Kur Dimitar Tanurov, gazetar për agjencinë e lajmeve online meta.mk, po shkonte me nxitim në parlamentin maqedon në prill të këtij viti për të raportuar për incidentin që ishte në vazhdim e sipër, ai nuk mendoi se fotografitë e fytyrës së tij, që së do të pasonte lëndim, do të qarkullonin nëpër lajme. Gazetari ishte duke fotografuar skenat dramatike brenda parlamentit pasi rreth 200 demonstrues, shumë prej të cilëve ishin me maska, ia mësynë Parlamentit dhe i sulmuan deputetët.
Pak pas ardhjes së tij, Dimitar Tanurov u sulmua. Atë e rrahu një grup i protestuesve. Ata e quajtën tradhëtar, pasi kartela që e mbante të varur në qafë tregonte se është pjesë e mediave.

Policia maqedone e ka identifikuar vetëm njërin nga pesë sulmuesit, thotë Dimitar Tanurov. Foto nga Dimitar Tanurov.
Tanurov u lëndua në kokë dhe në fytyrë, por kur i analizon ngjarjet e asaj nate, ai e sheh vetën si fatlum që arriti të shpëtojë pa trauma më serioze; jo si deputeti Zijadin Sela, të cilin e tërhoqën zvarrë nëpër Kuvend me fytyrë të përgjakur. Si rrjedhojë e kësaj, ai u dërgua në spital, në njësinë e kujdesit intensiv.
Duke pritur drejtësinë
Tanurov shpjegon se i dyshuari për sulmin e tij është ndaluar nga policia, por për dyshime të tjera – për dhunën që shpërtheu në Parlament, ku u lënduan disa deputetë të tjerë, duke përfshirë këtu liderin e Socialdemokratëve dhe Kryeministrin aktual, Zoran Zaev. Ai thekson se dështimet gjatë hetimeve kanë shkaktuar vonesa në zhvillimin e këtij rasti.
“Ndonëse unë e përshkrova krimin si sulm ndaj meje në një kohë kur isha duke kryer detyrën time profesionale si gazetar në Parlament, policia e kategorizoi shkeljen si vjedhje, për shkak se sulmuesit më vodhën telefonin”, shpjegon Tanurov, i cili ende është duke pritur fillimin e gjykimit.
“Disa javë pas sulmit u dorëzova fotografitë e sulmuesit, të cilat ishin publikuar në media, por për ta identifikuar sulmuesin më thirrën jo më herët se muajin e kaluar”, shton ai. “I njoha dy sulmues të tjerë nga incizimet në TV. Megjithatë, nuk e di se a janë arrestuar ata”.
Tanurov është njëri prej disa gazetarëve të cilët kanë përjetuar sulme verbale apo fizike gjatë muajve të fundit të krizës politike, e cila arriti kulmin në ngjarjet e 27 prillit.
Në katër vitet e fundit, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) numëron rreth 50 raste në të cilat gazetarët vendorë kanë pësuar si rezultat i shkeljeve të të drejtave të tyre, me sulme fizike dhe verbale, apo nëpërmjet mohimit të së drejtës për të raportuar. Kryetari i kësaj shoqate, Naser Selmani, thekson se vetëm 10 raste kanë rezultuar me procedura në gjykatë. “Zgjidhja e rasteve të cilat përfshijnë sulme ndaj gazetarëve do të ishte mënyrë për ta matur gatishmërinë e qeverisë për të shtyrë para reforma për media”, thekson ai.

Naser Selmani, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, beson se mediat janë më të relaksuara se që ishin gjatë kohës së qeverisë së Gruevskit. Foto nga Naser Selmani.
Por sulmet dhe shqetësimet që i përjetojnë gazetarët janë vetëm një pjesë e mozaikut të madh që ilustron sfidat që e pengojnë lirinë e mediave në Maqedoni.
Rezultati i këtij shteti për liri të shtypit, siç është paraqitur në raportin e përvjetshëm Liria e Shtypit që publikohet nga Freedom House, ka vazhduar të ketë rënie që nga viti 2010; sivjet, për vitin e dytë me radhë, Maqedonia u përshkrua si vend “jo i lirë”, vlerësim që e pasqyron situatën e mediave, të cilat janë thellësisht të polarizuara në bazë të vijave politike. Tani shumëkush po shpreson se do të bëhet më mirë pas zgjedhjes së qeverisë së re.
Meqë periudhës së trazirave politike i erdhi fundi, të gjithë i kanë kthyer sytë nga qeveria e Kryeministrit Zaev, për të parë se si do të reagojë ndaj sfidës për përmirësimin e klimës për liri të mediave. Pritjet janë të mëdha meqë gazetarët kanë punuar në një klimë të ashpër për një kohë të gjatë. Skandali me përgjime gjithashtu zbuloi se qeveria e Nikola Gruevskit i përgjoi në mënyrë të paligjshme rreth 100 gazetarë, dhe se shumë figura të botës së mediave ishin duke u monitoruar.
“Ambienti për media është më i relaksuar, e kjo sigurisht nuk do të thotë se liritë mediale janë përmirësuar”, thotë Biljana Petkovska, drejtoreshë e Institutit Maqedon për Media. “Liria e shtypit matet më së miri jashtë procesit zgjedhor, kështu që pres ta shoh më qartë këtë situatë në të ardhmen”.

Biljana Petkovska, drejtoresha e Institutit Maqedon për Media, thotë se atmosfera aktuale e relaksuar nuk do të thotë se janë përmirësuar liritë e mediave. Foto nga Biljana Petkovska.
Deri më tani, administrata e re e ka ndalur programin e qeverisë së kaluar për reklamim. Buxheti shumëmilionësh i saj e shtrembëroi tregun dhe e bëri pjesën më të madhe të mediave të varura financiarisht nga fondet publike.
Ndryshimi i ambientit të mediave
Qeveria e kaluar, nën udhëheqjen e Nikola Gruevskit, e kishte përkeqësuar situatën me liritë e mediave duke i shpenzuar 23 milionë euro prej vitit 2008 deri në 2015 në reklama të qeverisë në media elektronike. Por a do të mjaftojë prerja e kërthizës fiskale që të ndalen praktikat klienteliste ndërmjet mediave dhe politikanëve?
“Mediat janë më të relaksuara se në kohën kur ishin nën presionin e qeverisë së Gruevskit”, thotë Selmani.
Megjithatë, ai beson se ndryshimi i personelit në qeveri nuk përbën domosdoshmërisht ndryshim domethënës. “Nëse nuk rrëzohen shtyllat e sistemit të vjetër dhe të korruptuar, qeveria e re do të tregojë se e mbështet atë”, shpjegon ai. “Një prej përbërësve kyç është të kemi media të lira nga ndërhyrjet e qeverisë”.