S`fundmi | COVID-19

Jeta e komunitetit LGBTQ në karantinë

Nga - 12.05.2020

Si po e mbijetojnë ngujimin disa pjesëtarë të komunitetit LGBTQ në Kosovë.

Së paku një herë në jetë, të gjithë prej nesh kemi ëndërruar të zhdukemi dhe të fshehemi diku. Kur një çast i caktuar është bërë tepër i vështirë për t’u përballuar, shumë prej nesh thjesht jemi arratisur. Nevoja për t’u tërhequr ka më shumë domethënie gjatë ngujimit the periudhës së COVID-19 sesa më parë, por për të shumtën e individëve të komunitetit LGBTQ (Lezbike, Gej, Biseksual, Transgjinor dhe Queer*) në Kosovë, tërheqja në qoshe të vetmuara është mënyrë e jetesës.

Arta** e di më mirë se çdokush tjetër se ç’do të thotë të përhumbesh mbas eskapizmit. Ajo është një grua transgjinore që ka paguar çmimin e fshehjes së identitetit të saj gjinor. Ajo është çelur për identitetin e saj vetëm me një numër të vogël shokësh e shoqesh që po ashtu janë pjesë e komunitetit LGBTQ. Pavarësisht nga seksi që i është caktuar në lindje dhe nga pamja biologjike mashkullore, Arta gjithmonë është ndier si grua.

Shumë njerëz transgjinorë vazhdojnë të keqkuptohen thellësisht. Shprehja e një identiteti gjinor që është ndryshe nga seksi biologjik që caktohet në lindje e rëndon diskriminimin ndaj tyre. Termet “seks” dhe “gjini” përdoren shpeshherë në mënyrë të ndërkëmbyeshme dhe kjo e shton hutimin dhe keqkuptimin e çështjeve trans në Kosovë. 

Prapë, krahasuar me gratë trans (personat transgjinorë që caktohen si meshkuj në lindje), burrat trans në Kosovë — si dhe në tërë rajonin — pranohen më lehtë nga publiku i gjerë. Shprehja gjinore e burrave trans gjen më shumë miratim për shkak të shtresëzimit shoqëror patriarkal — deri më tani asnjë grua trans nuk është çelur publikisht në vend.

Dy burra trans, të cilët po ashtu janë aktivistë të komunitetit LGBTQ dhe janë çelur publikisht, patën thënë për K2.0 se për shkak të pabarazisë gjinore, gratë trans kanë status të përafërt me të gjitha gratë e rajonit: janë më të ulëta se burrat, janë më të prekura nga dhuna dhe nuk janë aq të pranuara krahasuar me burrat trans.

Kultura patriarkale në Kosovë i ka rënduar telashet e besimit dhe të komunikimit me botën e jashtme.

"Dhe mund të dukem kështu sepse nuk kam nevojë të dal jashtë."

Arta, grua trans

“Është më e pranueshme për shoqërinë të shohë burra trans. Për atë arsye ka burra trans që janë çelur — pra kanë identitetin e hapur — dhe nuk njeh ndonjë grua trans”, thotë Arta.

Ajo ende nuk është çelur publikisht për statusin e saj dhe shpeshherë njerëzit ia ngatërrojnë gjininë, madje edhe brenda komunitetit LGBTQ. Kjo më tej e keqëson stigmatizimin dhe vetëvlerësimin e saj.

“Më ka ndikuar shumë”, thotë Arta. “Ata [komuniteti LGBTQ] kanë tendencë të më identifikojnë gabimisht. Njerëzit zakonisht nuk e imagjinojnë një grua trans me flokë të shkurtër dhe me rroba burrash. I paramendojnë me rroba femërore dhe flokë më të gjata — pra e kundërta e dukjes sime. Komuniteti LGBTQ nuk mund të fajësohet për këtë sepse ekzistojnë imazhe të forta të burrave dhe grave. Por as unë s’mund të fajësohem”.

Në fakt, ngujimi dhe detyrimi për distancë fizike, pavarësisht nga pasojat emocionale, i ka hapur shteg t’i ketë disa liri që janë thuajse të pamundshme në jetën e saj të përditshme. Ajo jeton vetëm në banesën e saj në Pristhinë dhe punon onllajn qysh nga koha kur janë vendosur masat e para të ngujimit në mes të marsit për ta luftuar përhapjen e COVID-19.

Çdo mëngjes ajo sigurohet ta mbulojë kamerën e llaptopit që të mos i shihet fytyra me makijazh. Arta zgjohet herët dhe eksperimenton me hijezim dhe laps të syve, me ngjyra dhe buzëkuq, para se të marrë pjesë në takimet onllajn të stafit.

“Qëndroj në dhomë me një ndjenjë lirie. Nuk kam pasur shumë mundësi të eksperimentoj me stilin dhe tash po e bëj gjatë gjithë kohës. Ndonjëherë dukem më femërore. Herave të tjera më gotike”, thotë ajo. “Kurrë nuk kam pasur mundësi ta zhvilloj stilin tim dhe ta kuptoj atë. Dhe mund të dukem kështu sepse nuk kam nevojë të dal jashtë”.

Ndjenja e vazhdueshme e të qenit me seksin e gabuar — me gjithë ankthin dhe parehatinë — ia ka shndërruar jetën në një rrugëtim të disforisë gjinore, me ndjenja që s’mund t’i largojë pavarësisht nga eksperimentet e saj. Ndonjëherë ankthi i rëndohet nga frika dhe pasiguria për shkak të pandemisë, dhe fjalët i bëjnë derman.

“Po e menaxhoj. I shkruaj ndjenjat që më trazojnë. I shndërroj në poezi”, thotë Arta.

Aftësia për të qenë vetvetja

Rëndësinë e një familjeje të hapur dhe miratuese, sidomos gjatë pandemisë kur njerëzit janë të mbyllur me familje, e pohon Guximi*. Ai, një burrë gej 25 vjeç nga Prishtina, tash për tash është në ngujim me familjen e vet, e cila e pranon seksualitetin e tij. Ai po mësohet me ngujimin dhe thotë se përderisa është shëndosh, nuk ka ndonjë ankim.

“E kaloj mëngjesin duke fjetur sepse orari i gjumit më është çrregulluar ngase shikoj seriale deri në agim. Gjatë ditës përpiqem të ndihmoj me punët ditore të shtëpise sikur gatimi dhe pastrimi. Në ditët me diell dëgjoj muzikë dhe performoj në dhomën time sepse më pëlqen kërcimi dhe ka kaluar kohë mjaft e gjatë prej se kam qenë në ndonjë ndejë. Shumicën e kohës e kaloj në mediat sociale, meqë është mënyra e vetme për të qëndruar në kontakt me shokët, shoqet dhe dashnorët”, thotë Guximi duke e përshkruar jetën në ngujim.

Mbështetjën që e ka gëzuar gjatë karantinës nuk e kanë shumë pjesëtarë të komunitetit LGBTQ. Ka dëshmi të vazhdueshme që tregojnë se për shkak të kufizimeve ngujuese, shumë të rinj LGBTQ janë të mbyllur në mjedise armiqësore me familjarë dhe bashkëbanues mosmbështetës.

Tej kësaj, shumë njerëz LGBTQ — krahasuar me popullsinë e përgjithshme — kanë më shumë gjasa të jetojnë në skamje, t’u mungojë qasja në përkujdesje të mirëfilltë shëndetësore dhe të mos mundin t’i plotësojnë nevojat themelore gjatë pandemisë.

Aktivistët anekënd botës thonë se, duke marrë parasysh sistemet e stërngarkuara shëndetësore, trajtimi i njerëzve LGBTQ mund të ndërpritet dhe t’i hiqet prioriteti, përfshirë trajtimet hormonale dhe trajtimet për përshtatjen e gjinisë për njerëzit trans.

Ndërsa flet për K2.0, ai e di se diku, në ndonjë shtëpi tjetër, një person i komunitetit LGBTQ i nënshtrohet dhunës prej prindërve mosmbështetës.

Blert Morina, drejtori i organizatës Qendra për Barazinë dhe Lirinë e Komunitetit LGBT (CEL), thotë se njerëzit LGBTQ në Kosovë kanë më shumë gjasa të jenë të papunë dhe tash varen nga familjarët në karantinë.

“Shtëpia jote, veç të tjerave, mund të bëhet armik gjatë këtij lloj izolimi kur nuk mund të lëvizësh aspak dhe kjo mund të shkaktojë depresion dhe ankth”, thotë Blerti. “Ata që janë të papunë ose që kanë humbur punën bëhen të varur ndaj të afërmve, dhe pastaj ata familjarë mund ta shfrytëzojnë atë dhe të krijojnë probleme emocionale”.

Blerti është një burrë transgjinor që është çelur publikisht para se ta niste terapinë hormonale para dy vjetësh. Ai merr injeksionet e testosteronit (për ta ndihmuar tranzicionin) çdo dy javë, të cilat ia japin mjekët e tij në Shkup që e kanë ndjekur procesin. Që nga mbyllja e kufijve, ai injektohet vetë. Çdo gabim mund të shkaktojë efekte të shumta anësore, prandaj është përpjekur të mbetet i shëndoshë gjatë karantinës në shtëpinë e familjes së tij në një fshat afër Gjakovës.

“Më gëzon privilegji i të qenit i pranuar, dhe nuk kam nevojë ta fsheh identitetin tim. Por kjo nuk vlen për të gjithë”, thotë ai. “Ndonjëherë mendoj se kam pasur nevojë për këtë lloj qetësie”.

Viti i fundit për Blertin ka qenë i jashtëzakonshëm: në dhjetor, Gjykata Themelore e Prishtinës ia njohu të drejtën për ta ndërruar emrin dhe shënuesin e gjinisë në dokumentet e identifikimit, gjë që ishte vendim monumental jo vetëm për Blertin, por edhe për të gjithë personat transgjinorë dhe për tërë lëvizjen LGBTQ në Kosovë.

Ndërsa flet për K2.0, ai e di se diku, në ndonjë shtëpi tjetër, një person i komunitetit LGBTQ i nënshtrohet dhunës prej prindërve mosmbështetës. Në prill, K2.0 ka folur me një burrë të ri gej nga Prishtina që ka rrëfyer për dhunën e shtuar nga babai i tij prej fillimit të ngujimit. Shëndeti i tij mendor është përkeqësuar së fundi, dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit, hollësitë për përvojën e tij nuk mund të shfaqen.

“Pasojat e karantinës dhe izolimit për shumë njerëz LGBTQ do të kenë ndikim shumë të madh”, thotë Blerti. “Do të ketë dëme ndaj shëndetit mendor që do t’i vërejmë shumë gjatë pas ngujimit”.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

*Shënim nga përkthyesi: Queer (shqiptohet kuir, me i të gjatë) është identitet gjinor apo seksual që nuk përputhet me idetë tradicionale të gjinisë apo seksualitetit, sidomos me normat heteroseksuale.

**Emrat janë ndryshuar për t’i mbrojtur identitetet e të intervistuarve.

Ky artikull është pjesë e projektit “Avancimi i pozitës së personave LGBTI në shoqëri”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, dhe implementuar nga Qendra për Barazi dhe Liri CEL.