgjedhore nuk kanë pasur në listat e tyre zgjedhore kandidate gra, më shumë se 30 përqind — aq sa i obligon Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Viteve të fundit, përkundër diskutimeve të ndryshme rreth efektivitetit të kuotave gjinore, ka filluar të hapet diskutimi për rritjen e kuotës së përfaqësimit gjinor, në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore, i cili kërkon pjesëmarrje të barabartë të grave në çdo nivel vendimmarrës apo përfaqësues në institucionet e Kosovës.
Megjithatë, ky ligj nuk është marrë parasysh asnjëherë kur janë përpiluar listat zgjedhore, ngase është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, të cilit i është dhënë vazhdimisht përparësi. Këtë e ka ngritur si shqetësim edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka kërkuar që partitë politike të ofrojnë mundësi të barabarta për gratë dhe burrat në listat zgjedhore, duke respektuar Ligjin për Barazi Gjinore.
Gjuha diskriminuese dhe seksiste e përdorur në Kuvend nga Kryeparlamentari dhe deputetë burra nuk është e rasteve të izoluara. Por, mos-dënimi i gjuhës së tillë konsiderohet të ketë ndikuar në krijimin e një mjedisi ku diskriminimi gjinor është normalizuar.
Megjithatë, pjesëmarrja e zëshme dhe vendimmarrja e pavarur e deputeteve në bërjen e ligjeve e politikave që prekin çështjet gjinore vazhdon të mbetet sfidë. Shumë gra deputete nuk tregojnë shkëputje nga qasja patriarkale e kolegëve të tyre partiakë, edhe në rastet e vendimeve të rëndësishme që janë direkt të lidhura me të drejtat e grave dhe çështjet gjinore.
Një nga portretizimet më të mira të dështimit të deputeteve për të vendosur ndryshe nga kolegët e tyre burra u shënua në vitin 2013, gjatë diskutimeve për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ligji kaloi në vitin 2014, por jo para se të kundërshtohej, sidomos nga radhët e deputeteve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilat dështuan të kalonin përtej diskursit të krijuar nga bashkëpartiakët e tyre burra.
Grupi i Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës —– si mekanizëm përcjellës i zërit të grave i cili në objektivin e vet ka fuqizimin e gruas në politikë dhe monitorimin e zbatimit të LBGJ-së dhe ligjeve të tjera që kanë të bëjnë me përparimin e pozitës së gruas në shoqëri — ka treguar një unitet më të madh të deputeteve nga partitë politike.
Mirëpo, mesazhet dhe veprimet e këtij grupi dështojnë të jenë shtytëse drejt barazisë gjinore. Grupi i Grave është kritikuar vazhdimisht për mungesë të reagimeve ndaj qasjes fyese dhe diskriminuese të deputetëve të caktuar në Kuvend. Për të rritur rolin e tyre në Kuvend dhe politikë, gratë deputete duhet me vendosmëri të marrin iniciativa të cilat shkojnë përtej linjave të subjekteve të tyre politike.
Qeveria
Numri veçse i vogël i grave në pozita të larta vendimmarrëse (Sektetar/e i/e Përgjithshme, Kryeshef/e Ekzekutiv/e, Drejtor/e Ekzekutiv/e) brenda qeverisë, është reduktuar në mënyrë drastike herë pas here gjatë viteve të fundit. Në vitin 2015, gratë përbënin 5.6 përqind në pozita të larta vendimmarrëse dhe në vitin 2016 përbënin 5.7 përqind, ndërsa në vitin 2012 ato përbënin 9.8 përqind.
Ky numër është ngritur që nga pika më e ulët e vitit 2015. Më 2018, gratë ishin 11.9 përqind në pozita vendimmarrëse. Sidoqoftë, gjatë shtatë viteve, rritja prej 2.1 përqind nga viti 2012 ka qenë e parëndësishme duke pasur parasysh se dy ministri shtesë janë krijuar në mandatin aktual të qeverisë, gjë që në mënyrë teorike do të duhej të ofronte një mundësi për përfshirje më të madhe të grave.
Me vetëm një ministre grua, kabineti qeveritar i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj shënon shkallën më të ulët të përfaqësimit gjinor (grave) në nivelin vendimmarrës të ekzekutivit të shtetit. Pas dorëheqjes së ish-Ministres së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj — e cila më vonë u bë Këshilltare e Kryeministrit — Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha mbetet e vetmja grua ministre nga 21 ministri.
Krijimi i qeverisë në vitin 2017, nga një koalicion i gjerë politik të cilit i është dashur t’i akomodojë kërkesat e shumë partnerëve, bëri që të gjitha pozitat e larta të ndahen për burrat e fuqishëm të subjekteve politike të cilat formuan koalicionin. Si rrjedhojë, përfaqësimi gjinor nuk zuri fare vend në diskutimet për ndarjen e pushtetit.
Qeveria e Haradinajt është përfolur vazhdimisht për numrin e madh të zëvendësministrave dhe këshilltarëve politik të kryeministrit të Kosovës — pozita të cilat janë shfrytëzuar për të shtuar hisen dhe akomoduar interesat e partnerëve të koalicionit. Por edhe me këtë rritje enorme të numrit të ministrave dhe zëvendësministrave, nuk u krijua fare hapësirë për përfshirjen e grave në pozitat vendimmarrëse qeveritare.
Të dhënat e publikuara në uebfaqet e 20 prej 21 ministrive, tregojnë se nga 69 pozitat e zëvendësministrave (në fakt numri i tyre është shumë më i madh, ku raportohet diku rreth 80) vetëm 6 u janë ndarë grave. Gjendja është e ngjashme edhe tek përfshirja e grave në kabinetet e ministrive, departamentet e tyre si dhe trupat këshilluese.
Nuk është për tu çuditur që gratë kanë mbetur edhe jashtë të gjitha proceseve të mëdha politike, përfshirë edhe ato të ndërtimit të paqes.
Dialogu teknik me Serbinë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian deri në një fazë është udhëhequr nga Edita Tahiri. Sidoqoftë, roli i saj në krye të dialogut nuk ka pasur efektin e njëjtë sikurse Jahjaga ndaj çështjeve gjinore. Formati rigjid i dialogut vazhdimisht është kritikuar në shumë aspekte. Kjo ka bërë që procesi i dialogut të ofrojë pak mundësi për integrimin e perspektives gjinore.
Në debatin aktual për fazën përmbyllëse të dialogut, i cili ka për qëllim ndërtimin e paqes mes dy vendeve të dala nga lufta, gratë apo pikëpamjet e tyre mungojnë plotësisht. Duke pasur parasysh rëndësinë gjithëpërfshirëse dhe standardet ndërkombëtare për përfshirje të grave në procese të tilla, të riafirmuara sidomos përmes Rezolutave 1325 dhe 1820 të Kombeve të Bashkuara, dialogu Kosovë — Serbi mbetet plotësisht përjashtues ndaj perspektivës së grave dhe të rinjve.
Së fundmi, Kuvendi i Kosovës emëroi një ekip negociator për dialogun me Serbinë. 9 nga anëtarët e përzgjedhur, deri më tani, janë burra.
Një aspekt tjetër në të cilin mungon zbatimi i ligjit, është kur bëhet fjalë për ndarjen e barabartë të resurseve publike për vajzat dhe djemtë, gratë e burrat. Ligji për Barazinë Gjinore kërkon përfshirjen e një perspektive gjinore në aspektin e mënyrës se si grumbullohen dhe shpenzohen resurset publike — një proces i njohur si buxhetimi i përgjegjshëm gjinor. Megjithatë, Qeveria ende nuk ka arritur zbatim të mirëfilltë të kësaj kërkese ligjore e cila duhet të aplikohet mbi bazën e analizës dhe përfshirjes gjinore.
Në fusha të tjera, kuadri ligjor aktual është problem. Dispozitat aktuale ligjore mbi lejen e lindjes, sipas të cilave punëdhënësit janë të detyruar të paguajnë për gjashtë muaj lejen e nënës, vihet në dukje si shkak i diskriminimit ndaj grave në punësim, duke shkaktuar norma më të larta të papunësisë së grave.
Projektligji i ri për Ligjin e Punës, së shpejti pritet të kalojë në Kuvend dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe akterët e tjerë politikë e kanë rastin të finalizojnë atë me dispozitat e rekomanduara nga shoqëria civile, të cilat do të sfidonin rolet tradicionale gjinore në familje, shoqëri dhe politikë, si dhe do të ndikonin në pjesëmarrje më të madhe të grave në punësim dhe në jetën politike e publike në Kosovë.
Komunat
Përfshirja e grave në nivelin e qeverisjes lokale mbetet edhe më sfiduese. Edhe pse për Asambletë Komunale vlen kuota e njëjtë sikurse për Kuvendin e Kosovës dhe gratë përbëjnë 30 përqind të përfaqësuesve në këto asamble, aktualisht asnjë komunë nuk udhëhiqet nga ndonjë grua.
Në zgjedhjet e fundit komunale në vitin 2017, nga 204 kandidatë për kryetarë komunash për udhëheqjen e 38 komunave të Kosovës, vetëm tetë prej tyre ishin gra, ku në vitin 2013 ishin vetëm nëntë gra kandidate. Vetëm dy gra, Mimoza Kusari — Lila nga Alternativa (ish anëtare e AKR-së) dhe Valdete Idrizi nga PDK, arritën që të kalojnë në raund të dytë të zgjedhjeve. E para ishte kryetare e komunës së Gjakovës deri në zgjedhje dhe e dyta iu kishte bashkangjitur PDK-së në prag të zgjedhjeve; asnjëra nuk fitoi në raundin e parë.
Përfaqësimi i grave në proceset zgjedhore lokale është minimal, duke mos kaluar katër përqindëshin. Edhe në ato raste kur gratë kandidohen, atyre nuk u ipet rasti që të kandidojnë në rajonet apo komunat e fuqishme elektorale. Ato përgjithësisht kandidohen në ato komuna apo rajone ku ka pak gjasa që të fitojnë, ndërkaq bastionet partiake zakonisht rezervohen për burrat.
Për shembull, në zgjedhjet e vitit 2017, PDK i kishte dhënë hapësirë një gruaje që të kandidojë në Pejë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kishte bërë të njëjtën në Drenas, ndërkohë që as Peja për PDK-në dhe as Drenasi për AAK-në nuk paraqesin komuna ku këto parti kanë traditë fitoreje.
Përveç pozitave drejtuese në komuna, drejtoritë komunale po ashtu reflektojnë pabarazi të thellë gjinore duke u lënë grave një numër shumë të vogël të pozitave drejtuese të këtyre drejtorive. Në kryeqytet, nga 12 drejtoritë komunale, vetëm katër janë udhëhequr nga gratë. Ndërkaq, në gjashtë komunat e tjera më të mëdha, numri mesatar i drejtorive të drejtuara nga gratë është dy apo tre.
Zyrtarët për Barazi Gjinore në komuna dhe ministri janë pjesë e mekanizmave kryesor kombëtar për barazi gjinore, së bashku me Agjencinë për Barazi Gjinore. Zyrtarët përballen me shumë sfida në kryerjen e detyrave, prej mungesës së buxhetit e deri te mungesa e vullnetit politik nga ana e Qeverisë dhe për t’i përfshirë ata në bërje të ligjeve dhe politikave me perspektivë gjinore. Fakti që shumica e Zyrtarëve për Barazi Gjinore në nivel lokal dhe qendror janë gra, tregon për tendencën e institucioneve që çështjet e grave t’ua lënë në dorë vetëm grave, duke mos pritur që angazhimin për barazi gjinore ta bëjnë edhe burrat.
Është e domosdoshme që komunat të planifikojnë dhe zbatojnë politika dhe mbështetje të madhe buxhetore, nëse duan të zvogëlojnë hendekun e pabarazisë gjinore. Ato duhet të krijojnë politika të mirëfillta në zonat rurale, ku papunësia dhe diskriminimi janë shumë më të theksuara.
Partitë politike
Partitë politike kanë rol vendimtar në rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe rrjedhimisht edhe promovimin e vlerave demokratike. Përfshirja e grave në politikë e vendimmarrje, si dhe vendosja e tyre në pozita udhëheqëse në masë të madhe varet nga partitë politike, si dhe reflekton pozitën e gruas brenda tyre.
Përfaqësimi i ulët i grave dëshmohet edhe nga fakti se përveç Mimoza Kusari-Lilës që bashkëdrejton Partinë Alternativa, asnjë grua tjetër momentalisht nuk e udhëheq ndonjë parti politike.
Në anën tjetër, në aspektin programor pothuajse asnjëra nga subjektet politike nuk e trajtojnë në mënyrë serioze dhe të elaboruar çështjen e pabarazisë gjinore. Të gjitha partitë që kanë program të publikuar, pabarazinë gjinore e përshkruajnë shkurt, në nivel të përgjithshëm dhe nuk paraqesin ndonjë propozim të detajuar se si ta zgjidhin këtë çështje. Kjo lë të nënkuptohet që kësaj çështjeje as për së afërmi nuk i kushtohet vëmendja e barabartë me temat e tjera, që trajtohen në këto programe.
Bazuar në dokumentet e tyre themelore — statuti dhe programi — partitë politike, në përgjithësi, nuk i kanë dhënë vëmendje të veçantë përfshirjes së grave. Kjo pasqyrohet edhe në përfaqësimin e tyre në organet drejtuese të partive. Në shumicën prej tyre nuk ka kuota të përfaqësimit gjinor në organet vendimmarrëse, të cilat përgjithësisht përbëhen nga burrat.
Shumica e subjekteve politike në Kosovë angazhimin e grave e rregullojnë përmes krijimit të forumeve të veçanta për gratë, në kuadër të partisë. Përfaqësimi i ulët dhe mospërfshirja e grave në organet vendimmarrëse të subjekteve, e kombinuar me mungesën e programeve serioze për rritjen e barazisë gjinore, pasqyrojnë më së miri dështimin e idesë së përfshirjes së grave në politikë, vetëm përmes krijimit të këtyre forumeve. Partitë politike janë shumë larg përmbushjes së obligimeve ligjore që dalin nga Ligji për Barazi Gjinore.
Statuti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) — partisë më të madhe parlamentare — nuk parasheh kuota gjinore në organet drejtuese të këtij subjekti. Statusi i saj përcakton që kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së është automatikisht edhe anëtare e Këshillit të Përgjithshëm dhe e kryesisë së saj. Mirëpo të gjitha, 38 degët të LDK-së drejtohen nga burrat, kurse vetëm 4 prej 23 anëtarëve të kryesisë së partisë janë gra.
Njësoj, statuti i PDK-së, partisë së dytë më të madhe në Kuvend, nuk parasheh kuota të përfaqësimit gjinor në organet e saj. Nga 50 anëtarët e kryesisë vetëm 13 janë gra. Gjendja është e njëjtë edhe në Këshillin Drejtues të saj, ku gratë mbajnë vetëm 38 vende nga 184 anëtarë sa ka Këshilli.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk ka forum të gruas sipas modelit të subjekteve të tjera, por angazhimin e gruas e rregullon përmes sekretariateve të gruas aktiviste në secilin nivel të organizimit. Mungesën e forumit, LVV e arsyeton me atë se trajtimi i burrave dhe grave duhet të bëhet në mënyrë të barabartë, në varësi të kontributit të tyre. Në pozitat drejtuese, kjo parti ka një grua nënkryetare dhe një grua sekretare organizative, por çalon sa i përket përfshirjes së grave në nivele tjera drejtuese. Vetëm 4 nga 33 degët e kësaj partie drejtohen nga gratë, kurse vetëm 7 gra përbëjnë kryesinë e saj 23 anëtarëshe.
Nisma Socialdemokrate (NISMA), sikurse edhe shumica e subjekteve, çështjen e pjesëmarrjes së barabartë gjinore nuk e rregullon me kuota por vetëm me organizatën e veçantë të gruas (Organizata Nisma e Gruas për Kosovën). Kurse rreth përfaqësimit aktual të grave në organet e saj drejtuese nuk ka ndonjë informacion në faqen e tyre zyrtare. E njëjta vlen edhe për Aleancën Kosova e Re (AKR) dhe njësoj, as ky subjekt nuk parasheh kuota gjinore dhe çështjen e përfshirjes së gruas e trajton përmes Forumit të Gruas së AKR-së.
Të vetmet subjektet politike në Kosovë që në kuadër të statutit të tyre aplikojnë kuota gjinore janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD). Kjo e fundit që nga themelimi i saj në vitin 1990, e ka të përcaktuar me statut që të gjitha organet drejtuese, ku përfshihen Këshilli Drejtues dhe Kryesia duhet të kenë përfaqësim minimal prej 40 përqind të secilës gjini.
Megjithatë, ky subjekt ishte në shuarje e sipër, deri kur të 12 deputetët e larguar nga Vetëvendosja, të udhëhequr nga kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, morën udhëheqjen e saj dhe riaktivizuan këtë subjekt të fjetur. Meqë partia ende është në proces të ri-formatizimit dhe pa platformë politike, trajtimi i barazisë gjinore nga PSD-ja ende mbetet i paqartë.
Ndërkaq, prej këtij viti statuti i AAK-së — partia e udhëhequr nga Kryeministri Haradinaj — përcakton që 30 përqind e organeve të zgjedhura të partisë duhet të përbëhen nga gratë. Sidoqoftë, në kryesinë 60 anëtarëshe të AAK-së, vetëm 12 janë gra — gjë që nënkupton më pak se 30 përqind. Ndërsa asnjëra nga 35 degët e saj nuk drejtohet nga gratë.
Forumet rinore brenda partive politike si struktura që duhet të lehtësojnë përfshirjen e të rinjve, nuk arrijnë të krijojnë një bazë të mirë për lideret e ardhshme potenciale. Përfaqësimi gjinor nëpër forume rinore arrin deri diku mes 30-40 përqind, ndërsa ato nuk kanë eliminuar në tërësi praktikat diskriminuese.
Viteve të fundit retorika e zotimit për rritjen e barazisë gjinore ka qenë e bujshme. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kanë parë diskutime për barazinë gjinore si asnjëherë më parë. Megjithatë, në shumicën e platformave politike dhe programeve zgjedhore të partive politike, mungojnë politikat konkrete të propozuara për avancimin e pozitës së grave dhe për rritjen e barazisë gjinore.
Pushimi prindëror dhe mbështetja financiare e nënave gjatë pushimit të lehonisë ka qenë çështja më e diskutuar nga secila parti politike, si politikë drejt barazisë gjinore. Por, me përjashtim të LVV-së, secila parti tjetër politike ka dështuar të bëjë propozime konkrete për një pushim të ndarë prindëror që do të zvogëlonte diskriminimin në tregun e punës; përveç kësaj diskutimet për pushim prindëror kryesisht të drejtuara nga burrat — vetëm sa kanë përforcuar ndarjet tradicionale të roleve gjinore. Megjithatë, Projektligji i ri për Ligjin e Punës iu ofron partive politike një mundësi konkrete për të trajtuar këtë çështje në favor të barazisë gjinore.
Për shkak të zgjedhjeve të hershme dhe të papritura në vitin 2017, partitë politike përpiluan listat me kandidatë për deputetë, thuajse në minutat e fundit. Përveç ish deputeteve apo grave që kishin pasur më herët ndonjë post me rëndësi, kandidatet tjera nuk kishin pasur mundësinë të krijojnë ndonjë profil publik. Madje edhe në rastet kur deputetet gra kanë elektorat të konsoliduar, ato ndeshën me garë të egër nga kolegët e tyre burra; Vjosa Osmani vazhdimisht del deputetja më e votuar në Kuvend dhe në 2017, ajo doli e vetmja grua në mesin e 10 deputeteve më të votuar, megjithatë kryesia e LDK-së e kishte renditur atë në pozitën 81 në listën zgjedhore të koalicionit.
Më tej, analizat e programeve televizive tregojnë se partitë politike u kanë dhënë hapësirë dukshëm më të vogël mediale kandidateve të tyre gra. Në shumicën e rasteve partitë dërgonin nga dy burra në debate.
Përkundër hapave të rëndësishëm që janë bërë, përfshirja e grave në politikë dhe në jetën publike është ende shumë e pamjaftueshme. Për të ndryshuar këtë gjendje me trende negative, kërkohet të merren hapa konkret nga të gjithë akterët institucional e politik.K
Ky artikull është përshtatur nga një analizë e shkruar nga Balkans Policy Research Group dhe është botuar këtu me leje. Raportin origjinal mund ta lexoni këtu.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.