Në thelb | Prishtina

Jakup Bunjaku, gazetari që ia la emrin lagjes “Dardani”

Nga - 12.07.2023

Mësuesi e gazetari që u bë pjesë e historisë së kryeqytetit. 

Në fund të nëntorit të vitit 1973, Jakup Bunjaku u gjend në zyrën e kryetarit të atëhershëm të Prishtinës, Nazmi Mustafa. “Do të ishte mirë që lagjet të emëroheshin shqip”, i kishte thënë Bunjaku kryetarit, i cili ia kishte pritur me një pyetje: “A ke ndonjë ide?” 

Bunjaku, gazetari i gazetës “Rilindja” që mbulonte zhvillimin urban e infrastrukturën e Prishtinës, idenë e kishte të qartë. Donte që lagjja të emërohet “Dardana”, duke e lidhur me fjalën “dardhë”. Këtë lidhje e bënte që të shmangeshin interpretimet e mundshme se emri lidhej me shtrirjen e Dardanisë së dikurshme në territorin e Kosovës — gjë që, në rrethanat e kohës, do të mund ta pengonte jetësimin e idesë së tij.

Prishtina dhe e gjithë Kosova kishin nisur të ndienin pak dorën e investimeve më të mëdha ekonomike në fillim të të ‘70-ve, pas një shpërfilljeje që e kishin deri atëherë nga institucionet qendrore të Jugosllavisë. Asokohe flitej që lagjja e re, që tashmë po i shtohej Prishtinës, të quhej “Trougao”, që i bie trekëndësh në gjuhën serbe. Kjo për shkak të formës si trekëndësh që “Dardania” e ka nëse shihet prej qiellit.  

Kryetari Mustafa, i cili i kishte dyert e zyrës gjithnjë hapur për Bunjakun, pa e menduar dy herë, pas takimit, e kishte udhëzuar të shkonte në redaksi dhe ta botonte tekstin për lagjen e re, duke e quajtur atë “Dardana”.

“Redaktorit Mustafa Rushitit i thashë se me idenë time është pajtuar edhe Nazmi Muatafa. Ai një herë hezitoi, por lejoi të botohej propozimi”, kujton Bunjaku ngjarjen e 27 nëntorit të vitit 1973. Të nesërmen, me 28 nëntor, që ishte edhe dita e flamurit shqiptar, një e treta e faqes 10 e “Rilindja” u mbush me tekst nën titullin “Dardana – Kuarti më i bukur i Prishtinës”. 

Prej aty e tutje, me një ndryshim fare të vogël, emri i lagjes mbeti “Dardani”.

Artikulli i vitit 1973 i gazetës “Rilindja”, kur për herë të parë u quajt lagjja “Dardani”.

Rrugë e gjatë drejt mësuesisë

Në lagjen, të cilës ia vuri emrin banon edhe sot gazetari e mësuesi Bunjaku. Me gati 88 vjet mbi supe, ai zbret rrallë shkallëve të katit të parë të ndërtesës katër-katëshe ndodhur në rrugicën që të çon kah stacioni i autobusëve. Kur moti merr mirë, del në oborrin e vogël e kujdeset për lulet e kopshtin. 

Kur s’është duke u kujdesur për oborrin e lagjes që e do fort, ai lexon e i jep edhe një dorë një abetareje, që e ka shkruar vetë si libër alternativ që do të mund të lexohej jashtë planprogramit zyrtar e kaherë e s‘ka gjetur financim ta botojë. 

Për të, kjo s’është abetarja e parë që e ka përpiluar. Më herët kishte marrë detyrën ta bënte abetaren për shkollat shqipe në Jugosllavi, por u bë puna ashtu që të mos i botohej.

“E kisha bërë gati krejt. Kur më thanë se po pranojnë [institucionet arsimore të kohës] ta marrin abetaren e Shqipërisë, veçse do ta heqin fotografinë e Enver Hoxhës, u gëzova fort se po vinte nga Shqipëria dhe nuk bëra zë hiq”, thotë Bunjaku, teksa qeshet duke treguar këtë ndodhi.

Me libra shkollorë është marrë gjithmonë teksa gazetarinë nuk e kishte pasur asnjëherë në plan. Në fillim të viteve të ‘40-ta, në fshatin Poliçkë të Kamenicës kreu shkollën fillore e pak kilometra më poshtë, në Hogosht,  nisi mësimet në gjimnazin e ulët, për të vazhduar një klasë në Prizren.

Ai e donte muzikën. Dashurinë për të e ushqente duke dëgjuar vjedhurazi ushtrimet në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren. “Shkoja të dëgjoja nga jashtë shkollës ushtrimet melodike me nxënës në Shkollën e Mesme të Muzikës”, thotë ai. Një ditë, roja i shkollës e kishte dërguar te drejtori Lorenc Antoni, për t’ia “provuar drejtori veshët nëse i ka për muzikë”.

“‘Bravo’ më tha, ‘ti paske prirje për muzikë’. Kur mori vesh se isha nga Kamenica, m’u drejtua: ‘Ti djali i mirë do të vish në shkollën tonë posa të mbarosh gjimnazin e ultë. Do të jesh nxënësi i parë nga Anamorova që do të bëhesh mësues i edukatës muzikore’”, tregon Bunjaku.

Bunjaku donte të studionte për muzikë, por rrethanat e çuan në Shkollën Normale. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ëndrra e tij për të kryer shkollën e muzikës nuk u bë, pasi bursa komunale, që do t’ia mundësonte shkollimin për muzikë, i shkoi dikujt tjetër. 

Afat tjetër për bursë komunale nuk kishte në Kamenicë, prandaj Bunjakut iu desh të gjente udhë tjetër, drejtim tjetër. 

Aty nisi rrugëtimin për t’u regjistruar në Normalen e Prishtinës, që ishte një lloj shkolle e lartë, ekuivalente me nivelin e fakultetit sot. Dikush i kishte thënë të shkonte në Prishtinë se Krahina po ndante bursa. 

“Eca në këmbë 80 kilometra rrugë deri në Prishtinë. Kur arrita te Xhamia e madhe në Prishtinë, i rraskapitur nga lodhja, më ra të fiktë. Më dërguan në spital, ku ndejta 10 ditë sa e mora veten”, e kujton rrugëtimin Bunjaku, i cili pas një takimi me Ymer Pulën, një nga udhëheqësit politikë të kohës, siguroi një vend në Normale dhe në konvikt.

Koha kur ishte në Normale nuk ishte e lehtë për të e bashkëmoshatarët e tij shqiptarë, sidomos pas vitit 1956. Aksioni i mbledhjes së armëve tek popullata shqiptare në dimrin e atij viti në Kosovë nga pushteti jugosllav, kishte përshkallëzuar në një propozim që nëpër institucionet arsimore të ligjërohej vetëm serbisht.

Ndër njerëzit që kishin dalë haptaz kundër këtij propozimi ishin profesorët e shkollës ku mësonte Bunjaku, Ali Hadri dhe Hasan Mekuli. Përfundimisht, nisma e pushtetit për ta hequr shqipen nga shkollat dështoi, teksa në vitet në vijim vazhdoi një përpjekje e gjerë e shqiptarëve për të kërkuar të drejtat e tyre dhe qasje në gjuhë e edukim. 

Prej shkollës në redaksi

Në vitin 1959 gjenerata e Bunjakut diplomoi në Normalen e Prishtinës. Në mungesë të kuadrove atëbotë, përfundimi i Normales shpesh i binte fillim i punës në mësimdhënie. Ashtu ishte edhe për Bunjakun, i cili u kthye edhe një herë në zonë rurale, si mësues. Kësaj radhe jo në vendlindjen e tij në Kamenicë, por në fshatin Pozharan të Gjilanit, ku ndiqnin mësim edhe nxënës nga fshatrat tjera përreth.

“Mbuloja lëndët edukatë muzikore, edukatë fizike dhe art figurativ”, thotë ai teksa ndan gëzim të veçantë që mund të jepte edhe edukatë muzikore sepse përgjatë viteve në Normale të Prishtinës kishte qenë edhe violinist i parë në orkestrën e shkollës.

Nuk mjaftohej me njohuritë që kishte e që do t’ua përcillte brezave të rinj dhe vazhdimisht kërkonte të mësonte më shumë e të jepte më shumë.

“Pata ndjekur seminarin për arsimtarë të edukatës muzikore nga Serbia, Kosova dhe Vojvodina, që u mbajt në Kruševac. Ligjëruesi sllovak Arnold Vlasak më pa që kisha shumë interesim dhe më mori numrin e nxënësve, duke më dërguar librin e tij falas për të gjithë nxënësit”, thotë Bunjaku, që e kishte shndërruar shkollën ku jepte mësim në më të mirën për muzikë. Programet e tij me nxënës regjistroheshin nga Radio “Beogradi” dhe Radio “Prishtina”.

Edhe në artin figurativ, sigurohej që nxënësve t’u ofronte qasje të reja. Mësonte nga artikujt pedagogjik të arsimtarëve të Kroacisë, që i lexonte në një revistë mujore të botuar në Osijek. Aty shkruhej për mozaikun, zbukurimet popullore të pajes e qilimave. Të gjitha këto, i shfaqnin nëpër ekspozita, të cilat Bunjaku i organizonte me nxënësit e tij.  

Nga fshati, në vitin shkollor 1962-’63 kaloi të punonte në Ferizaj në shkollën fillore të qytetit, që sot mban emrin “Gjon Sereqi”. Sfidat në arsim, si mungesa e mjeteve të punës, problemet infrastrukturore në objektet mësimore, ishin të mëdha atë kohë e Bunjaku nuk e kursente kritikën. Vazhdimisht çonte tekste rreth gjendjes së arsimit në adresë të redaksisë së gazetës “Rilindja” në Prishtinë.

Në vitin 1965 kjo gazetë hapi konkurs për korrespodentë nga qendrat më të mëdha rajonale të Kosovës. Ky konkurs nuk e kishte joshur atë të konkurronte, por dikujt iu kishte kujtuar Bunjaku.

“Në atë kohë Vehap Shita, redaktor i kulturës në Rilindja, kishte thënë se një arsimtar nga Ferizaj, kishte përmendë emrin tim, shpesh më shkruan për probleme të shkollës dhe të edukimit të fëmijëve. Më thirrën në redaksi dhe më thanë se mund të filloja punën si korrespondent nga Ferizaj”, tregon Bunjaku. 

Atëbotë paga e gazetarit ishte më e lartë se e mësuesit. Në kërkim të një jete më të mirë, ai zgjodhi të vazhdojë me gazetari.

Detyra e parë ishte përmbledhja e ngjarjeve javore nga qyteti i Ferizajit, që botohej në një faqe të gazetës çdo të premte. Faqja e mbushur me informacione nga Bunjaku kishte marrë vlerësim pozitiv nga Sedat Dida, ish-redaktor i korrespodentëve.

Për të kuptuar mënyrën e punës dhe se si të shkruante artikuj gazetaresk profesional, i shfletonte shpesh faqet e gazetave beogradase. Tashmë faqet e një gazete po i gatiste e mbushte me tekst të vetin. Tërë javën përcillte ngjarje, mbledhje të Komitetit Komunal të Ferizajit dhe vullnetarisht kontribuonte si gazetar në Radio “Ferizaj”, edhe duke udhëzuar gazetarë të rinj si Rexhep Rifati dhe Mehmet Emërllahu. Ky i pari, u bë shpejt korrespondent i Rilindjes.

Në fillim të të ‘70-ave, Bunjaku mori rrugën për Prishtinë për të mbetur aty gjithmonë.

“Kryeredakori Jusuf Kelmendi më dha leje që të nis punën pasi të gjej një banesë me qira. Pas dy jave mezi e gjeta një banesë në pjesën e përrockës së qytetit [pjesa vjetër e Prishtinës]”, thotë Bunjaku, të cilit tash iu caktua të mbulonte ngjarjet e kryeqytetit, që nuk ishin të pakta, sidomos marrë parasysh periudhën nëpër të cilën po kalonte Prishtina.

Prishtina kishte nisur atë kohë të shndërrohej në një qytet modern, me shumë zhvillime infrastrukturore, që shpejt u bënë cak i gazetarisë së Bunjakut. 

Emra shqip për lagjet e kryeqytetit

Vitet e ’70-ta ishin fillimi i një epoke që Prishtinës do t’i sillnin shumë nga ndërtimet më ikonike, si Hotel Grandi, Pallati i Shtypit, Biblioteka Kombëtare, Menza e Studentëve, Kampusi i Universitetit të Prishtinës, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Banka Qendrore e lagjet “Ulpiana” e “Dardania”.

Të gjitha këto, Bunjaku i sillte te publiku përmes artikujve në gazetë. Ai frymëzohej të shkruante rreth arkitekturës nga një revistë e kohës “Naš dom” (shq. Shtëpia jonë). 

Mirëpo një fakt që e kishte brengosur ishte emërtimi në gjuhë serbe e turke i lagjeve të Prishtinës, që sipas tij ndodhte nga ndikimi i arkitektëve serbë dhe funksionarëve të kohës.

“Lagjet e reja që në ndërkohë kishin lëshuar shtat ishin ‘Aktashi’, ‘Tashlixhja’ – turqisht, kurse ‘Dragodani’ dhe ‘Voja Janković’ – serbisht”, i përmend ai.

Një prej lagjeve të vetme me emër shqip ishte lagjja “Ulpiana”, projektuar nga arkitekti Bashkim Fehmiu. Sipas Bunjakut emri shqip kësaj lagjeje i ishte pranuar vetëm se serbët mendonin që qyteti antik i Ulpianës nuk kishte asnjë lidhje me historinë shqiptare.

Kështu, ndikimi i tij dhe vendosmëria e ish-kryetarit Nazmi Mustafa, që kishte ardhur në atë post pas një suksesi si drejtor në Minierën e Goleshit dhe Mihjen e Obliqit, nxorrën në dritë idenë për emërtimin “Dardana” për lagjen që sot është “Dardani”.

Pasi e kishte dhënë idenë dhe e kishte botuar artikullin në “Rilindja”, Bujnakun e priste edhe një obligim tjetër. Ish-kryetari e ftoi të shkonte e të arsyetonte emrin tek komisioni për emërim të shesheve, rrugëve, shkollave e lagjeve.

“Ka ardhë koha që lagjet e reja të marrin edhe emra shqip”, kishte thënë Bunjaku në komisionin që e udhëheqte profesori i tij i pedagogjisë në Normale, Jusuf Shushka, teksa ende i qeshë fytyra nga hareja që kishte ndier atëherë që emri shqip po merrte rrugën e miratimit.

Pas tre muajsh diskutimesh rreth emrit nëpër të gjitha bashkësitë lokale, propozimi arriti në mbledhjen e Kuvendit Komunal. 

“Ai që e propozoi [në Kuvend], e propozoi si ‘Dardania’. U çu një serb nga Obliqi e tha nuk bën kështu, por po ia lëjmë ‘Tito’. Atëherë Nazmi Mustafa i tha ‘Emrin e Titos e kemi bo me pluhur në Obiliq e tash ti po thu me ia ngjitë një lagjeje. Ai emër është për qytet’, edhe kaloi edhe në procesverbal si ‘Dardania’ e jo ‘Dardana’”, kujton Bunjaku.

Projektues të lagjes ishin arkitektët e entit projektues arkitektonik “Plan” nga Zagrebi: Dražen Janković, Darko Kožjak, Mirko Pak dhe Milena Fischer. Ata kishin ngadhënjyer në konkursin arkitektonik, ngaqë sipas artikullit të Bunjakut në “Rilindja”, kishin arritur planifikimin e rrugëve brenda lagjes ta bënin më mirë, duke ndarë çka është për automjete dhe çka për këmbësorë. Projektimi ka dalë të jetë i suksesshëm, ngaqë edhe sot nëpër Dardani mund të ecësh më lirshëm.

Ekipi i arkitektëve kur kishte ardhur nga Zagrebi në Prishtinë, natyrisht se ishin takuar me Bunjakun. “Patëm ngrënë drekë në Bozhur”, tregon ai.

Më 16 shtator 1974, gati një vit pas takimit ku Bunjaku e dha idenë për emrin e saj, lagjes “Dardania” iu vu gurthemeli. Disa nga pjesëmarrësit ishin kryetari i Prishtinës Nazmi Mustafa, rektori i Universitetit të Prishtinës, Idriz Ajeti, Vehbi Orana, që drejtonte ndërmarrjen “Ramiz Sadiku”. Për ngjarjen në gazetë shkroi Bunjaku, për të cilin “Dardania” u bë jo vetëm lagjja që do ta përcillte hap pas hapi, por edhe vendi ku do ta gjente shtëpinë. 

Afro 5,000 banesat e planifikuara të ndërtoheshin deri në fund të vitit, kryheshin në periudha të ndryshme. Ashtu botoheshin edhe tekstet nga Bunjaku, i cili pos që mbulonte mbarëvajtjen e procesit të ndërtimit, fliste edhe për diskriminimin që ai e shihte në ndarjen e banesave.

“Punëtorët i merrnin banesat më të vogla [në krahasim me udhëheqësit] edhe pse kishin më shumë anëtarë të familjeve. Këshillat e punëtorëve vendosnin sipas dëshirës së drejtorëve”, thotë ai që jo lehtë kujton vitet e datat pas gjithë kësaj kohe.

Artikulli i vitit 1974 i gazetës “Rilindja”, kur u vendos gurthemeli dhe nisi puna për lagjen “Dardani”

Nga gazetaria në raportim të krimeve

Pas gati dy dekadash, Bunjaku, në vitin 1982 e la punën në “Rilindja” dhe iu bashkua gazetës së ndërmarrjes “Kosovatrans” që menaxhonte autobusët dhe linjat e tyre në Kosovë. Madhësia e ndërmarrjeve të dikurshme përgjatë periudhës socialiste, u lejonte atyre që të kishin edhe një gazetë periodike të tyren. 

Megjithatë, puna aty nuk i zgjati as afër sa në “Rilindja”. Suprimimi i autonomisë së Kosovës në Federatën Jugosllave në vitin 1989, u përcoll më pas me largimin me të madhe të punëtorëve shqiptarë nga vendet e tyre të punës. Bunjaku ishte një prej rreth 150,000 shqiptarëve tjerë që mbetën pa punë në fillim të të ‘90-tave.

Në ato vite filloi të shtohej dhuna e pushtetit ndaj shqiptarëve. Për t’i dokumentuar rastet e dhunës, Bunjaku iu bashkua Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).

Ai kishte për detyrë të mblidhte raportet nga komunat e Kosovës, prej kah raportuesit dërgonin të dhëna krimet që kryheshin mbi shqiptarët. Bunjaku i përzgjedhte rastet më të rënda dhe krijonte raportin e vet, të cilin e dërgonte te ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare. “Kështu i tregonim botës se çka ndodhte në Kosovë”, thotë Bunjaku.

Pas luftës së fundit në Kosovë ai u pensionua. Emri i tij nuk dilte më në gazeta si autor artikujsh. Ai mund të gjendet në arkiva, kur shfletohen faqet e pluhrosura të gazetave që tash kanë mbushur gjysmë-shekulli. Dikur s’kishte ndërtesë që planifikohej a ngritej e që Bunjaku nuk ishte aty.

Lagjja “Dardani” është vetmja që ia mbush syrin Bunjakut. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Sot në lagjet e reja nuk është se del shpesh, por i ka parë me syrin kritik. Jo shumë prej lagjeve të Prishtinës kanë kopshte e lule, si ato për të cilat kujdeset Bunjaku. Ai ka parë edhe lagjet e vjetra që janë shkatërruar me mbindërtime dhe me rrënime të pjesshme. Por, vetëm Dardania ia mbush syrin.

“Këtu në ‘Dardani’ ka pasur mbindërtime, por ende është ruajtur mirë. ‘Ulpianën’ e kanë ngarku shumë, për lagjet e reja nuk kam çka flas. S’kanë hapësirë, s’kanë asgjë që dikur planifikohej mirë”, thotë ai, teksa kthehet dalëngadalë në banesën e tij, në lagjen “Dardani”. 

 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0

  • 28 Aug 2023 - 07:58 | Flakrona Rexhepi:

    Pershendetje Remzi, Pershendetje Qerim, Kopjet fizike te revistes i gjeni ne librarine Dukagjini dhe Buzuku ne shesh, ose ne zyret e Kosovo 2.0 rr. Ferat Dragaj nr. 25 prapa furres Qerimi 1. Per çdo pyetje tjeter lidhur me revistat tona të shtypura, mund te na kontaktoni edhe ne email adresen info@ktwopointzero.com. Cdo te mire, Flakrona, menaxhere e komunitetit

  • 16 Jul 2023 - 10:37 | Remzi Rrafshi:

    Pershendetje jam i interesun per me me ble por qysh muj me ju kontaktu se ne cilin vend jeni ose numer te telefonit

KOMENTO