Biseda | Shëndetësia

Ilir Begolli: Shëndeti i pacientëve nuk është në fokus

Nga - 05.06.2018

Doktori me 40 vite përvojë në Institutin Kombëtar për Kujdesin Shëndetësor Publik, diskuton për sistemin shëndetësor të Kosovës.

Në vitin e largët 1925, në Kosovë ishte themeluar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP). Që nga ajo kohë, funksioni i institucionit ka qenë të përpiloj dhe të zbatoj strategji për shëndetin publik në vend. Disa nga aktivitetet e IKShP-së përfshijnë, zbatimin e masave higjienike dhe sanitare, përpjekja për parandalimin e epidemive, promovimi i kujdesit shëndetësor, kontrolla e ujit, ushqimit dhe cilësisë së ajrit, dhe puna hulumtuese-shkencore. Instituti i ka të shtrira degët e tij në të gjitha qendrat e mëdha të vendit.

Mjeku social, Ilir Begolli në rolin e tij si mjek i specializuar në çështjet e shëndetit publik, ka qenë pjesë e institutit prej vitit 1978 – në mars të këtij viti ai ka dalur në pension. Për një kohë të gjatë është dëshmitar i dy sistemeve shëndetësore nëpër të cilat ka kaluar – dy dekada ka punuar në sistemin shëndetësor të ish-Jugosllavisë dhe afërsisht aq edhe në atë kosovar.

Begolli i cili është dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës,  ka kritika ndaj dy sistemeve shëndetësore. Ai shprehet i habitur për nostaligjnë e kosovarëve që kanë për sistemin e kaluar shëndetësor. Për të sistemi Jugosllav ishte më i vështirë se tani.

Por, edhe gjendjen e sotme të sistemit të shëndetësisë në Kosovë, Begolli e kritikon – duke u shprehur se shëndeti i pacientit nuk është në fokus të tij. Për të, 18-të vitet e fundit nuk janë shfrytëzuar mjaftueshëm për të reformuar shëndetësinë. Për këto dështime, ai fajëson të gjitha institucionet përgjegjëse shëndetësore e politike.

K2.0 ka realizuar një bisedë me Begollin rreth asaj se a ka sistemi shëndetësor model të qartë për të ndjekur, rreth politikave dhe strategjitë e aplikuara, problemeve të stafit mjekësor, rolin e fondacioneve ndërkombëtare si dhe përceptimeve publike rreth shëndetësisë kosovare.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

K2.0: Keni qenë për një kohë të gjatë i angazhuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK) – për disa muaj keni qenë edhe udhëheqës i tij. Instituti për qëllim ka të organizojë, zhvillojë, mbikëqyr dhe zbatojë politikat e shëndetësisë publike në Kosovë.  A ka sistemi i shëndetësisë së Kosovës një bazë/model të qartë të politikave që ka ndjekur këto 18-të vitet e fundit?

Ilir Begolli: Në këto 18-të vitet e fundit, ka një përzierje të politikave dhe strategjive, kjo për shkak të implikimit të shumë institucioneve të huaja që kanë ardhur në Kosovë për t’i ndihmuar shëndetësisë.

Mirëpo, prej ’99-ës ka pasur disa reforma – në disa degë – sidomos në kujdesin parësor shëndetësor. Kujdes ky, që i ofron shërbimet për pjesën më të madhe të popullatës. Edhe në shërbimet e tjera janë shënuar dsa ndryshime, të cilat janë të bazuara në strategjitë që janë sajuar pas vitit ’99-të. Por, jo të gjitha këto politika kanë pasur një mirëpritje nga stafi, popullata, institucionet etj.

Arsyeja, ndoshta ka qenë se nuk ishim aq të përgatitur të ndërhyjmë në sistemin shëndetësor – i cili është shumë i madh dhe si i tillë nuk mund të pësoj ndryshime të shpejta. Duhet të përgatitet; stafi mjekësor, qytetarët e institucionet e tjera – nëse duam të arrijmë një ndryshim të suksesshëm.

"Trajnimi i kujdesit parësor [shëndetësor] nuk ka qenë në harmoni me kërkesat e qytetarëve."

Sepse nuk është e lehtë të adaptohesh lehtë në një rregull të re. Ta marrim një shembull; si politikë e kemi pasur që nga kujdesi parësor — të eliminojmë [të mos jenë të domosdoshme] specializimet si pediatri, gjinekologji – të cilat sot po janë të nevojshme, sepse nuk kemi arritur që të sigurojmë shërbimet në nivelet e tjera, ku pacientët do t’i gjenin ato shërbime.

Mirëpo, trajnimi i kujdesit parësor [shëndetësor] nuk ka qenë në harmoni me kërkesat e qytetarëve, sepse prindërit i besojnë pediatrit sesa tek mjeku i përgjithshëm, apo gruaja shkon më lehtë tek gjinekologu sesa tek mjeku i përgjithshëm, sepse më shumë i beson këtij të parit.         

Cili është roli i ekspertëve që kanë përpiluar politikat shëndetësore; a i kanë marr parasysh parametrat e shoqërisë kosovare?

Politikat janë të shkruara mirë, por si çdo sferë tjetër, zbatimi i tyre ngecë. Për arsye se jo të gjithë kanë qenë të përgatitur për t’i marr përgjegjësitë e parapara. Mos zbatimi i politikave ka qenë edhe për shkak të kapaciteteve individuale të atyre që është dashur t’i zbatojnë ato strategji – ka pasur shumë pozita të domosdoshme [të parapara nga strategjitë] por që personat që i kanë pasur ato vende të punës nuk kanë qenë të aftë. Politikbërësit duhet t’i marrin parasysh edhe këto parametra.

Mirëpo, në anën tjetër kemi disa persona që janë shkolluar për menaxhim të shëndetësisë, por asnjëherë nuk e kanë gjetur vendin në shëndetësi. Ndoshta sepse nuk i kanë plotësuar kriteret politike – që duket se janë më të rëndësishme se sa përgatitja profesionale. Kjo është një ngecje; identifikimi i personave të kualifikuar për vendet e nevojshme.    

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kemi ndryshime të disa qeverive gjatë këtyre viteve të fundit. Në bazë të përvojës suaj, politikat që hartohen a ndiqen hap pas hapi nga qeveritë, apo qasja ndryshohet me ardhjen e qeverive të reja?

Ky është ndoshta një prej problemeve kyçe – i qëndrueshmërisë së secilës politikë apo secilit ligj. Zakonisht, me ardhjen e qeverive të reja po ndryshohet edhe qasja në shëndetësi, po ndryshohen prioritetet që jo domosdo, parashihen me politikat dhe strategjitë e mëparshme.

Deri më tash, kemi përpiluar pesë apo gjashtë strategji nga pesë vjeçare, që i bie se për një kohë shumë të shkurt kemi ndryshuar strategjitë. Kjo nuk siguron qëndrueshmëri të politikave. Një strategji duhet të ketë një kohë më të gjatë të zbatimit, sepse nuk ndryshohen gjërat brenda natës. Nuk mund të përgatitësh një specialtë brenda një jave – duhen 5 vite që ai të specializojë.

Nëse kemi paraparë që na duhen specialist të rinj – dhe koha e nevojshme është pesë vite –  dhe nesër vjen një ministër i ri dhe thotë jo nuk na duhet ai — çka ndodh pastaj. Nuk ka një analizë se sa është nevoja për specialist. Në të ardhmen, mund të kemi një ikje të trurit nga Kosova, sepse kemi mjaft kuadro që po shkollojmë por nuk po u gjejmë vende të punës.

Një prej pikave që si aktivitet i IKShP-së është edhe ekonomia e kujdesit shëndetësor dhe menaxhimi në shëndetësi. Është potencuar vazhdimisht se buxheti për fushën e shëndetësisë ka qenë i ulët. Sipas jush, ai buxhet që ka qenë deri më tash, a është menaxhuar si duhet?

Fatkeqësisht, askush nuk e di se çka po ndodh me buxhetin për shëndetësi. Kjo për shkak se shumica e të dhënave janë të mbyllura, të errëta. Le të sqarojmë diçka; shpenzimet për shëndetësinë nuk janë vetëm ato që i ndan shteti. Është një sasi e madhe e parave që shpenzohen nga xhepat e individëve [për probleme shëndetësore]. Atë shumë nuk besoj se e di dikush. Ndoshta, ne shpenzojmë 170 milion euro [të ndara për shëndetësinë nga buxheti i vendit], por ndoshta prej xhepave të qytetarëve dalin po aq. Ne nuk e dimë si po shpenzohet dhe sa kushton shëndeti apo shëndetësia kosovare.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Instituti i Onkologjisë përballet me mungesë të barnave dhe aparateve mjekësore për trajtimin e pacientëve. Në anën tjetër, ekziston Programi për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, buxheti i të cilës prej vitit 2002 deri më sot ka qenë në miliona euro. Ka zëra se këto para, do të duhej të investoheshin në institucionet publike të shëndetësisë, sepse përgatitja profesionale e mjekëve është e mirë dhe vetëm duhet të investohet në pajisje dhe aparatura e infrastrukturë tjetër. Si e shihni këtë?  

Është mirë që të ketë një fond i cili garanton, që disa prej sëmundjeve të cilat nuk mund të trajtohen në Kosovë, mund të kërkohet ndihmë për shërim jashtë vendit. Në anën tjetër, në rast se sigurohen aparaturat mjekësore, barnat e infrastruktura, ne kemi mjaft kuadro të përgatitura profesionalisht. E gjithë kjo kërkon një menaxhim më të mirë; duke filluar prej Ministrisë së Shëndetësisë e deri tek institucioni shëndetësor që merret me të.

Nëse të gjitha këto merren si sekuenca, apo puzzle, kur i bashkojmë na del një Frankeshtajn i shëmtuar. Prandaj, është e domosdoshme që trajtimi i një pacienti ta ketë një fillim dhe një mbarim dhe e gjitha kjo të jetë e protokolluar.

Doni të thoni se, nëse duam të kemi një gjendje më të mirë të sistemit të shëndetësisë duhet ta kemi një model të qartë që do ta ndjekim, sepse veprimet ad hock nuk janë efikase?

Janë vetëm harrnime të ‘gropave’, devijimeve apo deformimeve që na paraqiten. Ta marrim një shembull; nëse mungon insulina për diabetikët. Ajo mund të sigurohet – sepse prodhohet në botë – por vet rrjedhja e ngjarjve prej sigurimit të kërkesës së saj e deri tek ardhja e insulinës për përdorim tek pacienti, duhet të kalojë një kohë.

Ajo kohë është e papërballueshme për shumicën e diabetikëve, sepse duhet ta kenë menjëherë ilaçin. Kjo procedurë [për sigurimin e insulinës] duhet t’i nënshtrohet një hulumtimi se a është adekuate. Në shëndetësi çdo gjë është emergjente.

"Faktet na tregojnë se disa grupe shoqërore, për shkak të qasjes së kufizuar në shërbimet shëndetësore, mund të kenë pasoja. Nuk është se i kemi luftuar paragjykimet me aq sukses."

Një tjetër aktivitet i IKShP-së thuhet të jetë vlerësimi i gjendjes shëndetësore sidomos të grupeve të margjinalizuara. A ka institutiti një listë të këtyre grupeve; nëse po, cilat janë ato dhe cili është trajtimi i këtyre grupeve dhe si duhet vepruar në të ardhmen?

Në ligjet tona nuk ka pika diskriminuese ndaj askujt. Por, në praktikë mund të ketë dështime në këtë drejtim. Ne kemi bërë disa hulumtime, sidomos për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptas dhe aty nuk na ka rezultuar se janë të diskriminuar për shkak të etnisë së tyre. Mirëpo, faktet na tregojnë se disa grupe shoqërore, për shkak të qasjes së kufizuar në shërbimet shëndetësore mund të kenë pasoja. Nuk është se i kemi luftuar paragjykimet me aq sukses, kjo nuk vlenë vetëm për sistemin shëndetësor, por ndoshta në çdo sferë.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

A do jetë një prej zgjidhjeve edhe sigurimet shëndetësore, sidomos për grupet e margjinalizuara?

Sigurimet shëndetësore janë për të gjithë. Përderisa sigurimet nuk ekzistojnë çdo kush është i diskriminuar. Kur sëmuremi, ne nuk kemi garancion se dikush qëndron pas neve. Unë vet jam mjek dhe nuk kam sigurim shëndetësor. Disa kafshë në Kosovë secili prej tyre e ka një numër të identifikimit dhe sigurimin shëndetësor veterinar, këtu shihet se ka pakëz dallime? Pse nuk është ardhur deri tek sigurimet shëndetësore, sepse nuk është punuar në mënyrë intensive. Është në tryezë një ligj që po pret, dhe në javët e ardhshme pritet që të përfundohet diçka më shumë.

Ka nga ata që thonë se me sigurimet shëndetësore do të lulëzoj sistemi i shëndetësisë, por ne – si çdo vend tjetër – do vazhdojmë të kemi probleme. Kjo vlenë sidomos për ato vendet, ku sasia e mjeteve të mbledhura është e kufizuar. Ne nuk kemi shumë të punësuar, por kemi një numër të madh të njerëzve që kërkojnë shërbime mjekësore.

Në opinionin publik ka një mosbesim për sistemin shëndetësor të Kosovës – a besoni se ky përceptim është i drejtë, si dhe cilat duhet të jenë hapat që do duhej të ndërmereshin për ndryshim të kësaj gjendje?

Ekziston një përceptim negativ për sistemin shëndetësor në vend. Kjo ka ardhur edhe për shkak se ka njerëz të papërgjegjshëm brenda sistemit, të cilët kanë abuzuar me të hollat e pacientëve. Shpeshherë, etika profesionale është devijuar, për shkak se nuk ka pasur as kontroll nga ata që duhet t’i mbikëqyrin këto çështje. Edhe shërbimet etike brenda sistemit nuk kanë qenë shumë efikase ose që të marrin masa ndaj abuzuesve. Se si duhet të largohen këto dukuri? Duhet të kemi bashkëveprim mes personelit shëndetësor, qytetarëve, mediave dhe institucionet. Kjo nuk është vetëm mangësi e njërës palë, por e një sistemi të tërë.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Cili është roli i mjekut të ndershëm në denoncimin e këtyre rasteve?

Ta gjykoj një veprimtari të tillë. Pa kurfarë ngurimi duhet ta bëjmë. Ka raste kur vetë mjekët kanë denoncuar veprimet që nuk janë të bazuara në etikën profesionale.

Nuk po flasim vetëm për etikë, ka pasur raste edhe të korrupsionit e shkeljeve të tjera?

Është e vështirë që personeli mjekësor ta bëjë këtë punë. Kur kemi organet e tjera që janë të thirrura të merren me punë të tillë. Në këto rrethana, pacientët duhet të jenë më të zëshëm, përmes mekanizmave që janë krijuar për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve. Pastaj, rastet duhet të raportohen në polici, sepse në rast se jemi të ngurtë ndaj situatave të tilla, atëherë ato do të shtohen dhe do ta përkeqësojnë situatën edhe më tepër.

"Ndoshta më shumë [pacienti] është si objekt financiar. Kjo vlenë sidomos tek sektori privat."

Cili ka qenë roli i sektorit privat në shëndetësinë e Kosovës?

Duket se nuk e ka arritë qëllimin për të cilin është krijuar, që të ketë një konkurrencë të shëndoshë mes sektorit publik dhe atij privat. Besoj se sektori privat – që është i bazuar në stafin që punon edhe në sektorin publik – e ka degjeneruar qasjen ndaj pacientëve. E ka bërë si monedhë kusuresh me sektorin publik – ai që ka para mund të shërohet.

E ka keqësuar gjendjen tek sektori publik, ka rritur dyshimin [e pacientëve], duke akuzuar sektorin publik se nuk po ofron shërbime korrekte. Sektori privat i ka mundësitë sepse i ka kushtet më të mira. Por mos të harrojmë se një numër i madh i stafit mjeksor që punojnë në sektorin publik, pas dite – apo edhe gjatë orarit të punës – punojnë në sektorin privat.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Tek të dy sektorët, a është në qendër të tyre shëndeti i pacientëve?   

Do të duhej të ishte, por nuk jam i sigurt se është ashtu. Ndoshta më shumë [pacienti] është si objekt financiar. Kjo vlenë sidomos tek sektori privat. Ka raportime që kjo është gjendja, ndoshta jo e përgjithshme, por potenciali është që kjo të devijoj edhe më keq; të krijohen struktura, formacione ku [bëhet] rrjedhja [dërgimi] i pacientit për shkak se ai paska të holla. Shëndeti i pacientëve nuk është në fokus. Ka hapësirë për përmirësim, sidomos ndaj grupeve vulnerabile, të cilat janë më të ndishme; fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronik, invalidët, të varfërit.    

Fondacionet ndërkombëtare sa kanë pasur rol në definimin e shëndetësisë kosovare?

Gjitha sferat kanë pasur pasoja nga një laramani të pjesëmarrjes së institucioneve dhe grupeve të interesit – vet shtetet të cilat kanë participuar në ngritjen e kapaciteve në shëndetësinë kosovare. Ta marrim shembull, kujdesin parësor e kanë ndikuar më shumë britanezët sipas modelit të tyre – të cilët e kanë modelin nacional të sigurimeve shëndetësore, por që ne se kemi. Amerikanët kanë qenë të fokusuar në sistemin shëndetësor spitalor. Kushdo që ka ndihmuar ka zbatuar politikat e tyre. Prandaj, kemi një përzierje të gjithçkaje dhe po tenton të arrihet diçka.

Nëse nuk jemi të kënaqur me sistemin shëndetësor në përgjithësi, mund të konkludojmë se asnjëri prej modeleve të lartëcekura nuk ka pasur sukses. Prandaj, ne këto kreacione duhet t’i shndërrojmë në një kreacion tonin, në atë mënyrë që ajo galeri e pikturave të tyre të krijojë një unitet të politikave të caktuara.

Sepse nëse mbesin kështu, secila e ndarë, është kundër funskionit të shëndetësisë që të jetë e integruar. Nuk mund të ndajmë – nëse jeni i lënduar nuk mund të themi se trajtimin që do ta marrësh është vetëm ai parësor – ndoshta do kesh nevojë edhe për trajtim sekondar, apo tercial. Nëse nuk arrijmë t’i lidhim këto, sigurisht që do kemi dështime dhe pakënaqësi.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

A ka qenë detyrë e institucioneve, e institutit, fakultetit e ekspertëve që ta bëjnë këtë lidhje?    

Instituti ka pasur kapacitete që ta bëjë këtë, por shpeshherë fondacionet kanë krijuar mjegull – janë imponuar me para. Kur na kanë dhënë para ti ke qenë i obliguar që ta bësh atë punë, i pavetëdijshëm se po dëmton në politika afatgjate. Ndoshta është përmirësuar diçka, por më shumë ka qenë fasadë, por brenda punët kanë qenë kaos.

Tash, ne duhet që me fuqitë tona ta orientojmë shëndetësinë. Pas përfundimit të luftës, janë nevojitur afër 700 doktorë në sistemin parësor shëndetësor. Në të njëjtën kohë, Ministria e Shëndetësisë jep specializime të tilla që ndoshta nuk i hyjnë sistemit asnjëherë në punë. Është investuar në dikë dhe që ai investim nuk mund të kthehet në mënyrë praktike. Prandaj, ky besoj që është një dështim i përgjithshëm i joni dhe prapë nuk mund të themi se ka vetëm një fajtor. Pse nuk e kemi ngritë zërin, pse zëri nuk është dëgjuar apo mungesë e profesionalizimit.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0

Kthehu në Monografinë e Shëndetit