Tranzicioni i gjatë politik e social në Kosovë ka ndikuar që demokratizimi i institucioneve shtetërore të jetë i ngadalshëm dhe i vështirë.
Shteti i Kosovës njihet si një vend të cilit nuk i mungojnë ligjet, por zbatimi i tyre vazhdon të jetë i mangët dhe i pjesshëm, e kjo ndodh kryesisht sepse ka një vakum në mënyrën se si ato interpretohen dhe vlerësohen nga institucionet kosovare.
Shumë raporte vendase dhe ndërkombëtare dëshmojnë që qytetarët përballen me shkelje sistematike të të drejtave themelore civile.
E institucioni i cili ka për detyrë të mbrojë, mbikqyrë dhe promovojë të drejtat e garantuara me kushtetutë dhe me akte ndërkombëtare, është institucioni i Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit Hilmi Jashari është zgjedhur në krye të këtij institucioni në vitin 2015 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me mandat 5 vjeçar.
Në vitin 2018, ky institucion u zgjedh nga qytetarët e Kosovës si më i besueshmi krahas institucioneve tjera të vendit.
Jashari ka folur me Kosovo 2.0 për sfidat e qytetarëve përballë institucioneve dhe për mungesën e mekanizmave ndëshkues ndërmjet të cilave do të mund të parandaloheshin shkeljet ligjore dhe të viheshin para drejtësisë përgjegjësit.
K2.0: Institucioni që ju përfaqësoni në mandatin e saj ka mbikqyrjen, identifikimin dhe adresimin e problemeve që shfaqen në punën e tri pushteteve kryesore në Kosovë, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori. Cili pushtet konsiderohet si shkelësi më i madh i të drejtave të njeriut, ose thënë ndryshe, ndaj cilit institucion keni pranuar më shumë ankesa për abuzim me ligjin?
Hilmi Jashari: Nëse merret si indikator numri i ankesave që janë paraqitur pranë institucionit të Avokatit të Popullit, atëherë definitivisht dominon sistemi gjyqësor, i cili përcillet shumë afër nga sistemi ekzekutiv ose qeveria. Dhe këto të dyja dominojnë me numrin e ankesave.
Ndërsa sa i përket natyrës së çështjeve, mendoj se dominojnë zakonisht problemet e natyrës ekonomike dhe sociale që afektojnë qytetarët e vendit ose eventualisht çështjet që kanë të bëjnë me skemat pensionale. Siç e dini deri më tani janë diku 23 skema të ndryshme sociale, duke filluar nga pensionet e deri te përfitimet e ligjeve për grupe të caktuara të individëve; qofshin veteranë apo persona me aftësi të kufizuara, të cilat mbulojnë komplet spektrin e kësaj kategorie që ne e quajmë ekonomike dhe sociale.
Foto: Altin Gashi / K2.0.
Kosova, sipas mendimit tim, përballet me probleme të natyrës sistematike. Kështu që ndonjëherë ankesat individuale nuk i pasqyrojnë shumë mirë problemet qe i kemi në sistem, të cilat realisht janë burim i problemeve individuale qe kanë qytetarët. Në këtë situatë do ta përmendja sistemin legjislativ që e konsideroj si fushë me shumë probleme.
Një problem është numri i konsiderueshëm i ligjeve që miratohen në Kuvendin e Kosovës me plotësim-ndryshime të një viti paraprak, e që futen dhe dominojnë në agjendën legjislative të vitit pasues. Zakonisht, mbi 50 përqind e ligjeve që miratohen në Kuvend brenda një viti janë ligje me plotësim-ndryshime.
Për një sistem juridik të qëndrueshem dhe cilësor kjo është e dëmshme sepse, e para, një numër kaq i madh i plotësim-ndryshimeve të ligjeve ndikon shumë keq në sigurinë juridike, që është parim bazë i një sistemi të mirëfilltë juridik.
E dyta, krijon hapësirë të madhe diskrecionale për vendimmarrje prej autoriteteve gjyqësore dhe ekzekutive, sepse në këtë vakum dhe pasiguri juridike ata e ushtrojnë të drejtën diskrecionale që afekton individin. Dhe e treta, është indikator që nuk kemi cilësi të mirë të ligjeve për vetë faktin se 50 përqind e ligjeve nisen me plotësim-ndryshime për vitin pasues.
Në raportin e vitit 2018, ju keni theksuar se sistemi gjyqësor vazhdon të ballafaqohet me numër të madh të lëndëve gjyqësore, por edhe me zvarritje të mëdha të procedurave gjyqësore e krejt në fund, me vendime gjyqësore që nuk po ekzekutohen. Cilat kanë qenë rekomandimet e institucionit tuaj lidhur me këto çështje dhe sa janë adresuar ato nga institucionet përgjegjëse?
Qasja e parë ka qenë të argumentojmë para opinonit publik dhe autoriteteve vendimmarrëse në vend se sistemi gjyqësor nuk është në pajtueshmëri me kushtetutën, sepse kushtetuta u garanton qytetarëve të vendit gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm kohor. Kjo është dispozitë shumë e fuqishme, e njëjtë me atë të Konventës Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut.
Garancia është edhe më e fuqishme sepse përveç nenit kushtetues, i referohemi edhe Konventës. Bile në Kushtetutë thuhet se në rast se ka kundërshtime ndërmjet ligjeve vendore dhe standardeve ndërkombëtare, mbizotërojnë standardet ndërkombëtare, dhe kjo i jep epërsi Konventës.
Shteti ka për obligim ta kompenzojë qytetarin për këtë zvarritje gjyqësore.
Pastaj është edhe një nen shumë i fuqishëm në Kushtetutën e Kosovës, neni 53, i cili thotë se të gjitha autoritetet publike obligohen t’i zbatojnë praktikat gjyqësore të Gjykatës [Evropiane për të Drejtat e Njeriut] të Strasburgut kur të vendosin për të drejtat e njeriut. Kështu që referenca në standarde ndërkombëtare është e fuqishme për garantimin e gjykimit të drejtë brenda një afati të arsyeshëm kohor.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka kritere dhe praktika gjyqësore që thonë se nëse brenda një periudhe 1 vjeçare nuk arrihet të përfundohet një proces gjyqësor normal, atëherë konsiderohet se është shkelur ky parim dhe nuk kemi të bëjmë vetëm me akt deklarativ me të cilin konstaton se ka pasur shkelje ligjore, por shteti ka për obligim ta kompenzojë qytetarin për këtë zvarritje gjyqësore.
Te ne fatkeqësisht kjo nuk aplikohet, edhe përkundër se praktika gjyqësore ndërkombëtare duhet të zbatohet drejtpërdrejtë. Nëse për 20 vjet nuk kemi arritur të bëjmë asgjë lidhur me këtë, atëherë është momenti që shteti të fillojë të paguajë për zvarritjet. E pastaj shteti i Kosovës mund të edukohet në një formë kur e kupton se një pjesë e madhe e mjeteve financiare po shkojnë në kompenzim. Kështu detyrohet të bëjë ndryshime. Përderisa kjo të mos ndodhë, cikli i mbrojtjes së të drejtave të njeriut nuk do të përfundojë.
Kemi evidentuar 117,000 raste të mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
Lidhur me këtë, i kemi dhënë një propozim Këshillit Gjyqësor të Kosovës që sa më parë ta nxjerrë një ligj procedural i cili parasheh rregullativën e kompenzimit dhe mënyrën e procedurës deri te arritja e kompenzimit të qytetarit kur ka zvarritje të procedurës.
Po ashtu kemi evidentuar raste të shumta të mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Për këtë kemi pasur një hulumtim në nivel nacional nga i cili kemi kuptuar se një numër i madh i rasteve vështirë gjejnë zbatim, përkundër faktit se janë të vendosura nga gjykatat. Sipas hulumtimit tonë, numri i lëndëve të paekzekutuara në nivel vendi është 117,000.
Kjo krijon defekt brenda sistemit — nëse vendimet gjyqësore nuk gjejnë zbatim, shteti e ka minuar gjithë sistemin e drejtësisë sepse ai nuk po ka efekt. Kjo po ashtu shtyen qytetarët drejt mosbesimit ndaj sistemit, pasi krijohet bindja se në hallkat e shtetit ka korrupsion ose ndikim të jashtëm.
Do të doja të ndalemi dhe të flasim për të drejtat e punëtorëve në Kosovë, kushtimisht të sektorit privat. Cilat janë shkeljet më të mëdha me të cilat ballafaqohen sot punëtorët e këtij sektori, a mund të thuhet se mungojnë mekanizmat për të ndëshkuar shkelësit e të drejtave të punëtorëve, duke kujtuar që edhe këtë vit kemi vdekje të punëtorëve në vendin e punës?
Nëse i shikon instrumentet juridike dhe ligjore që zbatohen për sektorin publik, janë në vëllime shumë më të mëdha sesa ato që mbulojnë sektorin privat. Ndërsa për sektorin privat e kemi vetëm një ligj, Ligjin e Punës, i cili tenton ta mbulojë këtë fushë, por ka mangësi mjaft të mëdha. Për më shumë, nëse i shohim mekanizmat e paraparë për mbrojten e të drejtave në sektorin privat, janë të cekëta ose pothuajse inekzistente krahasuar me sektorin publik.
Kanë dështuar edhe nivelet komunale sepse edhe ato kanë autorizime të plota për ta mbikqyrur sektorin privat.
Me sektorin privat merret Inspektoriati i Punës i cili ka një mekanizëm jo aq të fuqishëm pasi ka shumë pak inspektorë. Kur e kemi parasysh që në Kosovë ka një numër të madh të bizneseve të regjistruara, kjo [numri i vogël i inspektorëve] e bën mjaft të vështirë inspektimin dhe evidentimin e të gjitha problemeve dhe shkeljeve ligjore.
Edhe nga vizitat personale në shumë vende të punës kam pasur rastin të kuptoj që një pjesë e madhe e punëtorve punojnë pa kontrata punë, pa pushime, pa pagesë për orët shtesë, e kur i pyet nëse ndonjëherë kanë pasur vizita nga inspektorët, thonë jo. Kjo e vështirëson edhe më shumë situatën, pasi që edhe kur ka ndonje ankesë eventuale, këta persona i nënshtrohen një viktimizimi banal dhe brutal prej punëdhënsëve.
Mungesa e mekanizmave për mbikqyrje është evidente. Inspektoriati i Punës është institucion qendror, mirëpo unë mendoj që kanë dështuar edhe nivelet komunale sepse edhe ato kanë autorizime të plota për ta mbikqyrur sektorin privat dhe janë të thirrura për atë punë. [Inspektoratet komunale] kanë të drejtë që në kuadër të komunës së vet të angazhojnë inspektorë që të shikojnë të drejtat e punëtorve në sektorin privat dhe të sigurohen se atyre nuk po u shkelen të drejtat.
Në fillim të këtij viti Projekt-Kodi Civil, i draftuar nga Ministria e Drejtësisë u kritikua nga shoqëria civile se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ngase në të nuk lejohet martesa ndërmjet gjinisë së njëjtë. Një reagim të tillë e keni bërë edhe ju. Si e keni parë të gjithë këtë proces?
Tek Kodi Civil ne kemi pasur shqetësime sepse kemi konsideruar se jemi në një nivel të përshtatshëm që me Kodin Civil kjo çështje të rregullohet në vete, dhe kemi kundërshtuar fuqishëm tendencën e disave që kanë synuar ta anashkalojnë këtë pikë duke dhënë sugjerime që kjo çështje të rregullohet me ligj të veçantë.
Kodi civil do të duhej t’i jepte përgjigje meritore kësaj pune një herë e mirë, dhe ne nuk kemi asnjë dilemë sa u përket standardeve ndërkombëtare, Kushtetutës së vendit dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane të Strasburgut. Prandaj mendoj që Kosova do të mund të bënte progres në këtë kuadër, e jo të paraqesë pengesë dhe shkelje të këtij standardi duke e kthyer situatën mbrapa.
Kur bëhen përjashtime sikur në këtë rast, zakonisht legjislativi apo autoriteti që nxjerr ligje duhet të ketë një arsyetim shumë të fuqishëm që pengon realizimin e një interesi. Përndyshe veprohet sipas tekeve, gjë që nuk lejohet në përpilim të ligjeve, kodeve apo ngjashëm. Sidoqoftë, përkundër që e shtruam pytjen, nuk morëm përgjigje, la të kuptohet se ky është thjesht një qëndrim arbitrar i një grupi të njerzëve që kanë dashur ta anashkalojnë këtë çështje.
Foto: Altin Gashi / K2.0.
Ju keni bërë padi ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mospërfaqësimin e barabartë të grave në lista zgjedhore, e cila është hedhur poshtë. Cili është vlerësimi juaj, a është kjo dëshmi se Ligji për Barazi Gjinore nuk po gjen zbatim as në institucione por nuk po respektohet as nga partitë politike?
Ligji për barazi gjinore i vitit 2015 përcakton shumë qartë kuotën e përfaqësimit të grave në zgjedhje, në institucionet legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive. Deputetët e Kuvendit do të duhej të ishin të parët që luftojnë për zbatimin e këtij ligji, e jo të njëjtit ta pengojnë duke gjetur arsyetime që nuk ia vlen t’i diskutojmë, sepse është ligji i fundit, ligji më i fuqishëm, ligj special që i referohet barazisë gjinore. Nuk ke si ta realizosh ndryshe masën afirmative pa e bërë këtë veprim.
Certifkimi i listave zgjedhore nga KQZ nuk ka qenë në pajtueshmëri me Ligjin për barazi gjinore, kështu që kërkuam masën e përkohshme nga gjykata, e cila pas dy ditësh e refuzoi kërkesën tonë. Mirëpo unë besoj që arsyet tona kanë qenë të fuqishme, por neve na ka befasuar qëndrimi i gjykatës lidhur me këtë lëndë.
Kemi dashur ta sfidojmë sistemin sepse mendoj se ka qenë koha e duhur për ta krijuar një standard.
Argumenti i parë që Gjykata ka përdorur në refuzim është se Avokati i Popullit ka dështuar të paraqesë dëshmi, mirëpo është harruar fakti që tek Ligji për mbrojtje nga diskriminimi barra e provës i bie palës së paditur, e jo palës paditëse.
Argumenti i dytë është se Avokati i Popullit ka dështuar të paraqesë emrat e individëve/subjekteve që janë diskriminuar duke mos u përfshirë në lista zgjedhore. Kjo i bie që ne do të duhej të dërgonim emrat e të gjitha grave në Kosovë që janë mbi moshën 18 vjeçare me të drejtë të zgjedhjes, dhe në mënyrë hipotetike të supozonim që të gjitha prej tyre potencialisht kanë mundur të jenë kandidate.
Kemi dashur ta sfidojmë sistemin sepse mendoj se ka qenë koha e duhur për ta krijuar një standard dhe për ta bërë një hap më tutje drejt progresit, në pajtueshmeri të plotë me nenin 7 të Kushtetutës që garanton dhe siguron barazi të plotë në fushat politike, ekonomike, sociale e kulturore për dy gjinitë.
Sidoqoftë, tek ne është paksa problematike se Kushtetuta shihet më shumë si dokument abstrakt juridik se sa si mjet me të cilin tentojmë ta ndërtojmë të ardhmen e qytetarëve të këtij vendi.
Në shtator, KMDLNj ka publikuar një analizë lidhur me vdekjet dhe vetëvrasjet në burgjet e Kosovës, në të cilën thuhet se për 20 vite brenda burgjeve kanë vdekur 67 persona. Pasi që në kuadër të institucionit të Avokatit të Popullit vepron dhe Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKTP), cilat janë gjetjet nga vizitat në qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimeve, dhe sa ankesa keni pranuar nga të burgosurit?
Shumica e ankesave kanë qenë lidhur me kushtet e përgjithshme në burgje. MKTP është mekanizëm i cili bën vizita të rregullta në qendrat e stacioneve të policisë, qendrat e paraburgimit, forenzikës etj, dhe gjatë vizitave të rregullta ne kemi një protokoll me të cilin përcaktohet se çka kontrollojmë dhe çka na intereson të shohim. Krahasuar me këtë protokoll dhe standardet që i kanë këta mekanizma, jemi definitivsht ndër më të mirët në Ballkan.
Kur mjekët ose psikiatrit kanë indikacione se një person ka çrregullime të shëndetit mendor ose gjendje shpirtërore jostabile e cila mund të çojë deri te vetëvrasje, atëherë personi duhet të mbikqyret çdo 15 minuta.
Nëse u referohemi kushteve të përgjithshme, Kosova dallon dukshëm me shtetet e Ballkanit sa i përket kualitetit të ushqimit në burgje, kohës së lirë, kohës së rekreacionit. Ndërsa sa u përket vdekjeve në burgje, një pjesë e madhe e tyre janë ende nën hetime dhe pritet të vërtetohet se cilat kanë qenë rrethanat e këtyre vdekjeve. Ndërsa një pjesë tjetër kanë qenë vdekje të natyrshme për shkak të moshës.
Një problem tjetër ka qenë me rastet që janë në fazën terminale, pra para vdekjes, për shkak të sëmundjes apo gjendjes së përgjithshme shëndetësore të personit. Ka qenë në pyetje se a është e nevojshme që këta persona të dërgohen në shtëpi për shkak të mëshirës dhe humanitetit, apo do të duhej që burgjet të ofrojnë kushte më të mira të trajtimit mjekësor deri në momentin e fundit të jetës
Ndërsa ka edhe raste të tentimit për vetëvrasje; për këtë po ashtu e kemi një standard që Komiteti kundër Torturës i Këshillit të Evropës e ka vendosur si rregull. Kur mjekët ose psikiatrit kanë indikacione se një person ka çrregullime të shëndetit mendor ose gjendje shpirtërore jostabile e cila mund të çojë deri te vetëvrasje, atëherë duhet aplikuar protokollin që personi të mbikqyret çdo 15 minuta për t’i eliminuar rastet e tilla.
Në fillim të vitit, Human Rights Watch ndërmjet një raporti ka vlerësuar se dhuna në familje, konkretisht dhuna ndaj grave vazhdon të jetë e përhapur, dhe që institucionet përgjegjëse nuk po punojnë sa duhet në zgjidhjen e këtyre rasteve. Vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti janë raportuar më shumë se 1,500 raste të dhunës në Policinë e Kosovës. Cilat janë hallkat më të dobëta brenda institucioneve që po e mundësojnë vazhdimin e dhunës?
Pjesa më e madhe e dështimeve kanë pasur të bëjnë me afatin e intervenimeve të sistemit gjyqësor — sikur të kishin intervenuar me kohë, shumica e këtyre rasteve nuk do të ndodhnin.
Në vitin 2015 Kosova e ka nxjerrë një ligj që ka qenë një hap para në këtë drejtim. Kemi shpresuar se do ta sjellë efektin e dëshiruar sepse me atë ligj synohet mbikqyrja elektronike e personave që kanë ushtruar dhunë, është menduar që me urdhër gjykate të vendosen masa mbrojtëse në formë të GPS (Sistemi Global i Pozicionimit) në trup të personave, dhe që po ashtu viktima ta ketë një pajisje të tillë që evidenton vendndodhjen.
Kështu, në rast se personi që ka ushtruar dhunë tenton t’i afrohet viktimës, policia njoftohet ndërmjet një platforme elektronike, dhe mund të reagojë brenda 15 minutave për ta eliminumar mundësinë e kërcënimeve dhe rrezikimit të jetës.
Nga rastet qe kemi mundur t’i shohim, fjalosjet apo grindjet kanë vazhduar për një orë deri sa ka ndodhur më e keqja. Rastin e fundit e kemi pasur në Gjakovë, konsiderohet se përafërsisht një orë ka vazhduar grindja mes çiftit deri kur ka ndodhur vrasja. Sikur ky sistem apo ky ligj të vendosej në funksion, sigurisht se do ta kishte parandaluar krejt këtë situatë.
Pesonat me aftësi të veçanta janë ndër më të përjashtuarit dhe të diskriminuarit në vend. Shumë raporte nga organizata vendase dhe të huaja vënë në pah se Kosova është larg vendeve të zhvilluara për nga ofrimi i mundësive për integrim. Sipas jush, cilat janë praktikat që duhet adaptuar nga institucionet dhe shoqëria kosovare, në mënyrë që përjashtimi i këtij komuniteti të kthehet në integrim gradual në jetën shoqërore?
Qasja më e mirë është integrimi, nuk guxojmë që këtë komunitet ta veçojmë në shoqëri. Ata janë pjesë e kësaj shoqërie dhe duhet të konsiderohen si të tillë. Nëse veprohet ndryshe, dinjteti i tyre shkelet, e kështu diskriminohen dhe vendosen në pozitë të pabarabartë me qytetarët tjerë.
Në Kosovë nuk mendohet për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara.
Pasi integrimi është përgjigja, a kemi arritur ta bëjmë këtë? Definitivisht që jo, sot e shohim se një pjesë e madhe e institucioneve publike, problemin më të madh e kanë qasjen, që është bazike. Për shembull, në ndërtesën ku jemi, mbaj mend se kur kam pyetur se ku është hyrja për këtë kategori, më kanë thënë që nuk e kanë menduar kur e kanë bërë projektimin.
Në Kosovë nuk mendohet për përfshirjen e këtij komuniteti. Edhe në zgjedhje e kemi pasur këtë problem — disa persona kanë pasur vështirësi në qasje në qendrat e votimit. Infrastruktura në qytet, kalimet, semaforat janë pengesat tjera me të cilat përballet ky komunitet, e deri te punësimi dhe ofrimi i shërbimeve mjekësore adekuate që të ndihen pjesë e barabartë e shoqërisë. Ky komunitet është më i cenuari nga të drejtat në Kosovë.
Në raportin e fundit që keni publikuar theksohet se qasja në dokumente publike vazhdon të jetë sfiduese. Nga viti paraprak, ka një rritje pothuajse dyfish të ankesave për mohim të qasjes në dokumente publike. Nga praktika e deritanishme, a mund të thuhet që institucionet në Kosovë preferojnë të mbyllen dhe në këtë mënyrë ta shmangin përgjegjësinë për punët brenda institucioneve?
Unë mendoj që mbyllja mund të jetë tendencë dhe e natyrshme në çdo qeveri, nëse nuk ka kulturë të përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës, që janë parime bazë për një shoqëri demokratike.
Këtë situatë e zgjidh vetëm fuqia e ligjit — nëse ligji përcakton shumë qartë dispozitat dhe supozojmë se një autoritet vendos t’ia refuzojë dikujt qasjen në dokumente publike, në atë rast hapi tjetër duhet të jetë sanksioni. Nëse as sanksioni nuk zbatohet, atëhere si mund ta presim ndryshimin e kësaj kulture, dhe si mund të shohim progres në këtë drejtim.
Ne kemi mandat dhe e kemi dy-tre-katërfishuar intervenimin për të marrë përgjigje në këto raste, mirëpo megjithatë nuk mund t’i zëvendësojmë autoritetet tjera që janë përgjegjëse për ta lejuar qasjen në dokumente publike.
Na kanë vënë në një situatë juridike të papërshtatshme sepse ne nuk jemi autoriteti që shqipton gjoba, nuk kemi mandat ekzekutiv.
Me Ligjin e ri [për mbrojtjen e të dhënave personale], Agjensioni për Mbrojtjen e të Dhënave do të mveshet me këtë kompetencë për qasje në dokumente zyrtare; do të ketë dy komisionerë, një për qasje në dokumente dhe një për mbrojte të të dhënave. Do të shohim si do të funksionojë.
Po presim të shohim se si do ta realizojnë të drejtën e sanksionimit, sepse përderisa të mos aplikohen sanksionimet, unë besoj që do të vazhdojmë me diskrecion dhe vullnet të lirë të zyrtarëve për të dhënë përgjigje ose jo në kërkesat e qytetarëve dhe gazetarëve.K
Biseda është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.
Foto kryesore: Altin Gashi / K2.0.