“Dua ta ndryshoj këtë gjendje”, flet për projektin e saj ambicioz Erdemli, 47-vjeçare, e qetë dhe matur, me një buzëqeshje të lehtë. “Zbukurimi i xhamive të Stambollit për femra” po mundohet të ndryshojë zakonet e vjetra me shekuj, duke i shtyrë femrat turke që të dalin nga shtëpia dhe të shkojnë të falen në xhami.
Erdemli thotë se ky është mbase projekti më i madh dhe më i organizuar i llojit të tij në botë. Përderisa askush nuk po sugjeron fundin e praktikës së ndarjes gjinore gjatë faljes, Erdemli shprehet se nga ana fetare femrat kanë të njëjtat të drejta dhe privilegje si meshkujt – dhe në të njëjtat xhami.
I vendosur në mur, mbi tavolinën e saj të punës, sikurse në çdo zyrë tjetër shtetërore në Turqi, është një portret i vjetër, në kornizë, i Mustafa Kemal Ataturkut, laikut të vendosur që themeloi republikën moderne turke.
Ataturk nuk i zinte aspak besë fesë. Gjatë përpjekjeve për të ndërtuar një shtet modern të orientuar nga Perëndimi, prej gërmadhave të Perandorisë Otomane, ai u sigurua që çdo aspekt i fesë të mbikëqyrej rreptë nga qeveria.
Por, përkundër përpjekjeve më të mira të kemalistëve, fitorja në zgjedhjet e 2002-ës e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), me rrënjë islamike, u ka mundësuar turqve besimtarë si Erdemlit që të bëjnë një revolucion të ngadalësuar islamik në shoqërinë turke. Për herë të parë që prej themelimit të republikës, më 1923, shfaqjet publike të fetarisë janë shoqërisht të pranueshme në Turqi.
Islami dhe jeta e përditshme, gjithnjë e më të ndërlidhura
AKP-ja ka promovuar një lloj të moderuar të islamit në shtetin thellësisht laik të Turqisë dhe ka nxitur zhvillimin e një klase të re të mesme myslimane. Projekti i Erdemlit është dëshmi e këtij vullneti të ri politik për të shfrytëzuar shtetin për të promovuar islamin në jetën e përditshme.
Turqia po ndërmerr këtë projekt të pazakonshëm sepse është më e zhvilluar ekonomikisht se vendet e tjera myslimane, dhe femrat janë më të vetëdijshme për të drejtat e tyre, thotë Erdemli. Ekonomia e Turqisë është zhvilluar për 4.6 për qind, vitin e kaluar, dhe për 8.2 për qind, më 2010, ndërsa zhvillimi ekonomik i nxit femrat të aspirojnë për më shumë, sipas Erdemlit.
“Kur femrat marrin pozita të larta, ato u hapin rrugë të tjerave”, thotë Erdemli. “Dhe, natyrisht, po të mos kishim pasur kushte të mira ekonomike, ne nuk do të kishim mundur të zbatonim këtë projekt”.
Për Sebnem Gumuscun, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Sabancit, në Stamboll, projekti në fjalë është një pjesë e vogël e ambicieve më të mëdha të Dijanetit, institucionit shtetëror përgjegjës për çështje fetare, përfshirë myftilerët në Turqi.
“Dijaneti gjithmonë e ka pasur monopolin e tij në xhami”, thotë Gumuscu, duke nënvizuar se ai po zgjeron ndikimin në vitet e fundit, me joshjen e njerëzve në rrugë dhe përfshirjen në arsimin publik. “Tani feja po bëhet pjesë integrale e jetës shoqërore”, thotë ajo, duke treguar për preferencën e qeverisë për të shfrytëzuar fenë për të adresuar të gjitha llojet e problemeve sociale, përfshirë dhunën familjare dhe varfërinë.
Kushtet e dobëta mbajnë femrat larg xhamive
Myftinia ka organizuar 30 ekipe, secili me një mashkull dhe një femër në përbërje, për të hetuar kushtet e seksioneve për femra në të gjitha 3.100 xhamitë e Stambollit. Përderisa nuk është vërejtur asnjë indikator i një përjashtimi të qëllimshëm të femrave, lënia pas dore e pjesëve për femra në shumë xhami i ka bërë ato të parehatshme dhe dekurajuese për besimtaret.
Pas hulumtimit, Myftinia ka dalë me një plan për të bërë përmirësime dhe u ka dhënë xhamive resurse për të zbatuar rekomandimet. Zyra e Erdemlit po i monitoron rezultatet.
Disa xhami janë më të vështira për t’u rregulluar, sepse problemi qëndron te dizajni i tyre – mungesa e hapësirës së caktuar për pjesët për femrat, zakonisht në fund të hapësirës për falje, apo në ballkone. Veçanërisht gjatë të xhumave, kur xhamitë stërmbushen, meshkujt jo rrallëherë zënë vend në pjesët për femrat.
Projekti nuk ka për qëllim që të përziejë meshkujt dhe femrat për t’u falur brenda së njëjtës hapësirë, por që femrat dhe meshkujt ndaras të jenë pjesë e të njëjtit vend. “Femrat në xhami duhet të ndihen si në shtëpitë e tyre”, thotë Erdemli. “Ato duhet të ndihen pjesë e xhamisë, jo të ndara pas një muri. Pa këtë ndjenjë, ato do t’i humbin aspektet e rëndësishme të spiritualitetit”.
Një prej përfitueseve të projektit është xhamia Kiliç Ali Pasha e shekullit të 16-të, në zonën e portit të Karakojit, në pjesën qendrore të Stambollit. Një pllakë zyrtare thotë se qeveria ka shpenzuar 6 milionë lira (rreth 2.6 milionë euro) për renovimin e saj, që përfshin edhe kushtet e reja për femrat.
“Islami nuk është vetëm për meshkuj”, thotë Selman Okumus, 35-vjeçar, imam në xhaminë Kiliç Ali Pasha. I veshur me një xhaketë të hijshme sportive, ngjyrë blu, Okumus ka sens për humor. Ai është paraqitur në një program në televizionin shtetëror me 127 femra në një xhami duke dhënë mësime për islamin, dhe ka nxjerrë një CD me mësime nga Kur’ani, që ai e distribuon falas. “Ideja është që feja të bëhet e arritshme për të gjithë”.
Okumus është dukshëm liberal në mesin e imamëve dhe shumë prej tyre nuk janë shumë të interesuar rreth kësaj çështjeje. Ai thotë se modeli ideal i pjesëmarrjes në çdo xhami është Qabeja, struktura e madhe kubike në Mekë të Arabisë Saudite, qendër e botës islamike, ku miliona besimtarë, meshkuj dhe femra, shkojnë për haxhillëkun e përvitshëm. “Ne duhet t’i kopjojmë ata dhe të falemi së bashku këtu”, shprehet ai.
Sipas një raporti të Myftinisë pas një hulumtimi, nja 38 për qind e xhamive të Stambollit nuk kishin nevojtore për femra, dhe 43 për qind nuk kishin vend ku ato mund të marrin avdes, riti i larjes së duarve, të fytyrës e të këmbëve, që bëjnë myslimanët para lutjeve. Pjesët për femrat ishin shpesh të ngushta dhe të stërmbushura. Disa përdoreshin edhe si depo. Erdemli thotë se shumë prej tyre ishin pa ngrohje, dhe u vinte erë myku, me qilima të vjetër e të ndotur.
“Edhe xhamia ime ishte e tillë”, rrëfen Okumus. Pjesa për femrat ishte e mbushur me pajisje dhe kabllo, ndërsa qilimi ishte i pistë.
Okumus më tregon kushtet e përmirësuara për femrat dhe është dukshëm i kënaqur me rezultatet. Ekziston pjesa e veçantë për femrat në katin e poshtëm, për të moshuarat dhe ato që nuk mund të ngjiten në katin e sipërm. Pjesa për femrat në katin e sipërm është përballë imamit dhe është tërësisht e restauruar me qilima të kuq prej pelushi, me dizajn otoman të shekullit të 16-të, thekson ai me mburrje.
Nevojtoret deri në detaje
Një prej sfidave më të mëdha infrastrukturore është pajisja e xhamive me vende për të marrë avdes për femrat. Riti i pastrimit të duarve dhe këmbëve para faljes është obligim fetar për të gjithë myslimanët. Meshkujt zakonisht pastrohen në çezmat tradicionale para xhamive – gjë që nuk mund ta bëjnë femrat, të cilat duan ta mbrojnë modestinë e tyre.
“Askush s’duhet t’i shohë ato duke u pastruar – veçanërisht meshkujt”, shpjegon Okumus, sepse ato duhet të zhveshin rrobat e tyre. Prandaj, për shumë femra, mungesa e vendeve për të marrë avdes është një arsye tjetër për t’u falur në shtëpi, ndonëse mbetet opsioni i pastrimit në shtëpi para shkuarjes në xhami për t’u falur.
Okumus më çon jashtë te nevojtorja e re e femrave – me dy kabina dhe lavamanë, si dhe disa lavamanë specialë për pastrim të këmbëve. Meshkujt kanë pesë kabina, në përpjesëtim me numrin e besimtarëve, thotë Okumus.
Kjo xhami ka shumë më shumë besimtarë meshkuj se femra, sepse në zonën e Karakojit ndodhen zyra dhe punishte të profesioneve që kryhen kryesisht nga meshkujt. Në një qytet me 3.100 xhami, zakonisht një ndodhet afër. “Ne përcjellim komunitetin”, thotë ai.
Mbase gjëja më befasuese e nevojtores: tharësja e këmbëve. E rrafshët dhe katrore, ajo duket si tharësja me ajër të nxehtë ku i fut duart, përveçse është në një formë të përshtatur për këmbë. “Ajo parandalon problemet shëndetësore”, shprehet Okumus.
“Myezinët dhe imamët tashmë kanë nisur të organizohen për të përmirësuar kushtet për femrat”, flet Okumus për problemin, të cilit shumë njerëz nuk i kanë kushtuar vëmendje para se t’u bënte presion Dijaneti. “Dhe, shyqyr Zotit, po bëhet mirë e më mirë”.
Besimtarja Zeynep Gunay, 39-vjeçare, amvise nga Kastamonu, pajtohet. “Ka qenë e bukur në të kaluarën dhe ende është”, shprehet ajo për xhaminë e dizajnuar nga Mimar Sinan, mbase arkitekti më i shquar otoman. “Por, ajo është më e pastër tani. Është bërë vend më i këndshëm për t’u vizituar dhe kjo gjithashtu ndikon në numrin e femrave që vijnë për t’u falur”.
Gunay thotë se prania e shtuar e femrave në xhami në përgjithësi ndodh gjithashtu për faktin se ato janë më të informuara për islamin. Ajo u jep merita kanaleve konservative televizive që u kushtojnë më shumë hapësirë këshillave fetare dhe programeve që i inkurajojnë femrat të falen në xhami, dhe të vizitojnë varret e figurave historike fetare. Që kur AKP-ja ka marrë pushtetin në Turqi, 10 vjet më parë, “është rinuar grupi i besimtareve që falen në xhami, gjithashtu”, tregon ajo.
Vildana Bilisik, 25-vjeçare, të cilën e shoh duke dalë nga xhamia pas faljes, mund të jetë përfaqësuese e vajzave të klasës së re të mesme myslimane të Turqisë: një fytyrë e re, modeste, e mbuluar me shami ngjyrë pjeshke, që buzëqesh nga një pllakat i fushatës së AKP-së.
“Të falesh bashkë me komunitetin të jep një lloj ndenje speciale”, thotë Bilisik, e cila është ndalur për t’u falur te xhamia Kiliç Ali Pasha pas kursit të saj të marketingut aty pranë, që jepet nga një agjenci ndërkombëtare e udhëtimeve me anije. “Kur falesh vetëm, mund të mos arrish të koncentrohesh mirë”, tregon ajo. Ia vlen të shkosh në xhami, thotë ajo, sepse të jep ndjenjën se i përket diçkaje më të madhe se vetes.
“Para se nëna ime të mund të më tregonte se pse duhej të falesha, unë tashmë kisha mësuar se çfarë do të thoshte të falesh dhe pse duhej të faleshe”, tregon Bilik. “Pastaj, mësova edhe për faljen në xhami”.
Duke studiuar në universitet dhe duke punuar njëkohësisht, ajo ka arritur të fitojë një pavarësi ekonomike dhe të jetë aftë të vendosë vetë për t’u falur dhe për gjithçka tjetër. “Në kohën e nënës time, s’kishte diçka të tillë”, thotë Bilisik.