S`fundmi | Politika

Gjykata i mban në fuqi masat ‘jokushtetuese’ ndaj COVID-19

Nga - 01.04.2020

Kryeministri në detyrë zotohet ta respektojë vendimin ‘e befasishëm’ dhe njofton për heqjen e tarifave.

Të martën (më 31 mars), Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi vendimin mbi kushtetutshmërinë e masave të fundit të qeverisë që janë vendosur për t’iu kundërvënë pandemisë së COVID-19.

Vendimi i Gjykatës ka konstatuar se kufizimet e lëvizjes nga vendimet e qeverisë (tash në detyrë) nuk janë “të përcaktuara me ligj” dhe kështu shkojnë kundër garancive që përfshihen në Kushtetutën e Kosovës lidhur me lirinë e lëvizjes, të drejtën e privatësisë dhe lirinë e tubimit.

Megjithatë, Gjykata ka shtyrë hyrjen në fuqi të vendimit deri më 13 prill, duke pasur parasysh dëmin e mundshëm për shëndetin publik që do të mund të shkaktohej nga shfuqizimi i menjëhershëm i kufizimeve në gjendjen e tanishme të pandemisë.

Deri tash, Kosova ka 112 raste të konfirmuara me COVID-19 ndërsa Instituti i Shëndetësisë Publike po u bën analiza të përditshme njerëzve që kanë qenë në kontakt me individë që kanë dalë pozitivë apo që kanë shfaqur simptoma. Pesë pacientë janë shëruar deri më tani, kurse një pacient i moshuar, i cili ka vuajtuar prej sëmundjeve paraprake, ka vdekur. Katërdhjetë e tre pacientë po trajtohen në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë: një prej tyre po mbahet në kujdesin intensiv, kurse gjashtë të tjerë janë nën “përkujdesje intensive”.

Sikur qeveritë e tjera në botë, edhe ajo e Kosovës është kundërpërgjigjur ndaj kësaj emergjence të shëndetit publik duke vendosur një sërë masash parandaluese dhe kufizuese.

Partia Vetëvendosje e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, dërgoi gjithashtu kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për ta shqyrtuar kushtetutshmërinë e veprimeve të presidentit.

Pasi qeveria mori vendim më 23 mars për të caktuar orën policore për qytetarët dhe për t’i shtrënguar kufizimet ndaj tubimeve, Presidenti Hashim Thaçi e dërgoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, duke e quajtur atë “antikushtetues”.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp që e mbajti po atë natë, ai u tha qytetarëve, policëve dhe autoriteteve të sigurisë se nuk janë të obliguar ta respektojnë vendimin e qeverisë, si dhe bëri sërish thirrje për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, e cila atij do t’i jepte pushtet të konsiderueshëm.

Deklarata e presidentit ngriti shqetësime për shkak se u pa si ftesë për mosbindje, dhe disa opinionistë e kanë përqasur me tentim për grusht shteti.

Pas konferencës për shtyp të Thaçit, partia Vetëvendosje e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, dërgoi gjithashtu kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për ta shqyrtuar kushtetutshmërinë e veprimeve të presidentit; Gjykata s’ka nxjerrë ende vendim për këtë rast.

Sipas vendimit të Gjykatës për masat e qeverisë, Ligji për Prandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse dhe Ligji për Shëndetësi — të cilat janë përdorur si themel nga qeveria për t’i vendosur kufizimet — nuk e autorizojnë qeverinë t’i kufizojë të drejtat dhe liritë e Neneve 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës; këto lidhen me lirinë e lëvizjes, atë të tubimit, dhe të drejtën e privatësisë.

“Gjykata theksoi faktin që Vendimi i kontestuar i Qeverisë, i referohet zbatimit të dy ligjeve të lartcekura, të cilat e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të ndërmarrë masa të caktuara në ato ligje me qëllim të parandalimit dhe luftimit të sëmundjeve ngjitëse,” thotë vendimi i Gjykatës.

Në një intervistë të drejtpërdrejtë në KTV të martën mbrëma, Kurti ka thënë se aktgjykimi “e befasoi”, porse qeveria në detyrë do ta respektojë.

Ai shtoi se Gjykata nuk e ka kontestuar “legjitimitetin e qëllimit” por hapat proceduralë, kështu që, para 13 prillit, qeveria në detyrë do ta shqyrtojë nxjerrjen e një vendimi të ri me procedurë tjetër.

Masat reciproke pas tërheqjes së përkohshme të tarifave

Gjatë intervistës në KTV — e cila pati më shumë se 2 milionë shikime vetëm në Facebook — Kurti njoftoi se qeveria kishte votuar që nga mesnata ta heqë  tarifën 100% ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Në vend të saj, qeveria ka marrë vendimin për “zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë”, por jo me Bosnjën.

Vendimi është caktuar të mbetet në fuqi deri më 15 qershor, kurse zbatueshmëria do të rishikohet së paku një herë në muaj.

Sa i përket tregtisë me Serbinë, masat e qeverisë në detyrë thonë se emërtimet në certifikatat fitosanitare dhe certifikatat veterinare, bashkë me dokumentet e tjera përcjellëse që kontrollohen në kufij, duhet të jenë në​ përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

Duke lënë të kuptohet se mund të ketë masa të tjera në shqyrtim, Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Investimeve strategjike, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, është paraqitur në një konferencë për shtyp me Kurtin të martën mbrëma, ku e ka lexuar një listë të disa nga barrierave jotarifore nga Beogradi që ishin identifikuar prej një grupi punues ministror. Ato përfshijnë barrierat teknike, sikur kërkesën e Beogradit që prodhimet e Kosovës t’i përmbushin standardet e prodhimeve të prodhuara në Serbi, si dhe mosnjohjen e tabelave të automjeteve të Kosovës, të letërnjoftimeve dhe të kualifikimeve akademike dhe profesionale nga Serbia.

Marko Gjuriq e ka quajtur heqjen e tarifës “lajm të rremë” dhe “shfaqje” për një pjesë të komunitetit ndërkombëtar.

“Për më shumë, Serbia nuk i pranon mallrat dhe qytetarët e shteteve të treta që hyjnë në Serbi përmes një pike kufitare me Kosovën”, ka thënë ministrja në detyrë. “Ajo po ashtu ka vendosur barriera ndaj transportit, komunikimeve postale dhe elektronike dhe ndaj energjisë, ndër të tjera”.

Të hënën (më 1 prill), ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Ibrahim Xhaka, ka thënë për Kallxo.com se hyrja e produkeve që kanë emrin e Kosovës me fusnotë nuk do të lejohen të hyjnë, dhe se maunet e para me mallra nga Serbia janë kthyer prapa.

Në një përgjigje të nxjerrë në Facebook ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e tarifave me masa të reja, drejtori i Zyrës për “Kosovën dhe Metohinë” të Serbisë, Marko Gjuriq, e ka quajtur heqjen e tarifës “lajm të rremë” dhe “shfaqje” për një pjesë të komunitetit ndërkombëtar.

“Kryeministri i institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë ka njoftuar vetëm për pezullimin e kushtëzuar të taksës, ndërsa në të njëjtën kohë ka prezantuar masa tjera ndëshkuese për qytetarët tanë dhe ekonominë tonë që i ka quajtur masa të reciprocitetit”, ka thënë ai në postimin e tij. “Kjo nuk ndihmon për shpërshkallëzim dhe kthim në gjendjen para vendosjes së taksave anticivilizim për mallrat nga qendra e Serbisë”.

Tarifa, e cila është vendosur në vitin 2018 nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, ka bërë që Serbia të tërhiqet nga dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit që ndërmjetësohej nga BE-ja.

Në ndërkohë, autoritetet serbe duket se kanë vazhduar fushatën e tyre, edhe pse nuk është e qartë se çfarë vlere ka nocioni i “çnjohjes” në ligjin ndërkombëtar.

Në shkurt, Kurti kishte njoftuar se ka ndër mend t’i heqë tarifat për lëndën e parë në mes të marsit, dhe pas këtij veprimi të mirëbesimit, nëse Serbia do ta ndalte fushatën e çnjohjeve ndaj Kosovës, Kosova do t’i hiqte tarifat e mbetura më 1 prill; nëse jo, Kosova do ta niste zbatimin e masave reciproke në po të njëjtën datë.

Megjithëkëtë, ShBA-ja i ushtroi trysni të madhe qeverisë për t’i hequr tarifat menjëherë dhe pa kushte; mosmarrëveshjet për këtë çështje janë përmendur nga partia partnere e Vetëvendosjes në qeveri, LDK-ja, për inicimin e mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë më 25 mars pas vetëm 52 ditësh qeverisjeje.

Në ndërkohë, autoritetet serbe duket se kanë vazhduar fushatën e tyre, meqë Sierra Leone u bë shteti i fundit që, sipas raportimeve, ka “çnjohur” pavarësinë e Kosovës, edhe pse nuk është e qartë se çfarë vlere ka nocioni i “çnjohjes” në ligjin ndërkombëtar.

Vendimi i qeverisë në detyrë për tarifat ka marrë reagime të ndryshme prej diplomatëve të huaj, me ç’rast janë rishfaqur edhe dallimet mes shteteve evropiane dhe ShBA-së në deklaratat e kohëve të fundit.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, ka mirëpritur vendimin në Twitter, duke e përmendur heqjen e tarifave por jo edhe masat e reciprocitetit.

Ndërsa Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Filip Kosnet, ka ritheksuar qëndrimin e shtetit të tij kundër pozitës së qeverisë në detyrë, duke thënë se Kosova nuk duhet të krijojë barriera të reja “sepse këto politika i dëmtojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e Kosovës”.

Paqartësia kushtetuese vazhdon

Në mesin e këtyre zhvillimeve politike, pyetja themelore mbetet: çfarë do të ndodhë tash në limbin kushtetues ku ndodhet Kosova prej shkarkimit të qeverisë nga Kuvendi javën e kaluar?

Sipas Kushtetutës, nëse kalon mocioni i mosbesimit, “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti”, gjë që do ta krijonte nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja brenda 45 ditësh. Kjo ka ndodhur pas kalimit të tri mocioneve të mosbesimit që nga shpallja e pavarësisë — në vitin 2010, 2014, dhe në vitin 2017 me Thaçin si president.

Sidoqoftë, duke i pasur parasysh masat kufizuese që janë vendosur për t’iu kundërvënë COVID-19, zgjedhjet nuk duken si zgjidhje e mundshme në kohën e tashme.

Thaçi ka thënë se ka ndër mend ta gjejë një qeveri “që do të sillte stabilitet, unitet më të madh politik dhe qytetar, dhe që do të ishte gjithpërfshirësë me orientim të qartë euro-atlantik”, dhe ka nisur të mbajë takime me udhëheqësit e partive politike për të marrë mendime rreth hapave në vazhdim.

94% të 116,219 respondentëve janë përgjigjur “Po” ndaj pyetjes: “A duhet të jetë Albin Kurti kryeministër i ardhshëm i Kosovës?”

Një shteg i mundshëm që analistët e kanë quajtur “në përputhje me dispozitat e kushtetutës” — edhe pse është e paqartë se a mund të zbatohet edhe në rastet e mocioneve të mosbesimit — është që Thaçi t’ia japë partisë më të votuar në zgjedhjet e fundit — Vetëvendosjes në këtë rast — një mandat të ri për ta formuar qeverinë.

Sidoqoftë, Kurti është shprehur kundër kësaj mundësi, duke thënë: “Porsa të mbarojë pandemia COVID-19 — të cilën duhet ta luftojmë të gjithë bashkë duke mbështetur dhe ndihmuar e jo duke penguar a sabotuar qeverinë në detyrë — ne duhet të zbresim te populli si burim sovraniteti, për zgjedhje të reja, të lira e demokratike. 

Ndërkaq, një sondazh i bërë me shikuesit e KTV-së gjatë intervistës së Kurtit tregoi se 94% të 116,219 respondentëve janë përgjigjur “Po” ndaj pyetjes: “A duhet të jetë Albin Kurti kryeministri i ardhshëm i Kosovës?”

Pas takimit me Thaçin, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, u pajtua se nuk është koha e duhur për zgjedhje. “Jemi në favor të formimit të një qeverie të re në përputhje me procedurat kushtetuese dhe procedurën e shtruar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014”.

Ai vendim, pas rezultateve të kontestuara të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014, i ka qartësuar përgjegjësitë e presidentit për ta përcaktuar mandatit për formimin e qeverisë.

Kadri Veseli, lideri i partisë që doli e treta në zgjedhjet e tetorit, ka thënë pas takimit me Thaçin se partia e tij më parë do të rrinte në opozitë, sesa të bëhej pjesë e një qeverie që formohet në këtë kohë”, duke shtuar se, “është hipokrizi të thirren zgjedhjet e jashtëzakonshme kur e dimë se zgjedhjet nuk mund të mbahen brenda 45 ditëve”.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.