Kur Kabuli ra në duart e Talebanëve në gusht të vitit 2021, kritikët shpejt ia lanë fajin tërheqjes ushtarake të ShBA-së nga Afganistani kohëve të fundit. U tha se ShBA-të, partnerët e saj të shumtë evropianë dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar ua kishin kthyer shpinën afganëve.
Por prej përvojës së gjatë duke i ndihmuar emigrantët, shumë prej të cilëve ishin afganë, që të mbijetojnë përgjatë “Rrugës Ballkanike” brutale, redaktorja rajonale e K2.0, Nidžara Ahmetašević, e dinte se bota ua kishte kthyer shpinën afganëve shumë kohë më parë. Nëse pushtimi i Afganistanit nga talebanët përfaqësonte tradhtinë e turpshme të komunitetit ndërkombëtar ndaj popullit afgan, ky ishte vetëm shembulli më i freskët i një historie të moçme ligësie.
Ky vështrim u shndërrua në një artikull të formatit Pikëpamje në K2.0 “Bota ua ktheu shpinën afganëve shumë kohë më parë“, i publikuar më 17 gusht të vitit 2021. Në të, Ahmetašević rrëfen historinë e Idrisit, një të riu afgan që pësoi lëndime të tmerrshme në një bombardim të një veture në Kabul dhe i cili kaloi vite të tëra duke ecur në këmbë nëpër Lindje të Mesme dhe Ballkan, në kërkim të azilit dhe trajtimit mjekësor në Gjermani.
Në esenë e saj të mprehtë, Ahmetašević argumenton se ta detyrosh Idrisin e ri të të ecë nëpër shkretëtirat e Iranit, të burgoset në një kamp në Greqi, të flejë nën ura në Sarajevë dhe të përballet me policinë kroate, vetëm sepse dëshiron të ketë qasje në kujdesin bazik mjekësor dhe një mundësipër një jetë të mirë, është akt që gjithashtu paraqet tradhti ndaj të drejtave të njeriut dhe “vlerave evropiane”. Edhe kjo gjë pra është dëshmi se bota ia kishte kthyer shpinën gjendjes së vështirë të afganëve që moti.
Ne në K2.0 jemi jashtëzakonisht krenarë t’ju njoftojmë se ky artikull është vlerësuar në nivelin më të lartë, pasi është përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimin Evropian për Shtypin në kategorinë e Diskursit Publik.
Çmimi Evropian për Shtypin, që filloi në vitin 2012, është një nga çmimet më prestigjioze të gazetarisë në Evropë. Çdo vit ka qindra aplikime nga 47 vende në të gjithë kontinentin. Përpos kategorisë së Diskursit Publik, jepen çmime për Raportim të Dalluar, Inovacion dhe Raportim Hulumtues.
Në faqen e internetit të Çmimit, shkruhet se Çmimi i Diskursit Publik feston “punën që tejkalon të dhënat dhe rajonet” dhe që mund “të nxisë debat dhe diskurs publik dhe ka vlerë për të gjithë njerëzit që e lexojnë atë”. Ky është lloji i punës që K2.0 përpiqet ta bëjë gjithmonë. Fituesit e secilës kategori të çmimeve do të shpallen më vonë këtë vit, por pavarësisht rezultatit përfundimtar, jemi të lumtur që një shembulli kaq mjeshtëror i punës sonë, si ky i Ahmetašević, tani mund të fitojë lexueshmëri më të gjerë.
Imazhi i ballinës: K2.0