Në thelb | Sporti

Hija e një kampioni

Nga - 15.01.2024

Baba e bir me vullnet të hekurt.

Shaban Ramadani, 57-vjeçar, e ka shndërruar oborrin prapa shtëpisë në poligon për djalin e tij, Muhametin. Meti 21-vjeçar, sot mban mbi supe titullin e kampionit evropian të hedhjes së gjyles. Në atë poligon, prej ku shihen shtëpitë e fqinjve, nis e përfundon dita e të dyve.

Para tetë vitesh, kur ishte 13 vjeç, Meti kishte probleme shëndetësore për shkak të mbipeshës — ai peshonte 90 kilogramë. Shabani, ish-hendbollist, kishte vendosur që ta angazhonte Metin në sport. Teksa ruajtja e shëndetit të të birit ishte synimi kryesor, Shabani nuk e kishte e menduar se kjo do të ishte pikënisja e një udhëtimi që do ta gdhendte emrin e Metit dhe të Kosovës në listën e kampionëve të Evropës në hedhjen e gjyles. 

Së pari nisën me basketboll, por nuk u eci. Teksa po ktheheshin dëshprimisht nga ndërprerja e angazhimit në basketboll, ndodhi diçka tjetër. 

Rrugës u ndalën te stadiumi olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku stërvitnin atletët e qytetit. 

“Ju thashë merrne e lene vetëm me vrapu që me u dobësu. Por, thanë ‘hajt ta provojmë gjylen’. U pa që e ka njifarë talenti”, kujton Shabani. Prej aty, gjërat filluan të ecnin për ta natyrshëm ashtu sikur rrjedh lumi Ibër pranë shtëpisë së tyre në Mitrovicë.

Pranë babait, Meti tregon se nuk kishte pasur ndonjë simpati për këtë sport fillimisht.

“Nuk e kam dashtë hiç gjylen. More kurrë hiç nuk e kam mendu këtë sport. Veç babi që më shtyjke përpara, se nuk më pëlqejke”, thotë Meti, që sot e identifikon veten me këtë sport, teksa lidh me shtrënguese kyçin e dorës së djathtë dhe bëhet gati për ta nisur stërvitjen e atij mëngjesi në poligonin e hedhjes. Aty kalon shumicën e ditës. Dikur poligon i improvizuar, sot atë e mbështjellë një kabinë që e mbron Metin nga dielli e nga era e ftohtë.  

Në program të stërvitjes, të kuruar kryekëput nga babai i vet, i cili sot është edhe trajneri i tij i vetëm, për atë ditë ka hedhjen me rotacion e gjysëm-rotacion.

Pasi lidh kyçin mirë, kap gjylen në dorë, e end pak nga njëra dorë në tjetrën dhe merr pozicion në diametrin e rrethit të hedhjes. Vendos gjylen në mes qafës dhe supit, teksa krahu merr këndin e drejtë. Brenda pak më shumë se dy metrave të rrethit, këmbët njëra pas tjetrës rrotullohen shpejt sipas teknikës së rotacionit duke lënë pas një zhurmë në kontakt me betonin përfundi këmbëve të Metit. Zhurma ndalon. Gjylja shkëputet nga qafa dhe bashkë me të edhe një zë nga Meti. 

Dielli që kishte zënë vend në qiell prehet nga gjylja për disa sekonda. Teksa gjylja humb nga shikimi, Meti e Shabani presin të shohin se sa larg përfundoi. Diku 20 metra më tutje rëra ngrihet lart prej fuqisë së gjyles. Meti e shikon dhe s’nxjerr zë, sikur i thotë vetes “mundesh më shumë”.

“Mirë është. Hajde apet”, i thotë babai i tij. Prej tetë vjetësh, ai është sikur hija e tij.

“Ndoshta të tjerët e kanë më lehtë sepse Meti mua më ka afër non-stop. Nuk i ndahem në asnjë moment, asgjë nuk na ikë”, thotë ai, që për tetë vite vetëm, ka munguar në stërvitje vetëm shtatë herë, edhe atë për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjike.

Prej tetë vjetësh, Shabani është sikur hija e Metit. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Dita e tyre nis në ora 6:00 me vrapin e mëngjesit, sprintet dhe zgjatjet. Kur kthehet në shtëpi e pret një pija që babai ia përgatit me pemë, arrore, perime e proteina. Më pas Meti bën një sy gjumë, derisa Shabani vazhdon punën në ujësjelllës, që ndodhet jo larg shtëpisë. Sesioni i dytë i stërvitjeve nis në ora 14:00 deri në 16:00 kur punohet vetëm me teknikë të hedhjes së gjyles, teksa në mbrëmje nga ora 18:00 marrin rrugën për palestër deri në orën 22:00. Vetëm të dielën e kanë të lirë.

Meti, që sot studion edukatë dhe kulturë fizike në një universitet privat në Prishtinë, që i ka dhënë bursë studimi, s’bëzan teksa, me hapa të ngadaltë, e merr gjylen dhe nis prej fillimi. 

Gjylja fluturon disa herë. Me të duket që u fluturojnë edhe mendimet, por edhe mundimet që kanë përjetuar babë e bir në shtëpinë një-katëshe kapur me poligonin.

Gdhendja e një kampioni

Të gjendur përballë një infrastrukture të dobët që nuk kultivon këtë disiplinë të atletikës, mbretëreshës së sporteve, Shabanit iu desh t’i merrte frerët e gjithçkaje në dorë. Me dëshirën për të parë të birin kampion dhe me një temperament të rreptë, ai mori përsipër gdhendjen e një kampioni nga zero.

Ai e kishtë vënë re potencialin e Metit që ditën e parë që kishte provuar hedhjen e gjyles, por e dinte që në atë potencial duhet punuar.

“Ditën e dytë, si i ka bo 14 vjet e kam çu direkt në fitnes. Kemi punu qaq shumë, sa kuajt”, kujton Shabani, që e pranon se kërkonte aq shumë punë e disiplinë sa ndodhte që Meti të qante nga lodhja. 

Por, pas një viti stërvitjesh të përditshme, niveli i përgatitjes së Metit ndryshoi.

“Ma herët e gjujsha 13-14 metra. Kur kemi dalë prej fitnesi, boom në 18 a ma shumë metra”, kujton Meti, të cilit më pas do t’i afroheshin të gjithë për ta marrë si atlet nën klub të tyrin.

Kushtet që i kishte vendosur trajneri, babai i tij, ishin të prera. Stërvitje tri herë në ditë e regjim ushqimi. 

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Stërvitjet vazhdonin me video që i gjenin në internet. Babë e bir lexonin gjithçka që dilte kur kërkonin “shot put” (hedhja e gjyles) në internet dhe e aplikonin në oborrin prapa shtëpisë. Teksa Meti korri rezultate të larta në gara vendore, ato shpejt e çuan në ato ndërkombëtare.

Në garën e parë ndërkombëtare në Turqi, Metin 15-vjeçar, nuk e përcolli babai, ku në kampionatin U-18 (nën 18-vjeç) mori vendin e pestë. As në garën e dytë ndërkombëtare nuk e kishte babain me vete, por porosinë e tij po. 

“Mos m’u kthe pa medalje”, i kishte thënë Shabani, teksa delegacioni kosovar nuk kishin besuar se nga Baku i Azerbexhanit, Meti do të kthehej fitues. Gjylja fluturoi 19.75 metra dhe ai e solli medaljen e artë në Kosovë.

Kjo medalje e artë bëri që Shabani të vendoste që asnjëherë të mos mungojë krahas të birit në gara.

“U thashë herën tjetër ose shkoj unë si trajner, ose djalin kam me çu me garu për shtet tjetër”, tregoi ai, duke shtuar se temperamenti i tij nuk pret shumë për përgjigje.

Gara tjetër për Metin do të ishte përsëri në Turqi në vitin 2019, kur u mbajt Kampionati Ballkanik U-18. Meti tash me vete kishte krahun e tij të fortë, babain, i cili tregon se si u  kaplua nga emocionet në tribunën e trajnerëve kur Meti parakaloi në stadium.

“Kur e pashë që e kapi flamurin e Kosovës edhe ecke nëpër stadium, fort u emocionova. Qaty në tribuna ia nisa me kajtë”, kujton Shabani. Njëjtë kishte ndodhur edhe në garën e dytë, në të cilën e shoqëroi të birin. Por në të tretën, “kqyrsha veç rezultat, sepse ego e njeriut është e poshtër, këqyr veç përpjetë”, thotë Shabani.

Duke qenë i ri nga Kosova, i dalë në skenë të medaljeve, bënte që pjesëmarrësit nga shtetet tjera t’i afroheshin Metit, ta këshillonin e t’i flisnin. Por sot, kur ai është një nga konkurrentët kryesorë, Shabani thotë se tash kanë respekt, por pak fjalë.

“Kjo edhe po më kënaq. Dyqysh po na këqyrin si konkurrent edhe po knaqem krejt. S’po du mo kurrgjo tjetër”, thotë ai duke qeshur.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Shabani kthehet prapa në vitin 2021 teksa kujton një ndodhi që ilustron veç një nga herët e vazhdueshme kur ai ishte gati t’i dalë krah Metit. 

Po mbahej gara në Kampionatin Evropian U-20 në Estoni, në vitin 2021. Sipas rregullave, nëse në provën e parë gjylja hidhet mbi 19.30 metra, atëherë hedhësi kualifikohet menjëherë për në finale. Meti e kishte hedhur 19.80 metra dhe kështu ishte kualifikuar.

“Nisi xhiro e dytë me e hedh. Po e shoh që Metin s’po e lëjnë me gjujtë gjylen. E t’i kapërcej rrethojat e të marr hez me u sqaru me ata pse s’po e lëjnë”, tregon Shabani. “Kur Meti ma boni me shenjë që kthehu se jam kualifiku”. 

Aty Meti u shpall kampion i Evropës për U-20 duke rrëmbyer një medalje që Kosova nuk e ka pasur kurrë në këtë disiplinë me rezultat 19.92 metra.

“Ka qenë shumë ndjenjë e mirë, shumë. Sepse të shpërblehet gjithë ajo punë që na e bëjmë pa na parë askush dhe kurrë pa e anashkalu stërvitjen”, thotë Meti.

Por kampionatin që sot e kujtojnë me të qeshura, për pak sa nuk e humbi Meti.

Dy javë më herët po mbahej Kampionati Ballkanik U-20 në Stamboll të Turqisë. Meti ishte favorit për medalje dhe një ditë më herët hyri në prova.

“E kam marrë gjylën, kur e kam bo rrotullimin, i kam dhënë gjyles… m’u duk se u thye këmba se kërciti dhe rash në tokë”, tregon Meti. Shabani kishte hyrë menjëherë në stadium duke e tërhequr zvarrë deri te mjekët. Njëri i kishte thënë që e kishte zgjatur ligamentin, tjetri i thoshte se e ka këputur. Ata mjekë nuk ishin të Metit meqë atë e shoqëronte në gara vetëm babai, përkundër se rivalët e tij kishin deri në katër persona në ekip.

“Pas dy jave ishte Kampionati Evropian. Ajo ka ndodhë diku 3 pasdite. Unë deri nesër asi vakti nuk kam flejt, tu i mbajt akull te gjuri, kam qajt te gjuri i tij”, tregon Shabani. “Le që ia humba garën këtu, por ia humba edhe në Evropian”. Pas 24 orësh, Meti megjithatë e rimori veten. 

“Tu çalu ka hypë në autobus për me shku në garë. Në ora 6 e ka pasë garën. Ka nis me u nxe, thash nisja kapak. Gjuje thash prej vendit se s’kemi çka me bo”, tregon Shabani. “Hini me rotacion, i thashë ‘mos bre’. Tha ‘po e provoj’. Thashë ‘provoje’, shkoi mirë edhe e murr vendin e parë”.

Synimi kryesor — medalja olimpike e 21 metërshi

Megjithëse këto suksese po i vendosin të parët, ata nuk janë të kënaqur me rezultatet e tanishme. Teksa i shtohen medaljet, Metit po i shtohen edhe vitet. E ndërrimi i gjeneratës e ndërron edhe kategorinë në të cilën garon bashkë me peshën e gjyles. Kjo kërkon më shumë punë për dyshen që duken si viganë krah njëri-tjetrit.

Garat në të cilat Meti merr pjesë nuk janë të shumta në numër. Duke iu falenderuar këshillave të Driton Kukës, trajnerit të artë olimpik në xhudo, Meti dhe Shabani bëjnë përzgjedhje të garave ku mund të arrijnë rezultat dhe ku mund të marrin përvojë. Por, ata asnjëherë nuk e kanë lënë anash kampionatin vendor të Kosovës.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Tash Meti ka shtatë-tetë konkurrentë në nivel të njëjtë. Në Kupën Evropiane për Hedhje që mbahej në Portugali në mars të vitit 2023, kishte një konkurrencë të rreptë dhe mori vendin e parë, kur hodhi gjylen 19.28 metra.

E teksa përditë ndajnë mundimet me njëri-tjetrin, ndjenja të ndryshme i përcjellin nëpër gara, njërin në stadium e tjetrin në tribunë të trajnerëve.

“Deri sa të fillon gara e kam njifarë stresi”, tregon Meti. “Veç në momentin që nis gara, a beson krejt më hiqet stresi edhe veç e kqyri rezultatin. Hiç nuk ma nin si të nis gara”. 

Shabanit i ndodh e kundërta. “Kur ky është i qetë, mua këndej më ndalet fryma. Kur e kqyri ky rrafsh krejt, nuk ia nin hiç”, thotë ai duke shtuar se ndoshta presioni i madh në stërvitje ndër vite e ka bërë kështu.

Synimi i tyre sot është i qartë.

“Me u fut në top 10-she në Olimpiadën e Parisit [në vitin 2024], teksa me marrë medalje në Olimpiadën e Los Angeles më 2028”, thotë Meti.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

E synimi i Shabanit fillimisht nis brenda oborrit të tij. Qëllimi i tij është që të arrijnë ta hedhin gjylen në 21 metra dhe është i bindur që do ta arrijë, ani pse më ngadalë se sa Meti do ta arrinte me një trajner profesional.

“Unë e di që me një trajner profesionist, Meti e kish mbrri për gjashtë muaj. Por, askush [federata apo institucionet] nuk e paguan trajnerin ndërkombëtar. Me mua e arrin, veç na zgjatë pak më shumë”, thotë ai. Megjithatë, ai thotë se nuk ngul këmbë që të jetë i vetmi trajner i përfshirë në stërvitjen e Metit — ka vend edhe për trajner profesional. 

Shabani ia hedh dorën në krah Metit teksa ecin bashkë dhe e shikon me admirim, se si djali i tij, të cilit dikur as që i kishte pëlqyer hedhja e gjylës, sot ngrit në piedestal emrin e vet dhe të vendlindjes së tij. Por, shumëçka ka kaluar deri në këtë pikë. 

Ashtu njëjtë ia kishte hedhur dorën edhe kur ai ishte vetëm 16-vjeç dhe e kishte pyetur “Babë, a kemi pare boll me vazhdu punën?”. Pa i lëvizur syri, Shabani ishte përgjigjur pozitivisht anipse i kishin mbetur veç edhe 2,000 nga 26,000 eurot që i kishte fituar nga shitja e 10 ari tokë për të.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0