Së fundmi, Parlamenti i Bosnjes e Hercegovinës diskutoi për atë se a duhet të kenë veturat me përcjellje speciale prioritet në trafik, para ambulancave apo kamionët e zjarrfikësve. Sipas të dhënave që janë në dispozicion, 31 persona ose e kanë ose e përdorin këtë të drejtë, që mbulohet nga mbrojtja policore dhe veturat me përcjellje. Të gjithë janë politikanë të rangut të lartë.
Mes tyre është Bakir Izetbegovic, një prej tre anëtarëve të Presidencës së Bosnjes dhe Hercegovinës, bashkëshortja e të cilit, Sebija, së fundmi u xhirua nga mediat duke përdorur veturë zyrtare. Ajo është anëtare e Partisë për Veprim Demokratik (SDA), kryetar i së cilës është bashkëshorti i saj. Vitin e kaluar, ajo u emërua si drejtoreshë e Qendrës Klinike Universitare, në Sarajevë.
Këto janë vetëm dy ilustrimet e fundit të jetës në Bosnjen e Hercegovinën e sotme, vend ky që sipas prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2015 ishte shteti i pestë më i varfër në Evropë. Dy incidente janë etiketuar nga anëtarët e shoqërisë civile si eskalim i mëtejmë i despotizmit, imoralitetit dhe papërgjegjësisë në politikën boshnjake; politikanët po akuzohen që nuk po e kryejnë detyrën e tyre publike që të jenë shembull për tjerët, e ta mbështesin rendin e ligjin. Në vend të kësaj, e bëjnë të kundërtën, dhe i injorojnë kritikat publike.
Kushtetutë e shtrembëruar
Lufta në Bosnje e Hercegovinë përfundoi para 22 viteve me marrëveshjen e paqës që u nënshkrua në Dayton, Ohio. Marrëveshja i njohi ndarjet që u bënë në vend gjatë luftës, dhe e krijoi një strukturë të ndërlikuar, të përbërë prej dy entiteteve (Republika Srpska dhe Federata e Bosnjes dhe Hercegovinës), si dhe Qarkun Brcko. Federata e Bosnjes dhe Hercegovinës i ka 10 kantone, secila me qeveri të vet. Në krye të shtetit është Këshilli i Ministrave, përkrah Presidencës tripalëshe.
Bosnja e Hercegovina gjithashtu është zyrtarisht ende gjysëm-protektorat, që do të thotë se komuniteti ndërkombëtar ka ndikim jashtëzakonisht të madh në të, e ky ndikim përdoret kur është i nevojshëm dhe në mënyra të ndryshme; pra kështu sigurohet ruajtja e status quo’s si dhe qëndrimi i të njejtave parti politike në pushtet.
Aktivistë të shoqërisë civile e theksojnë vazhdimisht se legjislatura ekzistuese, i lejon elitat politike që të marrin privilegje të pashembullta. Ndërkohë, manipulimi i përhershëm i traumës së luftës dhe identiteteve kolektive, dhe “Kushtetuta e Shtrëmbëruar e Dayton” e bëjnë Bosnjen e Hercegovinën një shtet që nuk ka përjetuar përmirësime për më shumë se një dekadë.
Në një situatë si kjo, institucioneve u ka humbur krejtësisht kuptimi, e tani janë vetëm një perde prapa së cilës po ndodhin proceset e vërteta të plotësimit të interesave të elitës politike dhe kriminale.
Srdjan Blagovcanin, i cili ka luftuar kundër korrupsionit në vend për më shumë se dhjetë vite, e ka përshkruar situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë si “krizë e vazhdueshme e karakterizuar me një mungesë të operacioneve fillestare prej institucioneve dhe me një ndarje themelore të pushtetit”. Ajo që po e përshkruan ai është një situatë në të cilën i gjithë pushteti është i përqëndruar në duart e disa liderëve të partive politike, të cilët e udhëheqin edhe shtetin e edhe shoqërinë.
Blagovcanin e përshkruan atë që qytetarët e përjetojnë çdo ditë, një sistem të ndërtuar “nëpërmjet strukturave paralele joformale partiake kriminale. Në një situatë si kjo, institucioneve u ka humbur krejtësisht kuptimi, e tani janë “vetëm një perde prapa së cilës po ndodhin proceset e vërteta të plotësimit të interesave të elitës politike dhe kriminale”. Synimi kryesor i këtij sistemi është ruajtja e status quos, që lejon vazhdimësi të pasurimit të paligjshëm dhe mbrojtje nga ndjekja penale.
Lojë numrash
Së fundmi, Komisioni Europian (KE) lansoi një raport për përmirësimin ekonomik të shteteve të Ballkanit Perendimor dhe Turqisë. Në këtë raport u tha se ka rënë niveli i punësimit në Bosnje dhe Hercegovinë. Sipas KE-së, 90,000 njerëz u larguan nga puna vetëm në vitin 2016. Kjo rezultoi në një rënie 3.5% të nivelit të punësimit.
Njerëzit e papunë kryesisht janë të rinj. Në mesin e të rinjve, 60% mendohet se janë të papunë. Megjithatë, këto të dhëna injorohen nga politikanët vendas, të cilët i ofrojnë të dhënat e tyre, sipas të cilave niveli i punësimit në Bosnje e Hercegovinë po rritet.
Një problem tjetër që po e rrezikon Bosnjen e Hercegovinën por që injorohet nga politikanët vendas është eksodi i ngadalshëm i popullsisë. Edhe spe të dhënat janë kritikuar si jo të besueshme, sipas disa burimeve, më shumë se 16,000 njerëz janë shpërngulur vetëm në vitin 2016.
Papunësia nuk është arsyeja e vetme pse qytetarët po largohen nga Bosnja e Hercegovina. Arsyeja gjithnjë e më relevante është situata e pashpresë dhe jeta në një status quo të përhershme.
Sipas të dhënave të Union for Sustainable Return and Integration (Sindikatës për Kthim dhe Integrim të Qëndrueshëm), organizatë joqeveritare që merrej me kthimin e personave të zhvendosur, 90,000 njerëz janë larguar nga Bosnja e Hercegovina që prej vitit 2013. Në disa raste po largohen familje të tëra. Aktualisht nuk ka program që e parandalon këtë eksod.
Papunësia nuk është arsyeja e vetme pse qytetarët po largohen nga Bosnja e Hercegovina. Arsyeja gjithnjë e më relevante është situata e pashpresë dhe jeta në një status quo të përhershme. Në një gjendje të tillë, politikanët vendas po bëjnë shumë pak për ta rregulluar.
Situata po keqësohet çdo vit. Mungesa e progresit në një vend të kapur nga status quo mund të ilustrohet me shembull nga Parlamenti i Bosnjes dhe Hercegovinës që i miratoi vetëm 26 ligje në vitin 2016.
Mungesa e efikasitetit nuk i ka reduktuar rrogat e politikanëve. Deputetët e Bosnjes dhe Hercegovinës janë ndër më të paguarit në Europë, me rrogë mujore në vlerë rreth 2,500 euro. Rroga mesatare në Bosnje është 430 euro në muaj. Veç kësaj, deputetët kanë shumë privilegje, si telefona e vetura zyrtare. Të gjitha këto duken si të pajustifikuara, e madje edhe imorale, në krahasim me dobinë që ata po i sjellin shoqërisë.
Ndërkohë Blagovcanin ka identifikuar gjithashtu një mungesë totale të përgjegjësisë në jetën politike, dhe në institucionet që janë kapur prej strukturave partiake kriminale. Për shkak të kësaj, nuk ka mekanizëm për të filluar me zgjidhjen e situatës aktuale. Partitë opozitare nuk kanë arritur që t’i artikulojnë kërkesat e qytetarëve, dhe shoqëria civile është e dobët.
Realitet paralel
Shoqëria civile i thekson këto çështje vetëm nganjëherë. Hera e fundit që dolën qytetarët në rrugë ishte në shkurt 2014. Ato protesta ishin protestat më të mëdha që prej fundit të luftës. U mblodhën mijëra njerëz, por protestuesit shpejtë u dekurajuan kur e kuptuan se ishte e vështirë madje edhe ta gjenin vendin e duhur për ta adresuar nërvozën e tyre, pjesërisht për shkak të strukturës së ndërlikuar shtetërore.
Pasiviteti i sektorit civil shprehet nga fakti që ligji i përmendur në fillim të artikullit – që u jep prioritet veturave me përcjellje para ambulancave e kamionëve të zjarrfikësve – ka qenë në fuqi që prej vitit 2005, dhe askush nuk ka reaguar kundër tij. Erdhi në qendër të vëmendjes vetëm kur një politikan foli publikisht për atë çështje. Askush nuk ka protestuar kundër përdorimit të veturave zyrtare për qëllime private.
Kjo e lejoi Sebija Izetbegovic që të reagojë thjeshtë ndaj një pyetjes që e shtroi një gazetar për përdorimin e veturës zyrtare nga ana e saj: “e përdora për një vizitë të bukur afirmative nga Qendra Klinike Universitare e Sajarevës, deri në qendër të Tuzlës”. Ndërsa bashkëshorti i saj, anëtar i Presidencës, tha: “Bashkëshortja ime po përjeton siklet e parehati, dhe nuk e kam për qëllim që ta lë të pambrojtur. Le ta mbrojë shteti si qysh i mbron bashkëshortet e burrështetasve tjerë kur ata e vizitojnë Bosnjen e Hercegovinën”.
Hulumtime të gjëra të udhëhequra prej organizatave të ndryshme të shoqërisë civile kanë treguar që qytetarët po përjashtohen sistematikisht nga procesi i vendimmarrjes. Qytetarët nuk kanë mënyrë për të ndikuar punën e organeve publike, ndërsa përpjekjet e tyre për të ngritur zërin në protesta shpeshherë dënohen publikisht prej politikanëve dhe refuzohen si jodemokratike.
Kur një situatë si kjo në Bosnje dhe Hercegovinë vazhdon për rreth një dekadë, qytetarët e normalizojnë, fillojnë që të adaptohen e të sillen njëlloj edhe ata.
Në vitin 2014, gjatë protestave më të mëdha që prej fundit të luftës në Bosnje, politikanët i quajtën pjesëmarrësit “huliganë”. Edhe pse protestat në Bosnje ndodhin gati çdo ditë, nuk ka artikulim të pakënaqësisë civile, dhe shpeshherë nuk ka solidaritet të mjaftueshëm në mesin e protestuesve. Shoqëria civile duhet të gjejë mënyrë për të operuar, ndërtuar një rrjet të solidaritetit, dhe gjetur një zë të fuqishëm për të ushtruar ndikimin e tyre deri sa të rezultohet me ndryshime.
Kur një situatë si kjo në Bosnje dhe Hercegovinë vazhdon për rreth një dekadë, qytetarët e normalizojnë, fillojnë që të adaptohen e të sillen njëlloj edhe ata. Një pjesë e shoqërisë civile besojnë se e vetmja zgjidhje është fuqizimi i rendit të ligjit dhe llogaridhënies. Kjo është e vështirë për t’u arritur në një vend në të cilin çdo nivel i qeverisjes është i kontrolluar prej partive politike, ndërsa institucionet përdoren vetëm si prokura të tyre.
Për ta bërë këtë, ekspertët besojnë se është e nevojshme që ta çlirojmë sistemin e drejtësisë prej ndikimeve politike, ta depolitizojmë administratën publike, dhe t’i shpëtojmë kompanitë publike dhe institucionet prej shtrëngimit të partive politike, si dhe t’i përmirësojmë mekanizmat për zgjedhje të hershme. Këto janë kushtet kyçe për konsolidimin e një demokracie dhe ndërtimin e një shteti funksional. Por kjo ka filluar të kërkohet pas 25 viteve të eksperimentimit me konflikte të ngrira e kaos të kontrolluar në Bosnjen e Hercegovinën moderne.
Fotografite: Majlinda Hoxha.