Efekti shkatërrues dhe i menjëhershëm i pandemisë COVID-19 shkaktoi një krizë globale shëndetësore përtej imagjinatës. Paqëndrueshmëria që pasoi pati ndikim të madh në sektorin e kulturës dhe arteve.
Anembanë botës, institucionet e sektorit kulturor janë detyruar të mbyllen krejtësisht ose t’i reduktojnë aktivitetet e tyre, ndërsa ngjarjet dhe performancat janë shtyer apo anuluar.
Në këtë “normalitet të ri”, siç po e quan shumëkush, organizatat kulturore janë munduar të gjejnë mënyra dhe mjete të reja për t’i zbatuar aktivitetet e tyre duke i mbrojtur punëtorët dhe publikun nga rreziku i gjithëpranishëm i virusit.
Një prej këtyre mënyrave është përdorimi i platformave digjitale si alternativë për ngjarjet me pjesëmarrës në hapësira fizike. Sidoqoftë, si rrjedhojë e rrethanave, shumë prej këtyre organizatave dhe institucioneve u detyruan ta reduktojnë numrin e stafit dhe programet e tyre, e kjo pa dyshim ka ndikuar te shumë individë në këtë sektor.
Qeveritë lokale dhe qendrore reaguan me pako të ndryshme të ndihmës për sektorët më të prekur nga pandemia, ndonëse këto nisma janë kritikuar që i kanë përjashtuar pjesërisht apo krejtësisht pjesëtarët e ndryshëm të shoqërisë. Kësaj i shtohet fakti se kultura vazhdon të shpërfillet në këtë normalitet të ri, siç është shpërfillur dhe nuk është trajtuar si nevojë në normalitetin që e lamë pas.
Duke u munduar ta sjellim vëmendjen te kultura, duam t’i shtjellojmë disa pyetje me juve: Si janë ballafaquar organizatat dhe institucionet e njohura kulturore në Kosovë me situatën e krijuar nga kjo krizë globale e shëndetësisë? A kanë arritur t’u përshtaten rrethanave të reja dhe të krijojnë programe efektive duke gjetur mënyra alternative të operimit? Cilat janë implikimet e krizës për punëtorët që varen prej tyre për ta fituar bukën e gojës?
Për ta nisur diskutimin i kemi ftuar drejtueset e disa prej organizatave më të rëndësishme kulturore në Kosovë: Vjosa Berisha, drejtoreshë ekzekutive e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë (PriFest); Alba Çakalli, producente e Festivalit Ndërkombëtar të Filmave Dokumentarë dhe të Shkurtër (DokuFest); dhe Arba Hatashi, drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit (Anibar). Diskutimi do të moderohet nga Aulonë Kadriu e K2.0.
Ju ftojmë të na bashkëngjiteni për të diskutuar për këtë çështje të mërkuren më 5 gusht, prej orës 17:30 LIVE në faqen e Kosovo 2.0 në Facebook.
Gjatë diskutimit do të ofrohet përkthim në gjuhën angleze dhe serbe. Nëse keni nevojë për përkthim, na dërgoni numrin e telefonit në mesazh privat dhe do të ju shtojmë në një Viber grup nëpërmjet të cilit do të ofrohet përkthimi me anë të thirrjes.K
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.