Zgjedhjet parlamentare të muajit tetor në Mal të Zi tërhoqën shumë vëmendje në gjithë botën. Megjithatë, nuk ishin rezultatet e zgjedhjeve ato që zgjuan kurreshtjen për këtë vend të vogël të Ballkanit, por ngjarja e cila ndodhi në ditën e zgjedhjeve — arrestimi i disa qytetarëve serbë, njëri prej të cilëve është ish-udhëheqës i njësitit elit policor të Serbisë, nën dyshimin e planfikimit të një sulmi terrorist.
Shumë personalitete nuk ngurruan ta cilësojnë këtë “komplot terrorist” të ditës së zgjedhjeve si mjet propagande të Kryeministrit Milo Djukanović, i cili besohej se donte t’i mobilizonte votuesit e tij duke luajtur me frikën e tyre ndaj hegjemonisë serbe dhe ndërhyrjes serbe në zgjedhje.
Por, kjo ngjarje nuk do të ishte pjesë e kryetitujve po të mos ishte një fuqi e madhe ajo e cila akuzohej për ndërhyrje. Sipas deklaratave zyrtare të prokurorëve dhe zyrtarëve malazezë, ekzistonte një plan i mbështetur nga Rusia për kë krijuar kaos në Mal të Zi natën para zgjedhjeve duke shkaktuar përplasje ndërmjet qytetarëve dhe policisë, pas së cilës liderët opozitarë — që gjithashtu dyshohej se ishin pjesë e komplotit — do ta merrnin pushtetin. Me faktin që Mali i Zi ishte një hap para se t’i bashkohen NATO-s, këto ishin akuza shumë serioze.
Por derisa këto ngjarje janë ende nën hetime dhe shumë njerëz dyshojnë të ketë pasur ndonjë përfshirje të Rusisë në këtë incident, këtu doli në pah një pyetje: sa është i fuqishëm ndikimi rus në Ballkan?
Krimea si pikë kthese
Lidhjet e Rusisë me Ballkanin janë të rëndësishme, historike dhe të rrënjosura thellë. Me religjionin mbizotërues të përbaashkët dhe me gjuhë mjaft të ngjajshme me shumë vende të Ballkanit, Rusia historikisht ka qenë lojtar kyç në rajon. Rusia gjithashtu ka luajtur rol të rëndësishëm në zgjidhjen e konfliteve në ish-Jugosllavi, duke qenë pjesë e shumicës së nismave ndërkombëtare për t’i dhënë fund konflikteve në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, derisa lidhjet ekonomike të krijuara pas vitit 2000 — sidomos në sektorin energjetik — u bënë burimi kryesor i pranisë ruse.
Kriza në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014 ishin mbase pikë kthese në marrëdhëniet e Rusisë me Bashkimin Europian dhe NATO-n, që gjithashtu ndryshoi në masë të madhe pozitën e Rusisë në Ballkan.
Si rajon në oborrin e BE-së, por gjithashtu si zonë e varfëruar, jostabile dhe me lidhje të forta me Rusinë, Ballkani Perëndimor u shndërrua në fushëbetejë diplomatike dhe ideologjike.
Para aneksimit të Krimesë, që më vonë solli sanksione të BE-së ndaj Rusisë dhe fillim të asaj që shumë e cilësojnë si ‘Lufta e Dytë e Ftohtë’, prania e Rusisë në rajon ishte e kufizuar. Përkundër disa pengesave, marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe BE-së mund të ishin parë si shumë konstruktive, sidomos gjatë mandatit të Dmitry Medvedev-it si president i Rusisë (2008-2012), që kishte pasoja pozitive për rajonin.
Investimet ruse në rajon, siç ishte blerja e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), investimet e mëdha në Mal të Zi dhe ndërtimi i tubacionit të shumëpërfolur të gazit ‘Rjedha Jugore’ në drejtim të Europës Perëndimore duke kaluar përmes Bullgarisë dhe Serbisë, nuk ishin parë si kërcënim për BE-në. Rusia e kundërshtonte fuqishëm zgjerimin e NATO-s në rajon, por njëkohësisht e mbështeste deklarativisht zgjerimin europian, me qëllim që të kishte aleatë brenda BE-së, e jo shtete miqësore problematike jashtë këtij unioni.
Megjithatë, fillimi i ‘Luftës së Dytë të Ftohtë’ pas krizës në Ukrainë dhe përfshirja e Rusisë në Siri kishte pasoja të mëdha për pozicionin rus. Nga marrëdhënia e rivalëve politikë në një bashkëjetesë të sikletshme, BE-ja dhe Rusia u bënë kundërshtarë të hapur gjeopolitkë. Si rajon në oborrin e BE-së, por gjithashtu si zonë e varfëruar, jostabile dhe me lidhje të forta me Rusinë, Ballkani Perëndimor u shndërrua në fushëbetejë diplomatike dhe ideologjike.
Projekti i rëndësishëm ‘Rjedha Jugore’ ishte një prej viktimave të para të këtij realiteti të ri, dhe Rusia hoqi dorë nga ai në dhjetor të vitit 2014 pas sfidave të vazhdueshme të rregulloreve të BE-së dhe pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Perëndimin. Shteteve kandidate të BE-së brenda Ballkanit Perëndimor, miqësore ndaj Rusisë, tani gjithashtu u kërkohej që ose t’i bashkoheshin politikave të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë — dhe me këtë ta tërbonin Moskën dhe ta vinin ekonominë e tyre në rrezik — ose ta refuzonin një gjë të tillë dhe ta tërbonin Brukselin dhe Uashingtonin.
Mali i Zi e zgjodhi opsionin e parë, ndërsa Serbia dhe Maqedonia të dytin. Pozicioni i Serbisë ishte posaçërisht interesant: Përkundër një qeverie bindshëm proeuropiane e cila mbështetet nga liderët kyçë europianë, Rusia mbetet aleate kryesore gjeopolitike e Serbisë. Duke i ardhur Serbisë dy herë në ndihmë gjatë vitit që lamë pas — së pari duke vendosur veto mbi rezolutën e OKB-së në lidhje me gjenocidin e Srebrenicës, dhe pastaj duke ndihmuar që Kosovës t’i bllokohej anëtarësimi në UNESCO, Rusia e ka dëshmuar në praktikë rëndësinë e mbështetjes së saj. Serbia me plot stil është duke mbajtur barazpeshë ndërmjet BE-së dhe Rusisë, duke ia dalur ta ndjekë rrugën e saj të integrimit europian, duke bashkëpunuar dhe duke i plotësuar kushtet siç është dialogy ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe kriza me emigrantë, por njëkohësisht duke refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, që në këtë mënyrë ta ruajë aleatin e saj të rëndësishëm.
Rusia gjithashtu e ka mbështetur Milorad Dodik-un dhe qeverinë e tij në Republikën Srpska të Bosnje e Hercegovinës. Me gjithë kundërshtimin e fuqishëm ndërkombëtar ndaj referendumit kundërthënës për Ditën e Shtetësisë, të mbajtur në shtator të vitit 2016, Dodik-u gjeti mbështetjen që i nevojitej në Moskë, ku Rusia refuzoi ta kundërshtonte referendumin.
Është interesante se presidenti i Republikës Srpska gjeti më shumë mbështetje në Moskë sesa në Beograd, meqë politika e jashtme e Serbisë ndaj rajonit mbeti në përputhje me pritjet e BE-së. Nëse kundërthënia aktuale në Mal të Zi del të ketë përfshirje klandestine ruse në këtë shtet, kjo do të shërbente edhe si një shembull shtesë se Rusia paska politikë “më nacionaliste serbe” sesa vetë Serbia. Vetë ky fakt mund të jetë i një rëndësie shumë të madhe.
Fuqia e butë ruse
Rëndësia e fuqisë së butë ruse vështirë se mund të mbivlerësohet. Mediat kryesore shtetërore ruse siç është agjencia e lajmeve Sputnik dhe Russia Today kanë dëshmuar të jenë halë në sy të SHBA-ve dhe shteteve europiane. Duke u ofruar lexuesve dhe shikuesve të tyre përmbajtje të një cilësie të lartë në gjuhën angleze, me tone shpesh kritike ndaj SHBA-ve dhe BE-së, këto media kanë gjetur tokë të plleshme në shoqëritë mjaft të tronditura europiane e amerikane. Fuqia e butë ruse për këtë arsye shumë herë u konsiderua si kërcënim serioz ndaj BE-së dhe NATO-s; ‘alarmi’ i fundit erdhi muajin e kaluar në formë të një rezolute të Parlamentit Europian në lidhje me rrezikun e propagandës ruse dhe islamiste antieuropiane, e cila thekson rëndësinë e rivendosjes së komunikimit strategjik europian me anë të “investimit në vetëdijësim, edukim, në media online dhe ato lokale”.
Një numër mediash në Serbi, kryesisht tabloide, e shtyjnë përpara agjendën proruse dhe proputineske në mënyrë të hapur.
Kjo dukuri shihet edhe më shumë në Ballkanin Perëndimor, ku mediat e lartpërmendura ruse kanë filluar të ndikojnë në masë të madhe në skenën e mediave në rajon. Sikurse edhe në vendet tjera të Europës, fuqia e butë ruse shpesh drejtohet kundër BE-së dhe NATO-s dhe e rrezikon hegjemoninë ideologjike të cilën këto organizata dhe shtetet e tyre anëtare e kanë ndërtuar gjatë dekadave të fundit. Por ndërsa shumë vende të Ballkanit Perëndimor shfaqin më shumë qasje oportuniste sesa ideologjike ndaj integrimit europian, ndikimi rus mund të ketë pasoja shumë të mëdha.
Kjo ndoshta vlen më së shumti për Serbinë, popullsia e së cilës historikisht ka kultivuar ndjenja proruse, por gjithashtu edhe ndjenja mjaft armiqësore ndaj Perëndimit që nga fushata e bombardimit të NATO-s në vitin 1999. Edicioni i Sputnik-ut në gjuhën serbe filloi punën në vitin 2015, duke u bërë i pari dhe i vetmi në Ballkanin Perëndimor; edicionet tjera të kësaj agjencie në rajonin më të gjërë është ai në gjuhën turke dhe edicioni në gjuhën moldave/rumune. Poashtu, një numër mediash në Serbi, kryesisht tabloide, e shtyjnë përpara agjendën proruse dhe proputineske në mënyrë të hapur.
Serbia dhe Rusia
Rritja e ndjenjave antieuropiane në Serbi shkon barabartë me fuqizimin e përfshirjes ruse në rajon. Shumë serbë e shohin Rusinë si mbrojtëse, si aleate të pazëvendësueshme dhe si diçka që i përngjan shtetit amë. Disa grupe të së djathtës madje edhe besojnë se qeveria aktuale e Serbisë po zhvillon politikë antiserbe në rajon për shkak të negociatave me Kosovën, miqësisë me Djukanović-in dhe mbështetjes për një Bosnje e Hercegovinë të unifikuar, derisa Rusia është e vetmja mbrojtëse e përnjëmendtë e interesave serbe. Kjo ilustrohet me popullaritetin e një deklarate të famshme të ish-ambasadorit rus në Beograd, Alexander Konuzin, i cili në vitin 2011 gjatë një diskutimi publik, kur u pyet në lidhje me Kosovën, tha: “A nuk ka asnjë serb në këtë sallë?” duke iu referuar mungesës së dukshme të mbështetjes së interesave serbe brenda shoqërisë civile serbe.
Përderisa Serbia vazhdon me politikën e saj të përpjekjes për t'i ndalur kërkesat e Kosovës për njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, mbështetja e Rusisë do të jetë e një rëndësie të madhe.
Ndërsa BE-ja ballafaqohet me krizë e autoritarizmi është në rritje e sipër çdo ditë e më shumë, simpatia për Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin në Serbi duket të jetë në rritje të vazhdueshme. Është e diskutueshme se në ç’masë kjo prirje ka të bëjë në të vërtetë me përfshirjen ruse, por forcimi i fuqisë së butë ruse dhe simpatia në rajon nuk vihen fare në dyshim. Kjo ende nuk po përcillet me ardhjen e prorusëve në pushtet, por duke marrë parasysh ngjarjet e fundit në Bullgari dhe Moldavi, ku kandidatët prorusë ia dolën t’i fitonin zgjedhjet presidenciale, si dhe zgjedhjet presidenciale që pritet të zhvillohen në Serbi gjatë vitit që vjen, kjo mundësi është mjaft reale.
Por, siç u tha më lart, Serbia është padyshim në rrugën e saj të integrimeve europiane dhe qeveria e saj gëzon mbështetje të fuqishme të disa prej akterëve kyçë europianë. Për më tepër, përkundër neturalitet të deklaruar ushtarak, Serbia ka lidhje shumë më të ngushta me NATO-n sesa me Rusinë, duke miratuar Planin e Veprimit të Partneritetit Individual (IPAP) në vitin 2015 pa ndonjë kundërshtim të theksuar. Edhe stërvitjet kundërthënëse ushtarake me Rusinë janë shumë më të pakta sesa ato që Serbia i zhvillon me shtetet anëtare të NATO-s.
Duket qartë se mbështetja ruse për Serbinë sa i përket Kosovës mbetet aspekti më i rëndësishëm i aleancës së tyre. Përderisa Serbia vazhdon me politikën e saj të përpjekjes për t’i ndalur kërkesat e Kosovës për njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, mbështetja e Rusisë do të jetë e një rëndësie të madhe. Megjithatë, pyetja e madhe është se sa mund të zgjasë kjo politikë e barazpeshimit ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit në këtë edicion të ‘Luftës së Ftohtë’, duke marrë parasysh aspiratat e Serbisë për integrime europiane.
Si do të jetë e ardhmja?
Kjo lojë e ndërlikuar gjeopolitike të cilën po e përcjellim mund të ketë pasoja të mëdha negative në rajon, sidomos nëse SHBA-të e zvogëlojnë përfshirjen e tye gjatë administratës së presidentit Trump. Për shembull, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mbetet proces i brishtë dhe i ndjeshëm politik i cili mund të cënohet shumë lehtë nga turbulencat gjeopolitike. Po kështu mund të thuhet edhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe për problemet tjera rajonale. Duke vepruar në oborrin e BE-së, Rusia aktualisht është burim i destabilizimit për rajonin, që mund të theksohet edhe më shumë nëse kriza globale nuk merr fund.
Megjithatë, ndikimi i saj në shtetet siç është Serbia nuk duhet mbivlerësuar. Përveç alenacës strategjike me Serbinë sa i përket çështjes së Kosovës dhe mbështetjes së ofruar për disa akterë rajonalë, duke përfshirë Dodik-un dhe ish-Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, Rusia nuk ka çka të ofrojë më shumë. Ballkani Perëndimor mbetet ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht i integruar në strukturat e BE-së dhe të NATO-s dhe përfshirja ruse nuk po bën shumë për ta penguar këtë varësi.
Megjithatë, nëse BE-ja e humb hapin e vet me Ballkanin, qoftë për shkak të mungesës së zgjerimit apo për shkak të humbjes së legjitimitetit të modelit liberal-demokratik— i cili aktualisht po lëkundet nga Brexit-i dhe fitorja e Trump-it — ndikimi rus ka gjasa të rritet.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0