Blogbox | Diaspora

I shtypuri bëhet shtypës

Nga - 27.08.2019

Udhëtimi nëpër botën ‘ti nuk përket këtu’.

“Ti nuk përket këtu” – një frazë që e ka dëgjuar të paktën një herë në jetë secili ish-refugjat / “emigrant joperëndimor” që jeton në shtet të huaj.

Isha 12 vjeçe kur ma thanë për herë të parë, megjithëse jo drejtpërdrejt; një arsimtare në shkollën e mesme ma bëri të qartë se isha ndryshe dhe se nuk duhej ta mbaja qaforen me shqiponjën shqiptare në shkollë. Ajo tha që kishte hulumtuar për kuptimin e shqiponjës dykrenore dhe sipas hulumtimeve të saj, shqiponja përfaqësonte një organizatë islamike. Ishte seriozisht e shqetësuar sepse mendonte që unë po mundohesha t’i konvertoja studentët e shkretë të krishterë në fenë Islame. 

Shënim plotësues: Është e qartë se përfundimet e nxjerra nga hulumtimet e saj ishin të mangëta. Unë gjithë jetën kam qenë ateiste, por asaj nuk ia ndeinte. Në Holandën kaq mendjehapur dhe tolerante, të kesh ngjyrë më të mbyllët të lëkurës është e barasvlershme me të qenët musliman – thuase kjo është diçka e keqe dhe arsye për ta trajtuar në këtë mënyrë një 12-vjeçare. 

Gjithë jetën prindërit më kanë folur për Kosovën me shumë nostalgji, aq sa nuk mund ta kuptoja pse e kishin lënë vendin e tyre. Gjithmonë e paramendoja Kosovën si vend të bukur me njerëzit më mikpritës.

Besimi i parë i tejkaloi pritjet e mia, ndërsa i dyti më zhgënjeu.

Pasi që mua nuk më shihnin si holandeze, kurrë nuk e kam konsideruar veten holandeze, dhe jam krenuar me rrënjët e mia shqiptare. Nëse holandezët më konsiderojnë si të huaj për shkak të dukjes, në Kosovë sigurisht që do të më pranonin.

Unë e kam bërë mision ta thyej mitin që Holanda është shtet tolerant dhe mendjehapur.

Isha vetëm 10 vjeçe kur e vizitova Kosovën për herë të parë. Sapo e kaluam kufirin, e pata një ndjenjë të përkatësisë dhe të paqes. Për herë të parë në jetë, nuk u ndjeva ndryshe nga të tjerët. Pashë njerëz që dukeshin si unë dhe e dëgjoja gjuhën amtare kudo që shkoja. Për një kohë shumë të gjatë, nuk më shkoi mendja se kishte njerëz në Kosovë që e përjetojnë të njejtën gjë që po e përjetoja unë në Holandë.

Mjaft shpejt e kapërceva ballafaqimin e parë me një “shuplakë” të diskriminimit, duke shpresuar se kishte qenë rast i izoluar i një personi ksenofob. Por shpejt e kuptova që racizmi dhe diskriminimi janë të institucionalizuar në Holandë. Në vitet e fundit, e kam bërë mision që ta thyej mitin se Holanda është shtet tolerant dhe mendjehapur.

Nëse e mendojmë, ka diçka thelbësisht të padrejtë në mënyrën se si kuptohet fjala “tolerancë”. Në kontekstin holandez, do të thotë “unë do të të toleroj, por vetëm nëse ke pikëpamje të ngjashme me të miat. Nëse jo, mund të kthehesh andej nga ke ardhur”. Toleranca në kontekstin holandez nuk është e barasvlershme me pranimin e plotë.

Kur isha 20 vjeçe, për herë të parë lexova për feminizmin ndërsektorial, term i shpikur nga profesoresha Kimberlé Crenshaw në 1989: “Mënyra komplekse dhe përmbledhëse në të cilën efektet e formave të ndryshme të diskriminimit (si racizmi, seksizmi dhe klasicizmi) kombinohen, mbivendosen ose ndërlidhen në përvojat e individëve dhe të grupeve të margjinalizuara”.

Feministet e zeza si Kimberlé Crenshaw, Bell Hooks, Angela Davids, Sonya Renee Taylor, Rachel Cargle dhe plot të tjera, ma kanë ndryshuar jetën përherë dhe u kam borxh gjithçka. 

Si shqiptare etnike, mua më ipet pozita e pushtetit në Kosovë për të diskriminuar kundër grupeve etnike.

Është mjaft e thjeshtë: Kur i sheh këto gjëra, nuk mund t’i harrosh, prandaj kur po e analizoja privilegjin e të bardhëve në shoqërinë holandeze, mendova në një moment se çfarë pozite më jepej mua, si shqiptare etnike, në shoqërinë e Kosovës.

E kuptova (tepër) vonë se mbase jam pjesë e një grupi të margjinalizuar në Holandë, dhe prandaj jam e shtypur, por sapo të shkel në Kosovë, unë bëhem shtypësi. Nuk duhet të shtypësh dikë në mënyrë aktive për t’u bërë shtypësi, dhe mund të jesh edhe shtypësi edhe i shtypuri.

Si shqiptare etnike, mua më jepet pozita e pushtetit në Kosovë për të diskriminuar kundër grupeve etnike vetvetiu – thjesht sepse jam shqiptare etnike.

Kur një panel, parti politike, gjykatë a çfarëdo hapësire tjetër në Holandë është tepër e bardhë, unë menjëherë e sinjalizoj – nuk më bëhet vonë që paneli është “krejt me gra” nëse të gjitha janë të bardha.

Fillova t’i aplikoja të njejtat standarde për Kosovën. 

Një kohë tejet të gjatë mendoja se Kosova thjesht nuk kishte aq shumë diversitet sa Holanda, dhe prandaj ishte normale të shihja vetëm shqiptarë në TV. Dhe ndonëse është e vërtetë që Kosova është më homogjene se Holanda, kjo nuk e justifikon fshirjen e minoriteteve etnike në Kosovë. 

Unë tani kisha më shumë njohuri sesa kur isha 10 vjeçe, prandaj fillova të isha po aq kritike ndaj hapësirave të bardha shqiptare në Kosovë, sa isha ndaj hapësirave të bardha në Holandë. Prej vitit 2019, ende nuk shoh përfaqësim (të mjaftueshëm) të grave, duke i përfshirë këtu gratë trans, nga minoritetet dhe grupet e tjera të margjinalizuara, në veçanti ato nga komunitetet e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve; as në media, as në film, as në politikë.

Duhet t’i njohim mënyrat në të cilat kemi dështuar ndaj grupeve minoritare.

Mund t’i kenë partitë e veta politike dhe një pjesë të ulëseve të garantuara në parlament, por do të doja të ishin të përfaqësuar siç e meritojnë edhe në parti “të zakonshme” politike, në mënyrë që të bashkëpunojnë dhe ta bëjnë Kosovën vend ku të gjitha grupet sociale dhe etnike mund të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Po ashtu kam dëshirë që grupet feministe në Kosovë t’i kushtojnë më shumë vëmendje mënyrës se si gratë dhe gratë trans të grupeve të margjinalizuara ballafaqohen me shtypje të dyfishtë, si dhe faktit se ka mënyra të ndryshme në të cilat shtypja ndikon tek gratë dhe gratë trans të grupeve minoritare. Si gra, të gjitha mund të jemi të shtypura për shkak të faktit se jemi gra, por disa janë më të shtypura se të tjerat, dhe kemi nevojë për biseda të hapura, të sinqerta e madje edhe të vështira lidhur me këtë.

Duhet ta kuptojmë se si kemi dështuar ndaj grupeve minoritare, të paguajmë dëmshpërblime aty ku duhet dhe ta bëjmë prioritet pranimin. Përndryshe kam frikë se Kosova mund ta ndjekë të njëjtin shteg si Holanda: mohimin e plotë të racizmit sistematik dhe të institucionalizuar – shteg prej të cilit kthimi është shumë i vështirë, nëse jo i pamundshëm.

Siç e përmbledh në mënyrë të përkryer Rachel Cargle: “Nëse nuk lufton për të gjitha gratë, nuk lufton për asnjë grua”.

Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.