Në thelb | Seks

Interseks nuk është bash ‘lajm i ri’

Nga - 26.10.2019

Ende ka huti rreth kësaj teme të keqkuptuar.

Një të mërkurë në mesditë në fillim të shtatorit, gazetarët u mblodhën në një dhomë të vogël në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për një konferencë shtypi të organizuar shpejt e shpejt.

“Është rasti i dytë sivjet me këtë sindrom [hiperplasia e gjëndrës mbiveshkore], e cila jep simptoma të ndryshimeve në organet gjenitale”, tha Xhevdet Gojnovci, drejtor i Neonatologjisë. “Prandaj në media ka qarkulluar një lajm, që mund të them se nuk është e vërtetuar saktë, por është sindromë e lindur hiperplasike e gjëndrës mbiveshkore.”

Pas disa pyetjeve të gazetarëve, mjekët e QKUK-së njëkohësisht lajmëruan dhe mohuan lindjen e atij që ata e quanin “fëmijë me dy gjini”. Pas konferencës, e cila u transmetua drejtpërdrejt në rrjete sociale, disa media të ndryshme raportuan për lindjen e “fëmijës me dy gjini” dhe “lajmi” u përhap shpejt nëpër media online dhe në televizion.

Hajrullah Fejza, i cili ka doktoruar në drejtimin e Seksologjisë Njerëzore, thotë se lindja e një fëmije interseks nuk është ngjarje e jashtëzakonshme, dhe mbajtja e konferencës për shtyp për këtë ngjarje është “skandaloze”. Foto: Ferdi Limani.

Por Hajrullah Fejza, i cili mban doktoratë në Seksologjinë Njerëzore, thekson se lindja e një fëmje interseks – që ta përdorim termin e pranuar gjerësisht për njerëzit e lindur me gjenitale “që nuk e plotësojnë përkufizimin e të qenit mashkull a femër” – nuk është ndonjë lajm i ri për biologjinë njerëzore.

“Është fenomen i zakonshëm – statistikat ndërkombëtare tregojnë se 1.7% të njerëzve linden interseks”, thotë ai. “As mjeku e as mediat nuk kanë nevojë ta bëjnë këtë diçka të jashtëzakonshme. Si raportim ka qenë skandaloz, i panevojshëm dhe joprofesional”.

Gojnovci thotë se atë e shtynë mediat të fliste për lindjen e foshnjes interseks, pasi informata kishte rrjedhur prej QKUK-së.

Një ditë më parë, një medie relativisht e vogël e lajmeve online, Front Online, kishte raportuar për lindjen e fëmijës interseks, duke cituar një burim të vetëm anonim. Përveçqë shkeli parimet gazetareske të konfirmimit të informatës me burime të tjera, media gjithashtu raportoi gabimisht se “nuk mbahet mend të ketë ndodhur një lindje e tillë deri më tani në Kosovë”.

Në një raport të publikuar në vitin 2015 nga stafi mjekësor australian u tha se gjatë pesë vizitave të shkurtra në Kosovë nga viti 2011 deri në vitin 2015, i kishin shqyrtuar rastet e “5 të rinjve interseks”. Sipas Gojnovcit, në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike të QKUK-së linden rreth 11,000 foshnje në vit, e në tri vitet e fundit është lindur një foshnje interseks në secilin vit. 

Megjithatë, kjo shifër është e barasvlefshme me vetëm 0.01% të të gjitha lindjeve, që në krahasim me shkallën botërore prej 1.7%, lë të kuptohet se rastet e foshnjave interseks në Kosovë me gjasë raportohen shumë rrallë.

Çfarë ndodh kur lindet një foshnje interseks?

Sipas Ligjit për Gjendjen Civile, prindërit duhet ta regjistrojnë lindjen e një fëmije të ri brenda 15 ditëve, apo në raste “të veçanta” brenda 30 ditëve – ligji nuk qartëson se çfarë konsiderohet rast i veçantë. Pastaj çertifikata e lindjes e tregon seksin e fëmijës, që në ligjin e Kosovës mund të jetë femër ose mashkull.

Në rastin e foshnjave interseks, ligji u jep mjekëve fuqinë për ta caktuar seksin.

Pasi mjeku ta caktojë seksin, kuptohet se ndërhyrjet me operacion nuk janë të pazakonta në Kosovë. Stafi mjekësor nga Australia, që ka kryer vizita, kreu ndërhyrje kirurgjike në pesë fëmijët e rinj interseks, të cilëve ua kanë shqyrtuar rastet; kirurgu pediatrik Dëfrim Koçinaj ka thënë më parë për K2.0 që si rrjedhojë e këtyre vizitave, plus trajnimeve në spitale në Evropë e Turqi – mjekët në Kosovë mund të kryejnë operacione kirurgjike në raste më të zakonshme.

Gojnovci thotë se nuk ka informata nëse ka fëmijë interseks, seksi i të cilëve nuk është ricaktuar si mashkull apo femër, për shkak se kjo është çështje e endokrinologëve, gjeneticistëve, kirurgëve pediatrikë dhe kirurgëve plastikë. “Unë mund të flas vetëm për këtë pjesën neonatologjike”, thotë ai, duke iu referuar kujdesit në 28 ditët e para pas lindjes.

OKB dhe Këshilli i Evropës kanë bërë thirrje për t’i shfuqizuar ligjet që lejojnë ndërhyrje kirurgjike në fëmijë të rinj interseks.

Në vitet e fundit, kemi parë presion të fortë nga organet ndërkombëtare dhe aktivistët për të drejtat e njeriut në lidhje me tendencën ndërkombëtare për të kryer kirurgji në foshnjet interseks. Një fushatë e OKB-së e titulluar “Të lirë dhe të barabartë” thotë që ndërhyrjet mjekësore zakonisht nuk janë të domosdoshme nga një pikëpamje mjekësore, dhe mund të shkaktojnë “sterilitet të përhershëm, dhimbje, pamundësi për ta kontrolluar urinën apo jashtëqitjen, humbje të ndjesisë seksuale dhe vuajtje të përhershme psikike”.

OKB dhe Këshilli i Evropës kanë bërë thirrje për t’i shfuqizuar ligjet që lejojnë ndërhyrje kirurgjike në fëmijët e rinj interseks, duke ngulur këmbë që ndërhyrjet e tilla duhet të bëhen me pëlqimin e individit kur të jenë në moshë të përshtatshme për të marrë vendim të informuar.

Sipas raportit të Këshillit të Evropës, vlerësohet se prej 8.5% deri në 40% të personave interseks “përfundojnë duke e refuzuar seksin që u është caktuar në lindje, duke demonstruar shkelje të mëdha të integritetit psikologjik”. 

Megjithatë, pavarësisht paralajmërimit të ekspertëve të OKB-së se prindërit e detyruar të pranojnë që fëmijët e tyre interseks t’i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjike “shpeshherë kanë raportuar se janë penduar për shkak se ajo nuk i ka bërë mirë fëmijës, i ka dëmtuar ata, dhe ka krijuar vështirësi në marrëdhëniet prind-fëmijë”, ka pak dëshmi që prindërit në Kosovë marrin informata të mjaftueshme për të bërë zgjedhje të informuar.

Xhevdet Gojnovci, drejtor i Neonatologjisë në QKUK, thotë se në raste të lindjes së fëmijëve interseks, informatat ndahen me prindërit nga disa specialistë të ndryshëm. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Gojnovci pohon se prindërit informohen nga Neonatologjia për gjendjen e përgjithshme shëndetësore të foshnjes interseks “pa hyrë në detaje për gjininë për shkak se ende është në përpunim”.

Mjeku thotë se prindërit i informon departamenti i tij për “ndryshimet anatomike” në gjenitalet e foshnjes, si dhe për hapat e ardhshëm, që nënkupton se cilët specialistë do të konsultohen për verifikimin e diagnozës.

Megjithatë, ai thotë se nuk ka proces standard nëpërmjet të cilit prindërit informohen që foshnja e tyre është interseks, dhe se mjeku nuk ua jep këto informata në mënyrë eksplicite, e as nuk ua shpjegon kuptimin. Në vend të kësaj, një grup i mjekëve, përfshirë këtu një endokrinolog, një gjeneticist, një radiolog dhe një kirurg pediatrik, u tregojnë prindërve për elementet e ndryshme që lidhen me specializimet e tyre përkatëse.

“Secili e jep pjesën e vet [të infomacionit]”, thotë ai. “Informata mbetet gjithmonë si e mangët, në kuptimin që ajo duhet të konsultohet dhe të vazhdohet tutje”.

Përcaktimi nëse fëmija është interseks, mashkull apo femër menjëherë pas lindjes duhet t’i përfshijë domosdoshmërisht mendimet e specialistëve të ndryshëm. Fejza thekson se duhet të kryhen teste të ndryshme, përfshirë këtu përdorimin e ultrazërit.

Por Linda Gusia, ligjëruese e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se prindërit kanë të drejtë për t’u informuar për foshnjen e tyre, dhe se këto informata duhet të kontekstualizohen qartë në mënyrë që prindërit ta kuptojnë se çfarë do të thonë në praktikë. Informimi i paqartë i një prindi që foshnjen e ka interseks, si dhe mosinformimi për kuptimin e kësaj, është “thyerje elementare e të drejtave, është thyerje e kodit etik, është flagrante”, thotë ajo. 

“Kjo është e drejta për të ditur, po ashtu e drejta e prindërve për të ditur se çka nënkupton kjo”, thotë ajo. “Nëse ky intervenim bëhet, çka nënkupton ai? A nënkupton që ky fëmijë do të ndjehet si vajzë [për shembull]? Çka nënkupton kjo? A nënkupton që ky fëmijë ndoshta do të ketë nevojë për një kujdes të shtuar ose ndryshe? Çka nënkupton kjo?”

Dy gjini kundrejt dy sekseve

Dr. Gojnovci dhe pjesa më e madhe e mediave përdornin termin ‘me dy gjini’ për ta përshkruar fëmijën e porsalindur, në vend të termit të saktë ‘interseks’.

Ngatërrimi i fjalës “seks” me fjalën “gjini” është mjaft i zakonshëm në diskursin shqiptar, madje edhe ligjet e Kosovës kanë tendencë t’i përdorin dy fjalët sikur të kishin të njëjtin kuptim. 

Qasjet ndërkombëtare ndaj interseksit

Shumë vende kanë marrë masa për t’i respektuar të drejtat njerëzore të personave interseks.

Finlanda dhe Portugalia nuk imponojnë afat kohor në regjistrimin e seksit të foshnjes në raste të foshnjeve interseks.

Australia, Malajzia, Nepali, Zelanda e Re dhe Afrika e Jugut e kanë përfshirë alternativën “X” si shënues të seksit, ndërsa aplikimet për pasaportë në Indi i lejojnë tri kategori: ‘Femër’, ‘Mashkull’ dhe ‘Tjetër’. Letërnjoftimet në Gjermani nuk i referohen seksit/gjinisë.

Malta ishte vendi i parë që miratoi legjislacion që ndalon kirurgji pa pëlqimin e individit për ndryshimin e karakteristikave të seksit. Ky ligj që u miratua në vitin 2015 e mbron integritetin trupor dhe anatominë fizike të të miturve interseks, duke ndaluar trajtimin dhe procedurat mjekësore derisa të jenë në moshë kur mund të japin pëlqim të informuar.

Parlamentet, gjykatat, organet bioetike dhe/ose ministritë e disa shteteve te tjera si Australia, Zvicra, Kolumbia, Kili dhe Gjermania e kanë adresuar nevojën për pëlqim të plotë dhe të informuar të individit interseks para kirurgjisë.

Vetëm Ligji për Barazi Gjinore bën dallim ndërmjet dy fjalëve, duke e përkufizuar seksin si “karakteristikat biologjike dhe fiziologjike të cilat përcaktojnë meshkujt dhe femrat” dhe gjininë si një rol apo identitet “i fituar që mësohet, pëson ndryshime me kalimin e kohës dhe ndryshon përgjithësisht brenda dhe ndërmjet kulturave”. Këto përzierje pastaj shkaktojnë gabime administrative, sa gjykatat dhe dokumentet personale e përdorin fjalën “gjini” aty ku duhet ta përdorin fjalën “seks” dhe anasjelltas.

Një vendim i marrë së fundmi nga Gjykata Kushtetuese iu referua gabimisht “shënuesit të gjinisë” gjatë referimit të mashkullit dhe femrës, kur ky në fakt është shënues i seksit. Ngjashëm, letërnjoftimet e Kosovës, me kategori të emëruara në tri gjuhë kanë ‘gjini’ në shqip, ‘пол’ (‘seks’) në serbisht, dhe ‘sex’ në anglisht.

Fejza thotë se është e rëndësishme të dallohen qartë seksi dhe gjinia, sepse kur ato përzihen nga institucionet, “del mish-mash edhe i thënieve, edhe i ligjeve, edhe i procedurave, edhe i gjithçkaje”.

Gusia thotë se shoqëria si tërësi është shumë e vrazhdë ndaj dallimeve.

“Secili dallim a ndryshim, apo çka konsiderohet hendikep në shoqërinë tonë, është jashtëzakonisht shumë i dënueshëm nga shoqëria”, thotë ajo. “Shoqëria jonë është shumë e vrazhdë me të gjithë njerëzit që janë më ndryshe. Çfarëdolloj ‘ndryshe’, ‘ndryshe’ duke qenë gej, ‘ndryshe’ duke qenë me aftësi të kufizueme. Nuk është aspak rehat me të qenit ndryshe”.

Sipas Gusisë, shoqëria dhe institucionet duhet të mos preokupohen kaq shumë me dallimet, e në vend të kësaj duhet të bëjnë përpjekje që ta lehtësojnë jetën e secilit njeri.

“Mendoj se shkenca është munduar së paku në një pjesë më të madhe ta vendosë veten në shërbim të lehtësimit të jetës së njerëzve, por mendoj se duhet t’i shtrojmë [çështjet sociale dhe shkencën mjekësore] për të pyetur: sa dimë?” thotë ajo. 

Gusia thekson mënyrën se si mësohet anatomia njerëzore dhe organet gjenitale, duke pohuar se është formuluar nga normat mbizotëruese shoqërore, dhe thekson si shembull pasaktësitë e mëdha në mënyrën se si janë mësuar për organet gjenitale në të kaluarën.

“Në shekullin XVIII i kemi pasur mjekët që kanë menduar se trupi i gruas është veç trupi i burrit i përmbysur”, thotë ajo. “[Në atë kohë] është mësuar anatomia e burrit, dhe ajo ka qenë norma. Për anatominë e gruas nuk është mësuar”.

Sociologia Linda Gusia thotë se në Kosovë ende ka keqkuptime të mëdha mbi gjininë dhe seksin. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Gusia thotë edhe se ka tendencë të madhe për ta keqkuptuar rolin dhe rëndësinë e organeve gjenitale.

“Unë e shtroj si pyetje [para studentëve të mi] se prej ku vijnë predispozitat tona gjinore? A vjen gjinia jonë nga gjenitalet?”, thotë ajo. “Dhe shumica thonë ‘po’”.

Ajo insiston se kemi nevojë të përparojmë përtej ideve të tilla dhe ta kuptojmë veten në disa nivele të ndryshme. “Ta kuptojmë edhe gjininë tonë… përtej organeve gjenitale, sepse hulumtimet e reja po tregojnë se organet gjenitale janë dytësore [për karakteristikat njerëzore].”

Megjithatë, sipas treguesve, ndryshimi i mendimeve në shoqëri është i një dite të largët, pjesërisht edhe mbasi ajo çka mësohet në shkolla dhe universitete të Kosovës nuk është në përputhje me zhvillimet më të reja globale sa i përket kuptimit të çështjeve të tilla.

Nexhmi Hyseni, kirurg pediatrik në QKUK dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thotë se studentët nuk mësojnë për interseksin as në librat shkollorë, e as në ligjëratat e Departamentit të Kirurgjisë.

Në fakt, interseksi me sa duket është lënë jashtë librave shkollore dhe universitarë për trupat njerëzorë.

Sivjet, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka miratuar libra të rinj shkollorë, të cilët përsëri nuk e përmendin fare interseksin. Për shembull, nxënësit e klasës së 6-të e kanë një libër të ri të Biologjisë që përfshin seksualitetin njerëzor. Një seksion i librit flet për homoseksualitetin, heteroseksualitetin dhe biseksualitetin si “seksualitete të ndryshme”, por pjesa për trupat njerëzorë u referohet vetëm trupave të mashkullit dhe femrës, pa përfshirë trupat interseks.

Sipas Hajrullah Fejzës, librat e tillë duhet ta përfshijnë një përkufizim të interseksit. 

“Nuk duhet të jetë tabu, siç nuk duhet të jenë as orientimi seksual e identiteti gjinor”, thotë ai. “Duhet të flitet, nuk është marre në libër të shkruhet një përkufizim i thjeshtë “të gjithë ata njerëz që me ndryshime të organeve gjenitale nuk e plotësojnë definicionin e të qenit mashkull ose femër janë interseks’”.

Ngjashëm me të, Linda Gusia thotë që ka ardhur koha që thjesht t’i përqafojmë dallimet.

“Mendoj se qenia jonë është më komplekse dhe thjesht do të duhej ta marrim si të tillë dhe ta pranojmë si të tillë – ta pranojmë diversitetin dhe fluiditetin e qenies”, thotë ajo. “Përvojat tona nuk janë të njëjta, dhimbjet tona dhe mënyra se si jemi të ndërtuar mekanikisht nuk janë të njëjta. Ideja është që të mos i normativizojmë, t’i disiplinojmë dhe t’i dënojmë të gjithë të tjerët që nuk hyjnë në ato norma”.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ky artikull është pjesë e projektit “Avancimi i pozitës së personave LGBTI në shoqëri”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, dhe implementuar nga Qendra për Barazi dhe Liri CEL.