Në thelb | Ambienti

Jeta mes tymit e hirit vdekjeprurës

Nga - 31.01.2018

Normat e kancerit po bëjnë kërdi në Obiliq, i cili gjindet nën hijen e njërit nga ndotësit më të mëdhenj të Kosovës.

Shënim i redaksisë: Ky artikull fillimisht është publikuar në edicionin e shtypur të revistës Kosovo 2.0, me temë Ambienti, të publikuar në vitin 2015.

I veshur me rroba pune, Vesel Mexhuani rregullon kopshtin e tij në Dardhishtë të Obiliqit. Tymi që del nga termocentralet, vetëm dy kilometra më larg, nuk i bën shumë përshtypje burrit rreth të gjashtëdhjetave.

Dardhishtja, fshati me rreth 1,500 banorë, ka qenë zonë e eksploatimit të qymyrit nëntokësor që nga viti 1922. Këtu punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, njësitë e para të së cilës kanë filluar të punojnë nga viti 1962, kanë nxjerrë xehen nga thellësitë e tokës, me qëllim që të njejtën ta përdorin për prodhimin e energjisë elektrike. Mexhuani vet punon si prijës i makinerisë në KEK tash e 30 vite. Por, për familjen e tij dhe banorët e komunës së Obiliqit kjo nënkupton jetesën në njërin nga rajonet me ajrin më të kontaminuar në vend, kjo mbase KEK, e vetmja ndërmarrje energjetike në Kosovë është njëkohësisht ndotësi më i madh në vend.

Nga kontaminimi i tokës dhe ujit e deri tek ndotja e ajrit, të gjitha këto kanë shkaktuar probleme të shumta shëndetësore për banorët e këtij rajoni. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), e klasifikoi ndotjen e ajrit si kancerogjene në tetor 2013, duke e dëshmuar kështu se është problem mjedisor botëror dhe shqetësim për shëndetin publik.

Komuna e Obiliqit është një nga komunat me numrin më të madh të diagnozave të kancerit në Kosovë. Brenda një dekade, Mexhuani tregon se i kanë vdekur pesë anëtarë të familjes nga sëmundja e kancerit. Ndërkohë, disa familjarë të tij kanë zgjedhur të shpërngulën nga Dardhishtja në qytete të tjera.

Gazmend Zhuri, pulmolog, dhe Iliriana Bajraktari, specialiste e mjekësisë interne, bënë hulumtime mbi lidhjen në mes të ndotjes dhe kancerit dhe kuptuan se Obiliqi ka nivelin më të lartë të pacientëve me kancer në krahasim me rajonet e Prizrenit dhe Prishtinës, ku Zhuri punon si zyrtar për turbekuloz në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Paralelja në mes të Prishtinës dhe Prizrenit u krahasua sepse, pa praninë e industrive të rënda si ajo e minierave, rajoni i Prizrenit konsiderohet se ka ajrin më të pastër në Kosovë, përkundër rajonit të Prishtinës, që ndotet nga termocentralet.

Zhuri ka thënë se kanë analizuar fletëlirimet dhe raportet e bronkoskopive në Klinikën Pulmologjike të QKUK-së dhe Repartin e Pulmologjisë të Spitalit Regjional në Prizren në periudhën 2006-2010. Obiliqi me incidencën më të lartë qëndron me 27.84 raste të kancerit në 100.000 banorë, kurse incidencën më të ulët e ka Kaçaniku me 2.99 raste në 100.000 banorë. Komuna e Prizrenit, sipas studimeve, rezulton me incidencë 4.49 raste në 100,000 banorë. Kurse Prishtina rezulton me incidencë 19.94 raste në 100.000 banorë.

Familja Maxhuni jeton në njërin prej rajoneve më të ndotura të Kosovës. Banorët e Obiliqit vuajn nga shumë probleme shëndetësore si rezultat i tokës, ujit dhe ajrit të ndotur. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Pak është tentuar nga KEK që të adresohet ndotja dhe të reduktohet emetimi i pluhurit. Në vitin 2013, janë vendosur elektrofiltrat e rinj për njësitë A3, A4 dhe A5, nëpërmjet të cilave synohej të reduktohet emetimi i pluhurit nga rreth 600 mg/Nm³ (miligramë për 1 metër kub normal), në 50 mg/Nm³. Sipas zyrtarëve të KEK-ut, 50 mg/Nm³, është edhe normativi i lejuar evropian i emetimit të pluhurit.

Sipas të dhënave në KEK, emitimi i pluhurit në vitin 2012 ka qenë prej 469 mg/Nm³ deri në 728 mg/Nm³. Kurse matjet e vitit 2014 kanë treguar ulje drastike: emitimi i pluhurit ka qenë prej 53 mg/Nm³ deri në 59.2 mg/Nm³.

Megjithatë, vendi ku bëhet deponimi i mbetjeve të qymyrit, e ashtuquajtura, Kodra e Hirit, pranë mihjes në Dardhishtë, vazhdon të shkaktojë probleme. KEK, në kuadër të objektivës së adaptimit të një qasje më mbrojtëse ndaj ambientit, ka filluar të rikultivojë Kodrën e Hirit me qëllim të shëndrrimit të saj në një zonë të gjelbër. Ky aksion po ashtu përfshin planin e mbjelljes së 150 mijë fidanëve në të.

Megjithatë, banorët thonë se ka ende probleme.  “Kur fryen veriu, pluhuri na vie këtu në oborr”, thotë Mexhuani.

Ndikimet Negative në Shëndet

Shtatë kilometra nga Dardhishta, në fshatin Mazgiti i Ulët i Obiliqit, rreth gjashtë kilometra në veri-perëndim të Prishtinës, familja Podvorica po përjeton ditë të rënda. F. Podvorica është duke u trajtuar me kemioterapi, si pasojë e sëmundjes së kancerit në mushkëri, që i është diagnostifikuar muaj më parë në Institutin Onkologjik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).  Në vitin 2011 nga kanceri në mushkëri, ka vdekur edhe babai i tij Ferat Podvorica.

Gjatë vitit të kaluar, janë regjistruar 18 raste të reja të kancerit. Kurse 31 raste të reja me probleme të sistemit respirator, janë evidentuar vetëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq. Kjo qendër përfshinë ofrimin e kujdesit parësor shëndetësor përmes Mjekësisë Familjare për rreth 2500 banorë të komunës.

“Këto sëmundje janë më të shprehura se në komunat e tjera. Shtatë raste të reja me kancer i kemi regjistruar vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2015”, thotë Atifete Shulemaja, drejtoreshë e kësaj qendre nga viti 2010.

Sipas drejtorit të Institutit Onkologjik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKK), Ekrem Hyseni, në tremujorin e parë  të vitit 2015, në Klinikën e Onkologjisë ka pasur 190 raste të reja në nivel të Kosovës me kancer që janë lajmëruar në këtë institucion shëndetësor. “Prej tyre 52 tumore të gjirit, 35 tumore të sistemit respirator, 32 tumore të traktit gastroendestinal, 39 tumor të traktit urogjenital dhe tumore gjinekologjike, 32 tumore të sistemeve te tjera”, thotë Hyseni. 

Njerëzit që jetojnë pranë minierave dhe termocentraleve janë më të prirur të vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare; në Obiliq, diagnozat me kancer janë pasaçërisht të larta. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ndërkohë, Klinika e Mushkërive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nuk ka një statistikë krahasuese për sëmundjet e traktit respirator sipas komunave. Ilirjana Raça – Bunjaku, drejtoreshë e klinikës, ka thënë se në Klinikën e Mushkërive, më së shumëti ka raste të sëmundjeve që manifestohen me mbyllje të traktit të poshtëm respirator. Këto sëmundje, sipas saj, karakterizohen me qarkullim të kufizuar të ajrit nëpër rrugët e frymëmarrjes.

“Kufizimi i qarkullimit të ajrit është progresiv dhe i shoqëruar me reaksione inflamatore të mushkërive nga grimcat e dëmshme dhe gazrat”, ka thënë ajo. “Faktorët e rrezikut janë ndotja e ajrit, mjedisit ku jetojmë dhe ku punojmë dhe infeksionet e shpeshta respiratore”, thotë Raça-Bunjaku. Me këso probleme, në Klinikën e Mushkërive në QKUK, sipas saj, gjatë vitit 2013 janë trajtuar gjithsej 196 pacientë, ndërsa në vitin 2014 janë trajtuar 188 pacientë.

Sipas Bankës Botërore, ujërat e nxjerra nga toka, të përdorura deri në një të tretën e popullsisë për ujë të pijshëm, janë të ndotura.

Ndotjet nga tymi i emetuar nuk janë të kufizuara vetëm në ajër. Ato zgjerohen edhe në tokë dhe ujë.

Raporti i Bankës Botërore, për Sigurinë në Ujë në Kosovën Qendrore, lëshuar në qershor 2012, potencon se në lumin e Sitnicës –  që kalon nëpër regjionin e Obiliqit duke përshkuar shumë fshatra për të kaluar nga aty në Mitrovicë, në lumin Ibër – derdhen mbeturinat industriale nga termocentralet Kosova A dhe B. “Nuk ka asnjë trajtim të ujërave të zeza të mbledhura, përfshirë ujërat e zeza nga shtëpitë dhe ato industriale”, thuhet në raport. Sipas Bankës Botërore, ujërat e nxjerra nga toka, të përdorura deri në një të tretën e popullsisë për ujë të pijshëm, janë të ndotura. “Ndotja e ujërave nëntokësore është në rritje për shkak të ndërtimeve të reja dhe nga mungesa e mekanizmave për parandalimin e ndotjes. […] Burimet nëntokësore prandaj janë të kontaminuara gjithnjë e më shumë. Nëse nuk bëhet asgjë, kjo prirje do të zvogëlojë ujin në dispozicion për konsum njerëzor, veçanërisht në zonat rurale në të ardhmen”, thuhet në raport, nga rezulton se testet e vitit 2009, në puse dhe burime lokale, zbuluan se 90 për qind të mostrave ishin të kontaminuara me nitrate dhe materie fekale, që nëse konsumohen ndikojnë direkt në toksikim (helmim) dhe përhapjen e infeksioneve në organizëm.

Sipas vizitave të bëra nga QKMF-ja në shkollat e kësaj komune, ka rezultuar se sëmundjet orale janë mjaft të shprehura tek fëmijët, në raport me sëmundjet tjera.

“35.75 përqind e fëmijëve ka rezultuar se kanë probleme me dhëmbë. Apo, prej 4103 fëmijëve të kontrolluar, 1465 janë evidentuar me probleme shëndetësore orale”. Drejtoresha Shulemaja, këtë ia atribuon ndotjes së ujit dhe konsumit të pemëve dhe perimeve, të kultivuara në ambient jo të pastër.

Shpresë për të ardhmen?

KEK-u synon përmirësimin e gjendjes, megjithëse pasojat janë evidente. Gjatë 50 viteve të funksionimit, KEK ka përdorur aparaturë të vjetëruar e që ka shkaktuar ndotje. Mirëpo, zyrtarët e saj thonë që mbrojtja e mjedisit dhe eliminimi i ndotjes së akumuluar gjatë periudhave të kaluara është tani pjesë e objektivave të korporatës.

“KEK-u ka trashëguar një situatë të vështirë sa i përket ambientit, për shkak të degradimeve të bëra nga e kaluara, por me investimet e deritashme kanë treguar një përkushtim të madh për t’u mundësuar banorëve një mjedis me të pastër dhe më të shëndetshëm për jetë”, ka thënë Edmond Nulleshi, zëdhënës në KEK. “Në këtë vijë, jemi dëshmitar të përfundimit të suksesshëm të investimeve të filluara tash e katër vite në mbrojtje të mjedisit, që kapin shumën prej mbi 50 milionë euro, kryesisht nga mjetet vetanake”.

25 milionë euro nga kjo shumë është dedikuar për vendosjen e elektro-filtrave në të gjitha njësitë aktive të Kosova A. Pjesa tjetër, rreth 15 milionë euro është investuar në projektin për pastrimin dhe ri-kultivimin e tokave, i bashkë-financuar me Bankën Botërore dhe Qeverinë Holandeze.  Kurse rreth 10 milionë të gjithë shumës, në kuadër të këtij projekti, KEK ka përfunduar edhe sistemin hidraulik të bartjes së hirit nga Termocentrali “Kosova A”, me finalizimin e se cilit është ndërprerë hedhja e hirit të freskët në ish-deponinë e hirit të Kosovës A.

Shumë prej banorëve të Obiliqit e kanë braktisur këtë zonë, në kërkim të një jete më të mirë diku tjetër. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Përmes këtij procesi, hiri që mbetet më nuk dërgohet përmes shiritave transportues në Kodrën e Hirit por merr formë të lëngët dhe ndotja në ambient është shumë më e vogël. Gjatë rehabilitimit të kodrës, mbi hirin e grumbulluar, është shpërndarë sasi dheu në 1 metër, është bërë stabilizimi mbi të dhe janë mbjellë fidane. Në këtë zonë, është bërë me këtë kosto edhe asgjësimi i materieve të rrezikshme.

Përkundër këtyre masave të marra, sëmundjet e parandalueshme dhe ndotja ende janë të papërmbajtshme. Nevojitet përpjekje e vazhdueshme prej KEK dhe organizatave tjera për t’i bërë zonat më të ndotura të Kosovës, të sigurta për banorët e tyre.

Është e pamohueshme se njerëzit që jetojnë afër minierave të qymyrit ose termocentraleve janë më shumë në rrezik për sëmundje kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes.

Kjo ka ndodhur edhe në regjionin e Obiliqit, ku vazhdon të nxirret qymyri me qëllim të prodhimit të energjisë elektrike. Numri i rasteve me kancer dhe sëmundjet tjera kronike që janë evidente në këtë komunë janë treguesi më i mirë për arsyet pse shumë banorë të Obiliqit nuk kanë hezituar të largohen nga atje, duke kërkuar një jetë më të mirë në Prishtinë.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.