Teksa dimri i këtij viti të pazakontë po afrohet, COVID-19 vazhdon të ketë ndikim të rëndësishëm në përditshmërinë e gati secilit prej nesh. Megjithatë, disa janë më të prekur se të tjerët — pjesa më e madhe e atyre që kanë vdekur apo që janë prekur më së rëndi nga sëmundja kanë qenë më të moshuar se 60 vjet.
Përveç ndikimit të drejtëpërdrejtë në të moshuarit, koronavirusi ka shkaktuar edhe pasoja psikologjike. Plakja shoqërohet me një sërë vështirësish sociale, fizike dhe psikologjike, të cilat pandemia i ka theksuar në trajtë të ankthit, stresit, keqinformimit, pasigurisë, dhe diskriminimit. Për më tepër, distancimi fizik — edhe pse i konsideruar si një nga strategjitë më efektive për ta luftuar COVID-19 — ka qenë gjithashtu shkak madhor i vetmisë.
Në artikullin tonë të fundit multimedial “Të pleqërosh në pandemi”, gazetarja jonë Dafina Halili sjell një perspektivë tjetër të ndikimit të COVID-19. Duke reflektuar përmes një perspektive gjinore, na njofton me ndjenjën e të qenit barrë dhe na familjarizon me mallin, melankolinë, frikën dhe vetminë.
Ndikimi i thellë i pandemisë aktuale — ndoshta joçuditërisht — është anashkaluar nga institucionet, por edhe nga pjesa më e madhe e shoqërisë.
Ndërkohë, të moshuarit në Kosovë shqetësohen nëse pensionet e tyre do të mbulojnë barnat shtesë për të cilat kanë nevojë për t’u mbrojtur nga virusi, se si do t’i kalojnë ditët e gjata ndërkohë që qendrat e tyre sociale rrinë mbyllur për shkak të masave parandaluese, dhe nëse kontributi i tyre do të çmohet ende tani kur më nuk janë të përfshirë aktivisht në ekonomi.
Përmes këtij diskutimi, dëshirojmë të krijojmë një platformë ku të moshurit shprehin mendimet e tyre, dhe në të njëjtën kohë ta diskutojmë këtë çështje përmes këndvështrimit social dhe gazetaresk.
Për të filluar diskutimin, kemi ftuar:
- Antigona Sopjani – Koordinatore e Mirëqenies Sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës;
- Naim Jerliu – Njohës i çështjeve të Shëndetit Publik;
- Dafina Halili – Gazetare dhe redaktore kontribuese në K2.0.
Diskutimi do të moderohet nga Aulonë Kadriu – Menaxhere e Programit në K2.0.
Ju ftojmë të na bashkoheni më 16 dhjetor nga ora 17:30, në faqen e K2.0 në Facebook.
Për shkak të pandemisë, diskutimi do të organizohet online. Përkthimi në gjuhët angleze dhe serbe do të ofrohet përmes grupeve në Viber të krijuara për secilën gjuhë. Na dërgoni numrin tuaj të telefonit dhe na tregoni për cilën gjuhë kërkoni përkthim dhe ne do t’ju shtojmë në grupin përkatës.
Ky diskutim është pjesë e projektit “Inovacioni për mediat e qëndrueshme dhe angazhimin qytetar” i cili mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementohet nga Kosovo 2.0 në bashkëpunim me Institutin GAP.K
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.