Në thelb | Politika

Hashim Thaçi — (ç’)unifikuesi i popullit?

Nga - 07.04.2018

Dy vite prej fillimit të mandatit të tij, presidenti i Kosovës është më përçarës se kurrë më parë.

Do të jem faktor unifikues politik dhe qytetar, përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, feje, race dhe gjinie”. Presidenti  i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha këto fjalë në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës para dy viteve, kur ai u betua si kreu i shtetit.

Ai ishte zgjedhur nga deputetët në një ditë plot trazira, një muaj më parë në shkurt të 2016, duke siguruar një shumicë të thjeshtë të votave në rundin e tretë të votimit, pasi kishte dështuar ta siguronte shumicën me dy të tretat e vota (81 vota), e cila kërkohej për t’u miratuar zgjedhja e tij në dy rundet e para.

Jashtë ndërtesës së Kuvendit, qindra protestues – të mobilizuar nga “opozita e unifikuar” e asaj kohe, e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën – bërtisnin me pezm: “me hajna, me hajna, nuk ka shtet!” Disa prej tyre hodhën gurë dhe koktej molotovi, para se të shpërndaheshin nga policia, e cila përdori ujë dhe gaz lotsjellës. Gjatë kësaj kohe, policia gjithashtu e spastroi një kamp paqësor protestues, gjegjësisht tendat që ishin vendosur në Sheshin Skendërbeu jashtë ndërtesës së Kuvendit disa ditë para votimit.

Brenda Kuvendit, tri partitë opozitare vazhduan me metodat e tyre të pazakonta të protestimit, duke përdorur gaz lotsjellës. Kjo bëri që disa prej tyre të suspendohen nga seanca, ndërsa tjerët vendosën ta bojkotojnë procesin e votimit, siç e bojkotuan edhe seancën e betimit.

Si anëtar Komisionit ad hoc për Votim, deputetët të cilët u emëruan për ta mbikëqyrur procesin e votimit, Ilir Deda ishte i vetmi deputet i opozitës i cili qëndroi në sallë kur Thaçi u zgjodh president. Tjerët ose u pezulluan nga seanca, ose e bojkotuan atë. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Unë kam pas prishshmëri që ai nuk do të zgjedhet president sepse disa deputetë që votuan për të na thonin neve në opozitën e atëhershme se nuk do ta votojnë Thaçin”, thotë Ilir Deda, i cili në atë kohë ishte deputet i partisë më të madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje. “Por në fund, votuan për të”.

Emërimi i Thaçit si president doli të jetë ngjarje përçarëse ndërmjet qeverisë dhe opozitës, por edhe brenda koalicionit qeverisës PDK-LDK (Partia Demokratike e Kosovës – Lidhja Demokratike e Kosovës) i cili po udhëhiqte vendin në atë kohë. Disa deputetë të LDK-së nuk e votuan, pavarësisht faktit se mbështetja për kandidaturën e tij ishte paraparë prej fundit të vitit 2014. Në dhjetor të atij viti, LDK shtangu një pjesë të gjërë të qytetarëve, përfshirë shumë prej mbështetësve dhe anëtarëve të saj, duke u tërhequr nga një pakt paszgjedhor me partitë tjera që kishin për qëllim ta largonin PDK-në nga pushteti, pasi kjo parti e kishte udhëhequr qeverinë prej vitit 2007, me Thaçin në krye.

LDK dhe PDK nënshkruan një marrëveshje të diskutueshme për qeverisje. Në të thuhej se lideri i LDK-së, Isa Mustafa, do të bëhej kryeministër, me kusht që ta mbështeste nominimin e Thaçit për president dy vite më vonë. Ishte hera e dytë prej pavarësisë që këto dy parti kishin formuar koalicion së bashku, pavarësisht akuzave të vazhdueshme të LDK-së se Shërbimi i Informativ i Kosovës (SHIK) i cili i shërbente PDK-së, kishte qenë i përfshirë në vrasjet e anëtarëve të LDK-së pas luftës.

Kushtetuta thotë se presidenti përfaqëson “unitetin e popullit”, ndërsa natyra e zgjedhjes së Thaçit tregoi se njerëzit më së paku ishin të unifikuar për zgjedhjen e tij.

“Njerëzit duhet të mendojnë pse edhe Joe Biden e quajti Thaçin ‘George Washington i Kosovës‘"

Xhevahire Izmaku, PDK

Xhevahire Izmaku, deputete e PDK-së e cila u zgjedh për herë të tretë në vitin 2017 dhe votoi për Thaçin, mendon se ata të cilët e kundërshtojnë presidentin thjeshtë i xhelozojnë “sukseset” e tij. “Ai ka qenë në krye të politikës dhe natyrisht duke qenë më lartë se të tjerët dhe fakti se të tjerët nuk kanë arritur lartësinë e tij, i ka bërë me pasë qëndrime të tilla për presidentin”, thotë ajo.

E pamohueshme se Thaçi, i cili i mbush 50 vjet këtë muaj, ka qenë në ballë të politikës së Kosovës në dy dekadat e fundit, dhe e ka vënë vetën në qendër të çdo procesi të madh politik. Ai e kryesoi delegacionin e Kosovës në Bisedimet në Rambuje në fund të luftës në vitin 1999, si dhe lexoi Deklaratën e Pavarësisë si kryeministër më 17 shkurt, 2008. Kjo e fundit është dashur të lexohej nga kryetari i Kuvendit, atëbotë Jakup Krasniqi, por Thaçi duke treguar egon e tij që të paraqitej si burrështatas, e mori i vetëm përgjegjësinë.

“Njerëzit duhet të mendojnë pse edhe [ish Zëvendës Presidenti i SHBA] Joe Biden e quajti Thaçin ‘George Washington i Kosovës’”, thotë Izmaku.

Në një mënyrë apo tjetër, gjashtë muaj larg gjysmës së mandatit të tij pesë vjeçar, presidenti nuk ka arritur ta nxit një konseunsus të gjërë të mbështetjes ndaj tij. Në shkurt, disa figura të shquara, ndër ta shumë ish shokë të presidentit, refuzuan të pranojnë çmime për të cilat i kishte nominuar Thaçi në rastin e 10 vjetorit të pavarësisë. Aktualisht po bëhen gjithnjë më të zëshëm zërat për shkarkimin e tij pas polemikave të mëdha të javëve të fundit.

Miqësi të thyera

Mospëlqimi i figurës së Thaçit demonstrohet më së miri në mesin e miqve të dikurshëm të tij, të cilët tani i ka rivalë politik.

Miqësia e Haxhi Shalës me Thaçin daton nga koha e luftës, por edhe pas saj ata ishin kolegë politik në PDK për më shumë se një dekadë. Megjithatë, në vitin 2013, ai ishte një nga disa anëtarë të PDK-së të cilët ishin të pakënaqur me mënyrën si po e udhëheqte Thaçi partinë atëbotë. Ata u ndanë nga PDK dhe formuan Nismën, partinë të cilën Haxhi Shala sot e përfaqëson si deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Kam respekt për të si shok dhe e vlerësoj për meritat në luftë... por kur vjen puna te zhvillimet politike, ky njeri duhet menjëherë të penzionohet sepse i ka shkaktuar shumë dëme vendit.”

Haxhi Shala, NISMA

Nisma ishte në opozitë në vitin 2016. Kjo parti po bënte fushatë kundër zgjedhjes së Thaçit si president, dhe Shala qëllimisht mungoi në seancën e votimit për këtë çështje në Kuvend. “Kam respekt për të si shok dhe e vlerësoj për meritat në luftë”, thotë ai. “Ne kemi qenë së bashku gjatë gjithë kohës së luftës kur unë kam udhëhequr brigadën time dhe kemi pasë raporte miqësore gjatë luftës, por kur vjen puna te zhvillimet politike, ky njeri duhet menjëherë të penzionohet sepse i ka shkaktuar shumë dëme vendit”.

Një tjetër koleg dhe mik i dikurshëm i Thaçit, Ismajl Kurteshi, kishte qasje më ndryshe sa i përket kundërshtimit të tij për zgjedhjen e Thaçit si kreu i shtetit. “Aq shumë u pata gëzu që Thaçi po bëhej president sa që vendosa të gjuaj gaz lotsjellës në Kuvend”, kujton Kurteshi duke qeshur. Ai ishte një nga 11 deputetët e opozitës të cilët u pezulluan nga seanca.

Kurteshi kishte qenë pjesë e PDK-së së Thaçit për pesë vite, kur kjo parti u formua fillimisht. Ai shërbeu si kryetar i komunës së Gjilanit në vitet 1999-2000, para se të zgjedhej si deputet i Kuvendit në vitin 2001 në legjislaturën e parë të pasluftës, pjesë e institucioneve të përkohshme të Kosovës të cilat operonin në atë kohë.

Marrëdhëniet e Kurteshit me Thaçin u thartuan në vitin 2005 kur Thaçi filloi ta mbështeste procesin e decentralizimit, i cili u nis nga komuniteti ndërkombëtar para zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës si shtet multietnik. I pakënaqur me atë proces – i cili çoi deri te krijimi i disa komunave të reja me shumicë serbe – ai besonte se Thaçi e kishte mbështetur vetëm për t’i përmisuar marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar dhe për të fituar kredibilitet personal. Prandaj Kurteshi u largua nga PDK. Dy vite më vonë, Thaçi u bë kryeministër i Kosovës, ndërsa Kurteshi iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje dhe u zgjedh si deputet në vitin 2014.

Në periudhën e pasluftës, në radhët e PDK-së së Thaçit, Ismajl Kurteshi shërbeu si deputet i Kuvendit dhe kryetar i komunës së Gjilanit. Por ai u zhgënjye sepse mendonte se lideri i atëhershëm i kësaj partie po i prioritizonte përfitimet personale para të mirës për Kosovën. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Sot Kurteshi ende mendon se Thaçi është po ai i njejti, që bën marrëveshje jo në bazë të së mirës së vendit, por në bazë të përfitimeve personale të tij dhe një grupi të ngushtë.

“Për shembull, LDK-ja e Isa Mustafës e mbështeti Thaçin – nuk është se ata besonin se Thaçi do të jetë president i mirë, por ata kishin nevojë ta blenin pozitën e kryeministrit [gjatë negociatave për formimin e koalicionit qeverisës në vitin 2014], e kjo iu kushtëzua me votimin në favor të Thaçit [për president]”.

Deputetja e kahmotshme e LDK-së, Besa Gaxherri, e cila është e përfshirë në këtë parti prej viteve të 90-a, pranon se zgjedhja e Thaçit si president do të kishte qenë e pamundur pa mbështetjen e partisë së saj, por ngul këmbë se lidershipi kërkon arritjen e kompromiseve të vështira. “I dhamë fund ngërçit politik gjashtë mujor”, thotë ajo, duke iu referuar ngërçit pas zgjedhjeve të vitit 2014, kur askush nuk po arrinte të formonte qeverinë. Ajo gjithashtu pranon se për ta fituar pozitën e kryeministrit, partia e saj u detyrua të votonte Thaçin. “Në fund të fundit, funksionimi i politikës është pushteti, prandaj edhe ndahet pushteti mes individëve”.

Por Kurteshi insiston se demokracia u suspendua në momentin e votimit, duke pretenduar se shumë prej votave në favor të Thaçit ishin pjesë e një “ujdie” për përfitime personale.

“Dikush u bë ambasadore pasi votoi për Thaçin”, thotë ai, duke iu referuar ish-deputetes së LDK-së, Alma Lama, e cila ishte kundërshtare e zëshme e Thaçit, por sidoqoftë me prezencën e saj mundësoi për ta bërë  kuorumin që Thaçi të bëhej president. Kritikët shpeshherë e theksojnë emërimin e saj si ambasadore e Kosovës në Itali (në korrik 2016) si dëshmi që vota e saj “ishte e blerë”. Lama ishte edhe pjesë e Vetëvendosjes për një kohë para se të kalonte në LDK.

Kritikët vazhdimisht e kanë theksuar një kulturë të nepotizmit dhe klientelizmit në radhët më të larta të politikës së Kosovës, një kulturë e konfirmuar në vitin 2016 me publikimin e bisedave të përgjuara, në të cilat dëgjohen figurat udhëheqëse të PDK-së, përfshirë këtu Thaçin, duke i ndarë pozitat  në bordet publike në mesin e militantëve të tyre. Javën e kaluar, prokuroria speciale e Kosovës regjistroi padi kundër 11 figurave politike të përfshira në këtë aferë, por emri i Thaçit nuk ishte në mesin e tyre.

‘Vetëm një kategori kushtetuese’

LDK nuk ishte partia e vetme e cila u përkushtua për të votuar për Thaçin nëpërmjet marrëveshjes së koalicionit në vitin 2014. Deputetët në 20 ulëset e rezervuara për përfaqëues të komuniteteve minoritare të Kosovës gjithashtu ishin pjesë e marrëveshjes.

Veton Berisha ishte deputet në mandatin e tij të parë, pasi u zgjedh si pjesë e Partisë Liberale Egjiptiane për t’i përfaqësuar interesat e komunitetit egjiptian në Kuvendin e Kosovës, në kohën kur iu bashkua grupit parlamentar të LDK-së. Në fund, Berisha votoi për Thaçin. Ai thotë se Isa Mustafa dhe lideri aktual i PDK-së, Kadri Veseli, i kishin bërë presion për ta nënshkruar partneritetin e koalicionit në vitin 2014; ai besonte se duke qenë pjesë e qeverisë do të kishte mundësi të ndihmonte për t’i përmirësuar jetën e një prej komuniteteve më të margjinalizuara në Kosovë. “Ata më kërkuan votën time ndaj Thaçit me kusht që me vepru në të mirë të komunitetit egjiptian”, thotë Berisha.

Veton Berisha, deputet i Kuvendit me Partinë Liberale Egjiptiane, thotë se Thaçi nuk ka bërë përpjekje për të krijuar lidhje me komunitetin egjiptian dhe se presidenti nuk e trajton komunitetin e tij në mënyrë të barabartë. Fotografia: Cristina Mari / K2.0.

Pavarësisht faktit se ka votuar për të, Berisha nuk beson se Thaçi e ka përmbushur betimin e tij presidencial sa i përket përfaqësimit të të gjitha komuniteteve. Ai pretendon se Thaçi i ka favorizuar disa komunitete. “Ne i kemi bërë kërkesë Thaçit për ta vizituar komunitetin tonë dhe kishim dëshirë ta shpërblenim atë me një mirënjohje prej vitit 2016, por ai asnjëherë nuk gjeti kohë të na vizitonte dhe të krijonte lidhje të drejtpërdrejtë me neve”, thotë Berisha.

Motivi për të ia dhënë mirënjohjen Thaçit nuk lidhej aq shumë me të bërat e presidentit për këtë komunitet. Ishte më shumë përpjekje për ta bindur atë që ta njeh ekzistencën e komunitetit egjiptian në shoqërinë kosovare. “Ai e njeh komunitetin egjiptian vetëm si kategori kushtetuese, por nuk i njeh vlerat tona; ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se trajtim të barabartë nga Thaçi, siç i trajton shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit dhe komunitetet tjera në Kosovë”.

Për deputetin egjiptian, sjelljet e Thaçit e kanë paraqitur atë si “figurë përçarëse” që nuk e ka përmbushur betimin e tij presidencial për t’i trajtuar të gjithë në mënyrë të paanshme pa marrë parasysh etninë. “Reagova publikisht kur Thaçi i nderoi vetëm viktimat shqiptare dhe serbe [të luftës në Kosovë] ndërsa asnjëherë nuk i nderoi… njerëzit e vrarë dhe ende të humbur të komunitetit egjiptian”, thotë ai. “Me këtë, Thaçi aludon se kishte vetëm viktima shqiptare dhe serbe, dhe në bazë të kësaj nuk paraqitet si president unifikues”.

“Mendoj se ai është personi më unifikues në vend, përndryshe nuk do të kishte qenë këtu."

Xhevahire Izmaku, PDK

Megjithatë, Izmaku e PDK-së e kundërshton idenë që Thaçi nuk ka qenë unifikues, duke thënë se ai e ka përmbushur rolin e tij kushtetues dhe i ka mbështetur grupet e margjinalizuara në shoqërinë kosovare.

“Mendoj se ai është personi më unifikues në vend, përndryshe nuk do të kishte qenë këtu. Mos harroni, për herë të parë një lider i vendit morri pjesë në mbështetje të një paradës LGBT në Prishtinë, dhe jo të gjithë liderët guxuan ta bëjnë këtë”, thotë ajo, duke theksuar faktin se Thaçi morri pjesë dy herë në ngjarje të rëndësishme LGBTI, ndërsa liderët tjerë politik kanë munguar. Kritikët thonë se Thaçi morri pjesë me ngurrim, jo për shkak se beson në ato vlera, por për shkak të pranisë së disa ambasadorëve të huaj në marsh.

Manovrat dhe angazhimi politik

Në këto dy vite që ka shërbyer si president, emri i Thaçit rrallëherë ka mbetur jashtë qendrës së debatit vendor dhe ndërkombëtar, veçanërisht kur flitej për çështjet më të mëdha.

Si komandant suprem i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Thaçi ndërmorri një nismë në mars të vitit 2017 për ta transformuar FSK-në në një ushtri të rregullt nëpërmjet një ligji të veçantë. Duke bërë këtë, ai po përpiqej t’i tejkalonte ndryshimet kushtetuese të cilat janë të domosdoshme për këtë transformim, për shkak se për t’i realizuar amandament të kushtetutës kërkohet mbështetja nga dy të tretat e deputetëve serbë në Kuvend; të gjitha 10 ulëset parlamentare të cilat janë të rezervuara për komunitetin serb i përkasin Listës Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi dhe është kategorikisht kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës.

Kjo lëvizje e tij u përcjell menjëherë nga një reagim i ashpër i komunitetit ndërkombëtar, i cili mbështet transformimin vetëm nëpërmjet amendamenteve kushtetuese. Në një deklaratë, Ambasada e SHBA shkroi: “Miratimi i ligjit të propozuar do të na detyronte ta vlerësonim përsëri bashkëpunimin tonë dypalësh dhe ndihmën tonë të kahmotshme për forcat e sigurisë së Kosovës”.

Thaçi e tërhoqi në heshtje propozimin e tij, por ai vazhdon të deklarojë se herët a vonë do të harxhohet durimi për këtë çështje.

Izmaku e PDK-së mendon se përpjekjet e Thaçit në lidhje me themelimin e ushtrisë nuk kanë përfunduar. Ajo ngul këmbë se opozita thjeshtë ka një agjendë kundër Thaçit. “Unë e di se në mandatin e parë ai do të jetë komandant i forcave të ushtrisë së Kosovës”, thotë ajo, para se t’i referohet një pretendimit të ngjashëm të cilin e bëri Thaçi gjatë festës së Pavarësisë së Kosovës. “I besoj shumë dhe këtë e kemi dëgjuar në paradën e fundit të 10 vjetorit te pavarësisë”.

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, beson se kritikët e Thaçit thjeshtë e xhelozojnë atë. Ajo ka besim se presidenti do t’i përmbush premtimet e tij. Fotografia: Kushtrim Tërnava.

Edhe kur nuk është i përfshirë publikisht në çështje dhe nisma, kombinimi i hard power edhe soft power që përdorë në politikëbërje, për gati dy dekada, dhe niveli i mosbesimit në të në mesin e kritikëve të tij, bëjnë që sa herë të ketë ndonjë polemikë të madhe të dyshohet për përfshirjen e tij.

Deri sa po i vinte fundit 2017-ës – vit turbulent i karakterizuar me stagnim politik dhe dy palë zgjedhje – kosovarët nuk kishin faj se mendonin që më në fund do të përjetonin disa ditë paqeje. Megjithatë, paqja u ndërpre në mënyrë të vrazhdë më 22 dhjetor, kur papritmas 43 deputetë dorëzuan një peticion në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për t’i shfuqizuar Dhomat e Specializuara. Dhomat ishin themeluar në 2015-të për t’i gjykuar krimet e supozuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.

Thaçi – i cili mund të akuzohet nga Dhomat e Specializuara pasi u përmend në raportin e Dick Martit që ishte thelbësor për themelimin e Dhomave të Specializuara- u akuzua nga kritikët si organizator i nismës për shfuqizimin e tyre, duke ushtruar ndikimin e tij mbi deputetët e PDK-së. Disa muaj më parë, presidenti me sa dukej kishte ndryshuar diametralisht qëndrimin e tij mbi këtë çështje, pasi e cilësoi Gjykatën Speciale si “krejtësisht e padrejtë”. Në vitin 2015, si ministër i jashtëm dhe lider i PDK-së, ai madje kishte punuar me zell dhe kishte bërë presion ndaj deputetëve për ta mundësuar miratimin e ndryshimeve kushtetuese të cilat ishin të nevojshme për themelimin e Dhomave të Specializuara.

Në vitin 2017, nisma për shfuqizimin e dhomave as nuk doli në votim, pasi që shumë deputetë ishin skeptikë për motivet e këtij peticioni, i cili u dorëzua vonë në mbrëmjen e së premtës së famshme, pak para Kërshëndellave. “Nuk e nënshkrova nismën për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara për shkak se kam votu Gjykatën Speciale, për arsyet të cilat i shpjegova në atë kohë”, thotë Berisha.

"Ai synon të tërhiqet me duar të pastra, por qytetarët i kanë parë manovrat e tij."

Ismajl Kurteshi, Vetëvendosje

Gjithashtu pati një reagim të shpejtë dhe veçanërisht të drejtpërdrejtë nga ana e Ambasadorit të SHBA, i cili tha se miratimi i këtij ligji do të konsiderohej si “thikë pas shpine”, ndërsa Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar tha se kalimi i një iniciative të tillë do të ishte “një tradhti”. Ndërsa reagimi zyrtar nga ambasadat e Quint-it (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia) me sa dukej iu referua në mënyrë indirekte një pretendimit që e bëri Thaçi disa ditë më parë se komuniteti ndërkombëtar kishte premtuar liberalizimin e vizave në këmbim të themelimit të Dhomave të Specializuara. Deklarata e Quintit-it ishte eksplicite: “nuk ka pas asnjëherë  ndonjë marrëveshje e tillë”.

“Në këto dy vite, Thaçi është karakterizuar nga lënia e nismave në gjysmë”, thotë Kurteshi i LVV. “Ai e prezantoi transformimin e Ushtrisë së Kosovës me ngazëllim të paparë dhe pastaj u tërhoq, siç bëri edhe me nismën për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara”, thotë ai. “Interesant është që synon të tërhiqet me duar të pastra, por qytetarët i kanë parë manovrat e tij”.

Shala nga Nisma ka mendime të ngjashme. Ai beson se Thaçi vazhdimisht i koncepton dhe drejton manovrat e tilla politike për të treguar se ai është personi i cili mund t’i zgjidh ato. “Ai është një person i cili krijon kriza për ta ruajtur rolin e tij në skenën politike dhe për t’u parë si partner i komunitetit ndërkombëtar”.

Sa i përket përpjekjeve për t’i shfuqizuar Dhomat e Specializuara, Izmaku insiston se Thaçi u sigurua të kishte “përfundim të lumtur” para se të bëhej ndonjë dëm real, dhe kritikon opozitën për kritikat irracionale që i shprehin kundër tij, duke aluduar se armiqësitë historike kanë rol në këtë situatë. “Arsyeja pse opozita ka rezerva ndaj Thaçit është se disa nuk kanë besuar as në shpalljen e pavarësisë dhe skepticizmi i tyre ka qenë i përhershëm”, thotë ajo.

Dyshime dhe mosbesim

Dyshimet dhe kritikat kundër Thaçit arritën një pikë kulminante në ditët e fundit pas mospërputhjeve në reagimin e tij ndaj deportimit të gjashtë qytetarëve turq – pesë mësues dhe një doktor – në Turqi në rrethana ende të paqarta më 29 mars.

Informatat në lidhje me deportimet ishin sporadike në orët dhe ditët që pasuan. Ministria e Brendshme deklaroi se deportimet ishin kryer për të mirën e “sigurisë kombëtare, por disa anëtarë udhëheqës të qeverisë me sa duket nuk ishin të vetëdijshëm për këtë operacion paraprakisht. Përveç kësaj avokuesit e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësime të mëdha , duke thënë se ky proces i shkeli konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Më herët gjatë javës së kaluar, Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë të jashtëzakonshme dhe e miratoi me shumicë të madhe të votave një rekomandim për ta hetuar rastin dhe për ta zbuluar se kush ishte përgjegjës për deportimet.

Megjithatë, me sa duket shumë njerëz veç se e kanë formuar opinionin në lidhje me këtë çështje. Ata që po e akuzojnë Thaçin po i theksojnë mospërputhjet në reagimin e tij ndaj incidentit, dhe faktin se ai me sa duket nuk po bashkëpunon me disa anëtarë udhëheqës të qeverisë.

Në mbrëmjen e deportimeve, pas reagimeve të shumta publike, në emisionin Jeta në Kosovë Thaçi tha se nuk kishte qenë i vetëdijshëm për veprimin dhe se ndjente hidhërim për mënyrën e zbatimit të deportimeve. Dy ditë më vonë, ai me sa u duk e ndryshoi qasjen, pasi tha në një konferencë për shtyp se gjashtë qytetarët turq kishin paraqitur rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ndërsa Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili gjithashtu tha se ishte i pavetëdijshëm për zbatimin e këtij veprimi, reagoi duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm dhe duke bërë përpjekje për ta shkarkuar kreun e Agjencisë Kosovare për Intelegjencë. Kjo lëvizje e fundit po bllokohet aktualisht nga Thaçi, ndonëse drejtori i Intelegjencës ka dhënë dorëheqje.

Ilir Deda, i cili tani është deputet i partisë opozitare Alternativa, mendon se reagimi i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan,  i cili e lavdëroi presidentin e Kosovës për qëndrimin e tij, është i rëndësishëm dhe shpjegon atë se kush ishte prapa këtij veprimi. “Z. Thaçi disponon kontrollë në një pjesë të policisë së Kosovës, në një pjesë të agjensionit Kosovar te Intelegjencës, një pjesë forcave speciale të policisë. Ekziston një segment i sigurisë shtetërore që nuk i përgjigjet institucioneve por i përgjigjet direkt presidentit, që ështe thellësisht jo kushtetuese dhe e tregon rrezikshmërinë e qëndrimit të Thaçit në pozitën e presidentit”, thotë ai.

Në retrospektivë, deputetja e kahmotshme e LDK-së, Besa Gaxherri, është penduar në lidhje me rolin e partisë së saj gjatë zgjedhjes së Thaçit si president dhe thotë se ata tani po mundohen të gjejnë një mënyrë për ta shkarkuar atë. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Edhe Gaxherri e LDK-së është e bindur se presidenti ishte disi i përfshirë. “Ne të gjithë e dimë… se Thaçi ishte prapa kësaj ngjarjeje. Problemi është se gjarpri nuk ka këmbë, dhe kështu nuk ka lënë gjurmë”, thotë Gaxherri, duke iu referuar nofkës së presidentit në kohë të luftës.

Gaxherri mendon se dyshimet në lidhje me deportimet janë gozhdat e fundit në arkivolin politik të Thaçit. Ajo thotë se po të mund ta kthente kohën, do të bënte më shumë përpjekje për ta parandaluar marrëveshjen e koalicionit të vitit 2014, e cila i mundësoi ati të bëhet president. “Më vjen shumë keq që ne [LDK] kemi qenë pjesë dhe që ja kemi dhënë mundësinë që Thaçi me qenë president e me e dëmtu kaq shumë vendin”, thotë ajo, para se të theksojë se pozita e LDK-së tani ka ndryshuar qartë. “Në këtë aspekt jemi duke punuar me gjet hapsirë ligjore ta shkarkojmë”.

Izmaku, e cila është pjesë e Komisionit të Kuvendit i cili mbikëqyr Agjencinë e Kosovës për Intelegjencë, nuk është befasuar nga akuzat kundër Thaçit, dhe thekson se nuk kanë dalur dëshmi se ai ishte përfshirë në deportimin e qytetarëve turq. “Nuk dua të komentoj në gjërat që janë hipoteza, por si deputete ende nuk jam e informuar për detajet e aksionit të deportimit”, thotë ajo.

Ndërkombëtarisht i padëshiruar?

Lëvizja e Thaçit drejt të parit të shtetit në vitin 2016 mund të jetë dukur si lëvizje e natyrshme për një burrë i cili ka qenë i përfshirë në qendër të politikës së Kosovës prej kohës së luftës, veçanërisht për shkak se ai shpeshherë shihet si person i cili gëzon marrëdhënie të afërta me komunitetin ndërkombëtar, i cili ka qenë shumë i përfshirë në procesin e ndërtimit të shtetit. Megjithatë, si gjithmonë kur është fjala për Thaçin, asgjë nuk duket aq e thjeshtë.

Deda mendon se Thaçi ka qenë “inekzistent” në marrëdhëniet ndërkombëtare  në dy vitet e fundit dhe ka dështuar ta zhvillojë një profil në skenën ndërkombëtare. “Thaçi nuk ekziston jashtë Kosovës”, thotë ai. “ Ekzistion Thaçi në Bruksel dhe Thaçi në takime multilaterale sepse të gjitha shtetet e Ballkanit apo 6-shja e Ballkanit perëndimor është aty.”.

Deputeti i Nismës, Haxhi Shala, thotë se prania ndërkombëtare e Thaçit ka qenë e kufizuar prej kur është bërë president, duke aluduar se imazhi i tij është nxirë nga akuzat të cilat po e lidhin me krime të luftës. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Shala pajtohet me të, duke argumentuar se paraardhësja e Thaçit, Atifete Jahjaga, la përshtypje më të mirë në skenën ndërkombëtare, pavarësisht faktit se nuk kishte përvojë politike para se ta merrte përsipër këtë rol. Ndonëse u kritikua për faktin se nuk luajti një rol më të fuqishëm për t’i zgjidhur konfliktet e brendshme politike, Jahjaga fitoi respekt në nivelin ndërkombëtar, veçanërisht për faktin se ngriti zërin për çështje që lidhen me viktimat e luftës, personat e humbur dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Para Thaçit kishim Presidenten Jahjaga, e cila si presidente merrte pjesë në shumë konferenca”, thotë Shala. “Përfaqësimi i saj u vlerësua shumë për çështjet të cilat i ngriti”.

Deda dhe Shala mendojnë se Thaçi nuk ka lënë përshtypje të mirë në skenën ndërkombëtare për shkak se emri i tij është përfshirë si element kyç i raportit të ‘Dick Marty-t’ për Këshillin e Evropës në vitin 2011, në të cilin u shprehën akuza për krime rënda të luftës dhe kundër njerëzimit. “Ai është një person i cili është dëmtuar në sytë e ndërkombëtarëve”, thotë Shala. “Ndoshta raporti i Dick Marty-t e nxiu imazhin e Thaçit dhe për këtë arsye ai është përballur me vështirësi për të qenë i pranishëm në arenën ndërkombëtare”.

Megjithatë, Thaçi nuk ka qëndruar krejtësisht i heshtur sa i përket përpjekjeve të tij për ta ndryshuar imazhin para ndërkombëtarëve. Vitin e kaluar ai lajmëroi se do ta formonte një Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin, për të ndihmuar me zbulimin e të vërtetës për të kaluarën e Kosovës në kohën e luftës. Edhe pse u lajmërua si projekt madhor, presidenti ka bërë shumë pak hapa në këtë drejtim prej asaj kohe.

“Nuk mendoj se do ta kryen mandatin..."

Ilir Deda, Alternativa

Në përpjekje për ta përmirësuar reputacionin e tij personal, Thaçi është endur nëpër Londër, Paris dhe Nju Jork në javët e fundit, duke promovuar biografinë e tij, e cila u shkrua nga dy gazetarë britanezë, Roger Boyes dhe Suzy Jagger, e titulluar “Shtet i Ri, Burrështetas Modern – Hashim Thaçi, Biografi”. Në një recension për librin (i cili ende nuk është në shitje në Kosovë) të publikuar në Koha Ditore, opinionisti Agron Demi zbulon se autorët përdorin “gjuhë akrobatike” për ta krahasuar jetën politike të Thaçit me jetët e disa prej figurave më me ndikim të shekullit 20, përfshirë këtu Winston Churchill, Charle De Gaulle, Nelson Mandela dhe Richard Nixon.

Është e qartë se Thaçi e sheh vetën si të njëllojtë. Ai për një kohë të gjatë ka qenë figurë udhëheqëse në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili nisi në vitin 2011 kur ai ishte kryeministër. Dy vite më vonë, ai ishte ende kryeministër kur u nënshkrua marrëveshja e ashtuquajtur “historike” ndërmjet dy shteteve në vitin 2013.

Për një kohë të gjatë po flitet se “faza e ardhshme e dialogut” do të kalojë në nivel presidencial. Sigurisht se në një situatë të tillë Thaçi do të kryesonte përsëri. Ai është treguar i gatshëm për ta ndërmarrë këtë rol. “Nuk është fshehtësi se atij i pëlqejnë bisedimet me Serbinë dhe se ka qef me qenë protagonist”, thotë Shala. “Ai vet i ka filluar edhe vet ka dëshirë me i përfundu”.

Megjithatë, Deda është skeptik për atë se a do të arrijë Thaçi ta mbyll dialogun, duke aluduar se polemikat në lidhje me deportimet e gjashtë qytetarëve turq do ta rrëzojnë atë. “Nuk mendoj se do ta kryen mandatin pas shkeljes flagrante të kushtetutës së Kosovës, ku z. Thaçi nuk e ka fsheh se ka pas gisht në uzurpimin e institucioneve të sigurisë — dhe kryetari i Turqisë e pranon këtë”, thotë ai.

Dy vitet e para të Thaçit si president i Kosovës kanë krijuar polemika, polarizim dhe pakënaqësi të dukshme në spektrin politik të vendit. Por një gjë është e qartë – Thaçi ka kaluar dy dekada duke konsoliduar kontrollin e tij mbi pushtetin dhe nuk ka për qëllim të dorëzohet lehtë.K

K2.0 kontaktoi Zyrën e Presidentit për të marrë reagime për të gjitha pretendimet në lidhje me të në këtë artikull, por nuk morrëm përgjigje.

Redaktuar nga Jack Butcher dhe Besa Luci.