Rrugët e përhimta të Prishtinës, prej datës 3 deri më 8 qershor, do të çelen me shumëngjyrësinë e ylberit për Javën e përvitshme të Krenarisë. Kjo javë, që kulmon e mbyllet me paradën e krenarisë së 8 qershorit, është e ngjeshur me ngjarje. Prej mbrëmjeve muzikore, bisedave, konferencave deri te shfaqjet teatrale, kjo javë e krenarisë qëndron si negacion i heshtjes. Është përpjekje për të vënë theks te historiciteti — te prania e njerëzve LGBTQ, te e kaluara dhe ndërveprimi i saj me të tashmen dhe te fuqia. Midis vështirësive, njerëzit LGBTQ+ “mbajnë të fuqizuar shpirtrat”, siç shkruhet në faqen e paradës.
Në Kosovë, njerëzit dhe lëvizja LGBTQ+, vërtet ndodhen midis vështirësive strukturore, me institucione që, duke mos u garantuar mirëqenie e mbrojtje ligjore, i shtyn këta qytetarë në qoshe të vëmendjes. Një prej çështjeve më të pranishme në debatin publik vazhdon të jetë draft-Kodi Civil, që do t’u hapte udhë ligjore njerëzve të të njëjtit seks për të lidhur bashkësi civile.
Ardhja në Kuvend e draft-Kodit për votim në vitin 2022, shprushi homofobi përbrenda institucionit dhe jashtë tij. Draft-Kodi përfundimisht nuk u votua, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili pas disa vitesh mandat, doli në paradën e krenarisë në vitin 2023, nuk ia ka dalë ende t’i bindë bashkëpartiakët e tij për ta çuar përpara ligjin. Në prill 2024, Kurti tha se parashihet që draft-Kodi të shkojë për votim në maj 2024. Qershori është në ditët e veta të para e ligji nuk është hedhur ende në votim.
Ndërkohë, homofobia e vrullshme e vitit 2022 vazhdon sot — njerëzit LGBTQ+ vazhdojnë, ndër tjera, të mos kenë strehimore, të jenë viktima të krimeve të urrejtjes dhe të jetojnë pa mbrojtje të mirëfilltë ligjore.
“[…]Do t’jemi këtu. Përtej gjithçkaje”, thotë deklarata e krenarisë këtë vit, që organizohet nga një varg organizatash të shoqërisë civile, të cilat u prijnë përpjekjeve për mbrojtje të të drejtave LGBTQ+ në Kosovë. Teksa tog-fjalëshi i këtij viti fton për të shikuar kah historia që dëshmon se njerëzit LGBTQ+ kanë qenë moti këtu, një nismë e Qendrës për Barazi e Liri (CEL), organizatë për të drejtat LGBTQ+, ua mundëson të gjithëve/ave këtë shikim prapa përmes Arkivit të Lëvizjes LGBTQ+. Sipas CEL, ky arkiv synon të nderojë, kujtojë dhe ndajë historinë e kësaj lëvizjeje. Përbërë prej koleksioneve që, ndër tjera, përfshijnë shtyp, art, dokumente, fotografi, dorëshkrime, arkivi është i plotësueshëm nga kontributet e njerëzve.
Si revistë që, qysh prej ditëve të para të veta, preokupohet me dhe angazhohet për të dokumentuar përvojat LGBTQ+, K2.0 në javën e krenarisë, zgjodhi gjashtë copëza, përmbajtje të arkivuara, që janë pjesë e një rrugëtimi të pasur, më të madh e të kahmotshëm të lëvizjes LGBTQ+ në Kosovë.