“Jam shqiptar e kosovar” kështu e nis Mitrush Kuteli “Poem kosovar” të vitit 1944. Ky rresht hyrës përshkruan më së miri mënyrën se si unë e shpreh identitetin tim. Shqiptarësia ime është qenësore për mua, por kombinimi i të dy elementeve e përshkruan me të vërtetë atë që jam.
S’e kam ndierë asnjëherë nevojën për t’i pajtuar këto dy aspekte të vetes sime, pasi ato ekzistonin si një. Por kohëve të fundit, në bisedat në komunitetin shqiptar termet kosovar dhe shqiptar kanë filluar të vendosen në pozicione të kundërta. E kam vërejtur një rritje të përbuzjes ndaj përdorimit të termit kosovar. Disa shqiptarë, nga Kosova dhe më gjerë, pohojnë se ky emërtim nuk pasqyron identitetin tonë “të vërtetë” si shqiptarë.
Siç mbështetet nga poema e Kutelit, termi “kosovar” ekziston të paktën nga mesi i shekullit XX. Ishte një term që përdorej për të treguar origjinën rajonale, që me kalimin e viteve fitoi një lidhje të drejtpërdrejtë me shqiptarët e Kosovës.
Sot, kosovar/e është termi zyrtar për t’i përshkruar qytetarët e vendit tonë, Republikës së Kosovës. Njerëzit e përkatësive etnike shqiptare, serbe, gorane, rome, turke, boshnjake, ashkali dhe egjiptiane mund të jenë kosovarë/e. Tash ekziston edhe si shtetësi që u referohet individëve që vijnë nga Republika e Kosovës, pavarësisht identitetit etnik.
Unë shpesh e përdori termin kosovar, por më është nënkuptuar se përdorimi i këtij termi — të cilin unë e përdor gjithmonë duke e ndërthurur me termin shqiptar — e zbeh shqiptarësinë time. Megjithatë, unë mendoj së është e kundërta. Kur e përdor termin kosovar, e pozicionoj qartë identitetin tim shqiptar brenda kontekstit historik të Kosovës. Meqenëse jam lindur dhe rritur në Perëndim, ndiej një përgjegjësi të shtuar për ta pranuar këtë. Fushatat etno-nacionaliste, si tog-fjalëshi “Kosova është Serbi”, synojnë në mënyrë aktive ta cenojnë ekzistencën e Kosovës si shtet i pavarur. Pra, për ta vënë theksin te shtetësia e Kosovës, unë e përshkruaj identitetin tim si kosovar-shqiptar.
Njerëzit kanë të drejtë të mos e pëlqejnë flamurin e Kosovës apo termin kosovar. Por, refuzimi në mënyre aktive i këtij termi prodhon efekt të kundërt në përfaqësimin që i duhet Kosovës. Shpesh hutohem kur shoh se shqiptarët/et shfaqin ndjenja të forta për ekzistencën e Kosovës si shtet, por megjithatë nuk e respektojnë, e përbuzin dhe tallen me termin kosovar. Si mund të presësh që të tjerët ta respektojnë shtetin tënd, kur ti vetë i diskrediton aspektet qenësore të tij, siç është emërtimi i tij?
Për mua, përdorimi i termit kosovar-shqiptar i referohet një përvoje shumë kontekstuale, të cilën nuk e kanë të gjithë shqiptarët/et etnikë/e, që jetojnë nëpër vende të ndryshme. Po e vë theksin tek përvoja specifike historike e shqiptarëve/eve të Kosovës. Disa mund të argumentojnë se mendimet e mia lidhur me këtë çështje janë përçarëse dhe se po provoj ta ndaj komunitetin shqiptar, gjë që nuk është e vërtetë.
Përpiqem t’i njoh përvojat dhe identitetet kontekstuale për dallim nga prirja aktuale për të reduktuar përvojën shqiptare. Shqiptarët e Kosovës nuk përjetuan shtypje gjatë historisë thjesht sepse ishin shqiptarë. Kryqëzimi midis identitetit të tyre shqiptar dhe pranisë së tyre në Kosovë, rezultoi në kolonializëm, gjenocid dhe spastrim etnik, me të cilin u ballafaquan përgjatë shekullit XX. Ishte ky kontekst që manifestoi lëvizjen për pavarësinë e Kosovës dhe krijimin e shtetit që kemi sot.
Disa shqiptarë/e e konsiderojnë termin kosovar si term që tregon vetëm identitetin rajonal, diçka që historikisht ka qenë e vërtetë. Megjithatë, pozicionimi i këtyre emërtimeve si identitete “rajonale” në kohën e pas-pavarësisë, nxjerr në përfundim se Kosova ende, edhe sot, është rajon — gjë që s’është e vërtetë. Ndonëse mund të ketë qëllime të mira mbrapa kësaj narrative, ajo prapëseprapë e kundërshton pavarësinë, sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës.
Disa janë kundër përdorimit të termit kosovar sepse i ndërlidh shqiptarët/et me komunitetet e ndryshme etnike që jetojnë në Kosovë. Mund ta pranojmë se shqiptarët/et ishin pjesë qenësore në formësimin e shtetit të Kosovës, e njëkohësisht ta duam një shtet që është gjithëpërfshirës për të gjithë që jetojnë në të. Të kesh një term që tregon kombësinë qytetare të Republikës së Kosovës dhe bashkon qytetarët e saj nuk duhet të shihet si gjë negative.
Megjithatë, jam i vetëdijshëm për çështjet ndëretnike që ekzistojnë brenda Kosovës dhe mund të jetë e vështirë t’u kërkosh grupeve që historikisht janë polarizuar, të identifikohen me një kombësi qytetare të përbashkët. Kjo është diçka për të cilën duhet punuar, duhet të synojmë për një shoqëri që bazohet në respekt të ndërsjellë dhe të lirë nga ndarjet etnike.
Kjo nuk do të thotë se ne nuk mund ta ruajmë identitetin dhe kulturën tonë etnike. Fakti që disa shqiptarë/e po e përdorin këtë diskurs për të bërë të duket se shqiptar/e dhe kosovar/e janë terma reciprokisht përjashtues, nuk e përfaqëson realitetin tonë të tanishëm. Ne jemi kosovarë/e nga shtetësia dhe origjina, si dhe shqiptarë/e nga etnia — të dy etiketat janë të rëndësishme dhe të vlefshme.
Ky konflikt rreth terminologjisë është shumë i pranishëm në rrjetet sociale dhe kam vërejtur një prirje të fshehur për t’i shfrytëzuar si mjet tragjeditë e luftës së fundit në Kosovë. Kur një shqiptar/e zgjedh ta përdorë vetëm termin kosovar/e për ta treguar vendin e tij/saj të origjinës, ai/ajo përballet me një narrativë sipas së cilës ata/o që kanë luftuar “nuk kanë vdekur që ti ta përdorësh termin kosovar/e” ose “nuk janë vrarë që ti ta përdorësh me këtë flamur”. Kjo përgjigje shpërfaq mosrespekt dhe është e pandjeshme ta përdorësh vdekjen e të tjerëve për ta çuar përpara mendimin tënd. Ne mund të debatojmë për këtë çështje, por duhet ta kultivojmë një kulturë debati ku ka respekt, e jo një që mbështetet në lojë me emocionet e njerëzve.
Kohët e fundit, në komunitetin e gjerë shqiptar termi kosovar/e gjithnjë e më shumë po ndërlidhet me karakteristika dhe stereotipe negative. Është e zakonshme të hasësh në televizionet shqiptare përfaqësime të pafavorshme ndaj shqiptarëve/eve të Kosovës. Bledi Mane, gazetar dhe konkurrent në Big Brother Albania, citohet të ketë thënë se “Kosova nuk të ofron asgjë…ju [Kosova] jeni vendi që nuk përdorni vaj ulliri…ju s’keni kulinari, ju jeni te pleskavica dhe lakra”.
Kjo deklaratë nënkupton se shqiptarët/et nga Kosova janë disi inferiorë kulturalisht. E pse atëherë kur shqiptarët/et nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia janë të suksesshëm — si Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha, Granit Xhaka, Nëna Terezë — narrativa që dëgjojmë është “të gjithë jemi shqiptarë”? Por, kur bëhet fjalë për aspektet e ashtuquajtura “negative” të praktikave tona kulturore, neve na shndërrojnë sërish në kosovarë/e dhe origjina jonë rajonale shfrytëzohet si armë për ta zhvlerësuar shqiptarësinë tonë. Kjo është një dinamikë, në të cilën nuk dua të përfshihem e nga e cila nuk dua të përkufizohem.
Për shkak të këtyre stereotipeve i referohem vetes si kosovar-shqiptar. E bëj këtë për ta rifituar këtë term dhe për t’i theksuar kontributet pozitive që kanë dhënë shqiptarët/et nga Kosova, si për komunitetin shqiptar, ashtu edhe më gjerë. Ne duhet t’i kujtojmë komunitetit tonë dhe botës se Kosova është shtet i pavarur. Ky është realitet që nuk mund të zhbëhet.
Pra, krenohu me identitetin tënd kosovaro-shqiptar/e. Fakti që mund ta them se vij nga Republika e Kosovës është njëmend i thellë, marrë parasysh luftën tonë për vetëvendosje. Mos u ndiej sikur përdorimi i termit kosovar/e në njëfarë mënyre “mohon” shqiptarësinë tënde, sepse s’është ashtu.
Imazhi i Ballinës: Atdhe Mulla / K.2.0.