Procesi i lindjes është romantizuar deri në qelizë. Ndërkohë, pjesa më e madhe e njerëzve në Shqipëri, përfshirë dhe mjekët, kanë frikë t’ua rrënojnë kështjellat prej rëre nënave të reja. Por, le të themi diçka, mes nesh. Një bebe mund të jetë gëzim i madh. Mund të jetë diçka hyjnore t’i japësh jetë dikujt tjetër nga trupi yt, por procesi natyral i lindjes, nuk është as i bukur e aq më pak romantik.
Mbase për këtë shkak nënat që zgjedhin lindjen natyrale janë subjekt i shprehjes “Si cjapi te kasapi”. Nuk e dinë çfarë do të ndodhë, nuk e dinë se çfarë i pret. Kjo qasje plot fshehtësi ndaj këtij procesi i hedh gratë në hone të panjohura, sidomos kur flasim për lindjen e parë. Është si një lloj labirinti plot me sekrete, i mbushur me mite e anekdota, të ruajtura dhe të pathëna. Jo më kot i themi nënës që sapo ka lindur “shyqyr shpëtove”!
Kam dëgjuar disa herë për procesin e lindjes dhe mënyrën se si trajtohet ky proces në familjet shqiptare, por nuk jam traumatizuar asnjëherë si në momentin kur mora vesh për epiziotominë.
Epizotomia është një prerje që bëhet në perineum — pjesë e poshtme e vaginës — gjatë procesit të lindjes natyrale. Me kohë ka ndryshuar pak dhe tani prerja nuk bëhet më në perineum, por në pjesët anësore të vaginës. Epiziotomia zakonisht kryhet si procedurë për të shmangur çarjen natyrale perineale dhe për t’i dhënë më shumë hapësirë foshnjës që të dalë apo që lindja të kryhet më shpejtë.
Një e afërme imja kishte 5 ditë që kishte lindur vajzën, sapo i kishte dhënë gji dhe ishte ulur mes nesh. Gratë dhe vajzat e fisit, ndenjur në formë gjysmë rrethi, filluan të flisnin për procesin e lindjes. E ndërsa nëna e re tregonte për ulërimat, disa qeshnin, njëlloj siç kishin bërë mamitë dhe infermieret në sallën e lindjes, teksa ajo shtynte një bebe mbi tre kilogramë nga vagina e saj. Më pas biseda erdhi te epiziotimia. Teksa ajo fliste për këtë, gratë më të mëdha në moshë nuk e ndërruan fare shprehjen e fytyrës. Kush e di sa herë e kishin bërë atë rrugë? Nuk u bënte më përshtypje. Ose, ose, siç e mendoj tani, në mendjen e tyre mëmësia është në lidhje simbiotike me sakrificën dhe vuajtjen. Çfarë është në fund të ditës një prerje e vogël e vaginës me gërshërë për të sjellë në jetë fëmijën?
Shprehja e fytyrave të tyre më bëri të kuptoj që ato e dinin, por pse nuk dinte gjë nëna e re? Pse duhet të mbahet sekret epiziotimia? Pse nënat e reja duhet ta kalojnë një proces të rëndësishëm në jetën e tyre të pa informuara dhe pa fuqi për të marrë vendime për trupin e tyre? Pse duhet ta marrë vendimin mjeku në momentin kur merr gërshërët në dorë?
Arjola asnjëherë nuk më zhgënjen me shkrimet e saj!